Lajme nga vendi
Analiza e DW: Për kë do të votojnë shqiptarët në Maqedoninë e Veriut?
Kush kë do të përkrahë dhe ku do të shkojnë votat në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale të kandidatëve që nuk hynë në raundin e dytë?
Tani për tani asnjë parti nuk është prononcuar nëse do t’i thërrasë votuesit e saj për të përkrahur Pendarovskin ose Siljanovskën. VMRO-DPMNE publikisht u ankua se deri më tani nuk kanë marrë përkrahje për Gordana Siljanovska Davkova prej asnjërit nga kandidatët e opozitës. “Deri më sot nuk kemi përkrahje për Gordana Siljanovska Davkovën nga kandidatët e opozitës. Kjo do të thotë se ose nuk kanë ndjenjë elementare për shtetin ose në mënyrë të pavetëdijshme punojnë për pushtetin”, thekson Aleksandar Nikolloski nënkryetar i VMRO-DPMNE-së.
Kandidati për president nga rradhët e LSDM-së Stevo Pendarovski ka thënë se ai nuk do t’i kërkojë votat e kandidatëve të tjerë. “Nuk mendoj që t’u drejtohem subjekteve të tjera politike, sidomos atyre që kishin kandidatë, të cilët nuk kaluan në raundin e dytë. Unë nuk e parapëlqej këtë matematikë dhe këtë mënyrë të shpërndarjes prej teje tek unë”, është shprehur Pendarovski.
Por pikërisht votat e partive shqiptare do të vendosin në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, kësaj herë më së shumti për plotësimin e censusit prej 40%. Tani për tani edhe nga VLEN edhe nga BDI thonë se organet partiake ende nuk kanë sjellë vendim se cilin kandidat presidencial do ta përkrahin në raundin e dytë.
Kanë filluar përllogaritjet se kush do të jetë në qeverinë e re
Sa i përket fushatës për zgjedhjet parlamentare, partitë politike tri ditë para përfundimit të fushatës janë fokusuar se kush do të jetë pjesë e qeverisë së ardhshme. Bilall Kasami nga koalicioni opozitar shqiptar VLEN vlerëson, se ky koalicion ka legjitimitetin e votuesve shqiptarë prandaj dhe duhet të jetë pjesë e qeverisë së ardhëshme.
“Besojmë fuqishëm që pas 8 majit, koalicioni VLEN si pjesë e qeverisë do të jetë në shërbim të qytetarëve dhe në shërbim të bizneseve me qëllim të ndaljes së ekzodit të rinisë dhe qytetarëve drejt perëndimit”, ka thënë Bilall Kasami nga VLEN.
BDI vlerëson se i plotëson të gjitha kushtet për të qenë në qeveri
Bujar Osmani nga Fronti Evropian është i mendimit se gjatë formimit të një qeverie duhet pasur parasysh se përveç shumicës prej 61 deputetësh nevojitet edhe shumica e Badinterit. Pa këtë shumicë të dyfishtë nuk mund të formohet qeveri stabile dhe nuk mund të ketë parlament funksional.
“Fronti Evropian përpos që garanton stabilitet dhe bashkëjetesë, ky koalicion do të sigurojë edhe dy kushtet elementare për formimin e qeverisë së ardhëshme, shumicën prej 61 deputetësh dhe shumicën e Badenterit”, ka deklaruar Bujar osmani nga BDI.
VMRO-DPMNE: Koalicionin qeveritar do ta formojmë me VLEN-in
VMRO DPMNE-ja e ka shpallur veten si fituese të këtyre zgjedhjeve, madje ka përcaktuar edhe partitë që do të jenë pjesë e qeverisë së re. Kreu i opozitës maqedonase Hristijan Mickoski ka thënë se partia që ai drejton do të jetë fituese e dyfishtë e zgjedhjeve më 8 maj. Sipas tij, qeveria e re do të formohet nga VMRO-DPMNE-ja dhe koalicioni VLEN që përbëhet nga partitë opozitare shqiptare.
“Për VMRO-DPMNE-në qëndrimet janë shumë të qarta. Nuk dua të flas me emisarët që BDI i dërgon çdo ditë për koalicion me VMRO-DPMNE-në. BDI-ja për mua është kapitull i përfunduar dhe do të shkojë në opozitë”, ka deklaruar Mickoski.
