Lajme nga vendi
Barnat nuk janë “luks”, çmimet në qiell xhepat e qytetarëve përtokë!
Nëse nuk ka forma të tjera se si të ndihmohen qytetarët është e rendit dhe normale që të paktën të mos dëmtohen. Qytetarët me vite të tëra janë duke bërë përpjekje të hatashme për të mbijetuar në këtë krizë që ka kapluar vendin, për fat të keq është e shumëfish. Ajo që është më shumë shqetësuese është fakti që sistemi shëndetësor nuk funksionon si duhet, pasi përpos problemeve të shumta kohëve të fundit çmimet e barnave kanë kaluar tavanin e normales, kanë pësuar rritje të hatashme. Kjo rritje e çmimeve të barnave rrit pakënaqësinë e qytetarëve të cilët pa vullnetin e tyre janë të varur prej barnave. Dhe, kur dihet që barnat nuk janë luks por domosdoshmëri e të rriten çmimet “pa hesap” kjo i bie që po plaçkit qytetarët e varfër, shkruan Zhurnal.
Kur rriten pa kontroll çmimet e barnave nuk ka se si të përkufizohet pos “plaçkë” ndaj qytetarëve të varfër –
Besim Hoda ka zbuluar se punon në farmaci dhe se mendon ta braktisë edhe këtë profesion. Në ClickPlus në TV21 tha se arsyeja është – shtrenjtimi i barnave esenciale deri në 300%.
“Shqiptarët duhet të ulen dhe të ndërtojnë ende sa kanë shansë, një platformë të përbashkët, me tre – katër pika… Unë po ua them, vij nga fusha e farmacisë dhe mendoj ta braktis edhe këtë profesion, sepse brenda një viti e gjysmë barnat esenciale për pacientët, kanë arritur vlerën e shtrenjtimit për 300%”, tha Hoda.
Shton se janë shtrenjtuar vetëm barnat që janë prodhuar në Maqedoni dhe Serbi, ato që vinë nga BE-ja, sipas tij kanë çmimin e njëjtë.
Barna me çmime të larta, më keq se kaq edhe mungojnë shpesh herë shumë lloje të barnave –
Në fundvitin që lamë pas kishte mungesë shumë të madhe të barnave në Klinikën e Onkologjisë në Shkup, ku si pasojë e kësaj mungese të barnave metastzohej kanceri edhe më shumë.
Mungesa disa mujore e terapive kundër kancerit në Klinikën e Onkologjisë në Shkup, ka shtuar dyshimet e organeve hetuese se ka keqpërdorime. Edhe pse buxheti i planifikuar vjetor iu është ndarë me kohë, Fondi për Sigurim Shëndetësor iu ka miratuar edhe një buxhet shtesë rreth 5,5 milion euro për tender të ri të barnave biologjike, të cilat janë në mungesë për tre mujorin e fundit të 2022-ës. Pas furnizimit me terapi të reja, korridoret e Klinikës së Onkologjisë ishin stërmbushen me pacientë.
Pacientët ankohen se në periudhën që nuk kanë marrë terapitë e rregullta nga klinika kishin vështirësi shëndetësore. Disa prej tyre tregojnë se janë detyruar të blejnë privat nëpër barnatore. Ata që nuk kanë pasur mundësi, vetëm dëshmojnë se gjatë këtyre muajve iu kanë shtuar edhe metastazat e kancerit.
Prandaj, mungesa e përgjegjësisë të institucioneve në këtë rast Fondit Shëndetësor dhe Ministrisë së Shëndetësisë qytetarët të cilët vuajnë nga sëmundje të ndryshme përballen edhe me shpenzime më të larta ekonomike si dhe me brengën e gjetjes së ilaçeve të nevojshme, që në realitet për ata janë jetike.
Nuk përfundon misioni me marrjen e cilit do pozicion, në realitet këtu duhet të fillojë. Përgjegjësia e secilit bartës institucioni duhet të jetë e lartë, sepse edhe pritjet e qytetarëve janë të larta, sidomos kur kemi të bëjmë me shëndetësinë, arsimin, e ekonominë.
Kujtojmë edhe skandalin më jo njerëzor që ka ndodhë në Klinikën e Onkologjisë. Në vendin ku skandalet janë të njëpasnjëshme gjithçka është e mundur, por që deri në këtë nivel nuk e kishte menduar askush. Në një institucion shëndetësor aty ku humanizmi duhet të jetë mbi nivel është bërë terror human dhe akti më çnjerëzor që mund të ndodhë. Vjedhje e ilaçeve, kërkim i ryshfetit “për zgjatje jete”, si dhe mos evidentim i personave të vdekur, krejt kjo për përfitime materiale. Njerëz me shpirt të varfër në kurriz të pacientëve hallexhinjë kanë tentuar që të pasurohen. Mbase, edhe janë pasuruar disa prej tyre por i gjithë ky “biznes” i tyre mori fund, bashkë me biznesin e tyre edhe vet ata.
