Lajme nga vendi
Partitë nuk duhet të mbështesin “media fiktive” pasi këto pengojnë raportimin e mediave serioze!
Mediat si hallkë e rëndësishme e shoqërisë së një vendi luajnë rol të jashtëzakonshëm në krijimin e opinionit publik, informimin e saktë dhe objektiv të qytetarëve. Në fakt, jo të gjithë që thirren në emër të medias pasi numër i madh portaleve onljan krijohen vetëm për të thith fonde gjatë fushatave zgjedhore dhe pastaj shuhen. Ky paradoks bëhet edhe më i madh që vet partitë politike krijojnë portale fiktive që të jenë në mbështetje të tyre. Por, kjo vetëm se dëmton skenën publike edhe partitë politike sepse këto të vetshpallura media gjithçka bëjnë por vetëm gazetari nuk ka aty. E tani vjen edhe momenti kur edhe organizata ndërkombëtare shprehin këtë shqetësim, OSBE/ODIHR thonë që disa njerëz kanë denoncuar se një numër i madh i mediave online të regjistruara për reklama zgjedhore janë krijuar vetëm për të thithur fonde gjatë fushatës zgjedhore. Prandaj, ky trend apo fenomen negativ duhet të ndalet sa më parë.
OSBE: media të shumta onljan janë krijuar vetëm për të thithë fonde gjatë fushatës –
Krijimi i një numri të madh të mediave onljan ka bërë që ky trend negativ të mos ndalet vetëm të rritet sa më shumë. E për çudi vetë partitë politike janë ato që nxisin në krijimin e këtyre “mediave fiktive” që të bëjnë propagandë partiake. Prandaj, kjo qasje dëmton dhe rëndon veprimtarinë e mediave serioze që ta bëjnë punën ashtu siç duhet dhe ashtu siç dinë. Ky fenomen nuk ka kaluar pa vërejtje edhe nga organizatat ndërkombëtare.
“Disa njerëz kanë denoncuar se një numër i madh i mediave onlajn të regjistruara për reklama zgjedhore janë krijuar vetëm për të thithur fonde gjatë fushatës zgjedhore dhe në disa raste këto fonde i kanë adresuar tek partitë politike”, deklaroi Xhillian Stirk – shefe e misionit vëzhguesit të OSBE/ODIHR-së.
Kjo deklaratë e shefes së misionit të OSBE/ODIHR lë shumë për të kuptuar, është mesazh që i transmetohet partive politike që të jenë të kujdesshëm në këtë drejtim që të mos bastardojnë skenën mediatike në vend. Veprimtaria e mediave fiktive e njëllos dhe e hijezon veprimtarinë e mediave serioze në vend.
Mediat fiktive janë ato që ushqimin kryesor që i servojnë publikut janë dezinformatat apo siç njihen lajmet e rreme, prandaj është e udhës kur të luftohen lajmet e rreme të shihen burimet dhe financimet e atyre mediave. Të ndërpritet kjo “gjakderdhje” në media njëherë e përgjithmonë.
Si ndikon dezinformimi në publik?
Se sa dezinformata krijon stres dhe panik te qytetarët, tregon rasti i dy javëve më parë, kur u bë publike informacioni se tre deri në nëntë adoleshentë vdiqën në parkun e qytetit në Shkup nga droga. Ky lajm mund të futet në listën e informacioneve më të rrezikshme, të publikuara deri më tani, në të cilat vihet në pikëpyetje jeta e të rinjve dhe i gjithë ky është vetëm një lajm i rremë, i cili shkaktoi panik shtesë në këtë kohë stresuese.
“Dezinformimi, si një “grumbull” informacionesh të pasakta, që krijohet dhe publikohet qëllimisht në rrjetet sociale dhe në media, mbart me vete një rrezik të madh. Shpesh, përdoruesit e rrjeteve sociale i ndajnë ato vetëm me një “klik”, pa u ndalur së menduari nëse një përmbajtje e caktuar është false apo jo. Dhe këtu qëndron rreziku më i madh”, thotë në një prononcim për “Fokus” Marina Tuneva, eksperte e mediave.
