Lajme nga vendi
NDËRKOMBËTARËT, ASNJË KUNDËRSHTIM PËR NDRYSHIMIN POLITIK QË PO VJEN TEK SHQIPTARËT E MAQEDONISË
Arben Taravari, njëri nga partnerët e koalicionit “VLEN” ka konfirmuar se një pjesë e shkrimeve të disa mediave për ndarjen e dikastereve qeveritare dhe posteve zyrtare janë të sakta. Sipas Taravarit, ndoshta sot ose nesër do të shpallet marrëveshja përfundimtare mes partnerëve të ardhshëm qeveritar, VLEN-it dhe VMRO-DPMNE-së.
“Aleanca do të ketë dy ministri, një zëvendëskryeministër për qeverisje të mirë dhe transparencë dhe ministrin e shëndetësisë dhe dy zëvendësiministra, si dhe dy sekretar shtetëror, gjegjësisht zv.ministër për mbrojtje dhe zv.ministër për bujqësi. Sekretar shetëror në shëndetësi dhe një tjetër që tani nuk më kujtohet”, shprehet Taravari.
Taravari tha se emrat e kuadorve që do të emërkohen në këto pozita ende nuk i kanë definuar. I pyetur nëse do të jetë ministri i ardhshëm i Shëndetësisë, ai tha se nuk ka vendosur dhe ende është duke menduar nëse do ta pranojë këtë pozitë.
“Nuk përjashtohet mundësia, por nuk është definitive”, tha Taravari.
Taravari komentoi edhe rezultatet nga rivotimi dhe theksoi se ata kanë qenë në avantazh më 8 maj dhe tani, siç tha ai, janë në avantazh të madh.
“BDI mund ta ankimon rezultatin, por rezultatet janë këto që janë. Ishte e pritshme dhe tani vala e ndryshimit është ajo që nuk mund të ndalet, prandaj BDI-ja duhet të pajtohet me rezultatin. Qytetarët tani janë liruar, votojnë pak më lirshëm se sa më parë dhe uroj që BDI-ja ta pranon këtë realitet. Tash VLEN-i ka një deputet më shumë, BDI-ja një deputet më pak”, deklaroi Taravari.
Deklarata e Taravarit mes tjerash tregon se bisedat për formimin e qeverisë së re kanë avancuar deri në atë stad, saqë janë ndarë edhe resoret e eshalonit të dytë, e jo vetëm ato të eshalonit të parë, shkruan Zhrunal. Ajo që bie në sy, ndoshta për herë të parë, ëprfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare as në mënyrë të drejtpërdrejtë e as në mënyrë të tërthortë nuk po deklarohen konkretisht lidhur me ndryshimet që po vërehen në horizontin politik.
Geer: Nuk përzihemi në negociatat e partive për qeverinë e re, kemi komunikim me të gjithë
Ambasadori i BE-së në Shkup, David Geer, sot ka thënë se BE nuk është e interesuar për deklaratat e partive politike gjatë fushatës, por do të vlerësojë veprimet e tyre pas formimit të qeverisë së re.
Geer gjithashtu tha se nuk i komenton negociatat mes partive për formimin e qeverisë së re, duke shtuar se ata janë në komunikim me të gjitha partitë.
“Unë nuk mund të komentoj në lidhje me negociatat të cilat për momentin janë duke u zhvilluar. Me rëndësi është të potencohet se kishim zgjedhje demokratike, të cilat duhet të rezultojnë me formimin e qeverisë së re. Sa i përket BE-së ne jemi të interesuar të bashkëpunojmë me të gjithë ata do të punojnë për avancimin e rrugëtimit drejt BE-së dhe ata të cilët do të punojnë në reformat e kërkuara nga BE dhe të gjitha hapat tjerë që do të kontribuojnë për anëtarësimin sa më të shpejtë të vendit në BE”.
“Ne flasim me të gjitha partitë politike, që janë duke biseduar për qeverinë e re. Sa i përket negociatave ajo nuk është punë e BE-së. Në praktikë të gjitha partitë gjatë fushatës kanë pasur agjendë politike e cila jep rrugëtimin e qartë të integrimit në BE. Pra, nuk ka të bëjë me atë se çfarë partitë thonë, por ne do të vlerësojmë atë çfarë do të bëjnë ata pas formimit të qeverisë”, tha mes tjerash Geer, i cili sot ishte për vizitë në Universitetin e Tetovës.