Spitalet në vend janë në gjendje të mjerueshme, një projekt “megaloman” që tashmë me dekada po qëndron në sirtarë, ndërtimi i një Qendre të re Klinike në Shkup, përmirësimi i infrastrukturës në spitale, rritja e pagave për mjekët, motivimi për të qëndruar në vend, sigurimi i barnave për secilin pacientë, këto duhet të jenë prioritet e këtij ministri që fati e bëri ministër, pasi populli nuk e votoi që të jetë në krye të Komunës së Çairit. /Zhrunal.mk
Lajme nga vendi
Kronika e zezë – Tetovë dhe Gostivar, 22 Tetor
Dje, zyrtarë policorë nga Sektori për Polici Kriminalistike pranë SPB Tetovë dhe nga ekipi mobil “Task Force”, në koordinim me përfaqësues të Inspektoratit Shtetëror të Tregut dhe Drejtorisë së të Ardhurave Publike, kanë realizuar kontroll aksional në një objekt hotelerie në Qendrën Tregtare të Qytetit në Tetovë.
Me këtë rast, para objektit është zënë një 48-vjeçar nga Tetova dhe gjatë kontrollit tek ai është gjetur një substancë e bardhë pluhur, pas çka është privuar nga liria.
Ndërsa, brenda në objekt, te pronari 54-vjeçar nga fshati Trebosh janë gjetur 15 paketime me substancë të bardhë pluhur, pas çka edhe ai është privuar nga liria.
Të dy janë ndaluar në stacionin policor dhe pas dokumentimit të plotë të rasteve, ndaj tyre do të vijojë parashtresë përkatëse.
…….
Dje në orën 12:00 në Stacionin Policor Gostivar, nga Ndihma e Shpejtë Mjekësore Gostivar është denoncuar se te ata është sjellë një 15-vjeçar nga Gostivari pa shenja jete. Sipas denoncimit, në shtëpinë e tij në Gostivar ai kishte rrëshqitur dhe ka rënë shkallëve, ndërsa pasi është pranuar në spital, pas reanimimit të kryer ka shfaqur shenja jete dhe me automjet të Ndihmës së Shpejtë Mjekësore Gostivar është transferuar në Kompleksin e Klinikave “Nënë Tereza” në Shkup, ku i janë konstatuar lëndime të rënda trupore. Është njoftuar prokurori publik, është kryer këqyrje në vendngjarje dhe po merren masa për zbardhjen e ngjarjes.
…….
Dje në orën 19:10 në Stacionin Policor Tetovë, një 38-vjeçar nga Tetova ka denoncuar se rreth orës 18:30 në rrugën “Todor Cipovski Merxhan”, djali i saj 11-vjeçar është sulmuar fizikisht nga një i mitur tjetër. Po merren masa për zbardhjen e rastit.
……
Dje në orën 22:30 në Hanet e Mavrovës, zyrtarë policorë nga Stacioni Policor Mavrovë kanë privuar nga liria një 22-vjeçar nga Shkupi. Gjatë një kontrolli në trafik është ndaluar automjeti i udhëtarëve “Volksëagen Golf” me targa të Shkupit, të cilin e drejtonte ai, me ç’rast është konstatuar se e drejtonte pa pasur leje drejtimi. Automjeti është konfiskuar dhe pas dokumentimit të plotë të rastit do të vijojë parashtresë përkatëse.
……..
Dje në orën 20:00 në Stacionin Policor Gostivar, një 71-vjeçar nga Gostivari ka denoncuar se rreth orës 18:30 te Stacioni i Autobusëve në Gostivar, derisa po kryente detyrat e punës si taksist, është sulmuar fizikisht nga një person. Po merren masa për zbardhjen e rastit.
…….
Dje në orën 13:25, zyrtarë policorë nga Stacioni Policor Gostivar kanë privuar nga liria një 29-vjeçar nga Gostivari, i cili ditën e mëparshme është denoncuar nga nëna e tij 53-vjeçare se në disa raste e ka kërcënuar. Pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tij do të parashtrohet kallëzim përkatës.
……
Pas mesnate në orën 02:00 në SPB Tetovë është denoncuar se ka shpërthyer zjarr në një arë në fshatin Sellarcë e Epërme. Zyrtarë policorë nga Stacioni Policor Zherovjan kanë dalë në vendngjarje dhe kanë konstatuar se është djegur kashtë, e cila ishte grumbulluar në disa pirgje. Ekipi i Njësisë Territoriale Kundër Zjarrit e ka shuajtur zjarrin, ndërsa persona të lënduar nuk ka. Këqyrja e vendngjarjes është kryer nga ekipi i SPB Tetovë.
Lajme nga vendi
Në shtator, tetë burra në Maqedoni u diagnostikuan me HIV, vetëm këtë vit janë regjistruar 49 raste të reja
Në shtator të këtij viti, në Maqedoninë e Veriut u regjistruan tetë raste të reja me HIV/AIDS, të gjitha te persona të gjinisë mashkullore, tregojnë të dhënat nga buletini më i ri mujor i Institutit të Shëndetit Publik (ISHP). Katër nga personat e diagnostikuar rishtazi janë të moshës 30 deri në 39 vjeç, ndërsa nga një rast është regjistruar në grupmoshat 15–19 vjeç, 20–29 vjeç, 40–49 vjeç dhe 50–59 vjeç, transmeton Portalb.mk.
