Lajme nga vendi
Ekspertët: Digjitalizimi është i domosdoshëm jo vetëm për antarësim në BE, por edhe për zhvilimin e ekonomisë

Paralajmërimin e VMRO-DPMNE-së për themelimin e Ministrisë për Digjitalizim, konkretisht ndarjen nga Administrata, ekspertët e shohin si nevojë që, shteti duhet të ketë qasje serioze ndaj digjitalizimit real të shërbimeve elektronike, të cilat qytetarët duhet t’i marrin në jetën e përditshme.
Sipas, Marko Troshanovskit nga Instituti për Demokraci, për t’u realizuar kjo duhet të unifikohen bazat e të dhënave të institucioneve shtetërore që qytetarët të mos enden prej sporteli në sportel për një dokument të thjeshtë.
“Nëse ju e plotësoni aplikimin në mënyrë elektronike, duhet t’ju mundësohet që edhe në mënyrë elektronike ta dorëzoni. Domethënë, prej në fillim deri në fund të mos keni kontakt me zyrtarin administrativ. Ky është një moment shumë i rëndësishëm. Kështu, bazat e të gjitha institucioneve të jenë të unifikuara dhe këtu paralajmërimi për themelimin e Agjencisë për Digjitalizim, ndarja e administratës nga shoqëria informatike, ka kuptim dhe është shumë i rëndësishëm”, tha Marko Troshanovski, Instituti për Demokraci (IDSCS).
Profesori universitar Gjorgji Maxharov, për Alsat shprehet se digjitalizimi është i domosdoshëm, jo vetëm për anëtarësimin e vendit në BE, por edhe për zhvillimin e ekonomisë, por edhe për përfitimet të cilat qytetarët në mënyrë të drejtpërdrejtë do t’i përjetojnë. Megjithatë, për t’u realizuar kjo, duhet që në Kuvend të votohet ligjet e nevojshme.
“Pjesa më e vështirë është që e tërë kjo të finalizohet në kuadër të Kuvendit, në kuadër të miratimit të akteve ligjore, të cilat do të japin rëndësi të njëjtë të dokumenteve digjitale në lidhje me dokumentet në letër. Kështu që, duhet të punojmë në atë bashkë dhe duhet të kihet kujdes ndaj gjendjes së përgjithshme se ku gjendet shoqëria, cilat procese duhet dhe duam t’i digjitalizojmë dhe në lidhje me prioritetet që i kemi vendosur të fillojmë ta bëjmë atë. Siç thash, ai proces ka filluar, megjithatë nuk është i përfunduar dhe duhet që edhe shumë të punohet që në fund qytetarët ta shohin përfitimin direkt të shërbimeve të tilla digjitale”, u shpreh Gjorgji Maxharov, profesor universitar.
Rikujtojmë që Komisioni Evropian dy vite radhazi i rekomandoi Maqedonisë së Veriut ta harmonizojë legjislacionin me atë të BE-së në lidhje me procesin e digjitalizimit. Përbërja e kaluar kuvendore, nuk arriti që ta votojë ligjin për themelimin e Agjencisë Digjitale, si institucion udhëheqës në procesin e digjitalizimit të shërbimeve, trajnimit të qytetarëve, por edhe mbrojtjes së institucioneve nga sulmet kibernetike, të cilat gjatë periudhës së kaluar ishin të shpeshtuara. Sipas ekspertëve, Maqedonia e Veriut është mbi një dekadë mbrapa BE-së në procesin e digjitalizimit./Alsat.mk
Lajme nga vendi
QMK: Katër zjarre aktive, dy janë nën kontroll

Qendra për Menaxhim me Kriza informoi sot në mëngjes se në territorin e vendit ka katër zjarre aktive, në komunat Çashkë, Likovë, Studeniçan dhe Makedonski Brod.
Në komunën e Çashkës, mbi Bogomillë po digjet një pyll i përzier, në komunën e Likovës midis fshatrave Vaksincë dhe Sllupçan është djegur një pyll i ulët, në komunën e Studeniçanit, më saktësisht pranë fshatit Dreçavicë, ka zjarr pyjor në male, ndërsa në komunën e Makedonski Brod pranë fshatit Greshnicë po digjet një pyll i degraduar me bimësi të ulët.
Nën kontroll janë zjarret në komunën e Dollnenit, pranë fshatit Strovijë, pas vendit të quajtur Gajdarec – Klepalë, ku është djegur një pyll me bimësi të ulët, dhe në komunën e Zhelinës, në afërsi të fshatit Cerovë, ku po digjet një pyll i përzier.
Sipas informacioneve të QMK-së, në 24 orët e fundit kishte gjithsej 23 zjarre nga të cilat 17 janë shuar.
Lajme nga vendi
Thirrjet anti-shqiptare në Kumanovë, Prokuroria nis hetimin

Prokuroria Themelore Publike në Kumanovë ka hapur një procedurë hetimore dhe ka lëshuar udhëzime për SPB Kumanovë për të hetuar elementet e një vepre penale të mundshme, të lidhur me thirrje me përmbajtje të gjuhës së urrejtjes nga persona të panjohur.
Incidenti ndodhi gjatë ndeshjes së basketbollit mes përfaqësueseve të Maqedonisë dhe Rumanisë, e zhvilluar më 2 gusht në Kumanovë, ku në një pjesë të tribunës u dëgjuan thirrje raciste dhe anti-shqiptare.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, është dhënë gjithashtu urdhër për sigurimin e incizimeve nga kamerat e sigurisë, me qëllim identifikimin e autorëve të kësaj ngjarjeje.
Ndeshja në fjalë ishte e para në ciklin kualifikues për Kampionatin Botëror 2027, ndërsa përfaqësuesja e Maqedonisë u mund nga Rumania me rezultat 72:80. Ky aktivitet sportiv shënoi edhe hapjen zyrtare të sallës së rinovuar të sporteve në Kumanovë.
Lajme nga vendi
Për tre muaj në Maqedoni kanë ndodhur mbi dy mijë aksidente trafiku

Nga maji deri në fund të korrikut të këtij viti, në të gjithë Maqedoninë kanë ndodhur më shumë se 2,000 aksidente trafiku. Të dhënat tregojnë se 22 persona kanë vdekur në aksidente trafiku gjatë periudhës së analizuar.
Arsyeja më e zakonshme për aksidentet ishte shpejtësia. Statistikat nga Ministria e Brendshme tregojnë se numri më i madh i aksidenteve rrugore – 780 kanë ndodhur në korrik dhe më pak në maj.
Përveç shtetasve të RMV-së, në aksidente trafiku në rrugët e Maqedonisë kanë marrë pjesë edhe të huaj. Për dy muaj, pra në maj dhe qershor, numri i të huajve që kanë pasur aksidente trafiku ishte 95. Asnjëra prej tyre nuk ka përfunduar me pasoja fatale.
Ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski njoftoi se me ndryshimet e reja në Ligjin për Sigurinë në Rrugë, Ligjin për Kundërvajtjet dhe Kodin Penal, personave që drejtojnë pa leje drejtimi, nën ndikimin e alkoolit ose drogës, dhe atyre që drejtojnë me shpejtësi ekstreme – do t’u konfiskohen përgjithmonë automjetet.
Statistikat mbi aksidentet rrugore që ndodhën në vendet e Bashkimit Evropian tregojnë se vitin e kaluar, i vetmi vend në të cilin nuk pati aksidente rrugore me pasoja fatale ishte Finlanda.
-
Lajme nga vendi3 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi3 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi3 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve