Lajme nga vendi
Shaqiri: Në Qeveri nuk është dorëzuar propozimi që viti shkollor të fillojë më vonë
Propozimi që viti shkollor të fillojë më vonë, jo më 1 shtator, nuk i është dorëzuar Qeverisë, deklaroi sot ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve nëse mësimdhënësit dhe sindikatat janë konsultuar për propozimin e MASH-it që viti shkollor të fillojë më 11 shtator, të ketë pushim pranveror dhe të përfundojë nga fundi i qershorit.
“Ende nuk është parashtruar propozim në Qeveri. Është diskutim që filloi së bashku me sindikatat”, u përgjigj ministri, duke sqaruar se edhe pse tek ne viti i ri shkollor fillon më 1 shtator, në vende të tjera ai fillon më vonë.
Ai theksoi se Qeveria do të vendosë si është më mirë për procesin arsimor, duke cekur se këto ndryshime mund të realizohen edhe nga shtatori, për çka, sipas tij, ka mjaft kohë.
“Nëse vendosim për 1 shtator, do të jetë e premte. Nëse vendosim për variantin e dytë, është nga mesi i muajit shtator. Varianti i tretë është fillimi i 1 shtatorit, por, gjithashtu nxënësit të kenë pushim pranveror”, sqaroi Shaqiri.
I pyetur nëse viti i ri shkollor do të fillojë pa probleme, ministri u përjgigj se konsideron që do të jetë ndër më të sukseshmit në pjesën e dorëzimit të librave shkollorë që nga fillimi.
Ministri u pyet nëse do të ketë prëgjegjësi për atë që u hakuan testet e provimit të maturës.
“Kam kërkuar nga Qendra shtetërore e provimeve dhe Këshilli t’i ketë parasysh të gjitha ligjet dhe çdo shkelje, të ketë konkludime për procesin arsimor në pjesën e përshkrimit të maturës shtetërore. Nëse pati hakerim të një pjese të maturës shtetërore, do të kishte hapa të tjerë. Por, edhe ne si shoqëri në periudhën në vijim të gjithë të japim kontribut që ngjarje të këtilla të ketë sa më pak në procesin arsimor”, theksoi Shaqiri.
Lajme nga vendi
MPB, të hënën në mëngjes grevë e doganierëve grekë në pikat kufitare
Ministria e Punëve të Brendshme i njofton qytetarët se, sipas informacioneve të pranuara nga organet kompetente të Republikës së Greqisë, më 27.07.2026 (e hënë) është paralajmëruar grevë e punonjësve të doganave në pikat kufitare greke Evzoni (Bogorodicë), Dojrani (Dojran) dhe Niki (Mexhitli).
“Gjatë periudhës nga ora 05:00 deri në 09:00 sipas kohës së Maqedonisë (06:00–10:00 sipas kohës së Greqisë), në këto pika kufitare, automjetet e udhëtarëve do të lejohen të kalojnë çdo 10 minuta, ndërsa qarkullimi i automjeteve të transportit të mallrave do të jetë plotësisht i ndërprerë, si për hyrje ashtu edhe për dalje nga Republika e Greqisë”.
“Ministria e Punëve të Brendshme do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme dhe do të angazhojë të gjitha kapacitetet njerëzore dhe teknike për menaxhimin e situatës”, – thonë nga MPB.
Lajme nga vendi
Ulet numri i rasteve të qytetarëve që kërkojnë ndihmë mjekësore në Gostivar
Sipas të dhënave nga institucionet publike shëndetësore në Gostivar, gjatë ditës së djeshme (23.07.2026) janë regjistruar gjithsej 197 pacientë të rinj, përkatësisht persona që për herë të parë kanë kërkuar ndihmë mjekësore, çka tregon një ulje krahasuar me një ditë më parë.
Në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Ferid Murad” në Gostivar janë regjistruar gjithsej 117 vizita të reja, prej të cilave 82 në repartin e sëmundjeve infektive (pa shtrime të reja në spital dhe me tre pacientë të liruar), 40 në repartin e pediatrisë dhe 7 vizita në Qendrën e Urgjencës.
Në Shtëpinë e Shëndetit në Gostivar janë regjistruar 80 vizita të reja në shërbimin kujdestar, si dhe 13 thirrje në Shërbimin e Ndihmës së Shpejtë.
Lajme nga vendi
Hetime për kredinë hungareze 1 miliardë € që mori Maqedonia e Veriut, urdhëron Magyar
Qeveria në Hungari, e udhëhequr nga Péter Magyar, do të hetojë nëse ka pasur keqpërdorim të mundshëm të fondeve shtetërore në lidhje me kredinë prej një miliard eurosh që “Eximbanka” shtetërore ia dha Maqedonisë së Veriut.
Kështu njoftoi dje Magyar, i cili, siç raportuan mediat vendase, ndau se kredia e marrë nga Maqedonia e Veriut është një nga katër rastet e lidhura me “Eximbank”-un, për të cilat sot Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës ka dorëzuar ankesa, shkruan Fokus.
„Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës dorëzoi katër ankesa të enjten për mashtrim të dyshuar në vlerë totale prej një mijë miliardë forintash, në katër raste të ndryshme. Të gjitha kanë të bëjnë me aktivitetet e ‘Eximbank’-ut“ – tha Magyar.
Ai theksoi se kredia u dha në kushte shumë të favorshme me një normë interesi prej 3,25 për qind.
Kredia, tha ai, do t’i kushtojë buxhetit hungarez 90 miliardë forinta (rreth 248 milionë euro) për shkak të diferencave të interesit.
„Kjo paraqet një barrë prej 90 miliardë forintash (rreth 248 milionë euro) për buxhetin hungarez, ndërsa shteti hungarez mori përsipër garanci 100 për qind për kredinë nën udhëheqjen e qeverisë së Orbanit“, tha Magyar.
Sipas tij, norma e interesit me të cilën “Eximbanka” shtetërore i dha kredinë Maqedonisë është shumë më e favorshme se normat e interesit me të cilat kompanitë hungareze dhe qytetarët e vendit marrin hua.(INA)