Në shtator u raportuan edhe dy raste të vdekjes te persona me HIV, të cilët ishin regjistruar më parë me këtë infeksion, përkatësisht në vitin 2015 dhe 2018. Të dy personat që vdiqën ishin të moshës 40 deri në 49 vjeç. Sipas të dhënave të ISHP-së, nga fillimi i vitit 2026 deri më 30 shtator, në vend janë regjistruar gjithsej 49 raste me HIV/AIDS.
Që nga fillimi i regjistrimit të rasteve, në vitin 1987, e deri në shtator të vitit 2026, në vend janë regjistruar gjithsej 778 persona me HIV/AIDS. Prej tyre, 520 persona jetojnë me HIV/AIDS, 144 kanë vdekur, ndërsa 114 figurojnë si të humbur për ndjekje, përkatësisht si persona që janë shpërngulur jashtë vendit.
Në buletinin për sëmundjet akute infektive thuhet se gjatë shtatorit në Maqedoninë e Veriut katër persona kanë vdekur nga ethet e Nilit Perëndimor, ndërsa gjithsej 1.042 persona janë prekur nga sëmundje akute infektive. Numri i të prekurve është 22 përqind më i lartë krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, kur ishin regjistruar 854 raste.
“Të katër personat që kanë vdekur ishin të moshës 65 deri në 70 vjeç dhe te ta ishte diagnostikuar forma neuroinvazive e etheve të Nilit Perëndimor. Ata ishin të hospitalizuar në Klinikën Universitare për Sëmundje Infektive dhe Gjendje Febrile në Shkup, ndërsa te të gjithë ishin regjistruar edhe sëmundje shoqëruese”, thuhet në buletin.
Epidemia e etheve të Nilit Perëndimor është ende në vazhdim.
Pjesa më e madhe e sëmundjeve infektive të regjistruara në shtator ishin infeksione të zorrëve. Nga gjithsej 1.042 rastet e raportuara, 694 ishin raste me enterokolit, që përbëjnë 66,6 përqind të të gjitha sëmundjeve akute infektive të regjistruara.
Krahasuar me shtatorin e vitit të kaluar, kur ishin raportuar 465 raste me enterokolit, këtë vit është shënuar rritje prej 49,2 përqind. Nga fillimi i këtij viti deri në fund të shtatorit janë regjistruar 4.313 raste, që është 43,1 përqind më shumë sesa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në vendin e dytë për nga shpeshtësia janë lija e dhenve, me 123 persona të prekur, të ndjekura nga salmoneloza me 56 raste, zgjebja me 47 raste dhe infeksionet bakteriale e intoksikimet e shkaktuara nga ushqimi me 30 raste.
Në shtator u regjistruan edhe 29 raste të mononukleozës infektive, tetë raste të sëmundjes së legjionarëve dhe gjashtë infeksione të shkaktuara nga bakteri Escherichia coli.
Lajme nga vendi
Ministria e Transformimit Digjital në RMV bllokon përkohësisht trafikun e jashtëm në internet si masë parandaluese
Ministria e Transformimit Digjital informon se, si pjesë e aktiviteteve parandaluese, trafiku i jashtëm në internet në sistemet e prekura është bllokuar përkohësisht, me qëllim parandalimin e shfrytëzimit të mundshëm të dobësive.
Prandaj, ata theksojnë se Ministria, përmes Sektorit të Sigurisë Kibernetike dhe ekipit qeveritar të sigurisë kompjuterike (MKD-GOV-CSIRT), vazhdon me monitorimin e zgjeruar dhe të vazhdueshëm të kërcënimeve kibernetike, analizën e ngjarjeve të sigurisë dhe të dhënave të regjistrave, si dhe kontrollin e treguesve të mundshëm të kompromentimit.
Përndryshe, institucionet qeveritare dhe kompanitë në të gjithë Evropën dhe botën u detyruan të mbyllin faqet e tyre të internetit dje, pasi u zbuluan të meta serioze në gjuhën e programimit mbi të cilën bazohet pjesa më e madhe e internetit, raportuan mediat botërore.
Ministria e Transformimit Digjital informon se, si pjesë e aktiviteteve parandaluese, trafiku i jashtëm i internetit në sistemet e prekura u bllokua përkohësisht, me qëllim parandalimin e shfrytëzimit të mundshëm të dobësive.
Më pas, shtohet, u kryen kontrolle në versionet e softuerit dhe u aplikuan patch-e dhe përditësime të përshtatshme sigurie, si dhe u kontrollua funksionaliteti dhe siguria e serverëve të internetit.
Masat, thonë nga Ministria, synojnë të zvogëlojnë rrezikun e aksesit të paautorizuar dhe kompromentimit të mundshëm të serverëve të internetit.
“Sipas kontrolleve të kryera deri më tani, nuk janë gjetur indikacione për shfrytëzim të suksesshëm të dobësive të listuara ose për kompromentimin e faqeve të internetit të Qeverisë dhe ministrive”, thuhet në njoftim.

