Lajme nga vendi
Kreditë e shpejta në Maqedoni, që të zhysin në borxhe!
Çdo ditë si kërpudha nëpër qytete mbijnë pikat ku mund të merren kredi të shpejta vetëm me dokument identifikimi.Mijëra qytetarë, për shkak të lehtësisë së marrjes së parave, janë zhytur deri në fyt në borxhe për shkak të këtyre kredive.
A e dini se si ndodh kjo?
TV21 xhiroi tre filiale të ndryshme për të parë se cilat janë kushtet.
Edhe pse thonë se janë me 0% kamatë, nëse e vonon kredinë 7 ditë, duhet të paguash shuma marramendëse e deri në përmbarues.
Gazetarja: Nëse marr më shumë p.sh. 30 mijë denarë?
-Atëherë ka kamatë.
Gazetarja: Si shkon me kamatën nëse nuk arrijë të paguaj më 1, por paguaj më 5,6 ose 7 ose më vonë?
-Ke 5 ditë grej periudhë që mund të vonohesh dhe nuk ke dënim, sepse çdo javë vendosin kamatë 2,5%.
Gazetarja: Për 30 mijë denarë sa duhet të paguaj në muaj?
-Ke për 3, 6 dhe 9 muaj!
Gazetarja: Për 9 muaj?
-6426 denarë kësti në muaj.
Gazetarja: E nëse nuk e paguan në kohë nuk arrin? Sa dënim paguaj p.sh.?
-Çdo të 7 ditë nga 750 denarë plus”.
Ja edhe një rast tjetër. Edhe pse thuhet pa kamat videoja tregon qartë se kamatat janë të larta me kredi të shpejta.
Gazetarja: Shkruan pa kamatë, kredi pa kamatë?
-I pari është pa kamatë megjithatë duhet të keni sigurim.
Gazetarja: Sa është kamata nëse vonohet pagesa e kredisë, pas 7 ditësh ose 8 ditësh?
-Në javë duhet të paguash 500 denarë dënim tek ne.”
E nëse kredia nuk shlyhet për një kohë të gjatë, marrësi ballafaqohet me përmbaruesit, edhe pse kredinë e ka marrë vetëm me letërnjoftim dhe pa dokument se është i punësuar dhe ka rrogë mujore. Këtë e thanë në filialin e tretë që vizituam.
Gazetarja: Nëse nuk e paguaj për 3 ose 4 muaj do të përfundoj tek përmbaruesit, ashtu?
-Po, po , dilet në teren, pagesë për drejtësi etj.”
Qytetarët të cilët i futen kësaj kredie dhe më pas nuk dinë se nga t’ia mbajnë, për shkak edhe të përmbaruesve, detyrohen të trokasin në derën e Avokatit të Popullit.
“Shumica e tyre kërkojnë ndihmë për shkak se kanë marrë kredi në shumë vende d.m.th. 1,2,3,4 dhe kanë kredi edhe në bankat e rregullta të cilat ekzistojnë në RMV. Ne mundohemi që zakonisht t’ua lehtësojmë problemet e tyre dhe mundohemi që në njëfarë mënyre ekzekutorët ose përmbaruesit ta realizojnë pjesë-pjesë, jo njëherë për shkak se krijohet krizë familjare”, tha Ylber Rufati, zv/avokat i popullit.
Duhet përmendur edhe fakti se shpesh nga Ministria e Brendshme informojnë për denoncime kur dikush ka marrë ose është përpjekur të marrë kredi të shpejtë me letërnjoftim të dikujt tjetër, gjë që përbën vepër penale.
Ndërkohë njohës të fushës së financave dhe ekonomisë shpesh bëjnë apele që qytetarët të kenë kujdes me kreditë e shpejta sepse kanë më shumë harxhime dhe shumë shpejt mund të vijnë në situatë nga e cila vështirë të dalin.
Lajme nga vendi
TETOVA NË VAPËN AFRIKANE – SI FRYMON QYTETI NË 40 GRADË?
Tetova këto ditë po përballet me temperaturat e larta të vapës afrikane. Termometri i afrohet 40 gradëve Celsius, ndërsa qyteti duket sikur ngadalëson ritmin dhe kërkon hije, freski dhe pak ajër.
Tetova në këto temperatura është një qytet që vazhdon të jetojë, por me një ritëm tjetër. Një tabelë e Drejtorisë për Punë Hidrometelereologjike tregon se në orën 14.00 në Tetovë janë matur 34.1 gradë Celsius. Por, në qytet vapa afrikane dhe netët tropikale tashmë janë bërë përditshmëri.
Rrugët në orët më të nxehta janë më të zbrazëta. Qytetarët shmangin daljet gjatë mesditës dhe, kur është e domosdoshme të dalin, kërkojnë rrugët me hije, freskojnë veten me ujë dhe përpiqen të kryejnë punët sa më shpejt.
