Ministri për Çështje Evropian Orhan Murtezani tha se Maqedonia e Veriut, edhe pse vend i vogël, nuk mund të mbetet imune në trendet globale për situatën në Gaza, veçanërisht nëse ato shndërrohen në politikë të jashtme dhe të sigurisë së përbashkët të Bashkimit Evropian.
“E gjithë bota po mobilizohet sepse situata në Gaza është alarmante. Ne nuk mundemi, si vend, sado të vegjël të jemi, të jemi imunë ndaj një trendi të tillë, veçanërisht nëse ai zhvillohet në një politikë të përbashkët sigurie dhe të jashtme të BE-së, ne, si 100 për qind të përafruar me atë politikë, do të duhet të ndjekim të njëjtin hap”, tha ministri Murtezani, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari pas një konference të përbashkët për shtyp me ministrin për Çështjet Evropiane dhe Mbrojtjen e Republikës së Irlandës, Tomas Birn.
Birn theksoi se situata në Gaza “tashmë është e padurueshme dhe kërkon ndihmë urgjente humanitare”. Ai përkujtoi se Irlanda, së bashku me Spanjën dhe Norvegjinë e njohën Palestinën dhe tha se duhet të shfrytëzohet avantazhi i BE-së t’i bindin vendet tjera se ajo që po ndodh atje është aq e keqe saqë është e nevojshme menjëherë të veprohet.
“Çdo shtet duhet ta marrë vendimin e tij. Por, më duhet të them se kemi brengë serioze rreth asaj që po ndodh në Palestinë, ndërsa ne gjithmonë kemi bërë përpjekje për njerëzit nga Palestina. Por, ajo që arritëm në përfundim është se na duhet ndihmë urgjente dhe duhet ta shfrytëzojmë avantazhin që e ka BE-ja dhe t’i bindim vendet tjera se ajo që po ndodh atje është aq e keqe sa është e nevojshme të veprohet urgjentisht”, tha ai.
Situata në Gaza në korrik të vitit 2025 është vlerësuar si katastrofë humanitare nga përmasat e papara në të cilën mbi dy milionë njerëz përballen me urinë, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëron se “njerëzit po vdesin masivisht nga kequshqyerja”.