Lajme nga vendi
Osmani: Heqim dorë edhe nga kryeministri shqiptar, nëse Mickoski e kërkon këtë
Zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani, i ftuar në “Click Plus” tha se ata janë të gatshëm të heqin dorë edhe nga kryeministri shqiptar, nëse Mickoski e kërkon një gjë të tillë në këmbim të ndryshimeve kushtetuese.
“Qeveria është shumë më e madhe se pozicioni i kryeministrit. Ne tani po bëjmë kompromis për kushtetutën, nuk do të lejojmë asnjë alibi. Nëse Mickoski thotë se kërkon edhe kryeministrin deri në zgjedhje, edhe kryeministrin ia japim. Ndryshimet kushtetuese janë aq jetike, sa i tejkalon të gjitha sakrificat”, tha Osmani.
Ai gjithashtu tha se BDI-ja është e gatshme të shkoj në opozitë, nëse opozita e vendos si kusht kryesor për ndryshimet kushtetuese dhe rrjedhimisht integrimin e vendit në BE.
Por, nga ana tjetër ai tha se në zgjedhjet e ardhshme nuk diskutohet se BDI-ja do vijë në pushtet dhe do të jetë pjesë e qeverisë.
“Në kontekstin e integrimit në BE mund të shkojmë në opozitë, këtë e kemi vendosur edhe në mbledhjen e fundit të kryesisë. Por, qeveria e ardhshme nuk do të jetë pa BDI-në. Flasim për kushtin që ka vendosur opozita që ne të shkojmë në opozitë, ne nuk e vendosim në diskutim”, tha Osmani.
Lajme nga vendi
Anulohet bllokada e tre pikave kufitare mes RMV-së dhe Bullgarisë
Pas paralajmërimeve për protesta, me qëndrim doli edhe ambasadori bullgar në Shkup, Zheljazko Radukov. Ai shprehu mirënjohje ndaj të gjithë qytetarëve dhe organizatave për mbështetjen në “rrethana të vështira” dhe e konfirmoi të drejtën për protestë paqësore, por kërkoi që të mos bllokohen pikat kufitare. Protesta e planifikuar për të dielën, e cila parashikonte bllokadën e tre pikave kufitare mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut – Gjueshevo–Deve Bair, Stanke Lisichkovo–Delçevo dhe Zlatarevo–Novo Selo – për momentin është anuluar, raporton Televizioni Kombëtar Bullgar BNT, transmeton Zhurnal.
Këtë e konfirmoi Viktor Stojanov, kryetar i Fondacionit “Maqedonia”, duke sqaruar se vendimi është marrë pas konsultimeve dhe bisedimeve me përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bullgarisë dhe ambasadorin bullgar në Shkup.
Sipas Stojanovit, vlerësimi i institucioneve ishte se çdo bllokadë e kufirit në këtë moment do të ishte kundërproduktive, do të krijonte tensione shtesë dhe do të angazhonte burime të konsiderueshme policore dhe administrative.
Nga Fondacioni “Maqedonia” theksojnë se, edhe pse ekziston interes i madh publik dhe tension i akumuluar në shoqërinë bullgare, të cilin Stojanov e definon si “energji qytetare” dhe “zemërim i drejtë”, megjithatë, kjo energji qytetare duhet të orientohet drejt formave produktive të veprimit.
Stojanov shton se institucionet përgjegjëse tashmë janë njoftuar, kështu që nuk po merren masa për organizimin dhe sigurimin e protestës.
Pas paralajmërimeve për protesta, me qëndrim doli edhe ambasadori bullgar në Shkup, Zheljazko Radukov. Ai shprehu mirënjohje ndaj të gjithë qytetarëve dhe organizatave për mbështetjen në “rrethana të vështira” dhe e konfirmoi të drejtën për protestë paqësore, por kërkoi që të mos bllokohen pikat kufitare.
“Interesi i vendit tonë kërkon prej nesh të jemi të hapur ndaj fqinjëve tanë jugperëndimorë, të stimulojmë njohjen e tyre me kulturën bashkëkohore bullgare dhe të promovojmë kontaktet mes familjeve të ndara prej kohësh. Ky është mënyra më e mirë për t’i kundërvënë urrejtjes”, tha ambasadori Radukov në një postim në faqen e Facebook të Ambasadës. Ai shtoi se shprehja e pakënaqësisë ndaj politikave të autoriteteve në Shkup duhet të ketë karakter konstruktiv.
