Lajme nga vendi
Ligjet për korridoret e kaluan fazën e parë! | VIDEO
Kaloi faza e parë nga miratimi i Ligjeve për korridoret 8 dhe 10D. Opozita kërkoi që ligjet të kthehen në Qeveri, për shkak se, siç tha koordinatori i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski, në tekstin e këtyre ligjeve nuk është theksuar harmonizimi i ligjvënies së vendit me atë të BE. Paralajmëroi se deputetët e VMRO-DPMNE-së do të largohen nga seanca për këto ligje, ndërsa i thirri edhe partitë më të vogla por edhe deputetët e tjerë që të bëjnë të njëjtën gjë që të mos ketë kuorum.
“Duhet të theksohen të dhënat nga akti burimor i BE-së me emër të plotë, numër, datë, si dhe deklarata për harmonizim, nënshkrim i ministrit kompetent dhe theksim i qartë i aktit juridik në bazë të cilit kryhet harmonizimi. Këtë nuk e kemi. Tabelat janë të zbrazura. Andaj kërkoj që në përputhje me nenin 136, kryeparlamentari në këtë fazë t’i kthej këto ligje propozuesit për t’i harmonizuar dispozitat”, dekalroi Nikolla Micevski, koordinator i VMRO-DPMNE-së.
Kundër këtyre ligjeve u prononcuan edhe partitë më të vogla politike.Duke i arsyetuar ligjet , nga pushtet thanë se nevoja nga rritja e orarit të punës nuk i shkel të drejtat e punëtorëve, por se miratohet për shkak të nevojës për përfundimin më të shpejtë të projektit.
“Qëllimi i ndryshimit dhe plotësimit të ligjit është që të mundësohet realizim më i shpejtë i ndërtimeve me interes strategjik për ndërtimin e rrugëve shtetërore, hekurudhave, gazsjellësve magjistraleve dhe ndërtimeve të tjera me interes publik që realizohen si projekte strategjike për investim ose projekte me rëndësi strategjike kombëtare, të caktuara me ligj përmes thjeshtësimit të procedurave”, theksoi Bllagoj Boçvarski, ministër për Transport dhe Lidhje.
Pas miratimit të nevojës për sjelljen e ligjeve për korridoret 8 dhe 10D, të njëjtat do të dorëzohen në debat në Komisionin për çështje europiane ku debati zgjat më së shumti 2 ditë, e pastaj kthehen në seancë plenare për miratim. /Televizioni KOHA/
Lajme nga vendi
MPB, të hënën në mëngjes grevë e doganierëve grekë në pikat kufitare
Ministria e Punëve të Brendshme i njofton qytetarët se, sipas informacioneve të pranuara nga organet kompetente të Republikës së Greqisë, më 27.07.2026 (e hënë) është paralajmëruar grevë e punonjësve të doganave në pikat kufitare greke Evzoni (Bogorodicë), Dojrani (Dojran) dhe Niki (Mexhitli).
“Gjatë periudhës nga ora 05:00 deri në 09:00 sipas kohës së Maqedonisë (06:00–10:00 sipas kohës së Greqisë), në këto pika kufitare, automjetet e udhëtarëve do të lejohen të kalojnë çdo 10 minuta, ndërsa qarkullimi i automjeteve të transportit të mallrave do të jetë plotësisht i ndërprerë, si për hyrje ashtu edhe për dalje nga Republika e Greqisë”.
“Ministria e Punëve të Brendshme do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme dhe do të angazhojë të gjitha kapacitetet njerëzore dhe teknike për menaxhimin e situatës”, – thonë nga MPB.
Lajme nga vendi
Ulet numri i rasteve të qytetarëve që kërkojnë ndihmë mjekësore në Gostivar
Sipas të dhënave nga institucionet publike shëndetësore në Gostivar, gjatë ditës së djeshme (23.07.2026) janë regjistruar gjithsej 197 pacientë të rinj, përkatësisht persona që për herë të parë kanë kërkuar ndihmë mjekësore, çka tregon një ulje krahasuar me një ditë më parë.
Në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Ferid Murad” në Gostivar janë regjistruar gjithsej 117 vizita të reja, prej të cilave 82 në repartin e sëmundjeve infektive (pa shtrime të reja në spital dhe me tre pacientë të liruar), 40 në repartin e pediatrisë dhe 7 vizita në Qendrën e Urgjencës.
Në Shtëpinë e Shëndetit në Gostivar janë regjistruar 80 vizita të reja në shërbimin kujdestar, si dhe 13 thirrje në Shërbimin e Ndihmës së Shpejtë.
Lajme nga vendi
Hetime për kredinë hungareze 1 miliardë € që mori Maqedonia e Veriut, urdhëron Magyar
Qeveria në Hungari, e udhëhequr nga Péter Magyar, do të hetojë nëse ka pasur keqpërdorim të mundshëm të fondeve shtetërore në lidhje me kredinë prej një miliard eurosh që “Eximbanka” shtetërore ia dha Maqedonisë së Veriut.
Kështu njoftoi dje Magyar, i cili, siç raportuan mediat vendase, ndau se kredia e marrë nga Maqedonia e Veriut është një nga katër rastet e lidhura me “Eximbank”-un, për të cilat sot Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës ka dorëzuar ankesa, shkruan Fokus.
„Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës dorëzoi katër ankesa të enjten për mashtrim të dyshuar në vlerë totale prej një mijë miliardë forintash, në katër raste të ndryshme. Të gjitha kanë të bëjnë me aktivitetet e ‘Eximbank’-ut“ – tha Magyar.
Ai theksoi se kredia u dha në kushte shumë të favorshme me një normë interesi prej 3,25 për qind.
Kredia, tha ai, do t’i kushtojë buxhetit hungarez 90 miliardë forinta (rreth 248 milionë euro) për shkak të diferencave të interesit.
„Kjo paraqet një barrë prej 90 miliardë forintash (rreth 248 milionë euro) për buxhetin hungarez, ndërsa shteti hungarez mori përsipër garanci 100 për qind për kredinë nën udhëheqjen e qeverisë së Orbanit“, tha Magyar.
Sipas tij, norma e interesit me të cilën “Eximbanka” shtetërore i dha kredinë Maqedonisë është shumë më e favorshme se normat e interesit me të cilat kompanitë hungareze dhe qytetarët e vendit marrin hua.(INA)