Sipas saj, është zhgënjyese fakti që transferimi i shpejtë i dezinformatave në komunikimin publik rrit efektivitetin e tyre dhe pasojë e kësaj shpeshherë është një publik i zemëruar, në panik, i frikësuar apo i çorientuar.
“I tillë është rasti me (de)informatat rreth adoleshentëve që dyshohet se kanë vdekur nga droga dehëse. Dezinformimi ose informacioni i gabuar është veçanërisht i rrezikshëm kur në shpërndarjen ose vazhdimin e tyre përfshihen njerëz që gëzojnë besueshmëri dhe besim te qytetarët.
Teknologjia digjitale vetëm sa i përmirëson më tej këto tregime, të cilat arrijnë kështu një audiencë shumë më të gjerë. Mediat sociale po kthehen në një lloj makinerie që është përshtatur në mënyrë perfekte për të përhapur dezinformata. Por problemi është se me dije apo jo, në grackë bien edhe mediat, të cilat duke iu referuar asaj që publikohet në rrjetet sociale, marrin pjesë në mënyrë të barabartë në manipulimin e publikut”, pohoi Tuneva.
Duhet edukim të posaçëm mediatik për të identifikuar “lajmet e rreme”-
Mediat që i përmbahen parimeve të punës profesionale kanë një rol të madh në paraqitjen e së vërtetës, dhe ky mbase është roli kryesor i tyre. Dhe, duke mbajtur qëndrime të tilla disa media të caktuara në vend do të jenë dritare verifikimi për secilin lajm që plasohet në opinion dhe për të cilin ka hamendësi, qytetarët do të kenë ku të futen për të kuptuar nëse kemi të bëjmë me të vërtetë apo është një dezinformim.
Por, në përgjithësi është më së e nevojshme madje shihet si nevojë imediate që edukimi mediatik të futet si lëndë mësimore në shkollat e mesme. Që në fazë sa më të hershme gjeneratat e reja të jenë të trajnuara në formën e duhur për të detektuar “lajmet e rreme” dezinformimin. Pra, kjo shihet si metoda e vetme përmes të cilës mund të mbrohemi si shoqëri nga kjo veprimtari famëkeqe që janë krijuar laborator për fabrikim të informatave të pasakta për një grusht klikimesh. Gjë që është shumë e rrezikshme dhe shumë e dëmshme për shoqërinë. /Zhurnal.mk
Lajme nga vendi
Kronika e zezë – Tetovë dhe Gostivar, 22 Tetor
Dje, zyrtarë policorë nga Sektori për Polici Kriminalistike pranë SPB Tetovë dhe nga ekipi mobil “Task Force”, në koordinim me përfaqësues të Inspektoratit Shtetëror të Tregut dhe Drejtorisë së të Ardhurave Publike, kanë realizuar kontroll aksional në një objekt hotelerie në Qendrën Tregtare të Qytetit në Tetovë.
Me këtë rast, para objektit është zënë një 48-vjeçar nga Tetova dhe gjatë kontrollit tek ai është gjetur një substancë e bardhë pluhur, pas çka është privuar nga liria.
Ndërsa, brenda në objekt, te pronari 54-vjeçar nga fshati Trebosh janë gjetur 15 paketime me substancë të bardhë pluhur, pas çka edhe ai është privuar nga liria.
Të dy janë ndaluar në stacionin policor dhe pas dokumentimit të plotë të rasteve, ndaj tyre do të vijojë parashtresë përkatëse.
…….
Dje në orën 12:00 në Stacionin Policor Gostivar, nga Ndihma e Shpejtë Mjekësore Gostivar është denoncuar se te ata është sjellë një 15-vjeçar nga Gostivari pa shenja jete. Sipas denoncimit, në shtëpinë e tij në Gostivar ai kishte rrëshqitur dhe ka rënë shkallëve, ndërsa pasi është pranuar në spital, pas reanimimit të kryer ka shfaqur shenja jete dhe me automjet të Ndihmës së Shpejtë Mjekësore Gostivar është transferuar në Kompleksin e Klinikave “Nënë Tereza” në Shkup, ku i janë konstatuar lëndime të rënda trupore. Është njoftuar prokurori publik, është kryer këqyrje në vendngjarje dhe po merren masa për zbardhjen e ngjarjes.
