Lajme nga vendi
Grubi: 50 milionë euro për komunat, kujdesemi për jetë më të mirë
Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë, Artan Grubi njoftoi se në seancën e fundit qeveritare është miratuar vendim për shpërndarjen e mjeteve në vlerë prej 50 milionë euro për rregullim të infrastrukturës ujore në komuna.
Ja postimi i tij:
✅Në seancën e fundit të mbajtur të Qeverisë miratuam vendimin për shpërndarjen e mjeteve në vlerë prej 50 milion eurove të siguruara nga Banka Evropiane Investuese, të cilat do të investohen në përmirësimin e infrastrukturës ujore në komunat e vendit.
🔜Këto mjete së shpejti do t’u ndahen si donacion të gjitha komunave, përfshirë këtu edhe komunat e Qytetit të Shkupit përmes Ministrisë së Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor për realizimin e investimeve prioritare për:
👉🏻rrjetet e ujësjellësit,
👉🏻rrjetin e kanalizimeve,
👉🏻stacione të pastrimit të ujërave të zeza, si dhe
👉🏻pajisje për përmirësimin e infrastrukturës ujore në territorin e tyre.
Një pjesë e mjeteve, respektivisht nga 200 mijë euro do të ndahen në mënyrë të barabartë për të gjitha komunat, ndërsa pjesa tjetër е mjeteve do të përcaktohet në bazë të numrit të banorëve që ata kanë”, njoftoi Grubi. (INA)
Lajme nga vendi
Vazhdon gjykimi për rastin “Onkologjia” – tre mjekë përballë drejtësisë
Në Gjykatën Themelore Penale në Shkup sot vazhdon gjykimi për rastin “Onkologjia”, ku ish-drejtori i Klinikës për Radioterapi dhe Onkologji, Nino Vasev, si dhe onkologët Simonida Cërvenkova dhe Dragan Jakimovski, akuzohen për trajtim të pakujdesshëm të pacientëve.
Seancën e drejton gjykatësja Snezhana Markovska, ndërsa aktakuzën e përfaqëson prokurorja publike Marija Gjorgjeva nga Prokuroria Themelore Publike – Shkup.
Në seancën e kaluar, me propozim të mbrojtjes, u dëgjua eksperti Vladimir Danillovski. Ai sqaroi se ekspertiza e tij nuk kishte të bënte me përzgjedhjen e terapisë onkologjike, por me përcaktimin e pasojave të mundshme nga trajtimi i aplikuar.
Sipas tij, duhej të përcaktohej nëse ekzistonte dëm konkret i provuar, nëse terapia kishte çuar në përkeqësimin e gjendjes shëndetësore, nëse kishte përshpejtuar përfundimin fatal dhe nëse ekzistonte lidhje e drejtpërdrejtë shkak-pasojë ndërmjet vendimit konkret të mjekut dhe pasojës së shkaktuar.
Eksperti theksoi se në raste të tilla nuk mjafton vetëm konstatimi i devijimit nga udhëzimet për dozimin ose përdorimin e barnave. Duhet të dëshmohet edhe lidhja shkakësore ndërmjet veprimit të mjekut dhe pasojës së shkaktuar te pacienti.
Vasev, Cërvenkova dhe Jakimovski akuzohen për vepra të rënda të vazhdueshme kundër shëndetit të njerëzve dhe trajtim të pakujdesshëm. Sipas aktakuzës, te gjithsej 47 pacientë janë aplikuar terapi të papërshtatshme, me devijime në dozimin e barnave dhe pa vlerësim adekuat të gjendjes së tyre shëndetësore.
Procedura fillimisht përfshinte edhe onkologen Meri Peshevska, e cila pranoi fajësinë dhe u dënua me dy vjet burg me kusht.
Lajme nga vendi
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot do të vizitojë Maqedoninë e Veriut
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot do të jetë i pranishëm në ceremoninë e fillimit të punimeve për autostradën Shkup-Bllacë.
MPB informoi për vizitën, duke ndërmarrë masa sigurie. Siç bëhet e ditur, Njësia për Sigurinë e Trafikut Rrugor pranë SPB Shkup do të ndërmarrë masa për regjim të posaçëm të trafikut në zonën e qytetit të Shkupit. “SPB Shkup u bën apel të gjithë qytetarëve pjesëmarrës në trafik që t’i respektojnë urdhrat që do t’i japin nëpunësit policorë”, thonë nga MPB. Kurti në ceremoni do të jetë me liderët e VLEN-it si dhe kryeministrin Hristijan Mickoski.
Lajme nga vendi
SMS të rrejshme për kthimin e TVSh-së – Drejtoria Tatimore apel: Mos e hapni linkun!
Qytetarëve po u mbërrijnë mesazhe të rreme SMS, në të cilat thuhet se „kthimi i tatimit është përgatitur“, ndërsa në mesazh është bashkëngjitur edhe një link. Nga Drejtoria për të Ardhura Publike (DAP) paralajmërojnë se bëhet fjalë për një përpjekje të mundshme për mashtrim. Duke hapur linkun, mashtruesit mund të përpiqen të marrin të dhëna personale dhe financiare të qytetarëve. DAP apelon: Mos e hapni linkun dhe mos vendosni të dhëna personale, bankare apo të tjera të ndjeshme. Informacionet lidhur me shërbimet tatimore dhe rimbursimin e TVSH-së duhet të kontrollohen vetëm përmes kanaleve zyrtare të DAP Jo çdo “rimbursim i TVSH-së” në SMS sjell para – disa mesazhe sjellin mashtrim.

