Lajme nga vendi
Sot e nesër mot me diell, nga e hëna bien temperaturat në Maqedoninë e Veriut
Moti sot do të jetë me diell me vranësira të vogla deri mesatare lokale. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi veriperëndimor. Temperatura minimale do të jetë në interval prej 7 deri në 18, ndërsa ajo maksimale do të lëvizë prej 29 deri 36 gradë. Indeksi UV=9.
Në Shkup, siç informuan nga DPHM, moti do të jetë me diell me vranësira të vogla deri mesatare dhe erë të lehtë veriperëndimore. Temperatura minimale do të bie deri në 15, ndërsa ajo maksimale do të arrijë deri 35 gradë.
Edhe të dielën moti do të jetë i qëndrueshëm dhe i nxehtë me temperatura më të ulëta të mëngjesit.
Të hënën do të ketë zhvillim lokal të vranësirave jostabile me shi të rrëmbyeshëm, bubullima dhe erë të përforcuar, ndërsa në ditët në vijim do të ketë përsëri stabilizim të motit.
Lajme nga vendi
Vazhdon gjykimi për rastin “Onkologjia” – tre mjekë përballë drejtësisë
Në Gjykatën Themelore Penale në Shkup sot vazhdon gjykimi për rastin “Onkologjia”, ku ish-drejtori i Klinikës për Radioterapi dhe Onkologji, Nino Vasev, si dhe onkologët Simonida Cërvenkova dhe Dragan Jakimovski, akuzohen për trajtim të pakujdesshëm të pacientëve.
Seancën e drejton gjykatësja Snezhana Markovska, ndërsa aktakuzën e përfaqëson prokurorja publike Marija Gjorgjeva nga Prokuroria Themelore Publike – Shkup.
Në seancën e kaluar, me propozim të mbrojtjes, u dëgjua eksperti Vladimir Danillovski. Ai sqaroi se ekspertiza e tij nuk kishte të bënte me përzgjedhjen e terapisë onkologjike, por me përcaktimin e pasojave të mundshme nga trajtimi i aplikuar.
Sipas tij, duhej të përcaktohej nëse ekzistonte dëm konkret i provuar, nëse terapia kishte çuar në përkeqësimin e gjendjes shëndetësore, nëse kishte përshpejtuar përfundimin fatal dhe nëse ekzistonte lidhje e drejtpërdrejtë shkak-pasojë ndërmjet vendimit konkret të mjekut dhe pasojës së shkaktuar.
Eksperti theksoi se në raste të tilla nuk mjafton vetëm konstatimi i devijimit nga udhëzimet për dozimin ose përdorimin e barnave. Duhet të dëshmohet edhe lidhja shkakësore ndërmjet veprimit të mjekut dhe pasojës së shkaktuar te pacienti.
Vasev, Cërvenkova dhe Jakimovski akuzohen për vepra të rënda të vazhdueshme kundër shëndetit të njerëzve dhe trajtim të pakujdesshëm. Sipas aktakuzës, te gjithsej 47 pacientë janë aplikuar terapi të papërshtatshme, me devijime në dozimin e barnave dhe pa vlerësim adekuat të gjendjes së tyre shëndetësore.
Procedura fillimisht përfshinte edhe onkologen Meri Peshevska, e cila pranoi fajësinë dhe u dënua me dy vjet burg me kusht.
Lajme nga vendi
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot do të vizitojë Maqedoninë e Veriut
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot do të jetë i pranishëm në ceremoninë e fillimit të punimeve për autostradën Shkup-Bllacë.
MPB informoi për vizitën, duke ndërmarrë masa sigurie. Siç bëhet e ditur, Njësia për Sigurinë e Trafikut Rrugor pranë SPB Shkup do të ndërmarrë masa për regjim të posaçëm të trafikut në zonën e qytetit të Shkupit. “SPB Shkup u bën apel të gjithë qytetarëve pjesëmarrës në trafik që t’i respektojnë urdhrat që do t’i japin nëpunësit policorë”, thonë nga MPB. Kurti në ceremoni do të jetë me liderët e VLEN-it si dhe kryeministrin Hristijan Mickoski.
Lajme nga vendi
SMS të rrejshme për kthimin e TVSh-së – Drejtoria Tatimore apel: Mos e hapni linkun!
Qytetarëve po u mbërrijnë mesazhe të rreme SMS, në të cilat thuhet se „kthimi i tatimit është përgatitur“, ndërsa në mesazh është bashkëngjitur edhe një link. Nga Drejtoria për të Ardhura Publike (DAP) paralajmërojnë se bëhet fjalë për një përpjekje të mundshme për mashtrim. Duke hapur linkun, mashtruesit mund të përpiqen të marrin të dhëna personale dhe financiare të qytetarëve. DAP apelon: Mos e hapni linkun dhe mos vendosni të dhëna personale, bankare apo të tjera të ndjeshme. Informacionet lidhur me shërbimet tatimore dhe rimbursimin e TVSH-së duhet të kontrollohen vetëm përmes kanaleve zyrtare të DAP Jo çdo “rimbursim i TVSH-së” në SMS sjell para – disa mesazhe sjellin mashtrim.