“Vetëm kështu do t’u kujtojmë fqinjëve sa afër jemi dhe cilat janë përfitimet, jo vetëm nga historia jonë e përbashkët, por edhe nga e ardhmja jonë e përbashkët në Evropën e bashkuar”, shtoi ai.
Për anulimin e protestës sot informoi edhe Shoqata “Makam-trans”, nga ku thanë se presin që trafiku i mallrave dhe pasagjerëve të zhvillohet pa pengesa.
Fondacioni bullgar “Maqedonia” dy ditë më parë kishte paralajmëruar se të dielën do të bllokonte tre pikat kufitare mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe se bllokada ishte e koordinuar me Ministrinë e Punëve të Brendshme të Bullgarisë.
Qëllimi i bllokadës, siç theksuan nga Fondacioni në një postim në Facebook, ishte që kryeministrit Hristijan Mickoski t’i tregohej demonstrativisht se nuk mund të vazhdojë me ndjekjen e bullgarëve në vend, me sulmet dhe, siç thonë ata, me vendimet gjyqësore të fabrikuara kundër bullgarëve.
Lajme nga vendi
Kronika e zezë – Tetovë dhe Gostivar, 18 Qershor
Dje në orën 23:05 në rrugën “Vidoe Smilevski-Bato” në Tetovë, zyrtarë policorë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria një 21-vjeçar nga fshati Zhelinë e Tetovës, pasi tek ai u gjetën dhe u sekuestruan marijuanë dhe një lëndë pluhur e bardhë. Personi është ndaluar në stacionin policor dhe pas dokumentimit të plotë të rastit ndaj tij do të paraqitet parashtresë përkatëse.
……Dje në orën 12:10 në fshatin Toplicë të Gostivarit, zyrtarë policorë nga Stacioni Policor për Siguri në Trafikun Rrugor Gostivar kanë privuar nga liria një 22-vjeçar nga fshati Vrapçisht i Gostivarit. Gjatë një kontrolli në trafik është ndaluar automjeti i udhëtarëve “Audi” me targa të Gostivarit, të cilin ai e drejtonte, me çka u konstatua se po e drejtonte mjetin pa poseduar patentë shoferi. Automjeti është sekuestruar dhe pas dokumentimit të plotë të rastit ndaj tij do të vijojë padi përkatëse.
……Dje në orën 14:00 në SPB Tetovë, një grua 50-vjeçare nga Tetova ka denoncuar keqpërdorimin e kartelës së saj debitore të pagesës. Sipas denoncimit, gjatë muajit maj 2026, përmes aplikacionit të bankës celulare (m-banking) ajo ka vërejtur mungesë të mjeteve financiare në llogarinë e saj transaksionale, por për shkak të një pushimi mjekësor më të gjatë nuk ka qenë në gjendje ta verifikojë menjëherë rastin në bankë. Më 17 Qershor, pasi ka nxjerrë një raport bankar, ajo ka konstatuar se në periudhën nga 23 Maj 2025 deri më 12 Maj 2026 janë kryer disa transaksione të paautorizuara, me çka është dëmtuar për një vlerë prej rreth 80.273 denarë. Siç ka deklaruar ajo, kartelën dhe të dhënat e saj nuk i ka ndarë asnjëherë me persona të tretë. Po merren masa për zbardhjen e rastit.
Lajme nga vendi
Rasti Onkologjia: Nino Vasev lirohet nga paraburgimi, do të mbrohet në liri
Pas një viti të kaluar në paraburgim, ish-drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Nino Vasev, do të mbrohet në liri.
Vasev së shpejti do të largohet nga njësia e paraburgimit në Shuto Orizare, pasi gjykata pranoi një garanci të siguruar me hipotekë mbi pronën.
Ai akuzohet në rastin e parë që lidhet me operacionet ekonomike të Klinikës së Onkologjisë, së bashku me ish-drejtorin ekonomik Artan Nuhi.
Sipas aktakuzës, të dy akuzohen për krime të vazhdueshme “shpërdorim të detyrës dhe autoritetit zyrtar”, “mashtrim në detyrë dhe përvetësim në detyrë”, të cilat, sipas prokurorisë, i kanë kryer në periudhën nga viti 2018 deri në vitin 2022.
Prokuroria pretendon se në procedurat për prokurimin publik të terapisë biologjikisht aktive, terapisë molekulare të synuar dhe antitrupave monoklonalë, ata kanë siguruar ilaçe në të kundërt pa një bazë të vlefshme ligjore.