Në Maqedoninë e Veriut deri në vitin 2017 ka pasur një rregull të pashkruar, që qeveritë formohen nga partitë fituese shqiptare dhe maqedonase, pavarësisht orientimeve të tyre programore.
Gir: Procesi i zgjedhjeve të përfundojë me porosi dhe ndjenjë pozitive
Ambasadori i BE-së në Shkup, Dejvid Gir pret që raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale dhe votimi për parlamentaret të kalojë qetë dhe në atmosferë demokratike. “Misioni i OSBE/ODIHR-it e publikoi raportin për raundin e parë të zgjedhjeve. Zgjedhjet kaluan kryesisht qetë dhe në atmosferë demokratike dhe me të vërtetë shpresojmë se raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale dhe fushata për zgjedhjet parlamentare do të jetë pozitive, çka do të mundësojë që i gjithë procesi të përfundojë me porosi dhe ndjenjë pozitive”, ka deklaruar Dejvid Gir, ambasador i BE-së.
Të mërkurën me 8 maj, qytetarët e Maqedonisë së Veriut do të votojnë në raundin e dytë për zgjedhjet presidenciale dhe njëherazi edhe për zgjedhjet parlamentare./ DW
Lajme nga vendi
SPB ; Kronika e zezë për ditën e djeshme 02 Prill Tetovë dhe Gostivar
Dje, në orën 22:15, në rrugën “155” në lagjen Drenovec të Tetovës, zyrtarë policorë nga SP Tetovë kanë privuar nga liria një 17-vjeçar nga Tetova. Gjatë kontrollit të ushtruar ndaj personit, janë gjetur dhe sekuestruar pesë paketime me lëndë të gjelbër bimore. Ai është ndaluar në stacionin policor për procedurë të mëtejshme, ndërsa pas dokumentimit të rastit, ndaj tij do të paraqitet kallëzim përkatës sipas nenit 215 të Kodit Penal.
……Dje, në orën 09:00, në fshatin Skudrinjë, komuna e Mavrovës dhe Rostushës, zyrtarë policorë nga Stacioni Policor Rostushë kanë privuar nga liria një 46-vjeçare nga fshati Skudrinjë, në bazë të urdhërarrestit me urdhër gjykate për vuajtjen e dënimit me burg në kohëzgjatje prej pesë vitesh e gjashtë muajsh, për vepër penale të kryer sipas nenit 190 dhe nenit 45 të Kodit Penal. Ajo është dërguar në institucionin ndëshkues-përmirësues për vuajtjen e dënimit.
……Dje, në orën 16:00, në SPB Tetovë, një grua 39-vjeçare nga një fshat i Tetovës ka denoncuar veprën penale “falsifikim i dokumentit” sipas nenit 378 të Kodit Penal, përkatësisht dyshon se vëllai i saj, duke përdorur nënshkrime dhe dokumente të falsifikuara, ka kaluar në emrin e tij pronën familjare në fshat. Ajo gjithashtu ka denoncuar falsifikim të dokumenteve edhe nga anëtarë të tjerë të familjes. Po ndërmerren masa për zbardhjen e rastit.
…..Dje, në orën 16:55, në rrugën “Ilinden” në Tetovë, ka ndodhur një aksident komunikacioni midis dy automjeteve të udhëtarëve “Kia” dhe “Peugeot”. Automjeti “Peugeot” drejtohej nga një 36-vjeçar nga Tetova, e cila nuk posedonte patentë shoferi, ndërsa për shkak të stresit të pësuar dhe duke pasur parasysh se ishte shtatzënë, është dërguar në Spitalin Klinik të Tetovës për ndihmë mjekësore. Automjeti është sekuestruar përkohësisht sipas nenit 297-a të Kodit Penal dhe pas dokumentimit të rastit do të vijojë parashtresa përkatëse.
……Sot në orën 08:10, në rrugën “Ilinden” në Gostivar, zyrtarë policorë nga Stacioni Policor për Sigurinë e Komunikacionit Rrugor Gostivar, kanë privuar nga liria një 25-vjeçar nga fshati Vrapçisht. Personi drejtonte automjetin e udhëtarëve “Golf” me targa të Gostivarit pa patentë shoferi. Automjeti është sekuestruar përkohësisht dhe pas dokumentimit të rastit ndaj personit do të paraqitet parashtresa përkatëse.