Probleme në ndarjen e “kulaçit opozitar” mes BDI-së dhe LSDM-së!?
Deri sa VMRO dhe VLEN po negociojnë për ndarjen e kulaçit qeveritar, LSDM dhe Front Evropian do të negociojnë për ndarjen e “kulaçit opozitar”, shkruan Zhurnal. Mirëpo situata për ndarjen e këtij “kulaçI” duket paksa e komplikuar, sepse bëhet fjalë për dy koalicione me mandate të barabarta. Kjo do të komplikojë ndarjen e pozitave që i takojnë partive opozitare, kryetarin e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve dhe dy trupat punues në Kuvend, Komisionin për financa dhe buxhet dhe Komisionin e përhershëm anketues për liritë dhe të drejtat e njeriut. Normat ligjore nuk i referohen koalicioneve, por partive politike si pozitë dhe opozitë. Përkatësisht, Kodi Zgjedhor i referohet “dy partive në opozitë” dhe jo koalicioneve. Ndërsa në dispozita tjera i referohet partive në opozitë të cilat në zgjedhjet e fundit për deputet në Kuvend që kanë siguruar më së shumti vota.
“Nga kandidatët e propozuar në listë, partitë politike në opozitë propozojnë kryetarin dhe dy anëtarë në KSHZ, ndërsa partitë në pushtet propozojnë nënkryetarin dhe tre anëtarë”. – Kodi Zgjedhor, neni 27, paragrafi 27.
Edhe në Kuvend, Rregullorja nuk i referohet koalicioneve por grupeve parlamentare, apo “numrit të deputetëve në grupet parlamentare”. Në këtë situatë mbetet e paqartë se cilit koalicion do t’i takon kryetari i Komisionit për financa dhe buxhet, derisa LSDM-ja dhe BDI-ja si udhëheqëse të koalicionit (derisa përfundojnë si parti opozitare) nuk ndahen në subjekte të veçanta me qëllim organizimin nëpër trupa punues.
“Përbërja e trupave punues dhe e komisioneve anketuese përcaktohet me vendim të Kuvendit, varësisht nga numri i deputeteve në grupet parlamentare, nga deputetët të cilët nuk janë të organizuar në grupe të deputetëve dhe në përputhje me Ligjin për mundësi të barabarta të femrave dhe meshkujve”. – Rregullorja e Kuvendit, Neni 118, paragrafi 5.
Sipas certifikimit të 118 deputetëve, derisa pritet certifikimi edhe i dy deputetëve të tjerë, Koalicioni “Fronti Evropian” dhe Koalicioni “Për të ardhme Evropiane” kanë nga 18 mandate, ndërsa me numër të votave Koalicioni “Për të ardhme Evropiane” është mbi 17 mijë vota para “Frontit Evropiane”. Deri më tani nuk ka pasur praktika kur partia e parë dhe e dytë opozitare është ndarë me numër të votave./Zhurnal
Lajme nga vendi
Kronika e zezë – Tetovë dhe Gostivar, 22 Tetor
Dje, zyrtarë policorë nga Sektori për Polici Kriminalistike pranë SPB Tetovë dhe nga ekipi mobil “Task Force”, në koordinim me përfaqësues të Inspektoratit Shtetëror të Tregut dhe Drejtorisë së të Ardhurave Publike, kanë realizuar kontroll aksional në një objekt hotelerie në Qendrën Tregtare të Qytetit në Tetovë.
Me këtë rast, para objektit është zënë një 48-vjeçar nga Tetova dhe gjatë kontrollit tek ai është gjetur një substancë e bardhë pluhur, pas çka është privuar nga liria.
Ndërsa, brenda në objekt, te pronari 54-vjeçar nga fshati Trebosh janë gjetur 15 paketime me substancë të bardhë pluhur, pas çka edhe ai është privuar nga liria.
Të dy janë ndaluar në stacionin policor dhe pas dokumentimit të plotë të rasteve, ndaj tyre do të vijojë parashtresë përkatëse.
…….
