Lajme nga vendi
Miniera ngjall frikë për katastrofë ekologjike në rajonin e Strumicës
Vendimi i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut për bashkimin e koncesioneve për kompleksin e minierave “Ilovicë-Shtukë” në rajonin e Strumicës që i hap rrugë synimit të kompanisë kanadeze “Euromax Resources” – që para 11 vjetëve ka fituar të drejtën e koncesionit për nxjerrjen e arit dhe bakrit – ka shkaktuar reagim të ashpër të organizatave joqeveritare që në fokus kanë mbrojtjen e ambientit jetësor.
Kompania “Euromax Resources” kishte fituar dy koncesione për eksploatimin e bakrit dhe arit dhe më pas kërkoi bashkimin e tyre.
…me funksionimin e minierës do të hapet një gropë me thellësi prej 600 metrash dhe do të krijohet një liqen me mbeturina nga minierat me mbi 210 milionë metër kub toksina”…
Qeveria e Maqedonisë së Veriut më 27 qershor votoi për bashkimin e dy koncesioneve. Njëri koncesion ka të bëjë me shfrytëzimin e bakrit dhe arit në lokalitetin “Fshati Ilovicë”, që është pjesë e Komunës së Bosilovës dhe tjetri po ashtu në lokalitetin “Ilovicë”, që përfshin dhe një pjesë të komunës së Novo Sellës.
Ky vendim ka nxitur reagimin e ambientalistëve.
Gjorgji Tanushev, aktivist për mbrojtjen e ambientit jetësor dhe këshilltar në Komunën e Bosillovës, që përfshin hapësirat e minierave të arit dhe bakrit për Radion Evropa e Lirë, thekson se është e pamundur të lejohet funksionimi i minierave pasi kjo do të shkaktojë katastrofë ekologjike.
“E para do theksuar se që në vitin 2012 nga ne fshiheshin studimet që ishin bërë për sa i përket ndikimit që do të ketë në ambientin jetësor funksionimi i minierës. Ndërkohë, tash dihet se me funksionimin e minierës do të hapet një gropë me thellësi prej 600 metrash dhe do të krijohet një liqen me mbeturina nga minierat me mbi 210 milionë metër kub toksina në kodrën mbi Illovicë-Shtukë”.
“Në bazë të një studimi që ka realizuar Agjencia Ekologjike Amerikane EPA, dëmet që do të shkaktojë ndotja e ambientit nga funksionimi i minierës do të jenë të pranishme në këtë zonë gjatë 200 vjetëve të ardhshëm”, thotë Tanushev.
Era do t’i mbulojë me pluhur toksik të mbjellat në rajonin e Strumicës
Tanushev thotë se rajoni i Strumicës ku furnizohen me perime, kryesisht speca, domate, tranguj etj., jo vetëm banorët e Maqedonisë së Veriut po edhe Kosova dhe vendet e tjera të rajonit, do të mbulohet me pluhur toksik.
Po ashtu, do të ndoten dhe ujërat nëntokësorë dhe këtu nuk mund të flasim më për sanim të problemit”.
“E gjithë bujqësia do të shkatërrohej pasi era do ta shpërndajë pluhurin toksik, në fushën e Strumicës dhe askush nuk do të dëshirojë të blejë produkte bujqësore të mbuluara me pluhur që do të shkaktohet nga dridhjet e vazhdueshme nga shpërthimet… nga vetë shkëmbinjtë do të krijohet acid sulfurik natyror.
Po ashtu, do të ndoten dhe ujërat nëntokësorë dhe këtu nuk mund të flasim më për sanim të problemit, shërim të tokës”, thekson Tanushev, aktivist për mbrojtjen e ambientit jetësor.
Kompania që fitoi koncesionin “Euromax Resources”, thotë se nëse shkëputet kontrata, shteti do të paguajë dëm prej një miliard eurosh.
