Lajme nga vendi
Mungesa e gjykatësve detyron qytetarët që të presin me vite që lënda e tyre të vijë në radhë
Gjykatat në të gjithë vendin po përballen me mungesë serioze të gjykatësve. Qytetarët me muaj madje me vite kërkojnë epilog për lëndë të caktuar nëpër labirintet e gjykatave. Për shembull, në Gjykatën Themelore të Strugës, delegohen gjykatës nga Shkupi ose për raste të caktuara gjykimet dërgohen në qytetin e Ohrit.
“Këta gjykatës që janë këtu, nuk dinë çfarë të bëjnë me numrin e madh të lëndëve dhe si t’i zgjidhin ato, janë shkelur afatet ligjore të parashikuara në ligj, duke qenë se nuk mund të veprojnë sipas afateve, për shkak të numrit të madh. Seancat caktohen për dy-tre muaj, pastaj fillon procedura prej në fillim. E tërë kjo komplikohet për shkak të mungesës së gjykatësve”, tha Vllado Çingoski- avokat.
Zgjidhja, thotë profesori Davitkovski, është në ndryshimet e ligjit, me të cilat u mundësua përzgjedhja e gjykatësve nga radhët e bashkëpunëtorëve profesionalë në gjykata, të cilët kanë përvojë pune dhe praktikë 10-15 vjet.
“Gjenerata e mëparshme që ka mbaruar Akademinë e gjykatësve, të gjithë duan të qëndrojnë në Shkup. Në Kriva Pallankë, në Kratovë dhe në disa qyteza nuk kishte gjykatës. Dhe çfarë bënë ata që janë fëmijë të dikujt, me lidhje politike dhe me kërkesë në Gjykatën Supreme, të gjithë qëndruan në Shkup. Tani ato gjykata janë bosh, dhe nga ana tjetër kemi mbipopullim në Shkup. Ne po e bllokojmë veten dhe kjo është rezultat i ndikimit të politikës”, tha Borçe Davitkovski- profesor.
Një nga propozimet është racionalizimi i gjykatave.
“Ndoshta duhet të ndryshohen edhe kompetencat e gjykatave. Për këtë arsye, një gjykatës zhvendoset nga një gjykatë në tjetrën. Atëherë do të racionalizohen edhe gjykatësit”, theksoi Arsen Janevski- profesor.Gazetar: Miki Trajkovski
Lajme nga vendi
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë me diell dhe i nxehtë
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë me diell dhe i nxehtë me vranësira lokale të lehta deri në mesatare. Pasdite do të jetë i paqëndrueshëm me shira të rrëmbyeshëm, bubullima dhe erëra të forta.
Temperatura minimale do të jetë në intervalin prej 13 deri në 20 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë 31 deri në 37 gradë Celsius.
Në Shkup do të jetë me diell dhe i ngrohtë me vranësira të lehta deri në mesatare, pasdite në pjesë të luginës do të ketë kushte për shira të rrëmbyeshëm dhe bubullima. Do të fryjë erë e dobët deri në mesatare nga drejtim i ndryshueshëm. Temperatura minimale do të bjerë në 19, ndërsa maksimale do të arrijë 37 gradë.
Lajme nga vendi
Paralajmërohen pensionistët: Pensionet nga shtatori do të rriten në përputhje me harmonizimin e përcaktuar me ligj
Pensionet nga shtatori do të rriten në përputhje me harmonizimin e përcaktuar me ligj, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve lidhur me rritjen e të ardhurave të pensionistëve.
Sipas tij, vendimi merret me qëllim të mbrojtjes së pensionistëve dhe pensioneve të tyre. Mickoski tha se pas rritjeve lineare të bëra më herët, individë të nxitur nga partitë opozitare kishin iniciuar procedura në Gjykatën Kushtetuese për anulimin e tyre.
Për këtë arsye, sipas tij, rritja e ardhshme e pensioneve do të bëhet vetëm përmes harmonizimit të rregullt të përcaktuar me ligj.
“Po, do të ketë harmonizim të rregullt, në përputhje me ligjin. E dini se kishte iniciativa nga individë, të nxitur në prapavijë nga parti politike, për të ngritur para Gjykatës Kushtetuese çështjen e rritjes lineare të pensioneve. Për t’i mbrojtur pensionistët dhe pensionet, në të ardhmen rritja do të bëhet në përputhje me harmonizimet e përcaktuara me ligj”, deklaroi Mickoski gjatë vizitës në Drejtorinë për Punë Hidrometeorologjike.
Sipas kryeministrit, shuma e saktë e rritjes së pensioneve ende nuk është përcaktuar, pasi përllogaritjet janë në proces.
“Jo, ende nuk dihet. Po përllogaritet dhe do të dihet shumë shpejt”, tha Mickoski.
Pensionet harmonizohen dy herë në vit, më 1 mars dhe më 1 shtator. Sipas ligjit, në përllogaritje marrin pjesë në mënyrë të barabartë rritja e pagës mesatare të paguar dhe rritja e kostos së jetesës.
Gjatë dy viteve të fundit, pensionistët kanë përfituar rritje lineare prej 7.000 denarësh të pensioneve, raportojnë mediat maqedonase.
Lajme nga vendi
VLEN: Cili prokuror i ka ofruar marrëveshje Grubit
Nga VLEN thonë se pas seancës së parë gjyqësore ndaj Artan Grubit që u mbajt dje, gjithnjë e më shumë po dalin në pah pyetje serioze për atë që ka ndodhur prapa skenave dhe për përpjekjet për ta mbyllur këtë proces përmes një marrëveshjeje me Prokurorinë.
Sipas VLEN-it, supozohet se Artan Grubi është bindur të lidhë marrëveshje me Prokurorinë, të pranojë fajësinë, të marrë një sanksion dukshëm më të lehtë, por në këtë mënyrë edhe t’i japë fund të gjitha ambicieve për të udhëhequr BDI-në.
“Sipas burimeve tona, Ali Ahmeti ka vlerësuar se gjykimi është shumë i rrezikshëm, pasi temperamenti i Grubit është i tillë që ai përmes mediave mund t’ia gërryejë rejtingun BDI-së. Grubi, siç thuhet, tashmë kishte intervista të dakorduara, pasi ishte bindur se ndaj tij nuk do të ngrihej aktakuzë, por më pas ishte befasuar në mënyrë të pakëndshme. Vazhdimi i masës së arrestit shtëpiak është presion shtesë ndaj tij që të lidhë marrëveshje para fillimit të gjykimit”.
“Një fakt interesant është se avokatët e shumicës së të akuzuarve në këtë rast janë „lojtarë“ të sistemit të drejtësisë nga koha e Gruevskit dhe Mijallkovit. Ky është një sinjal serioz se në BDI është ulur gardi dhe po luhet me të gjitha armët. Mbetet dilema pse nuk sigurohet prania e bashkëpunëtorit të parë të Grubit, Perparim Bajramit”.
“A mos, së bashku me rikualifikimin e veprës penale, Ali Ahmetit po i dërgohet edhe një mesazh tjetër, “për të gjitha lojërat e tua të dyshimta ka kundërsulm”? Në fund, as Bujar Osmani, siç thuhet, nuk ka qenë shumë i kënaqur, pasi në adresa të caktuara ndërkombëtare ia kanë lexuar lojën që qëndronte pas brifingjeve. Është e qartë se për politbyronë mafioze të BDI-së, ditët e vështira sapo kanë filluar”, thonë nga VLEN.

