Lajme nga vendi
BDI: Mbi 500 milionë euro i kushton qytetarëve bllokada e VMRO-së dhe “Levicës” në Kuvend
Nga BDI thonë se VMRO-DPMNE në bashkëpunim me “Levicën” po bllokon aktivisht mbi 500 milionë euro të destinuara për Korridorin 8 dhe 10D.
Nga kjo parti thonë se ndryshimet ligjore nuk cenojnë të drejtat e punëtorëve, ashtu siç pretendon opozita.
“Implikimet financiare të bllokimit të ligjit të TVSH-së janë 40 milionë euro, për ligjin e tatimit mbi fitimin janë 20 milionë euro, për tatimin e solidaritetit 80 milionë euro, si dhe bllokimi i ligjeve financiare për huamarrjet, 100 milionë euro nga Banka Europiane e Investimeve për kredi për ekonominë me kushte të favorshme dhe 100 milionë të tjera nga BERZH për ESM, mbi 150 milionë euro për korridoret 8 dhe 10 – D, si dhe gjithsej 260 milionë euro nga BE dhe FMN që varen nga ligjet tatimore, si dhe qindra milionë euro për hekurudhat në korridorin 8. Gjithashtu, OBRM-PDUKM në bashkëpunim me Levicën po bllokon ligjet për ndërtimin e shpejtë dhe të lirë të korridoreve 8 dhe 10 – D, ndërsa kjo bllokadë e pakuptueshme po i kushton qytetarëve dhe buxhetit të shtetit mbi 150 milionë euro ndërtime më të shtrenjta dhe mbi dy vjet ndërtim më të gjatë të autostradave. Prandaj, vendimi i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për shfrytëzimin e mundësive të rregullores për miratimin e ligjeve për marrëdhëniet e punës, për ndërtimtari, për planifikim urban, shpronësime dhe ligjin special, është vendim i drejtë. Lajmet e rreme të opozites për përmendjen e 60 oreve pune apo që ka deputetet që e kanë parë kontratën, si dhe se do te paguhen gjobat bashkë me importimin e mbi 70% të fuqisë punëtore, ranë në ujë sepse janë thjesht lajme të rreme. Ligji i Punës i lejon të punësuarit, me pëlqimin paraprak me shkrim dhe me orar shtesë të paguar plotësisht, të mund të punojnë orë shtesë, ndërsa duhet të respektohen dispozitat për 12 orë pushim dhe 24 orë pushim gjatë javës. Ligjet e tjera lehtësojnë dhe thjeshtojnë procedurat institucionale për të gjitha projektet kombëtare dhe strategjike të vendit, jo vetëm për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10 – D, por edhe për hekurudhat, projektet energjetike, gazsjellësit etj”, thonë mes tjerash nga BDI./shenja
Lajme nga vendi
TETOVA NË VAPËN AFRIKANE – SI FRYMON QYTETI NË 40 GRADË?
Tetova këto ditë po përballet me temperaturat e larta të vapës afrikane. Termometri i afrohet 40 gradëve Celsius, ndërsa qyteti duket sikur ngadalëson ritmin dhe kërkon hije, freski dhe pak ajër.
Tetova në këto temperatura është një qytet që vazhdon të jetojë, por me një ritëm tjetër. Një tabelë e Drejtorisë për Punë Hidrometelereologjike tregon se në orën 14.00 në Tetovë janë matur 34.1 gradë Celsius. Por, në qytet vapa afrikane dhe netët tropikale tashmë janë bërë përditshmëri.
Rrugët në orët më të nxehta janë më të zbrazëta. Qytetarët shmangin daljet gjatë mesditës dhe, kur është e domosdoshme të dalin, kërkojnë rrugët me hije, freskojnë veten me ujë dhe përpiqen të kryejnë punët sa më shpejt.
Edhe tregtarët dhe punëtorët që janë të detyruar të qëndrojnë jashtë duhet ta përshtatin ritmin e punës. Uji, pushimet e shpeshta dhe shmangia e diellit bëhen domosdoshmëri.
Vapa ndryshon edhe zakonet. Takimet shtyhen për pasdite, aktivitetet sportive zhvendosen në orët e vona, ndërsa shumë familje preferojnë të qëndrojnë në ambiente të mbyllura gjatë pjesës më të nxehtë të ditës.
