Lajme nga vendi
Lëvizje e re politike në RMV, kombinime të reja për zgjedhje
Derisa vazhdon të jetë në rend të parë tema e “ndryshimeve kushtetuese”, fraksioni i BDI-së, i ashtuquajtur “Grupi i zjarrit” sot njoftoi se do të themelojë lëvizje të re politike në vend, pas disa muajsh mosmarrëveshjes me bashkëpartiakët e udhëhequr nga Ali Ahmeti, shkruan Portalb.mk.
8 vjet pas themelimit të partisë “Uniteti”, kur disa funksionarë në krye me Gëzim Ostrenin u larguan nga BDI, për sot është paralajmëruar promovimi i një lëvizje të re, të ndarë nga BDI-ja e udhëhequr nga Ahmeti dhe mbështetur nga Artan Grubi.
Nga BDI-ja e “logos” kanë deklaruar paraprakisht se janë të bindur se veprimtaria e fraksionit nuk do t’u shkaktojë ndonjë dëm në elektoratin e tyre, eventualisht, sipas tyre, dëmet mund të jenë minimale, të parëndësishme.
Nuk dihet se si do ta ketë emrin lëvizja e re politike dhe kush do të jenë përfaqësuesit dhe udhëheqësi i saj, duke e pasur parasysh se disa prej funksionarëve të lartë të “Grupit të zjarrit” janë deklaruar kundër themelimit të lëvizjes, duke theksuar se lufta duhet të vazhdojë brenda BDI-së.
Lider joformal, deri tani është treguar Izet Mexhiti, i mbështetur nga Blerim Bexheti, Musa Xhaferi dhe Nevzat Bejta.
Lëvizja Besa dhe Alternativa, patën e shtrinë “dorën e pajtimit” dhe krerët e saj nënshkruan deklaratë bashkëpunimi për front opozitar. Kjo ndodhi disa muaj pasi Alternativa “u përjashtua” nga Qeveria, për t’ia lëshuar vendin Aleancës për Shqiptarët.
Më 29 maj, Grupi parlamentar i Aleancës për Shqiptarët refuzoi ftesën e kreut të Lëvizjes Besa Bilall Kasami për t’iu bashkuar të ashtuquajturit front opozitar. Në reagimin e tyre thuhet se ftesa e tij është përçarëse. Ftesa e Kasamit vlente edhe për deputetët e Grupit të Zjarrit. Këto të fundit e uruan nismën për front opozitar, por shkurt thonë se do të vazhdojnë betejën e tyre brenda BDI-së. E deri sa janë të tillë, bashkëpunimi është i pamundur.
Nuk dihet nëse kjo lëvizje do të bashkëpunojë me partitë opozitare Lëvizja BESA dhe Alternativa.
Pos kësaj lëvizjes, në opinion po spekulohet se edhe kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, së shpejti mund të formojë subjekt të ri politik, pasi prej kur ka ardhur në pozitë, i ka prishur relacionet me VMRO-DPMNE-në, e cila e solli në pushtet.
Nga ana tjetër, kryetari i Kumanovës, Maksim Dimitrievski, ish funksionar i lartë i LSDM-së dhe si kandidat i pavarur i fitoi zgjedhjet në Kumanovë, gjatë kohë dhe konkretisht po punon për të formuar parti, me të cilën do të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe presidenciale.
Mbetet e paqartë se Aleanca për Shqiptarët, në zgjedhjet e ardhshme si do të garojë dhe nëse do të futet në ndonjë koalicion parazgjedhor.
Në bllokun maqedonas, VMRO-DPMNE-ja, në anketat e fundit është nxjerrë fituese, ndërkaq LSDM po i bën gati valixhet për në opozitë. Ndryshimet kushtetuese momentalisht janë “gështenja” e nxehtë në dorën e VMRO-DPMNE-së, të cilat një herë pranuan se do t’i votojnë, por më pas kryetari Hristijan Mickoski bëri një hap mbrapa.
