Lajme nga vendi
Protestojnë mësuesit ; Bashkimi i lëndëve mësimore është sikur kirurgët të shuajnë zjarrin kurse zjarrfikësit të punojnë në konfeksion -pa punë mund të mbesin 200 mësimdhënës!
Sindikata e pavarur për arsim dhe shkencë (SPASH kanë mbajtur sot protestë në Shkup, siç kanë theksuar, në interes të të drejtave të punëtorëve të arsimit dhe kanë kërkuar që të mos kombinohen lëndët mësimore dhe të respektohen marrëveshjet kolektive. Protesta nisi në mesditë nga Parku i Gruas dhe të pranishmit shkuan në këmbë drejt godinës së Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, ku mbajtën fjalime.
Njerëzit e parë të sindikatave thanë se shprehin pakënaqësinë e tyre si pasojë e mungesës së dialogut social, nëpërkëmbjes së të drejtave të punëtorëve, nëpërkëmbjes së dinjitetit të edukatorëve, mospërfilljes së ligjeve dhe marrëveshjeve kolektive. Ata njoftuan se nëse nuk do të ketë dëgjim dhe nëse nuk ndodhin ndryshime rrënjësore së shpejti nga ana e MASH-it, do të bëjnë thirrje për hapa më radikalë, që nënkupton organizimin e një “greve të thjeshtë apo të bardhë” në varësi të mbështetjes sindikaliste.
Anëtarët e sindikatës shprehen të pakënaqur me njoftimet për bashkim të disa lëndëve mësimore Gjeografi, Histori, Kimi, Fizikë, Biologji, Edukatë Qytetare, Etikë, Informatikë dhe Edukim Teknik. Sipas kryetarit të Sindikatës së Pavarur për Arsim, Tomislav Gievski, një dukuri e tillë mund të shkaktojë humbjen e një pjese të vendeve të punës, dhe në të njëjtën kohë cenon integritetin profesional të punëtorëve.
– Gjeografi u aftësua për të mësuar gjeografinë, historiani u aftësua për të mësuar historinë… Me ndryshime të tilla, pedagogët bëhen universalë, secili prej tyre duhet të jetë i përshtatshëm për çdo lëndë për të dhënë mësim. Është si të dërgosh kirurgë për të shuar zjarrin kurse zjarëfiksit për të punuar në një fabrikë veshjesh. Po nëpërkëmbet profesionalizmi, tha Gievski.
Ata janë të pakënaqur edhe me mosrespektimin e kontratave kolektive në sektorin e arsimit.
Gievski thekson se kontratat kolektive me vite nuk respektohen në arsim.
– Momentalisht, paga më e ulët për shkallën më të ulët është neto 12.000 denarë, dhe kemi qenë dëshmitarë se paga minimale në vend është neto 20.175 denarë. Kur bëhet fjalë për pedagogët, vazhdimisht thuhet se nuk ka para, se shteti është në krizë, por e pamë se si ata shpejt gjetën një mënyrë për t’i rritur 78 për qind pagat e zyrtarëve të tyre shtetërorë. Për zyrtarët publikë ligji është ligj dhe duhet respektuar, edukatoret janë gjithmonë anash, nuk respektohen kontratat kolektive për shtesat, rroga është vonuar vazhdimisht në 20 vitet e fundit, asnjëherë nuk është paguar në afatin e paraparë me ligj, tha Gievski.
Sipas tij, Sindikata e Pavarur për Arsimin nuk ka pasur takim me ministrin aktual të Arsimit Jeton Shaqiri, edhe pse kanë pasur rreth dhjetë kërkesa. – Asnjëherë nuk kemi marrë përgjigje, asnjë dëshirë nga ana e ministrit për të biseduar me ne, prandaj ai duhet të na dëgjojë nga këtu, tha Gievski.
Arsyeja e shkrirjes së lëndëve, sipas tij, është vetëm për të mos zgjidhur problemet e pedagogëve.
– Me kombinimin e lëndëve brenda pesë viteve me zbatim të plotë, mesatarisht humbet një vend pune në dy shkolla. Unë marr shkolla që kanë një mesatare prej katër notash për klasë. Mungojnë 24 orë nga lëndët natyrore dhe sociale, së bashku me heqjen e lëndës së inovacionit. Kjo është vendimtare, thotë Gievski.
Kryetari i Konfederatës së organizatave sindikale të Maqedonisë, Marjan Risteski, megjithatë, theksoi se ngritja e nivelit të punëtorëve arsimorë është tregues se, siç tha ai, diçka nuk është në rregull në shtetin tonë.
– Qeveria po ikën me vetëdije, duhet të na kishte dhënë një metodologji se sa do të jetë përqindja e pagave dhe si do të llogariten. Nuk e di pse duan të blejnë kohë, por durimi i qytetarëve është duke u mbaruar, tha Risteski.
Sipas tij, nëse në Kuvend kalojnë ndryshimet legjislative që kanë të bëjnë me korridoret, do të shihet zemërimi i punëtorëve. – Së shpejti do të mbahet protestë masive, paralajmëroi Risteski. А1он transmeton Tv Koha
Lajme nga vendi
TETOVA NË VAPËN AFRIKANE – SI FRYMON QYTETI NË 40 GRADË?
Tetova këto ditë po përballet me temperaturat e larta të vapës afrikane. Termometri i afrohet 40 gradëve Celsius, ndërsa qyteti duket sikur ngadalëson ritmin dhe kërkon hije, freski dhe pak ajër.
