Lajme nga vendi
Statistika nga Këshilli i Evropës, rritet shkalla e burgosjes në Maqedoninë e Veriut
Më 31 janar të vitit të kaluar në Maqedoninë e Veriut, e ashtuquajtura shkalla e burgosjes ishte 142 të burgosur për 100,000 banorë, që paraqet rritje prej 25.5 për qind në nivel vjetor, treguan të dhënat nga statistikat vjetore penale të Këshillit të Evropës për vitin 2023.
Me këtë, siç njofton AIM, Maqedonia e Veriut është në vendin e dytë në mesin e anëtarëve të Këshillit të Evropës sipas rritjes së shkallës së dënimit me burgim pas Moldavisë, e cila ka rritje prej 52,1 për qind. Pas RMV-së, janë Qiproja me rritje të shkallës së burgosjes prej 24,8 për qind, Turqia me 15, Azerbajxhani me 12,5, Irlanda me 11,7, Mali i Zi me 11,3, Armenia me 10,6, Kroacia me 10,4 dhe Hungaria me 8,7 për qind.
Uljen më të madhe vitin e kaluar më 31 janar 2023 krahasuar me të njëjtën datë të vitit 2022 e ka regjistruar Lituania me 8.9 për qind, përpara Estonisë me 8.8 dhe Greqisë me 5.2 për qind.
Nga vendet e tjera të rajonit, në Bullgari shkalla e burgosjes në një vit është rritur me 8,1 për qind, në Serbi me 4,2 për qind, në Slloveni me 2,1 për qind dhe në Shqipëri me 1,6 për qind, ndërsa në Rumani është e pandryshuar. Ndryshe, norma mesatare e burgosjes në Evropë ka shënuar rritje prej 2.4 për qind.
Ndërsa nominalisht, me 142 të burgosur për 100,000 banorë, Maqedonia e Veriut është në vendin e 15-të në mesin e 48 administratave të burgjeve të shteteve anëtare të Këshillit të Evropës të përfshira nga analiza.
Turqia ka shkallën më të lartë të burgosjes me 408 të burgosur për 100,000 banorë, përpara Gjeorgjisë me 256, Azerbajxhanit me 244, Moldavisë me 242, Hungarisë me 211, Polonisë me 194, Sllovakisë me 183, Shqipërisë me 179, Çekisë me 176, Lituanisë me 174, Letonisë me 172, Malit të Zi me 168, Serbisë me 162, Estonisë me 151 dhe Maqedonia e Veriut me 142 të burgosur për 100,000 banorë.
Shkalla më e ulët e burgosjes u regjistrua në Finlandë me 52 të burgosur për 100,000 banorë, Holandë me 52, Norvegji me 55, Gjermani me 67, Slloveni me 68, Danimarkë me 71, Zvicër me 73, Armenia me 79, Suedi me 80 dhe Irlandë me 85 të burgosur për 100.000 banorë.
Lajme nga vendi
POROJ – PËRKUJTOHET 27-VJETORI I RËNIES SË DËSHMORIT MUJDIN ALIU
Në fshatin Poroj u shënua 27-vjetori i rënies heroike të dëshmorit Mujdin Aliu, i cili ra në betejën e lavdishme të Koshares. Me këtë rast, familjarë, bashkëfshatarë dhe qytetarë të shumtë u mblodhën për të nderuar jetën dhe veprën e tij. Pranë vendit përkujtimor u vendosën kurora me lule dhe u bënë homazhe në shenjë respekti për sakrificën e dëshmorit. Bashkëveprimtarët e tij kujtuan sakrificën e tij dhe të familjes së tij në çlirimin e themelimin e shtetit të pavarur të Kosovës duke nderuar veprën dhe vendosmërinë e dëshmorit, Mujdin Aliu.
Deklaratë – XHEMAIL JUSUFI – Ish luftëtar
Deklaratë – LUAN VELIU – Ish luftëtar
Deklaratë – FAZLI VELIU – SHVL-UÇK
Të pranishmit vlerësuan lart kontributin e Mujdin Aliut, duke theksuar se ai mbetet simbol i guximit dhe përkushtimit për lirinë e atdheut. Në fjalët e tyre u nënvizua se sakrifica e dëshmorëve është themeli mbi të cilin është ndërtuar liria që gëzojmë sot.
