Lajme nga vendi
Maqedonia e Veriut e katërta në botë për kërkesa për azil në BE
Edhe pse qeveria flet për rritje ekonomike dhe optimizëm për Bashkimin Evropian, qytetarët e Maqedonisë së Veriut vazhdojnë të largohen me ritme që janë ndër më të lartat në botë, sa i përket numrit të popullsisë.
Sipas të dhënave zyrtare, Maqedonia vitet e fundit ka shënuar rritje të emigrimit në raport me popullsinë, duke e renditur në vendin e katërt në botë, pas Shqipërisë. Në vitin 2023, sipas Eurostat, aplikimet arritën rekordin e viteve të fundit, 6760.
Por, këto të dhëna tregojnë se për nga numri i popullsisë përkatëse, Maqedonia ishte e katërta në botë për sa i përket kërkesave për azil në raport me popullsinë.
Vendin e parë e mban Siria, si një vend që vuan prej vitesh pasojat e luftës civile. Ky vend kishte 874 kërkesa për 100 mijë banorë në vendet e BE-së në vitin 2023. Në vendin e dytë renditet Gjeorgjia, e cila kishte 668 kërkesa për azil në BE për 100 mijë banorë. Pothuajse gjysma e aplikimeve janë në Gjermani, e ndjekur nga Franca dhe Italia.
Cilësia e ulët e perceptuar e jetës duket të jetë arsyeja kryesore pse qytetarët e RMV-së, veçanërisht të rinjtë, vazhdojnë të ikin nga vendi me ritme të krahasueshme me vendet në luftë ose konflikt civil.
Kosova u rendit e 12-ta në botë, me 162 aplikime për 100 mijë banorë. Kërkesat për azil pritet të rriten ndjeshëm këtë vit, pas heqjes së vizave me vendet e BE-së.
Në Shqipëri, të dhënat e Eurostat tregojnë se Franca mbetet vendi më i preferuar për shqiptarët për të kërkuar azil, me 3530 aplikime, ose 38% e totalit në 2023. Gjermania është në vendin e dytë, me 2225 kërkesa ose 24% të totalit.
Intensifikimi i emigracionit vitet e fundit shkakton deformime të mëdha në ekonominë e vendit, për shkak të disponueshmërisë së fuqisë punëtore, e cila pengon planet e bizneseve për zgjerim dhe investim, uljen e konsumit dhe në planin afatgjatë, çekuilibrimin e mëtejshëm të skemës pensionale.
Lajme nga vendi
Kallëzim penal kundër 35-vjeçarit nga Tetova, nën dyshimin për kryerje “dhunë” dhe “denoncim i rremë i veprës penale”.
Sektori i Punëve të Brendshme në Tetovë ka ngritur kallëzim penal kundër 35-vjeçarit me iniciale P.I. nga Tetova, nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “dhunë” dhe “denoncim i rremë i veprës penale”.
Më 9 janar 2026, i denoncuari kishte raportuar rrejshëm në polici se në një hapësirë parkingu para një ndërtese në Tetovë, ishte sulmuar fizikisht nga një burrë dhe ishte goditur me një send të fortë nga një grua.
Megjithatë, pas ndërmarrjes së masave hetimore nga ana e policisë, u vërtetua se e vërteta ishte krejt ndryshe. U konstatua se ishte vetë P.I. ai që kishte nisur një zënkë me një person tjetër dhe e kishte sulmuar atë fizikisht. Për këtë arsye, ai tashmë do të përballet me drejtësinë jo vetëm për dhunën e ushtruar, por edhe për tentativën për të mashtruar organet e rendit.
Lajme nga vendi
Ministri Sali në takimin ministror të KE-së për zbatimin e CBAM
Ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, mori pjesë në takimin ministror kushtuar Mekanizmit për Rregullimin e Karbonit në Kufij (CBAM), ku theksoi përkushtimin e Maqedonisë së Veriut ndaj objektivave evropiane për dekarbonizim dhe përafrim me legjislacionin klimatik dhe energjetik të BE-së.
