Lajme nga vendi
Aliu: Do të insistoj që ligji për media të përmirësojë mjedisin mediatik
Një grup pune së shpejti do të fillojë punën për një ligj për mediat, që do të krijojë një kornizë ligjore për portalet dhe mediat elektronike në vend, duke promovuar transparencën, mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe inkurajimin e gazetarisë për përforcim të themeleve të një shoqërie demokratike, njoftoi dje ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës Azir Aliu, gjatë llogaridhënies për 100 ditët e para të punës së kabinetit të tij.
Duke iu referuar reformave në shërbimet mediatike, Aliu tregoi se pret që të votohen ndryshimet e propozuara në Ligjin për Shërbimet Mediatike Audio dhe Audiovizuale (ASHMAAV) që janë në procedurë kuvendore, si dhe se ndërhyrjet e mëposhtme ligjore në këtë fushë do të të jenë në përputhje me direktivat e BE-së dhe për përmirësimin e situatës në sektorin mediatik.
“Digjitalizimi, administrata publike dhe mediat janë shumë të rëndësishme për përmirësimin e ambientit demokratik në vend, ndaj do të insistoj që ky ligj të përmirësojë hapësirën mediatike, jo ta përkeqësojë atë”, tha Aliu.
Ndryshimet e Ligjit në fazën e parë, janë të lidhura me qasjen në fonde nga Evropa Kreative, ndërsa së shpejti, siç njoftoi ai, do të përfundojë edhe pjesa e dytë e cila do të krijojë një kuadër ligjor për mediat private në vendin tonë.
“Ligji u nda në dy faza për shkak të Evropës Krijuese, shpresoj të votohet për tre-katër ditë. Faza e dytë, e cila ka pesë vite që po punohet, funksionon si asnjëherë më parë, ne jemi hapur për të gjithë ata që janë të përfshirë drejtpërdrejt ose tërthorazi në këtë eko sistem mediatik. Sot kam një takim me mediat vendore. Është afër fundit, po punojmë së bashku me Zyrën e BE-së në Maqedoni, me ekspertë vendor dhe ndërkombëtar dhe vlerësoj se në fund do të kemi një ligj në të cilin ne si qytetarë fillimisht do të jemi të kënaqur me transparencën e institucioneve publike, politikanët dhe menaxherët në institucionet publike, por do të jemi realisht të informuar për proceset që ndodhin në shoqërinë tonë”, tha Aliu në pyetjen e një gazetari.
Procesi, theksoi ai, ka qenë i hapur që në ditën e parë që unë kam qenë ministër në MSHIA. Prioriteti ynë atëherë ishte vetëm faza e parë, ndërsa fazën e dytë e kemi punuar për një muaj e gjysmë. Ende nuk mund të them se cili nga lehtësuesit është i kënaqur, më pak i kënaqur apo i pakënaqur fare sepse procesi është në vazhdim dhe shpresoj dhe po punojmë që të kemi një kuadër ligjor ku të gjithë do të jenë të kënaqur. Qëllimi do të jetë që të kemi një ligj optimal dhe të pranueshëm ku askush nuk do të jetë shumë i pakënaqur, që ligji të jetë i pranueshëm”, tha Aliu.
Ai thotë se do ta miratojë ligjin pasi të bindet nga ekspertët se ai është në përputhje me direktivat e BE-së dhe do të përmirësojë, siç tha ai, eko-sistemin e mediave.
“Digjitalizimi, administrata publike dhe mediat janë shumë të rëndësishme për përmirësimin e ambientit demokratik në vend, prandaj do të insistoj ai ligj ta përmirësojë hapësirën mediatike, jo ta përkeqësojë”, tha Aliu.
Në llogaridhënien për punën e bërë në 100 ditët e para të punës së tij ministrore, Aliu theksoi se janë të përkushtuar që të inkurajojnë mediat e lira që i shërbejnë interesit më të lartë publik, promovojnë transparencën dhe mbështesin llogaridhënien në çdo nivel. Për ta arritur këtë, theksoi ai, filluam procesin e reformimit të ligjeve për mediat, duke i harmonizuar ato me legjislacionin e Bashkimit Evropian.
“Këto 100 ditë ishin dëshmi e vendosmërisë dhe këmbënguljes sonë kolektive, arritëm në pika të jashtëzakonshme në kërkimin e transparencës, digjitalizimit dhe reformave administrative. Jemi të vetëdijshëm se qytetarët presin edhe më shumë nga ne. Janë shumë të shkurtëra 100 ditët për të përmbushur të gjitha pritjet. Por pritshmëria e parë, e nevojës për një qeverisje të popullit, me popullin dhe për popullin, është realizuar”, tha Aliu./almakos/.
Lajme nga vendi
Kronika e zezë – Tetovë dhe Gostivar, 22 Tetor
Dje, zyrtarë policorë nga Sektori për Polici Kriminalistike pranë SPB Tetovë dhe nga ekipi mobil “Task Force”, në koordinim me përfaqësues të Inspektoratit Shtetëror të Tregut dhe Drejtorisë së të Ardhurave Publike, kanë realizuar kontroll aksional në një objekt hotelerie në Qendrën Tregtare të Qytetit në Tetovë.
