Lajme nga vendi
Taravari: Bujar Osmani vonë i ra pishman për “Ballkanin e Hapur”
Kandidati i VLEN-it për president, Arben Taravari në fjalimin e sotëm në tubim në Zhelinë mes tjerash tha se kundërkandidatit të tij, Bujar Osmani, tani i është kujtuar që të propozojë daljen nga Ballkani i Hapur, nismë e Vuçiqit dhe e përkrahur nga Lavrovi.
“Sot dëgjova që ai është bërë pishman edhe për Ballkanin e Hapur dhe se do të propozojë daljen e Maqedonisë së Veriut nga kjo nismë e Vuçiçit, e përkrahur nga Lavrovi. Haxhi Pishmanit i themi se vonë i ka dalë gjumi. Keni ngelur të vetmit në një shtrat me Vuçiçin. Me Vuçiçin që organizon sulme terroriste mbi Kosovën dhe që trishtohet për humbjen e BDI-së, sepse po frikohet nga ndryshimi që VLEN”, u shpreh Taravari.
Ai shtoi se me VLEN-in, do të ketë faktorizim të shtetësisë së Kosovës dhe jo projekte që janë kundër interesave të Kosovës.
“Do të kemi koordinim të plotë me dy shtetet shqiptare, Shqipërinë e Kosovën. Do të thellojmë lidhjet me Tiranën dhe Prishtinën, sepse ata janë vëllezërit tanë të një gjaku. Pra, nuk do bëjmë si kundërkandidati im që vizitën e parë si ministër i jashtëm e bëri në Beograd dhe asnjëherë nuk pati vizitë bilaterale në Republikën e Kosovës”, theksoi Taravari.
Lajme nga vendi
Një emigrante nga Kina ka vdekur, ndërsa 7 emigrantë të tjerë janë lënduar në një aksident me kamion në Maqedoni
Një kamion me targa të Serbisë u përmbys sot në mëngjes në rrugën Valandovë–Dojran, ku si pasojë një emigrante nga Kina humbi jetën, ndërsa shtatë të tjerë u lënduan, njofton Sektori i Punëve të Brendshme (SPB) Strumicë, përcjell TV21.
“Sot rreth orës 04:20, kamioni doli nga rruga dhe u përmbys në rrugën Valandovë–Dojran. Nga lëndimet e marra në aksident, ka ndërruar jetë një emigrante nga Kina”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Trupi i viktimës është dërguar për obduksion. Shtatë migrante të tjerë nga Kina kanë marrë lëndime trupore, pasi dyshohet se kishin hyrë në rimorkion e kamionit pa dijeninë e shoferit.
“Shoferi S.M. është ndaluar në spitalin e Gjevgjelisë për t’i dhënë ndihmë mjekësore”, bëjnë me dije nga SPB Strumicë.
Zjarrfikësit e Strumicës raportojnë se sot rreth orës 08:00 morën pjesë në një aksion për nxjerrjen e personave nga automjeti i përmbysur.
Lajme nga vendi
Fetai: Akrobacionet e Selës nuk përbëjnë befasi
Akrobacionet e Ziadin Selës nuk përbëjnë më asnjë befasi.
Ajo që po shohim është thjesht kapitulli i fundit i një rruge të nisur mbrapsht që në fillim. Rrugë të cilën e hapi vetë Ziadin Sela, dhe e shtroi Arben Taravari.
Të dy zgjodhën t’i shërbejnë agjendës së Ali Ahmetit, duke harruar një të vërtetë historike: votuesi i Aleancës është antipodi i BDI-së dhe kurrë, për asnjë çmim, nuk pranon të bëhet patericë e saj.
Sot nuk ka më dilema. Kur tradhton parimet, strukturat dhe votën anti-BDI për t’u bërë pjesë e planeve të Ahmetit e të Grubit, fundi është i pashmangshëm: saltoja morale bëhet mortale, dhe të mbaron karriera politike.
Para vetëm dy vitesh, votuesi i Aleancës mori një vendim të qartë si kristali: JO me Ahmetin, JO me Grubin.
Këtë e dinin shumë mirë si Taravari, ashtu edhe Sela. Megjithatë, ata tentuan ta merrnin atë votues me vete, ta mashtronin, t’ia thyenin dinjitetin.
Por votuesi i Aleancës nuk është plaçkë që kontrabandohet sipas qejfit të dikujt. Ata dështuan sepse votuesi ynë nuk nënshtrohet kurrë.
PO-ja për VLEN-in mori 107 mijë vota dhe më pas, 10 komuna. Ne nuk devijuam asnjë milimetër. Ne ruajtëm atë që është më e çmuar: besimin e njerëzve që duan ndryshimin dhe që refuzojnë me kokëfortësi kthimin te e vjetra, te modeli kriminal i BDI-së.
Dera e Aleancës mbetet e hapur. E hapur për të gjithë ata që u lënduan, e hapur për ata që u mashtruan dhe që sot ndjehen të tradhtuar, e hapur për ata që besuan, që duruan dhe që kurrë nuk e ulën kokën, edhe kur të tjerët tentuan t’i thyenin.
Ne ecim drejt. Ne ecim fort. Dhe kjo rrugë nuk ka kthim.
*Status facebook’u i zëvendëskryeministrit Arben Fetai
Lajme nga vendi
VLEN pas largimit të ASH-së: AKI si koalicion pa kauzë tanimë po shpërbëhet!
Koalicioni AKI, i ndërtuar pa kauzë, pa vizion dhe pa orientim të qartë politik, po hyn në fazën e shpërbërjes së pashmangshme. Ajo që ndodhi dje me largimin e ASH-së së Ziadin Selës dhe largimi i Krenar Llogës nga ky koalicion tregojnë qartë krizën e thellë të brendshme, mungesën e kohezionit dhe dështimin për të ndërtuar një ofertë politike të qëndrueshme, thonë nga VLEN.
“Moskordinimi i tyre i vazhdueshëm është bërë tashmë model i dështimit, jo vetëm që nuk arrijnë të formësojnë një drejtim të përbashkët, por çdo ditë dëshmojnë se ky koalicion ka funksionuar vetëm si strehë e interesave të ngushta personale, jo si projekt politik për shqiptarët.
VLEN mbetet forca e vetme e konsoliduar, me program, me vizion dhe me strukturë të qartë shtetndërtuese. Ndërsa AKI po shpërbëhet pjesë-pjesë, qytetarët dhe figura të rëndësishme politike po rikthehen aty ku gjendet stabiliteti, serioziteti dhe perspektiva e vërtetë.
VLEN do të vazhdojë të punojë me përgjegjësi dhe transparencë, duke mbrojtur interesin e përgjithshëm dhe duke ndërtuar një të ardhme të sigurt për qytetarët, ndërsa të tjerët merren me shpërndarjen e një koalicioni që asnjëherë nuk e pati një kauzë të vetën”, thonë nga VLEN.
-
Lajme nga rajoni2 months agoTirana mirëpret në tetor Forumin e parë të Investimeve BE-Ballkani Perëndimor
-
Lajme nga vendi3 weeks agoBilall Kasami : Mega projekti që po bëhet realitet investim prej 70 milionë denarëve Tetova po transformohet
-
Lajme nga vendi2 weeks agoUniversiteti i Tetovës shpreh ngushëllime për vdekjen e studentes Daorsa Spahija

