Lajme nga vendi
Taravari elaboroı Platformën Presidenciale
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët dhe kandidati për president i koalicionit VLEN, Arben Taravari në konferencë për shtyp sot shpalosi Platformën Presidenciale e cila bazohet në katër shtylla, Maqedonia e Veriut e integrintegruar në rajon dhe Evropë, Maqedonia e Veriut prodhuese e sigurisë, shteti i së drejtës dhe demokracia konsensuale.
“Integrimi në Bashkimin Evropian është synimi ynë i padiskutueshëm, është rruga jonë e vetme për stabilitet dhe zhvillim të qëndrueshëm afatgjatë, dhe si e tillë do të jetë edhe prioriteti im më i lartë si President. Në politikën rajonale, do të angazhohem për rritjen dhe thellimin e bashkëpunimit rajonal në bazë të vlerave tona, ndër të cilat është edhe Kosova si shtet i pavarur, sovran dhe i barabartë. Zotimet e mia kryesore në këtë rrafsh janë se do të kërkoj garanci nga përfaqësuesi i lartë i BE-së që pas ndryshimeve kushtetuese nuk do të ketë kërkesa shtesë për Maqedoninë e Veriut përtej kornizës negociuese të vitit 2022, mandatin për formimin e qeverisë do t’ia besoj partisë apo partive të cilat dëshmojnë që kanë shumicë në Kuvend, duke kërkuar nga mandatari plan të afatizuar për realizimin e ndryshimeve kushtetuese dhe bazuar në nenin 121 të Kushtetutës, do t’i propozoj Kuvendit daljen e menjëhershme të Maqedonisë së Veriut nga nisma Ballkani i Hapur”, tha Taravari duke shtuar se si president po ashtu do të angazhohet për harmonizimin e plotë të politikës sonë me atë të BE-së, veçanërisht në lidhje me sanksionet e BE-së kundër Rusisë.
Në lidhje me shtyllën e dytë, Maqedonia e Veriut prodhuese e sigurisë, Taravari tha se BE, SHBA dhe NATO janë aleatët e pazëvendësueshëm, prandaj Maqedonia e Veriut është e gatshme të luajë rolin në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në botën përkrah aleatëve.
“Maqedonia e Veriut është vend i sigurt dhe nuk përballet me asnjë kërcënim të drejtpërdrejtë të jashtëm. Por kjo nuk do të thotë se Rusia nuk përbën kërcënim. Rusia do të vazhdojë të nxisë frikë dhe të krijojë destabilitet, përderisa varësia energjetike dhe vulnerabiliteti nga sulmet kibernetike mbeten kërcënime të vazhdueshme për ne. Parimi bazë mbi të cilin ndërtohet strategjia ime për sigurinë është që Maqedonia e Veriut nuk do të jetë vetëm konsumatore e sigurisë, por edhe prodhuese e sigurisë në rajon dhe në botë. Si Presidenti ardhshëm, zotohem se – Maqedonia e Veriut, do të sigurojë buxhet të qëndrueshëm shumëvjeçar të mbrojtjes në nivelin prej 2% të produktit të brendshëm bruto, në përputhje me kriteret e NATO-s, do të kujdesem për de-jugosllavizimin e Armatës dhe të Agjencisë së Zbulimit duke emëruar vetëm profesionistët më të mirë dhe më të dëshmuar, përfshirë edhe sa i përket sistemit të tyre të vlerave pro-perëndimore, do të ndihmoj që t’i japim fund varësisë sonë energjetike nga Rusia duke lehtësuar formulimin e një koncepti shtetëror të energjisë dhe do të krijoj një Task Force për siguri kibernetike e cila do në ndihmojë në parandalimin hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve kibernetike”, tha Taravari.
Taravari tha armiku më i madh është sistemi gjyqësor i korruptuar dhe mban peng vendin dhe po e largon rininë dhe se vetëm 2% e qytetarëve besojnë në sistemin e drejtësisë.