Me këtë rast, para objektit është zënë një 48-vjeçar nga Tetova dhe gjatë kontrollit tek ai është gjetur një substancë e bardhë pluhur, pas çka është privuar nga liria.
Ndërsa, brenda në objekt, te pronari 54-vjeçar nga fshati Trebosh janë gjetur 15 paketime me substancë të bardhë pluhur, pas çka edhe ai është privuar nga liria.
Të dy janë ndaluar në stacionin policor dhe pas dokumentimit të plotë të rasteve, ndaj tyre do të vijojë parashtresë përkatëse.
…….
Dje në orën 12:00 në Stacionin Policor Gostivar, nga Ndihma e Shpejtë Mjekësore Gostivar është denoncuar se te ata është sjellë një 15-vjeçar nga Gostivari pa shenja jete. Sipas denoncimit, në shtëpinë e tij në Gostivar ai kishte rrëshqitur dhe ka rënë shkallëve, ndërsa pasi është pranuar në spital, pas reanimimit të kryer ka shfaqur shenja jete dhe me automjet të Ndihmës së Shpejtë Mjekësore Gostivar është transferuar në Kompleksin e Klinikave “Nënë Tereza” në Shkup, ku i janë konstatuar lëndime të rënda trupore. Është njoftuar prokurori publik, është kryer këqyrje në vendngjarje dhe po merren masa për zbardhjen e ngjarjes.
…….
Dje në orën 19:10 në Stacionin Policor Tetovë, një 38-vjeçar nga Tetova ka denoncuar se rreth orës 18:30 në rrugën “Todor Cipovski Merxhan”, djali i saj 11-vjeçar është sulmuar fizikisht nga një i mitur tjetër. Po merren masa për zbardhjen e rastit.
……
Dje në orën 22:30 në Hanet e Mavrovës, zyrtarë policorë nga Stacioni Policor Mavrovë kanë privuar nga liria një 22-vjeçar nga Shkupi. Gjatë një kontrolli në trafik është ndaluar automjeti i udhëtarëve “Volksëagen Golf” me targa të Shkupit, të cilin e drejtonte ai, me ç’rast është konstatuar se e drejtonte pa pasur leje drejtimi. Automjeti është konfiskuar dhe pas dokumentimit të plotë të rastit do të vijojë parashtresë përkatëse.
……..
Dje në orën 20:00 në Stacionin Policor Gostivar, një 71-vjeçar nga Gostivari ka denoncuar se rreth orës 18:30 te Stacioni i Autobusëve në Gostivar, derisa po kryente detyrat e punës si taksist, është sulmuar fizikisht nga një person. Po merren masa për zbardhjen e rastit.
…….
Dje në orën 13:25, zyrtarë policorë nga Stacioni Policor Gostivar kanë privuar nga liria një 29-vjeçar nga Gostivari, i cili ditën e mëparshme është denoncuar nga nëna e tij 53-vjeçare se në disa raste e ka kërcënuar. Pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tij do të parashtrohet kallëzim përkatës.
……
Pas mesnate në orën 02:00 në SPB Tetovë është denoncuar se ka shpërthyer zjarr në një arë në fshatin Sellarcë e Epërme. Zyrtarë policorë nga Stacioni Policor Zherovjan kanë dalë në vendngjarje dhe kanë konstatuar se është djegur kashtë, e cila ishte grumbulluar në disa pirgje. Ekipi i Njësisë Territoriale Kundër Zjarrit e ka shuajtur zjarrin, ndërsa persona të lënduar nuk ka. Këqyrja e vendngjarjes është kryer nga ekipi i SPB Tetovë.
Lajme nga vendi
Në shtator, tetë burra në Maqedoni u diagnostikuan me HIV, vetëm këtë vit janë regjistruar 49 raste të reja
Në shtator të këtij viti, në Maqedoninë e Veriut u regjistruan tetë raste të reja me HIV/AIDS, të gjitha te persona të gjinisë mashkullore, tregojnë të dhënat nga buletini më i ri mujor i Institutit të Shëndetit Publik (ISHP). Katër nga personat e diagnostikuar rishtazi janë të moshës 30 deri në 39 vjeç, ndërsa nga një rast është regjistruar në grupmoshat 15–19 vjeç, 20–29 vjeç, 40–49 vjeç dhe 50–59 vjeç, transmeton Portalb.mk.
Në shtator u raportuan edhe dy raste të vdekjes te persona me HIV, të cilët ishin regjistruar më parë me këtë infeksion, përkatësisht në vitin 2015 dhe 2018. Të dy personat që vdiqën ishin të moshës 40 deri në 49 vjeç. Sipas të dhënave të ISHP-së, nga fillimi i vitit 2026 deri më 30 shtator, në vend janë regjistruar gjithsej 49 raste me HIV/AIDS.
