Me urdhrin e ri ekzekutiv të nënshkruar mbrëmë nga presidenti amerikan, Donald Trump, vendosen tarifa doganore të reja, që variojnë nga 10 deri në 50 për qind, për pothuajse të gjitha vendet që deri tani nuk kanë marrëveshje tregtare me Shtetet e Bashkuara.
Në kuadër të këtij vendimi, shkalla doganore për Maqedoninë e Veriut është ulur nga 33 për qind, sa ishte më parë, në 15 për qind.
E njëjta shkallë doganore prej 15 për qind do të vlejë edhe për Bashkimin Evropian, me të cilin SHBA-ja arriti marrëveshje tregtare më 27 korrik. Nga vendet e rajonit, Kroacia dhe Sllovenia do të kenë gjithashtu tarifë 15 për qind, ndërsa produktet nga Serbia do të doganohen me 35 për qind, nga Bosnja dhe Hercegovina me 30 për qind, ndërsa shkalla më e ulët do të aplikohet për Malin e Zi – vetëm 10 për qind.
Presidenti Trump kishte paralajmëruar për herë të parë vendosjen e doganës prej 33 për qind për produktet nga Maqedonia e Veriut në muajin prill të këtij viti.
Tarifat e reja doganore amerikane do të hyjnë në fuqi më 7 gusht, dhe jo më 1 gusht, siç ishte planifikuar fillimisht, për të lejuar më shumë kohë për zbatimin e tyre.