Në përfundim të ceremonisë, u përsërit zotimi se kujtimi dhe vepra e dëshmorëve do të ruhen dhe do të përcillen brez pas brezi.
Lavdi e përjetshme dëshmorit Mujdin Aliu!
Lajme nga vendi
BIE ÇMIMI: DIZELI MË LIRË PËR 2.5 DENARË, BENZINAT PËR 1.5 DENARË!
Derivatet e naftës lirohen mesatarisht për 2.73%.
Nga mesnata një litër naftë do të shitet për 95.5 denarë, EUROSUPERI BS-95 për 82 denarë, kurse EUROSUPERI BS-98 do të kushtojë 84 denarë.
Komisioni Rregullator për Energjetikë miratoi vendimin për konstatimin e çmimeve më të larta të shitjes me pakicë për derivatet e naftës dhe karburantet e transportit.
Sipas vendimit, çmimi i ri i vajit ekstra të lehtë për amvisëri është 96.5 denarë për litër, çmimi i mazutit do të jetë 49.227 për kilogram.
Komisioni Rregullator për Energjetikë sqarojnë se korigjimi i çmimeve është si rezultat i uljes së çmimeve referenciale në bursat botërore, si dhe lëvizjes së kursit të denarit lidhur me dollarin amerikan.
Benzina ulet mesatarisht për 2.7%, dizeli për 3.25%.
Në arsyetim potencohet se gjatë formimit të çmimeve janë marrë parasysh edhe akcizat, harxhimet për distribuim, kompensimi për rezervat dhe harxhimet ekologjike, konform metodologjisë në fuqi.
Lajme nga vendi
Ministria e Ekonomisë dhe Punës: Rritje minimale e çmimeve, ulje e marzhit tregtar te produktet bazë
Ministria e Ekonomisë dhe Punës, në bashkëpunim me Inspektoratin Shtetëror të Tregut, përpiloi analizë krahasuese të lëvizjes së çmimeve të produkteve bazë ushqimore dhe joushqimore, në përputhje me konkluzionin e miratuar në seancën e 162-të të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Analiza përfshin çmimet e 55 produkteve më të shitura, të përcjella në katër zinxhirë tregtar me pozicionim të ndryshëm të çmimeve, në periudhën nga 1 shkurti deri më 1 prill të vitit 2026.
Rezultatet tregojnë se në periudhën e analizuar është regjistruar rritje minimale e çmimeve të shitjes prej 0,43%, derisa çmimet e blerjeve shënojnë rritje diçka më të lartë prej 1,01%. Në të njëjtën kohë, marzhi mesatar i fitimit bruto te tregtarët është ulur nga 16,28% në 15,80%, gjë që tregon se një pjesë e presionit nga rritja e çmimeve blerëse është absorbuar nga tregtarët, me qëllim që të ruhet stabiliteti i çmimeve për qytetarët.
Në lidhje me kategoritë individuale:
– Тe produktet ushqimore bazë ka rritje të lehtë prej 0,45%, me ç’rast rritje më të madhe ka te kosi, djathi, vezët dhe vaji;
– në rastin e pijeve joalkoolike është regjistruar ulje prej 1,01%;
– te frutat dhe perimet ka rënie prej 0,86%, përkundër rritjes së domateve dhe qepëve;
– te produktet bazë të higjienës është shënuar rritje prej 1,42%.
Ministria vlerëson se lëvizjet e çmimeve në periudhën e analizuar janë mesatare dhe nën kontroll, falë edhe uljes së marzheve tregtare.
Ministria e Ekonomisë dhe Punës do të vazhdojë të monitorojë në mënyrë aktive kushtet e tregut dhe, nëse është e nevojshme, të propozojë masat e duhura për stabilizimin e çmimeve.
-
Lajme nga bota3 weeks ago“Do jem makthi i Iranit”, Trump ‘kërcënon’ sërish: Nëse nuk ulen në negociata, bombardimet do të shtohen
-
Lajme nga rajoni3 weeks agoZbardhet dëshmia e autorit të vrasjes së Liridonës, Plava: Kisha marrëveshje me Murselin, më tha se Behgjet Pacolli ka qenë në dijeni
-
Sport3 weeks agoBARDHI: NËNVLERËSIMI VETËM SE NA MOTIVON KUNDËR DANIMARKËS!