Që nga fillimi i regjistrimit të rasteve, në vitin 1987, e deri në shtator të vitit 2026, në vend janë regjistruar gjithsej 778 persona me HIV/AIDS. Prej tyre, 520 persona jetojnë me HIV/AIDS, 144 kanë vdekur, ndërsa 114 figurojnë si të humbur për ndjekje, përkatësisht si persona që janë shpërngulur jashtë vendit.
Në buletinin për sëmundjet akute infektive thuhet se gjatë shtatorit në Maqedoninë e Veriut katër persona kanë vdekur nga ethet e Nilit Perëndimor, ndërsa gjithsej 1.042 persona janë prekur nga sëmundje akute infektive. Numri i të prekurve është 22 përqind më i lartë krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, kur ishin regjistruar 854 raste.
“Të katër personat që kanë vdekur ishin të moshës 65 deri në 70 vjeç dhe te ta ishte diagnostikuar forma neuroinvazive e etheve të Nilit Perëndimor. Ata ishin të hospitalizuar në Klinikën Universitare për Sëmundje Infektive dhe Gjendje Febrile në Shkup, ndërsa te të gjithë ishin regjistruar edhe sëmundje shoqëruese”, thuhet në buletin.
Epidemia e etheve të Nilit Perëndimor është ende në vazhdim.
Pjesa më e madhe e sëmundjeve infektive të regjistruara në shtator ishin infeksione të zorrëve. Nga gjithsej 1.042 rastet e raportuara, 694 ishin raste me enterokolit, që përbëjnë 66,6 përqind të të gjitha sëmundjeve akute infektive të regjistruara.
Krahasuar me shtatorin e vitit të kaluar, kur ishin raportuar 465 raste me enterokolit, këtë vit është shënuar rritje prej 49,2 përqind. Nga fillimi i këtij viti deri në fund të shtatorit janë regjistruar 4.313 raste, që është 43,1 përqind më shumë sesa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në vendin e dytë për nga shpeshtësia janë lija e dhenve, me 123 persona të prekur, të ndjekura nga salmoneloza me 56 raste, zgjebja me 47 raste dhe infeksionet bakteriale e intoksikimet e shkaktuara nga ushqimi me 30 raste.
Në shtator u regjistruan edhe 29 raste të mononukleozës infektive, tetë raste të sëmundjes së legjionarëve dhe gjashtë infeksione të shkaktuara nga bakteri Escherichia coli.
Lajme nga vendi
Ministria e Transformimit Digjital në RMV bllokon përkohësisht trafikun e jashtëm në internet si masë parandaluese
Ministria e Transformimit Digjital informon se, si pjesë e aktiviteteve parandaluese, trafiku i jashtëm në internet në sistemet e prekura është bllokuar përkohësisht, me qëllim parandalimin e shfrytëzimit të mundshëm të dobësive.
Prandaj, ata theksojnë se Ministria, përmes Sektorit të Sigurisë Kibernetike dhe ekipit qeveritar të sigurisë kompjuterike (MKD-GOV-CSIRT), vazhdon me monitorimin e zgjeruar dhe të vazhdueshëm të kërcënimeve kibernetike, analizën e ngjarjeve të sigurisë dhe të dhënave të regjistrave, si dhe kontrollin e treguesve të mundshëm të kompromentimit.
Përndryshe, institucionet qeveritare dhe kompanitë në të gjithë Evropën dhe botën u detyruan të mbyllin faqet e tyre të internetit dje, pasi u zbuluan të meta serioze në gjuhën e programimit mbi të cilën bazohet pjesa më e madhe e internetit, raportuan mediat botërore.
Ministria e Transformimit Digjital informon se, si pjesë e aktiviteteve parandaluese, trafiku i jashtëm i internetit në sistemet e prekura u bllokua përkohësisht, me qëllim parandalimin e shfrytëzimit të mundshëm të dobësive.
Më pas, shtohet, u kryen kontrolle në versionet e softuerit dhe u aplikuan patch-e dhe përditësime të përshtatshme sigurie, si dhe u kontrollua funksionaliteti dhe siguria e serverëve të internetit.
Masat, thonë nga Ministria, synojnë të zvogëlojnë rrezikun e aksesit të paautorizuar dhe kompromentimit të mundshëm të serverëve të internetit.
“Sipas kontrolleve të kryera deri më tani, nuk janë gjetur indikacione për shfrytëzim të suksesshëm të dobësive të listuara ose për kompromentimin e faqeve të internetit të Qeverisë dhe ministrive”, thuhet në njoftim.
-
Lajme nga rajoni1 month agoFilloi në Hagë seanca për deklaratat përfundimtare ndaj Thaçit dhe të tjerëve
-
Lajme nga rajoni1 month agoKa ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë
-
Lajme nga bota2 months agoRusia dhe Ukraina po përgatiten për një shkëmbim të ri të madh të të burgosurve

