Lajme nga vendi
Debati Osmani-Taravari, një nivel që i ka munguar skenës politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut
Debate i parë mes dy kandidatëve për president të vendit, Arben Taravari dhe Bujar Osmani tregoi një nivel debate që realisht i ka munguar skenës politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Debatet mes politikanëve tanë edhe ashtu janë të rralla, por debate mes Osmanit dhe Taravarit plotësoi këtë boshllëk, si për nga niveli intelektual, poashtu edhe për nga esenca e tij dhe nga kultura e treguar debative.
Në një ambient të ngarkuar me mjaft debate të tensionuara dhe akuzuese, për herë të parë patëm rastin të dëgjojmë dy rivalë të flasin dy fjalë të mira për njëri tjetrin.
Që të dy vlerësuan njëri – tjetrin për nivelin e lartë në fushatën e zhvilluar deri më tani, duke thënë se ka qenë pozitive dhe pa fjalor denigrues. Osmani e lavdëroi Taravarin si neurolog. “Kam fjalë të mirë edhe si mjek. Njerëzit që i kam pasur gjithmonë për nevojë neurologjike, i kam drejtuar gjithmonë te Arbeni”, tha Osmani për Taravarin.
Ndërkaq Taravari ndalo te funksioni partiak i Osmanit.
“Bujar Osmani ka qenë zëdhënës i shkëlqyeshëm i BDI-së dhe njëri prej më të mirëve që ka pasur ndonjëherë ndonjë parti politike”, tha Taravari për Osmanin.
Edhe pse gjendemi në prag të zgjedhjeve ndoshta më të barabarta deri më tani mes dy fronteve politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, megjithatë edhe në këto rrethana mund të arrihen marrëveshje për çështje kruciale.
Kështu, kandidati për president nga radhët e VLEN-it, Arben Taravari ka zbuluar se mes VLEN-it dhe BDI-së ka marrëveshje, që kushdo që fiton, nuk hynë në Qeveri që nuk miraton ndryshimet kushtetuese.
“Me siguri zotëri Ahmeti ju ka treguar. Ne kemi një marrëveshje xhentëlmenësh. VLEN-i dhe BDI-ja nuk hynë me një Qeveri që nuk i bën ndryshimet kushtetuese”, tha Taravari.
Me mjaft takt dhe respekt për njëri tjetrin, janë prekur edhe teat e “nxehta”, respektivisht qëndrimet ku dallojnë kandidatët dhe subjektet e tyre.
Në këtë kontekst, Taravari ka prekur një fenomen që po shqetëson shoqërinë tonë tani një dekadë e tepër, e ai fenomen është ikja e rinisë.
“Migrimi është fenomen global dhe nuk ndodh vetëm në Maqedoni, por në Maqedoni është eksod”, tha Taravari, duke vlerësuar se arsyet kryesore se pse ikin të rinjtë jashtë vendit, janë arsimi, mossundimi i të drejtës dhe shëndetësia.
Sipas tij, këtë do ta parandalojë me metoda inovative, duke i angazhuar të rinjtë në fusha për të cilat edhe janë arsimuar.
“Gjithkund ka migrim, është e vërtetë, por në Maqedoni flasim për një shifër rreth 800 – 900 mijë dhe kjo në përqindje, paraqet 1/3 e popullatës që është e regjistruar në Maqedoninë e Veriut”, tha Taravari.
Kandidati për president nga Fronti Europian, Bujar Osmani u pajtua me kundërkandidatin e tij kur thotë se migrimi është problem global.
Shtoi se kushdo që thotë se ka shkopin magjik për të ndaluar këtë fenomen, nuk tregohet i drejtë ndaj njerëzve. Si zgjidhje e sheh integrimin e vendit në Bashkimin Europian, pasi sipas Osmanit, kjo do të ndikonte edhe në rritjen e standardit jetësor në nivelin e shteteve europiane. “Një gjë ju them të rinjve kur i takoj.
Kushdo që thotë se unë kam shkopin magjik dhe nesër me politika të Qeverisë ose presidentit, do ta ndalojë migrimin ose do t’i kthej njerëzit, nuk është i drejtë ndaj njerëzve. E vetmja mënyrë, empiria tregon… E vetmja mënyrë për të ndaluar emigrimin, është për të rritur standardin jetësor që të nivelizohesh me atë të Bashkimit Europian se njerëzit ikin për standard më të mirë. Nëse standardi do të jetë i nivelizuar, secili do të zgjedhe shtëpinë dhe vendlindjen e vet. E vetmja mënyrë, është të bëhemi anëtar të Bashkimit Europian”, tha Osmani.
