Lajme nga vendi
Lëvizja Besa: Qeveria e BDI-së dhe Kovaçevskit hesht ndaj punësimit të maqedonasve të cilët deklarohen si shqiptarë
Partia opozitare Lëvizja Besa, ka reaguar në lidhje me rastin e fundit në Kumanovë, ku qytetarët maqedonas janë deklaruar si shqiptarë, vetëm për të zënë vende pune.
Nga Lëvizja Besa thonë se heshtja totale e Qeverisë së BDI-së dhe Kovaçeskit “Kumanovar”, tregon se kjo dukuri e kundërligjshme tashmë po bëhet standard i punësimit në Administratën Publike në Maqedoninë e Veriut.
“Ironike në këtë rast është fakti se mediat online që kur doli konkursi bënë apel të konkurrojnë shqiptarët ngaqë vendet për punësim në administratën komunale të Komunës së Kumanovës janë të rezervuar për shqiptarë. Tashmë kur dolën emrat ku Margica Boshkovska, Igor Trajkovskin, Dejan Dimitrievski, Robert Nikollovski, Ivana Bogdanovskën, janë deklaruar rrejshëm për t’iu zënë vendin shqiptarëve, po njëjtë siç kanë vepruar edhe në ministritë ku udhëheqin shqiptarët më herët, BDI dhe kujdestari i saj në Qeveri Artan Grubi, po heshtin ndaj këtij fakti”.
“Deklarimi i rrejshëm i identitetit është vepër penale ku dënimi sipas Kodit Penal shkon deri në tre vjet me burgim efektiv dhe po vepër e dënueshme dhe për funksionarët që kanë toleruar një gjë të tillë sipas Ligjeve Administrative. Për Lëvizjen Besa është e papranueshme zënia e vendit të punës në mënyrë antiligjore që u takon shqiptarëve nga ana e maqedonasve”, thonë nga Lëvizja Besa.
Më tej shtojnë se për ta do të ishte e mirëseardhur dhe do të përkrah çdo padi të mundshme nga ana e qytetarëve shqiptarë dhe çdo iniciativë për proces administrativ që mund të bëhet në organin adminsitrativ, Gjykatën Administrative deri dhe tek Gjykata Kushtetuese duke mos përjashtuar Gjykatën e Strasburgut për marrëdhëniet e punës.
“Rasti i deklarimeve të maqedonasve si shqiptarë flet qartë për humbjen e ndjeshmërisë së BDI-së dhe satelitit të saj ASH-së ndaj një të drejte legjitime dhe kushtetuese të shqiptarëve për t’u punësuar në Administratën Publike. Aq më shumë kur BDI thirret në stilin e saj mashtrues në Marrëveshjen e Ohrit që segment kryesor ka punësimin e shqiptarëve, rri në pushtet mbi 20 vite duke keqpërdorur skajshmërisht votën dhe besimit që shqiptarët i dhanë këtij subjekti”.
“Fatkeqësisht mbi dy dekada nga Marrëveshja e Ohrit, BDI në shumë institucione si Enti Shtetëror i Statistikave, e shumë drejtori të tjera, nuk ka lëvizur nga 0 përqind punësimet për shqiptarët. Si rezultat i politikës së mashtrimit të BDI-së, degjenerimit dhe rrënimit të vlerave tona njerëzore si shqiptarë, të rinjtë tanë nuk po e shohin perspektivën e shkollimit dhe punësimit në Maqedoninë e Veriut por me të madhe po ikin për në Gjermani dhe vendet tjera të Evropës Perëndimore”, thonë nga Lëvizja Besa.
Lajme nga vendi
MPB, të hënën në mëngjes grevë e doganierëve grekë në pikat kufitare
Ministria e Punëve të Brendshme i njofton qytetarët se, sipas informacioneve të pranuara nga organet kompetente të Republikës së Greqisë, më 27.07.2026 (e hënë) është paralajmëruar grevë e punonjësve të doganave në pikat kufitare greke Evzoni (Bogorodicë), Dojrani (Dojran) dhe Niki (Mexhitli).
“Gjatë periudhës nga ora 05:00 deri në 09:00 sipas kohës së Maqedonisë (06:00–10:00 sipas kohës së Greqisë), në këto pika kufitare, automjetet e udhëtarëve do të lejohen të kalojnë çdo 10 minuta, ndërsa qarkullimi i automjeteve të transportit të mallrave do të jetë plotësisht i ndërprerë, si për hyrje ashtu edhe për dalje nga Republika e Greqisë”.
“Ministria e Punëve të Brendshme do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme dhe do të angazhojë të gjitha kapacitetet njerëzore dhe teknike për menaxhimin e situatës”, – thonë nga MPB.
Lajme nga vendi
Ulet numri i rasteve të qytetarëve që kërkojnë ndihmë mjekësore në Gostivar
Sipas të dhënave nga institucionet publike shëndetësore në Gostivar, gjatë ditës së djeshme (23.07.2026) janë regjistruar gjithsej 197 pacientë të rinj, përkatësisht persona që për herë të parë kanë kërkuar ndihmë mjekësore, çka tregon një ulje krahasuar me një ditë më parë.
Në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Ferid Murad” në Gostivar janë regjistruar gjithsej 117 vizita të reja, prej të cilave 82 në repartin e sëmundjeve infektive (pa shtrime të reja në spital dhe me tre pacientë të liruar), 40 në repartin e pediatrisë dhe 7 vizita në Qendrën e Urgjencës.
Në Shtëpinë e Shëndetit në Gostivar janë regjistruar 80 vizita të reja në shërbimin kujdestar, si dhe 13 thirrje në Shërbimin e Ndihmës së Shpejtë.
Lajme nga vendi
Hetime për kredinë hungareze 1 miliardë € që mori Maqedonia e Veriut, urdhëron Magyar
Qeveria në Hungari, e udhëhequr nga Péter Magyar, do të hetojë nëse ka pasur keqpërdorim të mundshëm të fondeve shtetërore në lidhje me kredinë prej një miliard eurosh që “Eximbanka” shtetërore ia dha Maqedonisë së Veriut.
Kështu njoftoi dje Magyar, i cili, siç raportuan mediat vendase, ndau se kredia e marrë nga Maqedonia e Veriut është një nga katër rastet e lidhura me “Eximbank”-un, për të cilat sot Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës ka dorëzuar ankesa, shkruan Fokus.
„Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës dorëzoi katër ankesa të enjten për mashtrim të dyshuar në vlerë totale prej një mijë miliardë forintash, në katër raste të ndryshme. Të gjitha kanë të bëjnë me aktivitetet e ‘Eximbank’-ut“ – tha Magyar.
Ai theksoi se kredia u dha në kushte shumë të favorshme me një normë interesi prej 3,25 për qind.
Kredia, tha ai, do t’i kushtojë buxhetit hungarez 90 miliardë forinta (rreth 248 milionë euro) për shkak të diferencave të interesit.
„Kjo paraqet një barrë prej 90 miliardë forintash (rreth 248 milionë euro) për buxhetin hungarez, ndërsa shteti hungarez mori përsipër garanci 100 për qind për kredinë nën udhëheqjen e qeverisë së Orbanit“, tha Magyar.
Sipas tij, norma e interesit me të cilën “Eximbanka” shtetërore i dha kredinë Maqedonisë është shumë më e favorshme se normat e interesit me të cilat kompanitë hungareze dhe qytetarët e vendit marrin hua.(INA)

