Lajme nga rajoni
Zbardhet dëshmia e autorit të vrasjes së Liridonës, Plava: Kisha marrëveshje me Murselin, më tha se Behgjet Pacolli ka qenë në dijeni
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ndaj Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës, në sesionin e pasditës po jep mbrojtjen i akuzuari Plava, i cili tha se vrasja ishte kryer në marrëveshje me Murselin, i cili i kishte premtuar se do ta nxjerrtë nga burgu pas dy vitesh, me pretendimin se është person që ka pushtet.
Plava tha se nuk qëndron pranë deklaratës së dhënë në Polici dhe se sot do ta thotë të vërtetën.
“Atë deklaratë që e kam dhënë ka qenë nën presion të policisë”, tha Plava, duke shtuar se deklaroi sipas marrëveshjes që kishte me Murselin, dhe kishte njoftuar ambulancën dhe i kishin dhënë një injeksion.
Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të tij, avokatit Skender Gojani, i akuzuari Plava tha se kishte marrëveshje me Naim Murselin dhe se ka qenë në dijeni për veprën për të cilën sot po akuzohet.
“Asnjëherë nuk më ka tregu kush është personi (që do ta vriste), edhe m’ka thanë veç ki me marrë përgjegjësi ti, kurgjë tjetër. Unë pa u ba dy vjet të nxjerri prej burgu, e di çfarë pushteti kam”, tha Plava.
Sipas tij, Murseli i ka thënë se për këtë rast ka qenë në dijeni edhe Behgjet Pacolli, raportojnë mediat e Kosovës.
“Me fjalë të Naimit qysh m’ka thanë Naimi, m’ka thanë që edhe Behgjet Pacolli për këtë rast ka qenë në dijeni, ti e di çfarë pushteti kemi na, më ka thanë. Nuk ka shansa me nejt në burg ma shumë se dy vjet”, u shpreh Plava.
Ai pretendon se Murseli i ka ofruar punë, pagë 1300 euro, një veturë G-Classs. Tha se kur e ka pyetur se kë do ta vriste, Naimi i kishte thënë se nuk ka nevojë ta dijë vetëm të marrë përgjegjësinë.
Më tej, Plava thotë se deklaratën në Polici e kishte dhënë ashtu sikurse ishte marrë vesh me Naim Murselin. Dy të akuzuarit e tjerë ai tha se i njeh, Kokallën për shkak se janë nga i njëjti fshat, kurse Murselin e njeh më pak.
I akuzuari thotë se me Naim Murselin është takuar 7-8 herë dhe se ditën kritike janë takuar pikërisht për këtë marrëveshje.
Sipas tij, të nesërmen e kishte kuptuar që personi që e vrau ka qenë gruaja e Naim Murselit.
“Më vjen keq për atë ditë çka ka ndodh. Gjithmonë ka thënë se është ja serbe ja boshnjake, veç ti ki me marrë përgjegjësinë”, u shpreh ai.
Fillimisht, Plava tha se ka gjendje të dobët ekonomike dhe se ka qenë punëtor krahu.
Lajme nga rajoni
Betohen deputetët e kuvendit të Kosovës, Kurti kërkoi kohë shtesë për kryeparlamentarin
Lajme nga rajoni
Turistja 40-vjeçare nga Holanda humb jetën në sy të fëmijëve në bregdetin grekë
Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e së mërkurës në bregdetin e Malias, në Kretë, ku një 40-vjeçare nga Holanda humbi jetën në mënyrë tragjike pas mbytjes, teksa ishte duke shëtitur me gomone në prani të tre fëmijëve të saj të mitur. Sipas informacioneve nga shtypi grek, gruaja së bashku me një tjetër shtetase holandeze dhe tre fëmijë, kishin marrë në përdorim një gomone në zonën detare Klotzani, pjesë e komunës së Hersonisos.
Ende nuk është bërë e ditur se si ndodhi rënia e saj në det. Situata u bë dëshpëruese për shkak se në mjetin lundrues ndodheshin vetëm një adoleshent dhe dy fëmijë të vegjël nën 5 vjeç, të cilët kërkuan ndihmë me dëshpërim.
Punonjës të bizneseve të zonës që ofronin aktivitete detare reaguan menjëherë duke u afruar me jet ski për të ndërhyrë në operacionin e shpëtimit. Edhe pse shoqja e saj arriti që ta nxirrte trupin e 40-vjeçares nga uji, ajo nuk kishte më shenja jete.
Mjekët e ambulancës që mbërritën në breg konfirmuan zyrtarisht ndarjen e saj nga jeta.
Nga të dhënat e Rojës Bregdetare greke, bëhet e ditur se marrja me qira e varkave me motor deri në 30 kuaj fuqi nuk kërkon pajisjen me leje drejtimi, çka i bën ato mjaft të kërkuara nga turistët për lundrime.
Aktualisht, organet kompetente greke po kryejnë hetime të detajuara për të përcaktuar shkaqet reale dhe rrethanat në të cilat ndodhi rënia në ujë dhe vdekja e 40-vjeçares.
Lajme nga rajoni
Vazhdojnë hetimet për varrezat masive në Kosovë, në pritje të procesit të identifikimit