Nëpërmjet një deklarate me shkrim për mediat, nga kompania kanë theksuar se në kompleksin e minierave Ilovicë-Shtukë, do të zbatohen metodat më të sigurta dhe më moderne për shfrytëzimin e burimeve minerare, duke mos lënë hapësirë për rrezikimin e shëndetit të qytetarëve dhe ndotjen e tokave në këtë rajon.
“Dëmi i mundshëm nga një qasje e tillë e papërgjegjshme do të ishte arbitrazhi ndërkombëtar me të paktën 1 miliard euro të paguara nga buxheti i shtetit, ose nga xhepi i shtetasve të këtij vendi”, thuhet ndër terash në reagimin me shkrim të kompanisë “Euromax Resources”.
“…nëse atë nuk e duan qytetarët në rajonin ku është dhënë ai koncesion, gjegjësisht dy koncesione, nuk do të ketë minierë”.
Por, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, pas reagimeve të shumta, ka thënë se “nuk do të ketë minierë nëse atë nuk e duan qytetarët e rajonit ku është dhënë koncesioni”.
“Qëndrimi i Ministrisë së Ekonomisë dhe Ministrisë së Mjedisit Jetësor, është i qartë, nëse atë nuk e duan qytetarët në rajonin ku është dhënë ai koncesion, gjegjësisht dy koncesione, nuk do të ketë minierë. Koncesionet janë dhënë nga VMRO –DPMNE-ja, ndërkaq minierat nuk janë hapur falë qeverisë së LSDM-së e cila udhëheqë procedurë për të mos u hapur miniera”, ka deklaruar Kovaçevski.
Mirëpo, partia maqedonase në opozitë, VMRO-DPMNE, ka akuzuar kryeministrin Kovaçevski se me urdhër të partnerit shqiptar të Qeverisë, Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), në dëm të interesave të qytetarëve ka marrë vendim për bashkimin e koncesioneve për minierat për shfrytëzimin e bakrit dhe arit në mënyrë që miniera të vihet në funksion.
“Simptomatike është se vetëm 15 ditë pasi Nazif Destani që është i afërt me BDI-në, bleu aksionet në ‘Euromax Resources’, Gjykata e Lartë Administrative vendosi të respektojë ankesën e kompanisë kanadeze, e cila ishte ankuar në institucionet maqedonase për vendimin e qeverisë për ta ndërprerë për një kohë të gjatë kontratën për shfrytëzimin e bakrit dhe arit në këtë rajon ”, theksohet në reagimin e VMRO-DPMNE.
Kompania kanadeze “Euromax Resources”, në vitin 2012 e mori me koncesion lokalitetin e Illovicë – Shtukë për eksploatim të lëndës së parë të mineraleve – xehen e bakrit dhe arit.
Atë kohë drejtori i kësaj kompanie, Stiv Sharp, tha se prodhimi i bakrit dhe arit do të fillojë në mesin e vitit 2017 duke investuar 500 milionë euro dhe hapjen e 500 vendeve të reja të punës.
Pas kësaj, banorët e komunës së Novo Sellos dhe Bosillovës komuna këto që kufizohen me Strumicën në vitin 2017 organizuan referendum, kundër funksionimit të kompleksit të minierave, por referendum doli i pasuksesshëm pasi në të dolën më pak se 40 për qind e popullatës së asaj zone.
Në dhjetor të vitit 2019, Qeveria e Maqedonisë mori vendim për shfuqizimin e njëanshëm të Marrëveshjes për koncesion për eksploatim të minierës për bakër dhe ari në lokalitetin Illovicë. Më pas, kompania “Euromax” ka parashtruar ankesë në gjykatat e vendit kundër këtij vendimi të Qeverisë.
Gjatë fundjavës (më 15 korrik) nën organizimin e rreth 45 organizatave që në fokus kanë mbrojtje e mjedisit u mbajt një protestë për të kundërshtuar vendimin e qeverisë për bashkimin e koncesioneve për kompleksin e minierave “Ilovicë-Shtukë”.