Daljet gjatë orëve të nxehta shtyhen për më vonë, pazaret dhe obligimet kryhen herët në mëngjes, ndërsa shëtitjet në qytet bëhen kryesisht në mbrëmje. Për shumë tetovarë, vera nuk është më vetëm një stinë pushimi, por një periudhë ku dita duhet planifikuar sipas temperaturës.
Në 40 gradë, qyteti nuk ndalet, në pritje të shiut, thjesht mëson të marrë frymë më ngadalë./Tv Koha/
Lajme nga vendi
DREJTORIA E GJIMNAZIT PËRGËNJESHTRON “LEVICËN”
Drejtoria e Gjimnazit „Kirili Pejçinoviq“ – Tetovë reagon ashpër ndaj informacioneve të publikuara lidhur me funksionimin e shkollës.
Drejtoria e Gjimnazit të Tetovës i ka përgënjeshtruar pohimet e një komunikate të partisë “Levica” ku ata pretendojnë se po nënçmohet gjuha maqedonase dhe se klasat janë të stërmbushura me nxënës.
Nga Drejtoria thonë se do ta kuptonin këtë gjuhë të “Levicës” nëse vendi ishte në fushatë zgjedhore, por duke prezantuar fakte përgënjeshtrojnë pohimet e partisë në fjalë.
Dje, faqja e internetit e shkollës u hakua në të tri gjuhët – maqedonisht, shqip dhe anglisht. Ekipi i IT-së së shkollës punoi intensivisht për zgjidhjen e problemit dhe arriti ta rikthejë funksionimin e saj. Faqja e internetit tashmë është në funksion dhe në të janë publikuar listat e nxënësve të pranuar në afatin e regjistrimit të qershorit.
Shpërndarja e nxënësve në paralele bëhet në përputhje me konkursin për regjistrimin e nxënësve në Gjimnaz, të publikuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, numrin e nxënësve të regjistruar dhe kapacitetet hapësinore të dy objekteve ku nxënësit e ndjekin mësimin në turnin e paradites.
Po ashtu, si tërësisht të pavërteta I kanë hedhur poshtë pretendimet se 50 nxënës do ta ndjekin mësimin në një klasë.
Drejtoria e shkollës është e përkushtuar për krijimin e shërbimeve dhe kushteve më të mira dhe më cilësore për zhvillimin e pandërprerë dhe të vazhdueshëm të procesit arsimor.
Sipas tyre, pikërisht informacione të tilla të paverifikuara, të pabazuara dhe të pasakta krijojnë kaos në arsim./Tv Koha/
Lajme nga vendi
BDI: Me dy vjet vonesë dhe 30 milionë euro më shtrenjtë, VLEN vazhdon projektin e BDI-së Shkup- Bllacë
Pas dy vitesh humbje kohe, VLEN sot po e paraqet si sukses vazhdimin e autostradës Shkup- Bllacë, projekt i përfunduar më 2 maj 2023 dhe i tenderuar po atë vit nga qeveria e kaluar, me një vlerë prej rreth 183 milionë eurosh.
Dy vjet më parë, VLEN dhe partnerët e tyre politikë e sulmonin projektin si “tepër të shtrenjtë” dhe “të papërshtatshëm”. Sot, pa ndryshuar as trasenë dhe as projektin, duke e vonuar pa asnjë nevojë për mbi dy vite, të njëjtën autostradë prej rreth 10 kilometrash do ta ndërtojnë për rreth 210 milionë euro, apo afërsisht 21 milionë euro për kilometër.
Pra, projekti që e kritikuan nuk është ndryshuar as për 0,1 për qind. Traseja është e njëjtë, projekti është i njëjtë, autostrada është e njëjtë.
Të vetmet gjëra që kanë ndryshuar janë dy vite vonesë dhe rreth 30 milionë euro më shumë nga paratë e qytetarëve.
VLEN duhet t’i përgjigjet opinionit: pse u bllokua për dy vjet një projekt i gatshëm dhe pse sot i njëjti projekt kushton rreth 30 milionë euro më shumë? Ku përfundojnë këto para dhe cili është arsyetimi për këtë shtrenjtim?
Shqiptarët humbën dy vite për një autostradë jetike, ndërsa qytetarët do të paguajnë dhjetëra milionë euro më shumë. Dy vite vonesë, 30 milionë euro më shtrenjtë dhe asnjë ndryshim në projekt, kjo është fatura e paaftësisë dhe keqmenaxhimit të VLEN-it.