…….
Dje në orën 19:10 në Stacionin Policor Tetovë, një 38-vjeçar nga Tetova ka denoncuar se rreth orës 18:30 në rrugën “Todor Cipovski Merxhan”, djali i saj 11-vjeçar është sulmuar fizikisht nga një i mitur tjetër. Po merren masa për zbardhjen e rastit.
……
Dje në orën 22:30 në Hanet e Mavrovës, zyrtarë policorë nga Stacioni Policor Mavrovë kanë privuar nga liria një 22-vjeçar nga Shkupi. Gjatë një kontrolli në trafik është ndaluar automjeti i udhëtarëve “Volksëagen Golf” me targa të Shkupit, të cilin e drejtonte ai, me ç’rast është konstatuar se e drejtonte pa pasur leje drejtimi. Automjeti është konfiskuar dhe pas dokumentimit të plotë të rastit do të vijojë parashtresë përkatëse.
……..
Dje në orën 20:00 në Stacionin Policor Gostivar, një 71-vjeçar nga Gostivari ka denoncuar se rreth orës 18:30 te Stacioni i Autobusëve në Gostivar, derisa po kryente detyrat e punës si taksist, është sulmuar fizikisht nga një person. Po merren masa për zbardhjen e rastit.
…….
Dje në orën 13:25, zyrtarë policorë nga Stacioni Policor Gostivar kanë privuar nga liria një 29-vjeçar nga Gostivari, i cili ditën e mëparshme është denoncuar nga nëna e tij 53-vjeçare se në disa raste e ka kërcënuar. Pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tij do të parashtrohet kallëzim përkatës.
……
Pas mesnate në orën 02:00 në SPB Tetovë është denoncuar se ka shpërthyer zjarr në një arë në fshatin Sellarcë e Epërme. Zyrtarë policorë nga Stacioni Policor Zherovjan kanë dalë në vendngjarje dhe kanë konstatuar se është djegur kashtë, e cila ishte grumbulluar në disa pirgje. Ekipi i Njësisë Territoriale Kundër Zjarrit e ka shuajtur zjarrin, ndërsa persona të lënduar nuk ka. Këqyrja e vendngjarjes është kryer nga ekipi i SPB Tetovë.
Lajme nga vendi
Në shtator, tetë burra në Maqedoni u diagnostikuan me HIV, vetëm këtë vit janë regjistruar 49 raste të reja
Në shtator të këtij viti, në Maqedoninë e Veriut u regjistruan tetë raste të reja me HIV/AIDS, të gjitha te persona të gjinisë mashkullore, tregojnë të dhënat nga buletini më i ri mujor i Institutit të Shëndetit Publik (ISHP). Katër nga personat e diagnostikuar rishtazi janë të moshës 30 deri në 39 vjeç, ndërsa nga një rast është regjistruar në grupmoshat 15–19 vjeç, 20–29 vjeç, 40–49 vjeç dhe 50–59 vjeç, transmeton Portalb.mk.
Në shtator u raportuan edhe dy raste të vdekjes te persona me HIV, të cilët ishin regjistruar më parë me këtë infeksion, përkatësisht në vitin 2015 dhe 2018. Të dy personat që vdiqën ishin të moshës 40 deri në 49 vjeç. Sipas të dhënave të ISHP-së, nga fillimi i vitit 2026 deri më 30 shtator, në vend janë regjistruar gjithsej 49 raste me HIV/AIDS.
Që nga fillimi i regjistrimit të rasteve, në vitin 1987, e deri në shtator të vitit 2026, në vend janë regjistruar gjithsej 778 persona me HIV/AIDS. Prej tyre, 520 persona jetojnë me HIV/AIDS, 144 kanë vdekur, ndërsa 114 figurojnë si të humbur për ndjekje, përkatësisht si persona që janë shpërngulur jashtë vendit.