Lajme nga vendi
MPB, të hënën në mëngjes grevë e doganierëve grekë në pikat kufitare
Ministria e Punëve të Brendshme i njofton qytetarët se, sipas informacioneve të pranuara nga organet kompetente të Republikës së Greqisë, më 27.07.2026 (e hënë) është paralajmëruar grevë e punonjësve të doganave në pikat kufitare greke Evzoni (Bogorodicë), Dojrani (Dojran) dhe Niki (Mexhitli).
“Gjatë periudhës nga ora 05:00 deri në 09:00 sipas kohës së Maqedonisë (06:00–10:00 sipas kohës së Greqisë), në këto pika kufitare, automjetet e udhëtarëve do të lejohen të kalojnë çdo 10 minuta, ndërsa qarkullimi i automjeteve të transportit të mallrave do të jetë plotësisht i ndërprerë, si për hyrje ashtu edhe për dalje nga Republika e Greqisë”.
“Ministria e Punëve të Brendshme do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme dhe do të angazhojë të gjitha kapacitetet njerëzore dhe teknike për menaxhimin e situatës”, – thonë nga MPB.
Lajme nga vendi
Ulet numri i rasteve të qytetarëve që kërkojnë ndihmë mjekësore në Gostivar
Sipas të dhënave nga institucionet publike shëndetësore në Gostivar, gjatë ditës së djeshme (23.07.2026) janë regjistruar gjithsej 197 pacientë të rinj, përkatësisht persona që për herë të parë kanë kërkuar ndihmë mjekësore, çka tregon një ulje krahasuar me një ditë më parë.
Në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Ferid Murad” në Gostivar janë regjistruar gjithsej 117 vizita të reja, prej të cilave 82 në repartin e sëmundjeve infektive (pa shtrime të reja në spital dhe me tre pacientë të liruar), 40 në repartin e pediatrisë dhe 7 vizita në Qendrën e Urgjencës.
Në Shtëpinë e Shëndetit në Gostivar janë regjistruar 80 vizita të reja në shërbimin kujdestar, si dhe 13 thirrje në Shërbimin e Ndihmës së Shpejtë.
Lajme nga vendi
Hetime për kredinë hungareze 1 miliardë € që mori Maqedonia e Veriut, urdhëron Magyar
Qeveria në Hungari, e udhëhequr nga Péter Magyar, do të hetojë nëse ka pasur keqpërdorim të mundshëm të fondeve shtetërore në lidhje me kredinë prej një miliard eurosh që “Eximbanka” shtetërore ia dha Maqedonisë së Veriut.
Kështu njoftoi dje Magyar, i cili, siç raportuan mediat vendase, ndau se kredia e marrë nga Maqedonia e Veriut është një nga katër rastet e lidhura me “Eximbank”-un, për të cilat sot Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës ka dorëzuar ankesa, shkruan Fokus.
„Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës dorëzoi katër ankesa të enjten për mashtrim të dyshuar në vlerë totale prej një mijë miliardë forintash, në katër raste të ndryshme. Të gjitha kanë të bëjnë me aktivitetet e ‘Eximbank’-ut“ – tha Magyar.
Ai theksoi se kredia u dha në kushte shumë të favorshme me një normë interesi prej 3,25 për qind.
Kredia, tha ai, do t’i kushtojë buxhetit hungarez 90 miliardë forinta (rreth 248 milionë euro) për shkak të diferencave të interesit.
„Kjo paraqet një barrë prej 90 miliardë forintash (rreth 248 milionë euro) për buxhetin hungarez, ndërsa shteti hungarez mori përsipër garanci 100 për qind për kredinë nën udhëheqjen e qeverisë së Orbanit“, tha Magyar.
Sipas tij, norma e interesit me të cilën “Eximbanka” shtetërore i dha kredinë Maqedonisë është shumë më e favorshme se normat e interesit me të cilat kompanitë hungareze dhe qytetarët e vendit marrin hua.(INA)

