Lajme nga vendi
Lloga ankohet te ndërkombëtarët për idenë e qeverisë në ardhje për “shpërndarjen e Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit të Prokurorëve”
Ministri i Drejtësisë në largim, Krenar Lloga u dërgoi shkresa Delegacionit të BE-së në Maqedoninë e Veriut, ambasadave të SHBA-së, Gjermanisë, Francës, Holandës dhe Belgjikës, misionit të OSBE-së në Shkup, Zyrës së Programit të Këshillit të Evropës në Shkup, Departamentit të Shtetit përmes Ambasadës së SHBA-së në RMV dhe Komisionit Evropian në Bruksel, në të cilën shpreh shqetësimin për njoftimet e shumicës parlamentare se po përgatisin një pako ligjesh që do të shpërndajnë dy kategoritë kushtetuese dhe të pavarura – Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli i Prokurorëve Publikë.
Shkresa e plotë e Llogës:
Të nderuara Shkëlqesi,
Duke vlerësuar mbështetjen tuaj të vazhdueshme të shprehur përmes projekteve të shumta dhe mjeteve të investuara, të cilat pa dyshim kanë dhënë kontribut thelbësor në proceset reformuese si dhe sigurimin e garancive të forta për sundimin e shtetit të së drejtës, i shqetësuar dhe i indinjuar po ju drejtohem me këtë letër. Gjej rastin t’ju informoj dhe të marr vëmendjen tuaj me informacionin për tentimin për “kapjen” e sistemit gjyqësor që po përgatitet nga shumica e re parlamentare. Paralajmërimet se paralelisht me reformën e organeve të administratës dhe riorganizimin e ministrive, shumica qeverisëse në ardhje po përgatit edhe një pako ligjesh që do të shpërndajnë dy organe kushtetuese dhe të pavarura – Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin e Prokurorëve Publikë.
Deklaratat e zyrtarëve partiakë për mua personalisht dhe për Ministrinë e Drejtësisë janë të papranueshme dhe të palejueshme, jo për shkak të mbrojtjes së individëve në këto organe, por sepse kanë të bëjnë me pavarësinë dhe autonominë e institucioneve respektive, për të cilat kemi marrë raport nga Misioni Vlerësues nga Bashkimi Europian ku saktësisht është treguar se çfarë hapash duhet të ndërmarrin organet shtetërore për përmirësimin e situatës në gjyqësor.
Edhe pse si Ministër i Drejtësisë vitin e kaluar, kur ndodhën ngjarjet në Këshillin Gjyqësor, publikisht dola me qëndrimin për ndërprerjen e mandatit të anëtarëve të saj, gjë për të cilën nuk mora mbështetje nga partnerët e koalicionit, por as edhe nga partitë opozitare, pas konsultimeve të mbajtura me përfaqësuesit tuaj më është këshilluar që Misioni Vlerësues do të skanojë situatën në Këshillin Gjyqësor dhe do të japë rekomandime për tejkalimin e situatës, gjë për të cilën kemi marrë edhe raportin në fjalë. Rekomandimet e këtij dokumenti u shqyrtuan me vëmendje të veçantë nga përfaqësuesit më të lartë institucionalë, të komunitetit gjyqësor, akademik dhe profesional, sektori civil si dhe palët e tjera. Aq më tepër, që këto rekomandime janë pjesë e dokumenteve më të rëndësishme të vendit tonë, si: Strategjia për Zhvillimin e Sektorit të Drejtësisë, Udhërrëfyesi për Sundimin e së drejtës, si dhe në Planin për Rritje (UE). Po ashtu është formuar grupi punues për reformat ligjore të Këshillit Gjyqësor ku disa herë u ftuan përfaqësuesit e atëhershëm opozitarë, gjegjësisht bartësit aktualë të shumicës qeverisëse VMRO-DPMNE, ftesa për të cilat nuk morëm asnjëherë përgjigje.
Shprehim shqetësimin tonë serioz se vendosja e një përqendrimi të tillë të tre pushteteve nënkupton kthim të situatës dhe problemeve të para vitit 2017, të cilat padiskutim krijuan një shtet të robëruar, konstatim i cili vjen nga më shumë raporte nga organizata ndërkombëtare.
Në vlerësimin tonë, këto paralajmërime janë të ngutshme dhe të rrezikshme, dhe vlerësojmë se shumica e re qeverisëse duhet të respektojë procesin e krijimit të politikave të duhura, që përfshin vlerësimin e saktë të gjendjes si dhe konsultime për të gjitha marrëveshjet, detyrimet dhe përgjegjësitë që Republika e Maqedonisë së Veriut i ka marrë në raport me Bashkimin Evropian dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë.
Lajme nga vendi
Shpallet konkursi për regjistrim në shkollat e mesme në Maqedoninë e Veriut
Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka bërë të ditur se është shpallur Konkursi për regjistrim në shkollat e mesme për vitin shkollor 2026–2027.