Në buletinin për sëmundjet akute infektive thuhet se gjatë shtatorit në Maqedoninë e Veriut katër persona kanë vdekur nga ethet e Nilit Perëndimor, ndërsa gjithsej 1.042 persona janë prekur nga sëmundje akute infektive. Numri i të prekurve është 22 përqind më i lartë krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, kur ishin regjistruar 854 raste.
“Të katër personat që kanë vdekur ishin të moshës 65 deri në 70 vjeç dhe te ta ishte diagnostikuar forma neuroinvazive e etheve të Nilit Perëndimor. Ata ishin të hospitalizuar në Klinikën Universitare për Sëmundje Infektive dhe Gjendje Febrile në Shkup, ndërsa te të gjithë ishin regjistruar edhe sëmundje shoqëruese”, thuhet në buletin.
Epidemia e etheve të Nilit Perëndimor është ende në vazhdim.
Pjesa më e madhe e sëmundjeve infektive të regjistruara në shtator ishin infeksione të zorrëve. Nga gjithsej 1.042 rastet e raportuara, 694 ishin raste me enterokolit, që përbëjnë 66,6 përqind të të gjitha sëmundjeve akute infektive të regjistruara.
Krahasuar me shtatorin e vitit të kaluar, kur ishin raportuar 465 raste me enterokolit, këtë vit është shënuar rritje prej 49,2 përqind. Nga fillimi i këtij viti deri në fund të shtatorit janë regjistruar 4.313 raste, që është 43,1 përqind më shumë sesa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në vendin e dytë për nga shpeshtësia janë lija e dhenve, me 123 persona të prekur, të ndjekura nga salmoneloza me 56 raste, zgjebja me 47 raste dhe infeksionet bakteriale e intoksikimet e shkaktuara nga ushqimi me 30 raste.
Në shtator u regjistruan edhe 29 raste të mononukleozës infektive, tetë raste të sëmundjes së legjionarëve dhe gjashtë infeksione të shkaktuara nga bakteri Escherichia coli.
Lajme nga vendi
Ministria e Transformimit Digjital në RMV bllokon përkohësisht trafikun e jashtëm në internet si masë parandaluese
Ministria e Transformimit Digjital informon se, si pjesë e aktiviteteve parandaluese, trafiku i jashtëm në internet në sistemet e prekura është bllokuar përkohësisht, me qëllim parandalimin e shfrytëzimit të mundshëm të dobësive.
Prandaj, ata theksojnë se Ministria, përmes Sektorit të Sigurisë Kibernetike dhe ekipit qeveritar të sigurisë kompjuterike (MKD-GOV-CSIRT), vazhdon me monitorimin e zgjeruar dhe të vazhdueshëm të kërcënimeve kibernetike, analizën e ngjarjeve të sigurisë dhe të dhënave të regjistrave, si dhe kontrollin e treguesve të mundshëm të kompromentimit.
Përndryshe, institucionet qeveritare dhe kompanitë në të gjithë Evropën dhe botën u detyruan të mbyllin faqet e tyre të internetit dje, pasi u zbuluan të meta serioze në gjuhën e programimit mbi të cilën bazohet pjesa më e madhe e internetit, raportuan mediat botërore.
Ministria e Transformimit Digjital informon se, si pjesë e aktiviteteve parandaluese, trafiku i jashtëm i internetit në sistemet e prekura u bllokua përkohësisht, me qëllim parandalimin e shfrytëzimit të mundshëm të dobësive.
Më pas, shtohet, u kryen kontrolle në versionet e softuerit dhe u aplikuan patch-e dhe përditësime të përshtatshme sigurie, si dhe u kontrollua funksionaliteti dhe siguria e serverëve të internetit.
Masat, thonë nga Ministria, synojnë të zvogëlojnë rrezikun e aksesit të paautorizuar dhe kompromentimit të mundshëm të serverëve të internetit.
“Sipas kontrolleve të kryera deri më tani, nuk janë gjetur indikacione për shfrytëzim të suksesshëm të dobësive të listuara ose për kompromentimin e faqeve të internetit të Qeverisë dhe ministrive”, thuhet në njoftim.