Ministria e Ekonomisë vendimin e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut për bashkimin e koncesioneve e ka arsyetuar me vendimin e Gjykatës Administrative të datës 30.03.2023 në favor të kompanisë “Euromax Resources”.
Lajme nga vendi
Kronika e zezë – Tetovë dhe Gostivar, 07 Tetor
Dje në orën 15:40, zyrtarë policorë nga Stacioni Policor Mavrovë kanë privuar nga liria një 45-vjeçar nga fshati Zdunjë, rrethina e Gostivarit. Gjatë një kontrolli në trafik, është konstatuar se ai po drejtonte një automjet udhëtarësh “Opel Vectra” me targa të Gostivarit pa leje drejtimi. Automjeti është sekuestruar dhe pas dokumentimit të rastit ndaj tij do të vijojë parashtresa përkatëse.
…….
Dje në orën 14:00 në SPB Tetovë, një grua 33-vjeçare nga Republika e Malit të Zi ka denoncuar se ish-partneri i saj, një 43-vjeçar, nga fshati Vrapçisht, rrethina e Gostivarit, i cili nga shtatori i vitit 2026 ndodhet në vuajtje të dënimit me burg në Burgun e Tetovës, nga numra të ndryshëm telefoni dhe përmes një aplikacioni celular ka dërguar kërcënime ndaj saj dhe familjes së saj. Po merren masa për zbardhjen dhe dokumentimin e rastit, pas së cilës do të dorëzohet kallëzimi përkatës.
Lajme nga vendi
Policia e trafikut me 33 skuterë të rinj “Piaggio Beverly 310”
Parku i automjeteve të policisë së trafikut në Maqedoninë e Veriut është pasuruar me 33 skuterë të rinj “Piaggio Beverly 310 HPE”, në version të posaçëm policor.
Ministria e Punëve të Brendshme ka pranuar 33 skuterët e rinj policorë, të siguruar nga Këshilli Republikan për Siguri në Trafikun Rrugor (KRSSTR). Dorëzimi zyrtar u bë në prani të ministrit të Punëve të Brendshme, Panço Toshkovski, dhe kryetarit të KRSSTR-së, Goran Angelovski.
Së bashku me skuterët është siguruar edhe pajisje e plotë mbrojtëse për motoçiklistët, përkatësisht për secilin polic:
helmetë mbrojtëse;
xhaketë dhe pantallona motoçiklistike;
çizme motoçiklistike;
doreza për verë dhe dimër.
Vlera totale e furnizimit është 16.845.561 denarë, ose rreth 274 mijë euro. Në këtë shumë përfshihen si skuterët, ashtu edhe pajisjet mbrojtëse.
“Piaggio Beverly 310 HPE” është skuter italian i kategorisë maxi-skuter, me motor 310 kubikë që zhvillon rreth 27,7 kuaj fuqi. Transmisioni automatik CVT, rrotat e mëdha dhe përmasat kompakte e bëjnë atë të përshtatshëm për lëvizje në trafikun urban.
Për policinë e trafikut, skuterët mundësojnë lëvizje më të shpejtë në trafikun e dendur, qasje më të lehtë në vendet e aksidenteve dhe rregullim më efikas të trafikut në rrugët dhe kryqëzimet e frekuentuara.
Nga MPB-ja thonë se blerja e re synon të rrisë mobilitetin e policisë së trafikut, të mundësojë kontroll më efikas të komunikacionit dhe të përmirësojë kushtet e punës së pjesëtarëve të policisë.
Ministri Panço Toshkovski theksoi se furnizimi është pjesë e aktiviteteve më të gjera për modernizimin e policisë dhe rritjen e sigurisë në trafik.
Ndërkaq, nga KRSSTR-ja u bë e ditur se do të vazhdojnë investimet për pajisjen e njësive policore që janë përgjegjëse për kontrollin e trafikut.
