Lajme nga vendi
Vazhdojnë konsultimet për mbylljen e TIK-TOKUT | VIDEO
Ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri, thotë se MPB-ja tashmë është duke analizuar disa video materiale të Tik-Tokut që janë publikuar nga nxënësit dhe nëse vlerësohet se janë joadekuate për moshën e fëmijëve bashkë me Ministrinë për Shoqëri Informatike dhe Administratë, Agjencinë për Komunikime Elektronike dhe me institucione tjera, do të shqyrtohen të gjitha mundësitë për të kufizuar mënyrën e përdorimit të Tik-Tokut si aplikacion.
”Janë disa shtete në të cilat është ndalur dhe të cilat kanë përvoja, janë disa shtete tjera në të cilat ka iniciativa dhe në këto iniciativa ka edhe komente nga ana tjetër që të ketë ndalesë të përgjithshme por të shikohet mundësia e mos keqpërdorimit për atë arsye them të gjithë mundësitë janë të përfshira edhe ndalja e tërësishme e Tik-Tokut si mundësi ku shohim që të gjitha këto problematika po vijnë nga ky lloj sistemi” – tha Jeton Shaqiri, ministër i Arsimit.
Në punëtorinë me nxënës dhe mësimdhënës me temën “Siguria në shkolla – ndërtimi i mekanizmave të parandalimit dhe paralajmërimi i hershëm” në kuadër të projektit shkencoro-hulumtues të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi”, ekspertë dhe profesorë universitar rekomandojnë që në këto projekte të implikohen të gjitha palët.Ministri i Arsimit, paralajmëroi se do të analizohet edhe mënyra e shfrytëzimit të rrjeteve tjera sociale, se si të ketë kufizime në mënyrën e krijimit të profileve, konfirmimin dhe futjen e të dhënave.Për këtë, do të bisedohet me psikologë, pedagogë, ekspertë të MASH-it, Ministrisë për Punë dhe Politikë Sociale dhe me njerëz të sektorëve të arsimit nëpër komuna.Sipas tij, bëhet fjalë për masa paraprake, kurse nga viti i ardhshëm shkollor do të ketë protokoll konkret. /Televizioni KOHA/
Lajme nga vendi
MPB, të hënën në mëngjes grevë e doganierëve grekë në pikat kufitare
Ministria e Punëve të Brendshme i njofton qytetarët se, sipas informacioneve të pranuara nga organet kompetente të Republikës së Greqisë, më 27.07.2026 (e hënë) është paralajmëruar grevë e punonjësve të doganave në pikat kufitare greke Evzoni (Bogorodicë), Dojrani (Dojran) dhe Niki (Mexhitli).
“Gjatë periudhës nga ora 05:00 deri në 09:00 sipas kohës së Maqedonisë (06:00–10:00 sipas kohës së Greqisë), në këto pika kufitare, automjetet e udhëtarëve do të lejohen të kalojnë çdo 10 minuta, ndërsa qarkullimi i automjeteve të transportit të mallrave do të jetë plotësisht i ndërprerë, si për hyrje ashtu edhe për dalje nga Republika e Greqisë”.
“Ministria e Punëve të Brendshme do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme dhe do të angazhojë të gjitha kapacitetet njerëzore dhe teknike për menaxhimin e situatës”, – thonë nga MPB.
Lajme nga vendi
Ulet numri i rasteve të qytetarëve që kërkojnë ndihmë mjekësore në Gostivar
Sipas të dhënave nga institucionet publike shëndetësore në Gostivar, gjatë ditës së djeshme (23.07.2026) janë regjistruar gjithsej 197 pacientë të rinj, përkatësisht persona që për herë të parë kanë kërkuar ndihmë mjekësore, çka tregon një ulje krahasuar me një ditë më parë.
Në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Ferid Murad” në Gostivar janë regjistruar gjithsej 117 vizita të reja, prej të cilave 82 në repartin e sëmundjeve infektive (pa shtrime të reja në spital dhe me tre pacientë të liruar), 40 në repartin e pediatrisë dhe 7 vizita në Qendrën e Urgjencës.
Në Shtëpinë e Shëndetit në Gostivar janë regjistruar 80 vizita të reja në shërbimin kujdestar, si dhe 13 thirrje në Shërbimin e Ndihmës së Shpejtë.
Lajme nga vendi
Hetime për kredinë hungareze 1 miliardë € që mori Maqedonia e Veriut, urdhëron Magyar
Qeveria në Hungari, e udhëhequr nga Péter Magyar, do të hetojë nëse ka pasur keqpërdorim të mundshëm të fondeve shtetërore në lidhje me kredinë prej një miliard eurosh që “Eximbanka” shtetërore ia dha Maqedonisë së Veriut.
Kështu njoftoi dje Magyar, i cili, siç raportuan mediat vendase, ndau se kredia e marrë nga Maqedonia e Veriut është një nga katër rastet e lidhura me “Eximbank”-un, për të cilat sot Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës ka dorëzuar ankesa, shkruan Fokus.
„Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës dorëzoi katër ankesa të enjten për mashtrim të dyshuar në vlerë totale prej një mijë miliardë forintash, në katër raste të ndryshme. Të gjitha kanë të bëjnë me aktivitetet e ‘Eximbank’-ut“ – tha Magyar.
Ai theksoi se kredia u dha në kushte shumë të favorshme me një normë interesi prej 3,25 për qind.
Kredia, tha ai, do t’i kushtojë buxhetit hungarez 90 miliardë forinta (rreth 248 milionë euro) për shkak të diferencave të interesit.
„Kjo paraqet një barrë prej 90 miliardë forintash (rreth 248 milionë euro) për buxhetin hungarez, ndërsa shteti hungarez mori përsipër garanci 100 për qind për kredinë nën udhëheqjen e qeverisë së Orbanit“, tha Magyar.
Sipas tij, norma e interesit me të cilën “Eximbanka” shtetërore i dha kredinë Maqedonisë është shumë më e favorshme se normat e interesit me të cilat kompanitë hungareze dhe qytetarët e vendit marrin hua.(INA)