Edhe tregtarët dhe punëtorët që janë të detyruar të qëndrojnë jashtë duhet ta përshtatin ritmin e punës. Uji, pushimet e shpeshta dhe shmangia e diellit bëhen domosdoshmëri.
Vapa ndryshon edhe zakonet. Takimet shtyhen për pasdite, aktivitetet sportive zhvendosen në orët e vona, ndërsa shumë familje preferojnë të qëndrojnë në ambiente të mbyllura gjatë pjesës më të nxehtë të ditës.
Daljet gjatë orëve të nxehta shtyhen për më vonë, pazaret dhe obligimet kryhen herët në mëngjes, ndërsa shëtitjet në qytet bëhen kryesisht në mbrëmje. Për shumë tetovarë, vera nuk është më vetëm një stinë pushimi, por një periudhë ku dita duhet planifikuar sipas temperaturës.
Në 40 gradë, qyteti nuk ndalet, në pritje të shiut, thjesht mëson të marrë frymë më ngadalë./Tv Koha/
Lajme nga vendi
DREJTORIA E GJIMNAZIT PËRGËNJESHTRON “LEVICËN”
Drejtoria e Gjimnazit „Kirili Pejçinoviq“ – Tetovë reagon ashpër ndaj informacioneve të publikuara lidhur me funksionimin e shkollës.
Drejtoria e Gjimnazit të Tetovës i ka përgënjeshtruar pohimet e një komunikate të partisë “Levica” ku ata pretendojnë se po nënçmohet gjuha maqedonase dhe se klasat janë të stërmbushura me nxënës.
Nga Drejtoria thonë se do ta kuptonin këtë gjuhë të “Levicës” nëse vendi ishte në fushatë zgjedhore, por duke prezantuar fakte përgënjeshtrojnë pohimet e partisë në fjalë.
Dje, faqja e internetit e shkollës u hakua në të tri gjuhët – maqedonisht, shqip dhe anglisht. Ekipi i IT-së së shkollës punoi intensivisht për zgjidhjen e problemit dhe arriti ta rikthejë funksionimin e saj. Faqja e internetit tashmë është në funksion dhe në të janë publikuar listat e nxënësve të pranuar në afatin e regjistrimit të qershorit.
Shpërndarja e nxënësve në paralele bëhet në përputhje me konkursin për regjistrimin e nxënësve në Gjimnaz, të publikuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, numrin e nxënësve të regjistruar dhe kapacitetet hapësinore të dy objekteve ku nxënësit e ndjekin mësimin në turnin e paradites.
Po ashtu, si tërësisht të pavërteta I kanë hedhur poshtë pretendimet se 50 nxënës do ta ndjekin mësimin në një klasë.
Drejtoria e shkollës është e përkushtuar për krijimin e shërbimeve dhe kushteve më të mira dhe më cilësore për zhvillimin e pandërprerë dhe të vazhdueshëm të procesit arsimor.
Sipas tyre, pikërisht informacione të tilla të paverifikuara, të pabazuara dhe të pasakta krijojnë kaos në arsim./Tv Koha/
Lajme nga vendi
BDI: Me dy vjet vonesë dhe 30 milionë euro më shtrenjtë, VLEN vazhdon projektin e BDI-së Shkup- Bllacë
Pas dy vitesh humbje kohe, VLEN sot po e paraqet si sukses vazhdimin e autostradës Shkup- Bllacë, projekt i përfunduar më 2 maj 2023 dhe i tenderuar po atë vit nga qeveria e kaluar, me një vlerë prej rreth 183 milionë eurosh.
Dy vjet më parë, VLEN dhe partnerët e tyre politikë e sulmonin projektin si “tepër të shtrenjtë” dhe “të papërshtatshëm”. Sot, pa ndryshuar as trasenë dhe as projektin, duke e vonuar pa asnjë nevojë për mbi dy vite, të njëjtën autostradë prej rreth 10 kilometrash do ta ndërtojnë për rreth 210 milionë euro, apo afërsisht 21 milionë euro për kilometër.
Pra, projekti që e kritikuan nuk është ndryshuar as për 0,1 për qind. Traseja është e njëjtë, projekti është i njëjtë, autostrada është e njëjtë.
Të vetmet gjëra që kanë ndryshuar janë dy vite vonesë dhe rreth 30 milionë euro më shumë nga paratë e qytetarëve.
VLEN duhet t’i përgjigjet opinionit: pse u bllokua për dy vjet një projekt i gatshëm dhe pse sot i njëjti projekt kushton rreth 30 milionë euro më shumë? Ku përfundojnë këto para dhe cili është arsyetimi për këtë shtrenjtim?
Shqiptarët humbën dy vite për një autostradë jetike, ndërsa qytetarët do të paguajnë dhjetëra milionë euro më shumë. Dy vite vonesë, 30 milionë euro më shtrenjtë dhe asnjë ndryshim në projekt, kjo është fatura e paaftësisë dhe keqmenaxhimit të VLEN-it.