Me 33 “Piaggio Beverly 310”, policia e trafikut fiton mjete të reja që pritet të mundësojnë reagim më të shpejtë dhe mobilitet më të madh, veçanërisht në kushtet e trafikut të dendur urban.
Burimi: Ministria e Punëve të Brendshme (MPB)
Lajme nga vendi
Nis shpërndarja e kartelave për “naftën e gjelbër”, mbi 48 mijë fermerë përfitojnë
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave ka nisur shpërndarjen e kartelave për “naftën e gjelbër” për fermerët, në një periudhë kur po përgatiten tokat për përpunimin vjeshtor dhe mbjelljen.
Për këtë masë këtë vit janë siguruar 584 milionë denarë, rreth 9.5 milionë euro, ndërsa janë përgatitur gjithsej 48.037 kartela.
Shpërndarja ka nisur në Sveti Nikollë, ndërsa më pas ka vazhduar në Manastir, bëri të ditur ministri i Bujqësisë, Borçe Serafimovski.
Mbështetja financiare varet nga sipërfaqet dhe kulturat bujqësore të deklaruara në kërkesat për pagesa direkte për vitin 2025 dhe varion nga 3.200 deri në 12.000 denarë për hektar.
Për kulturat drithore, si gruri, elbi, misri dhe orizi, fermerët përfitojnë 3.200 denarë për hektar. Për lulediellin, kolzën, jonxhën dhe disa kultura të tjera mbështetja është 4.800 denarë për hektar.
Për kulturat kopshtare dhe vreshtat janë paraparë 9.600 denarë për hektar, ndërsa mbështetja më e lartë, prej 12.000 denarësh për hektar, është për mollën, dardhën, kumbullën, pjeshkën dhe disa kultura të tjera frutore.
Për ftonjtë, shegët, bajamet, lajthitë dhe kultura të tjera të kësaj kategorie ndahen 8.800 denarë për hektar, për duhanin 11.000 denarë, ndërsa për arrat dhe gështenjat 6.000 denarë për hektar.
Në Sveti Nikollë janë shpërndarë kartelat e para nga gjithsej 1.900, me vlerë mbi 38.2 milionë denarë. Në Manastir janë përgatitur 3.858 kartela, me vlerë të përgjithshme prej rreth 57.5 milionë denarësh.
Sipas Ministrisë, qëllimi është që ndihma financiare të arrijë te fermerët pikërisht në periudhën kur ata kanë shpenzimet më të mëdha për përgatitjen e tokave, blerjen e farërave dhe plehrave, si dhe mirëmbajtjen e mekanizimit bujqësor.
Masa zbatohet përmes Programit për mbështetje financiare në bujqësi për vitin 2026.
Gjatë vizitës në Manastir, ministri Serafimovski është takuar edhe me bletarë nga Pellagonia. Në takim është bërë e ditur se në Ministri janë përgatitur urdhërpagesat për subvencionet e bletarëve dhe se pagesa pritet të realizohet sa më shpejt.
Ndërkohë, është paralajmëruar edhe brendimi i mjaltit maqedonas, përkatësisht atij të Mariovës, me qëllim promovimin e mëtejshëm të origjinës dhe cilësisë së tij.
-
Lajme nga bota2 months agoTRUMP: LARGIMI I INFANTINO-s NGA FIFA DO TË ISHTE NJË GABIM I RËNDË
-
Lajme nga rajoni2 months agoKrimi i rëndë në Kosovë/ Kjo është 25-vjeçarja që u vra me armë zjarri, dyshohet se u qëllua nga bashkëshorti i saj, ishte në javën e 34 të shtatzënisë
-
Lajme nga bota2 months agoTrump paralajmëron “luftë ekonomike” ndaj Iranit: Kush e ndihmon, do të përballet me pasoja