Dje në orën 12:00 në Stacionin Policor Gostivar, nga Ndihma e Shpejtë Mjekësore Gostivar është denoncuar se te ata është sjellë një 15-vjeçar nga Gostivari pa shenja jete. Sipas denoncimit, në shtëpinë e tij në Gostivar ai kishte rrëshqitur dhe ka rënë shkallëve, ndërsa pasi është pranuar në spital, pas reanimimit të kryer ka shfaqur shenja jete dhe me automjet të Ndihmës së Shpejtë Mjekësore Gostivar është transferuar në Kompleksin e Klinikave “Nënë Tereza” në Shkup, ku i janë konstatuar lëndime të rënda trupore. Është njoftuar prokurori publik, është kryer këqyrje në vendngjarje dhe po merren masa për zbardhjen e ngjarjes.
…….
Dje në orën 19:10 në Stacionin Policor Tetovë, një 38-vjeçar nga Tetova ka denoncuar se rreth orës 18:30 në rrugën “Todor Cipovski Merxhan”, djali i saj 11-vjeçar është sulmuar fizikisht nga një i mitur tjetër. Po merren masa për zbardhjen e rastit.
……
Dje në orën 22:30 në Hanet e Mavrovës, zyrtarë policorë nga Stacioni Policor Mavrovë kanë privuar nga liria një 22-vjeçar nga Shkupi. Gjatë një kontrolli në trafik është ndaluar automjeti i udhëtarëve “Volksëagen Golf” me targa të Shkupit, të cilin e drejtonte ai, me ç’rast është konstatuar se e drejtonte pa pasur leje drejtimi. Automjeti është konfiskuar dhe pas dokumentimit të plotë të rastit do të vijojë parashtresë përkatëse.
……..
Dje në orën 20:00 në Stacionin Policor Gostivar, një 71-vjeçar nga Gostivari ka denoncuar se rreth orës 18:30 te Stacioni i Autobusëve në Gostivar, derisa po kryente detyrat e punës si taksist, është sulmuar fizikisht nga një person. Po merren masa për zbardhjen e rastit.
…….
Dje në orën 13:25, zyrtarë policorë nga Stacioni Policor Gostivar kanë privuar nga liria një 29-vjeçar nga Gostivari, i cili ditën e mëparshme është denoncuar nga nëna e tij 53-vjeçare se në disa raste e ka kërcënuar. Pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tij do të parashtrohet kallëzim përkatës.
……
Pas mesnate në orën 02:00 në SPB Tetovë është denoncuar se ka shpërthyer zjarr në një arë në fshatin Sellarcë e Epërme. Zyrtarë policorë nga Stacioni Policor Zherovjan kanë dalë në vendngjarje dhe kanë konstatuar se është djegur kashtë, e cila ishte grumbulluar në disa pirgje. Ekipi i Njësisë Territoriale Kundër Zjarrit e ka shuajtur zjarrin, ndërsa persona të lënduar nuk ka. Këqyrja e vendngjarjes është kryer nga ekipi i SPB Tetovë.
Lajme nga vendi
Në shtator, tetë burra në Maqedoni u diagnostikuan me HIV, vetëm këtë vit janë regjistruar 49 raste të reja
Në shtator të këtij viti, në Maqedoninë e Veriut u regjistruan tetë raste të reja me HIV/AIDS, të gjitha te persona të gjinisë mashkullore, tregojnë të dhënat nga buletini më i ri mujor i Institutit të Shëndetit Publik (ISHP). Katër nga personat e diagnostikuar rishtazi janë të moshës 30 deri në 39 vjeç, ndërsa nga një rast është regjistruar në grupmoshat 15–19 vjeç, 20–29 vjeç, 40–49 vjeç dhe 50–59 vjeç, transmeton Portalb.mk.
Në shtator u raportuan edhe dy raste të vdekjes te persona me HIV, të cilët ishin regjistruar më parë me këtë infeksion, përkatësisht në vitin 2015 dhe 2018. Të dy personat që vdiqën ishin të moshës 40 deri në 49 vjeç. Sipas të dhënave të ISHP-së, nga fillimi i vitit 2026 deri më 30 shtator, në vend janë regjistruar gjithsej 49 raste me HIV/AIDS.
Që nga fillimi i regjistrimit të rasteve, në vitin 1987, e deri në shtator të vitit 2026, në vend janë regjistruar gjithsej 778 persona me HIV/AIDS. Prej tyre, 520 persona jetojnë me HIV/AIDS, 144 kanë vdekur, ndërsa 114 figurojnë si të humbur për ndjekje, përkatësisht si persona që janë shpërngulur jashtë vendit.