Lajme nga vendi
Filipçe: Nëse nuk anëtarësohemi në BE gjysma e maqedonasve do të marrin pasaporta bullgare
Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, deklaroi se çështja e integrimit në Bashkimin Evropian nuk duhet parë më si një temë e zakonshme politike mes qeverisë dhe opozitës, por si një çështje kyçe për të ardhmen e shtetit dhe qytetarëve.
Në një paraqitje në RTVM, Filipçe paralajmëroi se ngecja në procesin e integrimit evropian përbën rrezik serioz për vendin. Sipas tij, pasojat e këtij stagnimi mund të jenë afatgjata dhe të ndikojnë drejtpërdrejt në strukturën demografike të vendit.
Ai theksoi se ekziston rreziku që një pjesë e madhe e qytetarëve të kërkojnë alternativa jashtë vendit, duke përfshirë marrjen e pasaportave të huaja dhe emigrimin për të përfituar nga mundësitë që ofron Bashkimi Evropian.
“Çështja e BE-së është çështje e së ardhmes së shtetit dhe popullit. Nuk është më një debat i zakonshëm politik, por një sfidë që përcakton drejtimin e vendit në dekadat e ardhshme,” u shpreh Filipçe.
Lajme nga vendi
Studentët shqiptarë falënderojnë ambasadat dhe kërkojnë monitorim të protestës
Unionet e studentëve shqiptarë nga Universiteti i Tetovës, Universiteti “Nënë Tereza” dhe Universiteti i Evropës Juglindore kanë publikuar një njoftim dhe falënderim drejtuar përfaqësive diplomatike në Maqedoninë e Veriut, duke kërkuar njëkohësisht vëzhgimin e protestës së paralajmëruar për të drejtën e përdorimit të gjuhës shqipe në provimin e jurisprudencës.
Në letrën drejtuar ambasadave, studentët shprehin mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme që, sipas tyre, përfaqësitë diplomatike kanë dhënë në zhvillimin e demokracisë, mbrojtjen e të drejtave qytetare dhe promovimin e shtetit të së drejtës në vend.
“Angazhimi juaj në mbështetje të arsimit, barazisë dhe prosperitetit të përgjithshëm ka qenë dhe mbetet i një rëndësie të veçantë për shoqërinë tonë,” thuhet në njoftim.
Studentët bëjnë të ditur se protesta do të mbahet më 6 prill në Shkup, duke nisur nga ora 12:30, nga Ura e Gurit. Sipas tyre, qëllimi i protestës është realizimi i një të drejte të garantuar me Kushtetutë dhe ligj – mundësia që provimi i jurisprudencës të jepet në gjuhën shqipe.
Ata theksojnë se, megjithëse kjo e drejtë është e sanksionuar në kuadrin ligjor, ajo nuk zbatohet në praktikë, duke krijuar pabarazi për studentët që ndjekin studimet në gjuhën shqipe.
“Kjo e drejtë vazhdon të mos zbatohet në praktikë, duke krijuar pabarazi të vazhdueshme për studentët e drejtësisë,” theksohet në letër.
Në vijim, studentët u bëjnë thirrje përfaqësuesve diplomatikë që, në kuadër të rolit të tyre në promovimin e standardeve demokratike, të monitorojnë këtë proces dhe zhvillimet që lidhen me këtë çështje.
“Ju ftojmë që, në kuadër të mandatit tuaj, të monitoroni këtë proces dhe zhvillimet që lidhen me këtë çështje,” thuhet më tej.
Studentët sigurojnë se protesta do të jetë paqësore dhe dinjitoze, në përputhje me vlerat demokratike, duke theksuar përkushtimin e tyre për një qasje të përgjegjshme dhe qytetare.
Kjo thirrje vjen në prag të protestës së paralajmëruar, e cila pritet të mobilizojë studentët shqiptarë në kërkesën për barazi në sistemin arsimor dhe respektimin e të drejtave gjuhësore.
-
Lajme nga vendi2 months agoRrjeti i madh i dyqaneve për produkte të shtëpisë Comodita Home po rritet akoma më tepër, tash me dyqanin më të madh në Re Mall, Tetovë
-
Lajme nga rajoni1 week agoZbardhet dëshmia e autorit të vrasjes së Liridonës, Plava: Kisha marrëveshje me Murselin, më tha se Behgjet Pacolli ka qenë në dijeni
-
Lajme nga bota1 week ago“Do jem makthi i Iranit”, Trump ‘kërcënon’ sërish: Nëse nuk ulen në negociata, bombardimet do të shtohen