“Si President i ardhshëm, zotohem se do t’i kërkoj Kuvendit sjelljen e një pakoje legjislative për reformimin e tërësishëm të sistemit gjyqësor dhe të prokurorisë. Kjo pako duhet të përmbajë ligjin për vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve, reformimin e sistemit për zgjedhjen, avancimin dhe disiplinimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve publik, si dhe digjitalizimin e plotë të gjykatave, do të shtyj përpara idenë e themelimit të Komisionit për Standardet në Jetën Publike, bazuar në përvojën e Mbretërisë së Bashkuar. Ky trup do të ketë për synim promovimin e etikës dhe moralit në jetën publike, si organ këshillimor i Presidentit dhe organeve shtetërore përgjegjëse për shtetin e së drejtës, do të angazhohem për anulimin e ndryshimeve të Kodit Penal të vitit 2023 që ishin anti evropiane dhe të dëmshme në luftën kundër korrupsionit dhe si president i Republikës, zotohem se nuk do të dekretoj shpalljen e ligjeve laksiste që e largojnë edhe më tej vendin nga normat evropiane siç ka ndodhur në të kaluarën”, u shpreh kandidati i koalicionit VLEN, Arben Taravari.
Në lidhje me shtyllën e katër, Taravari theksoi se vendi ka krizë ekonomike, politike dhe etike dhe këto kriza kanë polarizuar shoqërinë duke ndikuar në thellimin e ndasive, rritjen e euroskepticizmit forcimin e narrativeve ekstremiste dhe minimin e demokracisë liberale dhe konsensuale.
“Duhet të tejkalojmë edhe këtë sfidë, siç i kemi tejkaluar kthesat historike në tre dekadat e mëvetësisë. Nga ky tranzicion duhet të dalim si një vend i bashkuar. Me vizion të përcaktuar nga parime e ideale të patundshme, do të punoj për afirmimin dhe thellimin e demokracisë konsensuale, në frymën e Arbën Xhaferit, i cili ishte dhe vazhdon të ngelet udhërrëfyesi im politik. Si President i ardhshëm, zotohem se me ndryshimin e ardhshëm të Kushtetutës, do të kërkoj që zgjedhja e Presidentit të bëhet në Kuvend përmes mekanizmit të shumicës së dyfishtë, në mënyrë që Presidenti të jetë përfaqësues i unitetit popullor. Nëse asnjë kandidat nuk i merr ⅔ e votave me Badinter në dy rrethet e para të votimit, Presidenti do të zgjedhet në votim e tretë me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit dhe shumicën e votave të deputetëve të cilët u takojnë bashkësive të cilat nuk janë shumicë, do të kujdesëm që nga Kushtetuta të eliminohet përkufizimi fyes i gjuhës shqipe si “gjuhë tjetër që e flasin së paku 20% e qytetarëve” dhe që gjuha shqipe, në alfabetin e saj, të jetë gjuhë zyrtare në tërë territorin e Republikës në nivel të barabartë me gjuhën maqedonase dhe në bashkëpunim me organizatat qytetare dhe mediat, do të ndërmarr nismë presidenciale për të luftuar për Lirinë e Medias dhe në veçanti dezinformimin pro-rus. Do të mbyllen mediat ruse dhe ato të financuara nga Rusia, gjithnjë duke u kujdesur për respektimin e të drejtës për lirinë e shprehjes dhe të informacionit”, tha në fund elaboritmit kandidati për president, Arben Taravari.
Lajme nga vendi
Kronika e zezë – Tetovë dhe Gostivar, 22 Tetor
Dje, zyrtarë policorë nga Sektori për Polici Kriminalistike pranë SPB Tetovë dhe nga ekipi mobil “Task Force”, në koordinim me përfaqësues të Inspektoratit Shtetëror të Tregut dhe Drejtorisë së të Ardhurave Publike, kanë realizuar kontroll aksional në një objekt hotelerie në Qendrën Tregtare të Qytetit në Tetovë.
Me këtë rast, para objektit është zënë një 48-vjeçar nga Tetova dhe gjatë kontrollit tek ai është gjetur një substancë e bardhë pluhur, pas çka është privuar nga liria.
Ndërsa, brenda në objekt, te pronari 54-vjeçar nga fshati Trebosh janë gjetur 15 paketime me substancë të bardhë pluhur, pas çka edhe ai është privuar nga liria.
Të dy janë ndaluar në stacionin policor dhe pas dokumentimit të plotë të rasteve, ndaj tyre do të vijojë parashtresë përkatëse.
…….