Tetova në këto temperatura është një qytet që vazhdon të jetojë, por me një ritëm tjetër. Një tabelë e Drejtorisë për Punë Hidrometelereologjike tregon se në orën 14.00 në Tetovë janë matur 34.1 gradë Celsius. Por, në qytet vapa afrikane dhe netët tropikale tashmë janë bërë përditshmëri.
Rrugët në orët më të nxehta janë më të zbrazëta. Qytetarët shmangin daljet gjatë mesditës dhe, kur është e domosdoshme të dalin, kërkojnë rrugët me hije, freskojnë veten me ujë dhe përpiqen të kryejnë punët sa më shpejt.
Edhe tregtarët dhe punëtorët që janë të detyruar të qëndrojnë jashtë duhet ta përshtatin ritmin e punës. Uji, pushimet e shpeshta dhe shmangia e diellit bëhen domosdoshmëri.
Vapa ndryshon edhe zakonet. Takimet shtyhen për pasdite, aktivitetet sportive zhvendosen në orët e vona, ndërsa shumë familje preferojnë të qëndrojnë në ambiente të mbyllura gjatë pjesës më të nxehtë të ditës.
Daljet gjatë orëve të nxehta shtyhen për më vonë, pazaret dhe obligimet kryhen herët në mëngjes, ndërsa shëtitjet në qytet bëhen kryesisht në mbrëmje. Për shumë tetovarë, vera nuk është më vetëm një stinë pushimi, por një periudhë ku dita duhet planifikuar sipas temperaturës.
Në 40 gradë, qyteti nuk ndalet, në pritje të shiut, thjesht mëson të marrë frymë më ngadalë./Tv Koha/
Lajme nga vendi
DREJTORIA E GJIMNAZIT PËRGËNJESHTRON “LEVICËN”
Drejtoria e Gjimnazit „Kirili Pejçinoviq“ – Tetovë reagon ashpër ndaj informacioneve të publikuara lidhur me funksionimin e shkollës.
Drejtoria e Gjimnazit të Tetovës i ka përgënjeshtruar pohimet e një komunikate të partisë “Levica” ku ata pretendojnë se po nënçmohet gjuha maqedonase dhe se klasat janë të stërmbushura me nxënës.
Nga Drejtoria thonë se do ta kuptonin këtë gjuhë të “Levicës” nëse vendi ishte në fushatë zgjedhore, por duke prezantuar fakte përgënjeshtrojnë pohimet e partisë në fjalë.
Dje, faqja e internetit e shkollës u hakua në të tri gjuhët – maqedonisht, shqip dhe anglisht. Ekipi i IT-së së shkollës punoi intensivisht për zgjidhjen e problemit dhe arriti ta rikthejë funksionimin e saj. Faqja e internetit tashmë është në funksion dhe në të janë publikuar listat e nxënësve të pranuar në afatin e regjistrimit të qershorit.
Shpërndarja e nxënësve në paralele bëhet në përputhje me konkursin për regjistrimin e nxënësve në Gjimnaz, të publikuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, numrin e nxënësve të regjistruar dhe kapacitetet hapësinore të dy objekteve ku nxënësit e ndjekin mësimin në turnin e paradites.
Po ashtu, si tërësisht të pavërteta I kanë hedhur poshtë pretendimet se 50 nxënës do ta ndjekin mësimin në një klasë.
Drejtoria e shkollës është e përkushtuar për krijimin e shërbimeve dhe kushteve më të mira dhe më cilësore për zhvillimin e pandërprerë dhe të vazhdueshëm të procesit arsimor.
Sipas tyre, pikërisht informacione të tilla të paverifikuara, të pabazuara dhe të pasakta krijojnë kaos në arsim./Tv Koha/
Lajme nga vendi
BDI: Me dy vjet vonesë dhe 30 milionë euro më shtrenjtë, VLEN vazhdon projektin e BDI-së Shkup- Bllacë
Pas dy vitesh humbje kohe, VLEN sot po e paraqet si sukses vazhdimin e autostradës Shkup- Bllacë, projekt i përfunduar më 2 maj 2023 dhe i tenderuar po atë vit nga qeveria e kaluar, me një vlerë prej rreth 183 milionë eurosh.
Dy vjet më parë, VLEN dhe partnerët e tyre politikë e sulmonin projektin si “tepër të shtrenjtë” dhe “të papërshtatshëm”. Sot, pa ndryshuar as trasenë dhe as projektin, duke e vonuar pa asnjë nevojë për mbi dy vite, të njëjtën autostradë prej rreth 10 kilometrash do ta ndërtojnë për rreth 210 milionë euro, apo afërsisht 21 milionë euro për kilometër.
Pra, projekti që e kritikuan nuk është ndryshuar as për 0,1 për qind. Traseja është e njëjtë, projekti është i njëjtë, autostrada është e njëjtë.
Të vetmet gjëra që kanë ndryshuar janë dy vite vonesë dhe rreth 30 milionë euro më shumë nga paratë e qytetarëve.
VLEN duhet t’i përgjigjet opinionit: pse u bllokua për dy vjet një projekt i gatshëm dhe pse sot i njëjti projekt kushton rreth 30 milionë euro më shumë? Ku përfundojnë këto para dhe cili është arsyetimi për këtë shtrenjtim?
Shqiptarët humbën dy vite për një autostradë jetike, ndërsa qytetarët do të paguajnë dhjetëra milionë euro më shumë. Dy vite vonesë, 30 milionë euro më shtrenjtë dhe asnjë ndryshim në projekt, kjo është fatura e paaftësisë dhe keqmenaxhimit të VLEN-it.