Në buletinin për sëmundjet akute infektive thuhet se gjatë shtatorit në Maqedoninë e Veriut katër persona kanë vdekur nga ethet e Nilit Perëndimor, ndërsa gjithsej 1.042 persona janë prekur nga sëmundje akute infektive. Numri i të prekurve është 22 përqind më i lartë krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, kur ishin regjistruar 854 raste.
“Të katër personat që kanë vdekur ishin të moshës 65 deri në 70 vjeç dhe te ta ishte diagnostikuar forma neuroinvazive e etheve të Nilit Perëndimor. Ata ishin të hospitalizuar në Klinikën Universitare për Sëmundje Infektive dhe Gjendje Febrile në Shkup, ndërsa te të gjithë ishin regjistruar edhe sëmundje shoqëruese”, thuhet në buletin.
Epidemia e etheve të Nilit Perëndimor është ende në vazhdim.
Pjesa më e madhe e sëmundjeve infektive të regjistruara në shtator ishin infeksione të zorrëve. Nga gjithsej 1.042 rastet e raportuara, 694 ishin raste me enterokolit, që përbëjnë 66,6 përqind të të gjitha sëmundjeve akute infektive të regjistruara.
Krahasuar me shtatorin e vitit të kaluar, kur ishin raportuar 465 raste me enterokolit, këtë vit është shënuar rritje prej 49,2 përqind. Nga fillimi i këtij viti deri në fund të shtatorit janë regjistruar 4.313 raste, që është 43,1 përqind më shumë sesa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në vendin e dytë për nga shpeshtësia janë lija e dhenve, me 123 persona të prekur, të ndjekura nga salmoneloza me 56 raste, zgjebja me 47 raste dhe infeksionet bakteriale e intoksikimet e shkaktuara nga ushqimi me 30 raste.
Në shtator u regjistruan edhe 29 raste të mononukleozës infektive, tetë raste të sëmundjes së legjionarëve dhe gjashtë infeksione të shkaktuara nga bakteri Escherichia coli.
Lajme nga vendi
Ministria e Transformimit Digjital në RMV bllokon përkohësisht trafikun e jashtëm në internet si masë parandaluese
Ministria e Transformimit Digjital informon se, si pjesë e aktiviteteve parandaluese, trafiku i jashtëm në internet në sistemet e prekura është bllokuar përkohësisht, me qëllim parandalimin e shfrytëzimit të mundshëm të dobësive.
Prandaj, ata theksojnë se Ministria, përmes Sektorit të Sigurisë Kibernetike dhe ekipit qeveritar të sigurisë kompjuterike (MKD-GOV-CSIRT), vazhdon me monitorimin e zgjeruar dhe të vazhdueshëm të kërcënimeve kibernetike, analizën e ngjarjeve të sigurisë dhe të dhënave të regjistrave, si dhe kontrollin e treguesve të mundshëm të kompromentimit.
Përndryshe, institucionet qeveritare dhe kompanitë në të gjithë Evropën dhe botën u detyruan të mbyllin faqet e tyre të internetit dje, pasi u zbuluan të meta serioze në gjuhën e programimit mbi të cilën bazohet pjesa më e madhe e internetit, raportuan mediat botërore.
Ministria e Transformimit Digjital informon se, si pjesë e aktiviteteve parandaluese, trafiku i jashtëm i internetit në sistemet e prekura u bllokua përkohësisht, me qëllim parandalimin e shfrytëzimit të mundshëm të dobësive.
Më pas, shtohet, u kryen kontrolle në versionet e softuerit dhe u aplikuan patch-e dhe përditësime të përshtatshme sigurie, si dhe u kontrollua funksionaliteti dhe siguria e serverëve të internetit.
Masat, thonë nga Ministria, synojnë të zvogëlojnë rrezikun e aksesit të paautorizuar dhe kompromentimit të mundshëm të serverëve të internetit.
“Sipas kontrolleve të kryera deri më tani, nuk janë gjetur indikacione për shfrytëzim të suksesshëm të dobësive të listuara ose për kompromentimin e faqeve të internetit të Qeverisë dhe ministrive”, thuhet në njoftim.