Dje në orën 12:00 në Stacionin Policor Gostivar, nga Ndihma e Shpejtë Mjekësore Gostivar është denoncuar se te ata është sjellë një 15-vjeçar nga Gostivari pa shenja jete. Sipas denoncimit, në shtëpinë e tij në Gostivar ai kishte rrëshqitur dhe ka rënë shkallëve, ndërsa pasi është pranuar në spital, pas reanimimit të kryer ka shfaqur shenja jete dhe me automjet të Ndihmës së Shpejtë Mjekësore Gostivar është transferuar në Kompleksin e Klinikave “Nënë Tereza” në Shkup, ku i janë konstatuar lëndime të rënda trupore. Është njoftuar prokurori publik, është kryer këqyrje në vendngjarje dhe po merren masa për zbardhjen e ngjarjes.
…….
Dje në orën 19:10 në Stacionin Policor Tetovë, një 38-vjeçar nga Tetova ka denoncuar se rreth orës 18:30 në rrugën “Todor Cipovski Merxhan”, djali i saj 11-vjeçar është sulmuar fizikisht nga një i mitur tjetër. Po merren masa për zbardhjen e rastit.
……
Dje në orën 22:30 në Hanet e Mavrovës, zyrtarë policorë nga Stacioni Policor Mavrovë kanë privuar nga liria një 22-vjeçar nga Shkupi. Gjatë një kontrolli në trafik është ndaluar automjeti i udhëtarëve “Volksëagen Golf” me targa të Shkupit, të cilin e drejtonte ai, me ç’rast është konstatuar se e drejtonte pa pasur leje drejtimi. Automjeti është konfiskuar dhe pas dokumentimit të plotë të rastit do të vijojë parashtresë përkatëse.
……..
Dje në orën 20:00 në Stacionin Policor Gostivar, një 71-vjeçar nga Gostivari ka denoncuar se rreth orës 18:30 te Stacioni i Autobusëve në Gostivar, derisa po kryente detyrat e punës si taksist, është sulmuar fizikisht nga një person. Po merren masa për zbardhjen e rastit.
…….
Dje në orën 13:25, zyrtarë policorë nga Stacioni Policor Gostivar kanë privuar nga liria një 29-vjeçar nga Gostivari, i cili ditën e mëparshme është denoncuar nga nëna e tij 53-vjeçare se në disa raste e ka kërcënuar. Pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tij do të parashtrohet kallëzim përkatës.
……
Pas mesnate në orën 02:00 në SPB Tetovë është denoncuar se ka shpërthyer zjarr në një arë në fshatin Sellarcë e Epërme. Zyrtarë policorë nga Stacioni Policor Zherovjan kanë dalë në vendngjarje dhe kanë konstatuar se është djegur kashtë, e cila ishte grumbulluar në disa pirgje. Ekipi i Njësisë Territoriale Kundër Zjarrit e ka shuajtur zjarrin, ndërsa persona të lënduar nuk ka. Këqyrja e vendngjarjes është kryer nga ekipi i SPB Tetovë.
Lajme nga vendi
Në shtator, tetë burra në Maqedoni u diagnostikuan me HIV, vetëm këtë vit janë regjistruar 49 raste të reja
Në shtator të këtij viti, në Maqedoninë e Veriut u regjistruan tetë raste të reja me HIV/AIDS, të gjitha te persona të gjinisë mashkullore, tregojnë të dhënat nga buletini më i ri mujor i Institutit të Shëndetit Publik (ISHP). Katër nga personat e diagnostikuar rishtazi janë të moshës 30 deri në 39 vjeç, ndërsa nga një rast është regjistruar në grupmoshat 15–19 vjeç, 20–29 vjeç, 40–49 vjeç dhe 50–59 vjeç, transmeton Portalb.mk.
Në shtator u raportuan edhe dy raste të vdekjes te persona me HIV, të cilët ishin regjistruar më parë me këtë infeksion, përkatësisht në vitin 2015 dhe 2018. Të dy personat që vdiqën ishin të moshës 40 deri në 49 vjeç. Sipas të dhënave të ISHP-së, nga fillimi i vitit 2026 deri më 30 shtator, në vend janë regjistruar gjithsej 49 raste me HIV/AIDS.
Që nga fillimi i regjistrimit të rasteve, në vitin 1987, e deri në shtator të vitit 2026, në vend janë regjistruar gjithsej 778 persona me HIV/AIDS. Prej tyre, 520 persona jetojnë me HIV/AIDS, 144 kanë vdekur, ndërsa 114 figurojnë si të humbur për ndjekje, përkatësisht si persona që janë shpërngulur jashtë vendit.