Konkursi parashikon mbi 25.000 vende të lira në të gjitha 109 shkollat e mesme publike në vend, prej të cilave më shumë se 17.000 janë në arsimin profesional, rreth 6.000 në gjimnaze dhe 570 në arsimin artistik.
Aplikimi i nxënësve do të bëhet në mënyrë elektronike përmes portalit Uslugi.gov.mk, me hyrje të veçantë për nxënësit përmes llogarive të tyre në schools.mk, pas së cilës dokumentacioni i nevojshëm dorëzohet në shkolla.
Në afatin e qershorit për regjistrim ka dy periudha aplikimi, e para nga 12 deri më 15 qershor dhe e dyta më 23 qershor. Ndërsa në afatin e gushtit ka një periudhë aplikimi, e cila do të realizohet më 20 gusht.
Lajme nga vendi
KA STUDENTI SHËNON 25 VJETORIN E THEMELIMIT
Klubi Atletikës STUDENTI Tetovë,i themeluar në Maj të vitit 2001, këtë vit shënon jubileun 25 vjet anëtare e Federatës së Atletikës së Maqedonisë së Veriut. Gjatë kësaj periudhe 25 vjeçare ky klub ishte simbol i atletikës në Tetovë dhe jo vetëm . Gjatë 25 viteve përkundër vështirësive dhe sakrificave të shumta ka arritur suksese që na bënë të jemi krenar për punën dhe rezultate e arritura si në garat vendore ashtu edhe në ato ndërkombëtare. Falë sakrificës dhe punës së pa lodhshme të kryetarit prof Bexhet Toçi dhe iniciatorit për themelimin e këtij klubi sekretarit Shaban Sinani pa mos e harruar edhe kryetarin e parë Ajdin Nuredinin, mund të krenohemi se kemi pasur pjesëmarrës në Lojnat Olimpike për të rinj në Argjentinë, 5 garues tanë kanë marrë pjesë në Lojërat Olimpike Evropiane në Baku të Azerbajxhanit, pjesëmarrës nga f garat e shumta ndërkombëtare, ndërsa si klub gjithmonë, kemi qenë në mesin e më të mirëve në Maqedoninë e Veriut. Në pa mundësi që të përmenden të gjithë ata të cilët kanë mbrojtur ngjyrat e këtij klubit, të gjithë ata të cilët e kanë përkrahur mund t’ju them FALIMINDERIT për kontributin e dhënë.
Klubi i Atletikës Studenti vazhdon rrugëtimin e vetë të sukseseve edhe më tej me shpresë së gjithmonë do ju bëjmë krenarë me rezultatet e arritura .
Lajme nga vendi
VLEN sulmon BDI-në: “Vazhdojnë me manipulime, Korridoret 8 dhe 10 do të realizohen”
Koalicioni VLEN ka reaguar ashpër ndaj Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), duke e akuzuar për, siç thuhet, vazhdimësi të manipulimeve dhe propagandës në skenën politike.
Në reagimin nga VLEN theksojnë se “vetëm BDI dhe klika e saj mbeten të mbyllura në matricën e gënjeshtrave dhe manipulimeve”, duke shtuar se dalja publike më 1 prill, sipas tyre, ishte një konfirmim i kësaj qasjeje.
VLEN kritikoi edhe përfshirjen e Bajram Rexhepit në sulmet ndaj kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, duke e cilësuar këtë si një përpjekje të pabazë për të diskredituar, siç thonë ata, një nga kryetarët më të suksesshëm të komunave shqiptare.
Sipas VLEN BDI nuk ka kredibilitet për të folur për Bashkimin Evropian, duke e akuzuar për devijim të rrugës evropiane gjatë viteve të qeverisjes përmes korrupsionit, kapjes së shtetit dhe vendimeve të diskutueshme politike.
Sa i përket projekteve infrastrukturore, VLEN thekson se kritikat e BDI-së për Korridoret 8 dhe 10 nuk mund të merren seriozisht, duke shtuar se këto projekte janë strategjike dhe do të realizohen pavarësisht, siç thuhet, “zhurmës politike”.
“Punimet në Korridorin 8 po zhvillohen dhe progresi është i dukshëm në të gjitha segmentet. Qytetarët e Strugës mund të jenë të bindur se projekti do të përfundojë me sukses”, thuhet në reagim e VLEN-it, transmeton Zhurnal.mk.
-
Lajme nga vendi2 months agoRrjeti i madh i dyqaneve për produkte të shtëpisë Comodita Home po rritet akoma më tepër, tash me dyqanin më të madh në Re Mall, Tetovë
-
Lajme nga rajoni6 days agoZbardhet dëshmia e autorit të vrasjes së Liridonës, Plava: Kisha marrëveshje me Murselin, më tha se Behgjet Pacolli ka qenë në dijeni
-
Lajme nga bota6 days ago“Do jem makthi i Iranit”, Trump ‘kërcënon’ sërish: Nëse nuk ulen në negociata, bombardimet do të shtohen