Është me rëndësi që edhe kandidatët tjerë presidencial të tregojnë nivelin e njëjtë gjatë debateve dhe paraqitjeve para simpatizantëve, sikur që është me rëndësi që nivel i njëjtë të tregohet edhe në debatet që do të zhvillohen në pjesën e dytë të fushatës, atë pjesë që përfshin zgjedhjet parlamentare dhe raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.
Me të drejtë edhe analisti dhe ish kandidat për president Imer Selmani e vlerësoi debatin si debat bashkëkohor, intelektual mes dy kandidatëve që kanë role të mëdha në politikë por edhe jetën shoqërore të vendit.
“Uroj që të gjithë debatet e ardhshme të jenë në atë nivel intelektual, në nivel të përballjes me programe dhe argumente, në nivel ku më shumë kandidatët fokusohen në vizionet dhe pikëpamjet e tyre se si do të ndryshonin gjërat. Dëshiroj edhe kundër kandidatët e tjerë, duke përfshirë edhe presidentin aktual, z. Stevo Pendarovskin, Gordanën dhe kandidatët e tjerë, në nivel të njëjtë intelektual të garojnë, për shkak se mbrëmë një debat ku nuk kishte tendencë për nënçmim”, tha Imer Selmani, duke shtuar se edhe pse Maqedonia e Veriut është demokraci parlamentare, megjithatë
është shumë e rëndësishme se kush do të jetë president i shtetit./Zhurnal
Lajme nga vendi
Kërcënim me pistoletë arrestohet 47-vjeçari në Tetovë
Dje në orën 22:35 në rrugën “Jasht Vardarit” në Tetovë, zyrtarë policorë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria një 47-vjeçar nga Tetova për shkak të dyshimit për vepër të kryer penale “cenimi e sigurisë” sipas nenit 133 të Kodit Penal. Sipas të denoncuarës, më 21.07.2026 rreth orës 18:15 në rrugën “107” në Tetovë, ai me pistoletë i është kërcënuar një 43-vjeçari nga Tetova. Ai është ndaluar në stacionin policor dhe pas dokumentimit të plotë të rastit ndaj tij do të vijojë parashtresa përkatëse.
Lajme nga vendi
Arrestohet për drogë dhe përleshje në Qendër të Tetovës
Pas mesnate në orën 02:55, zyrtarë policorë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria një 23 vjeçar nga fshati Nerasht dhe një 27-vjeçar nga fshati Bozovcë. Ata janë zënë në kryqëzimin mes rrugës “Boris Kidriç” dhe rrugës “Bllagoja Toska” në Tetovë duke prishur rendin dhe qetësinë publike me përleshje fizike mes vete. Gjatë kontrollit te njëri prej tyre janë gjetur katër paketime me marijuanë dhe ai është ndaluar në stacionin policor për procedurë të mëtejshme. Pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj të dyve do të dorëzohen parashtresat përkatëse.
Lajme nga vendi
RDM kërkon një zgjidhje për deponinë e Jugohromit në mënyrë që Shkupi të mos pësojë një katastrofë si ajo në Gostivar
Pas rastit të ujit të ndotur në Gostivar, partia Ripërtitja Demokratike e Maqedonisë (RDM) apelon se një skenar i ngjashëm katastrofik na kërcënon vetëm një hap larg Shkupit. Partia kërkon një zgjidhje urgjente për rrezikun nga deponia “Jugohrom” në Jegunovcë.
“Sistemi duhet të veprojë më në fund në mënyrë parandaluese, sepse kërcënimi i kromit gjashtëvalent për burimin Rashçe është një rrezik i drejtpërdrejtë për furnizimin me ujë të kryeqytetit. “Jugohromi” gjashtëvalent është një substancë kimike jashtëzakonisht toksike dhe kancerogjene. Burimi Rashçe është burimi kryesor i ujit të pijshëm për të gjithë Shkupin. Një reagim “post-festum” këtu do të thoshte një katastrofë për qindra mijëra qytetarë”, thonë nga RDM.
Ata kërkojnë që institucionet të marrin të gjitha masat e nevojshme, sepse uji i pijshëm është interesi strategjik numër një.
“Kur bëhet fjalë për mbrojtjen e burimeve tona, zëri i qytetarëve dhe veprimi politik duhet të shkojnë dorë për dore”, thuhet në deklaratën e RDM-së.
Epidemiologët janë të vendosur, uji nga ujësjellësi i qytetit në Gostivar nuk duhet të përdoret për të pirë ose për të përgatitur ushqim derisa autoritetet të konfirmojnë se është i sigurt për përdorim. përcjell Zhurnal.mk .