Në buletinin për sëmundjet akute infektive thuhet se gjatë shtatorit në Maqedoninë e Veriut katër persona kanë vdekur nga ethet e Nilit Perëndimor, ndërsa gjithsej 1.042 persona janë prekur nga sëmundje akute infektive. Numri i të prekurve është 22 përqind më i lartë krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, kur ishin regjistruar 854 raste.
“Të katër personat që kanë vdekur ishin të moshës 65 deri në 70 vjeç dhe te ta ishte diagnostikuar forma neuroinvazive e etheve të Nilit Perëndimor. Ata ishin të hospitalizuar në Klinikën Universitare për Sëmundje Infektive dhe Gjendje Febrile në Shkup, ndërsa te të gjithë ishin regjistruar edhe sëmundje shoqëruese”, thuhet në buletin.
Epidemia e etheve të Nilit Perëndimor është ende në vazhdim.
Pjesa më e madhe e sëmundjeve infektive të regjistruara në shtator ishin infeksione të zorrëve. Nga gjithsej 1.042 rastet e raportuara, 694 ishin raste me enterokolit, që përbëjnë 66,6 përqind të të gjitha sëmundjeve akute infektive të regjistruara.
Krahasuar me shtatorin e vitit të kaluar, kur ishin raportuar 465 raste me enterokolit, këtë vit është shënuar rritje prej 49,2 përqind. Nga fillimi i këtij viti deri në fund të shtatorit janë regjistruar 4.313 raste, që është 43,1 përqind më shumë sesa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në vendin e dytë për nga shpeshtësia janë lija e dhenve, me 123 persona të prekur, të ndjekura nga salmoneloza me 56 raste, zgjebja me 47 raste dhe infeksionet bakteriale e intoksikimet e shkaktuara nga ushqimi me 30 raste.
Në shtator u regjistruan edhe 29 raste të mononukleozës infektive, tetë raste të sëmundjes së legjionarëve dhe gjashtë infeksione të shkaktuara nga bakteri Escherichia coli.
Lajme nga vendi
Ministria e Transformimit Digjital në RMV bllokon përkohësisht trafikun e jashtëm në internet si masë parandaluese
Ministria e Transformimit Digjital informon se, si pjesë e aktiviteteve parandaluese, trafiku i jashtëm në internet në sistemet e prekura është bllokuar përkohësisht, me qëllim parandalimin e shfrytëzimit të mundshëm të dobësive.
Prandaj, ata theksojnë se Ministria, përmes Sektorit të Sigurisë Kibernetike dhe ekipit qeveritar të sigurisë kompjuterike (MKD-GOV-CSIRT), vazhdon me monitorimin e zgjeruar dhe të vazhdueshëm të kërcënimeve kibernetike, analizën e ngjarjeve të sigurisë dhe të dhënave të regjistrave, si dhe kontrollin e treguesve të mundshëm të kompromentimit.
Përndryshe, institucionet qeveritare dhe kompanitë në të gjithë Evropën dhe botën u detyruan të mbyllin faqet e tyre të internetit dje, pasi u zbuluan të meta serioze në gjuhën e programimit mbi të cilën bazohet pjesa më e madhe e internetit, raportuan mediat botërore.
Ministria e Transformimit Digjital informon se, si pjesë e aktiviteteve parandaluese, trafiku i jashtëm i internetit në sistemet e prekura u bllokua përkohësisht, me qëllim parandalimin e shfrytëzimit të mundshëm të dobësive.
Më pas, shtohet, u kryen kontrolle në versionet e softuerit dhe u aplikuan patch-e dhe përditësime të përshtatshme sigurie, si dhe u kontrollua funksionaliteti dhe siguria e serverëve të internetit.
Masat, thonë nga Ministria, synojnë të zvogëlojnë rrezikun e aksesit të paautorizuar dhe kompromentimit të mundshëm të serverëve të internetit.
“Sipas kontrolleve të kryera deri më tani, nuk janë gjetur indikacione për shfrytëzim të suksesshëm të dobësive të listuara ose për kompromentimin e faqeve të internetit të Qeverisë dhe ministrive”, thuhet në njoftim.