Takimi u organizua nga Komisioni Evropian për të informuar vendet e Ballkanit Perëndimor mbi zhvillimet e fundit lidhur me zbatimin e Mekanizmit për Rregullimin e Karbonit në Kufij (CBAM), i cili ka hyrë në fuqi më 1 janar 2026 dhe ka ndikim të drejtpërdrejtë në procesin e zgjerimit dhe në sektorët energjetikë të rajonit.
Ai theksoi se në janar 2026 Qeveria miratoi projekt-Ligjin për Veprim Klimatik, i cili vendos bazën ligjore për sistemin e monitorimit, raportimit, verifikimit dhe akreditimit të emetimeve, si hap kyç drejt vendosjes së çmimit të karbonit.
Ministri Sali theksoi se vendi po punon aktivisht edhe për integrimin e tregut të energjisë elektrike me sistemin evropian, si pjesë e integrimit gradual në tregun e përbashkët evropian të energjisë.
Sa i përket CBAM-it, ai theksoi se Maqedonia e Veriut i mbështet objektivat e mekanizmit, por është e nevojshme të merren parasysh veçoritë specifike të vendeve kandidate dhe palëve të Komunitetit të Energjisë, veçanërisht për shkak të ekspozimit ndaj dallimeve të çmimeve dhe sfidave teknike në tregtinë ndërkufitare të energjisë.
Ai bëri thirrje për një zbatim të kujdesshëm dhe gradual, përfshirë zgjatjen e periudhës tranzitore, me qëllim shmangien e efekteve negative në tregjet rajonale dhe mbështetjen e integrimit të burimeve të rinovueshme të energjisë.
Ministri Sali theksoi se Maqedonia e Veriut mbetet fuqishëm e përkushtuar ndaj agjendës së gjelbër evropiane dhe futjes graduale të instrumenteve për çmimin e karbonit, me synimin përfundimtar të një tregu energjetik evropian të integruar, të sigurt dhe të dekarbonizuar.
Lajme nga vendi
Aftësitë e fituara përmes mësimit joformal dhe përvojës praktike do të mund të validohen përmes Qendrave Rajonale për Arsim Profesional dhe Trajnim
Të gjitha shtatë Qendrat Rajonale për Arsim Profesional dhe Trajnim, krahas funksionimit si institucione arsimore për arsimin e mesëm të detyrueshëm, nga sot do të mund të validojnë edhe njohuritë dhe aftësitë e popullsisë më të rritur, të fituara përmes mësimit joformal dhe përvojës praktike.
Nëntëmbëdhjetë këshilltarë për arsim joformal dhe mësim nga përvoja dhe 20 vlerësues nga Qendrat Rajonale për Arsim Profesional dhe Trajnim në Mansastir, Tetovë, Kumanovë, Veles, Ohër, Strumicë dhe Shtip, e përfunduan me sukses trajnimin që gjatë periudhës së kaluar u realizua nga ana eQendrës për Arsimin e të Rriturve dhe sot, në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, morën certifikatat me të cilat do të mund të validojnë njohuritë dhe aftësitë e qytetarëve më të rritur.
“Kjo është edhe një dëshmi për funksionimin e suksesshëm të Qendrave Rajonale për Arsim Profesional dhe Trajnim. Në të ardhmen, të gjithë qytetarët që do të dëshirojnë të marrin një dokument formal për njohuritë dhe aftësitë e fituara ndër vite jashtë shkollës do të mund ta bëjnë këtë në njërën nga shtatë qendrat. Certifikata që do të marrin do t’u shërbejë për avancim të mëtejshëm profesional dhe në karrierë”, theksoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Prof. Dr. Vesna Janevska.
Kjo risi është përcaktuar në Ligjin për Arsimin e të Rriturve, ndërsa përveç validimit të arsimit joformal, Qendrat Rajonale për Arsim Profesional dhe Trajnim do të zhvillojnë edhe procese rikualifikimi dhe kualifikimi shtesë të punëtorëve.

