Lajme nga vendi
9.4% më shumë divorce sesa vitin e kaluar! Gjendja ekonomike dhe dëshira për liri, ndër shkaqet kryesore?
Divorcet në Maqedoninë e Veriut çdo vit e më shumë po shënojnë rritje, tregojnë të dhënat e Entit të statistikave. Rritja në vitin 2023 është 9,4 për qind krahasuar me një vit më parë, kur janë prishur 1.765 martesa.
Po pse, dhe çfarë e bën një çift që të tejkalojë çdo sfidë, për të mos shkuar në divorc. Për ta mësuar këtë dolëm për të pyetur më të moshuarit, gjeneratë e cila divorcin mund ta ketë parë si zgjidhjen e fundit.
Një qytetar mendon se ndër arsyet e shpeshta që i çojnë çiftet drejt divorcit është gjendja e ekonomike.
“Po martohen shumë të ri, dhe nuk e kanë atë ndërgjegjen familjare pastaj edhe “mos-pasja” po i detyron më tepër të ndahen kanë shumë fëmijë 2-3, me çfarë t’i ruajnë, pastaj ndahet me gruan shkaku i fëmijëve, edhe pak si të ri po martohen, në moshën e re 18-20 vjet pak është problem të martohesh”, tha një qytetar.
Na tregoi po ashtu se zënka e vetme me gruan e tij ka qenë shija e ushqimit.
“Ndonjëherë nëse nuk më ka pëlqyer ndonjë gjellë me më shumë kripë ose me yndyrë dhe i kam thënë më pak, ndonjëherë i kam thënë. Kështu probleme jo”, tha qytetari.
Një qytetar tjetër u përgjigj shkurt se problemi kryesor i divorceve është gjendja financiare.
“Për “idare”, nuk kanë të holla nuk kanë”, shtoi qytetari.
Sociologu Ali Pajaziti tregon disa pika kyçe për arsyet e divorceve është dëshira e çifteve të reja për liri të plotë dhe që askush të mos u përzihet në jetën e tyre.
“Modernizimi i jetës e ka sjellë atë ngarkesën personale dhe dëshiron që çdo njeri të jetë individ, pra të ketë hapësirën e vet të lirisë dhe të mos i përzihet askush pra në jetën e vet. Gjendja financiare ose ekonomia pra e cila neve na mbjell ngarkesa dhe kërkesa të shumta ekonomike dhe në këtë drejtim shpesh ne nuk mundemi që ne t’i realizojmë ato që neve ëndërrojmë na bën që fajin t’ia hedhim tjetrit, kinse pala tjetër është fajtore për këtë ngecje ekonomike dhe pamundësi për të kapur ritmin, dhe kështu krijohet një ambient i mosdurimit, intolerancës”, deklaroi sociologu Ali Pajaziti.
Nëse shihen divorcet sipas moshës së çifteve, statistikat tregojnë se numri më i madh i ndarjeve ka ndodhur në grupmoshën nga 35 deri në 39 vjeç, nga të cilat 310 ose 17,6 % në femrat dhe 295 ose 17.6% për meshkujt. Sipas kohëzgjatjes së martesës, shumica e divorceve, 393 ose 22,3%, kanë ndodhur nga 5 deri në 9 vjet pas lidhjes së martesës./TV21
Lajme nga vendi
4 të miturat që rrahën dhe filmuan 13-vjeçaren dërgohen në shtëpi edukative-korrektuese
Gjykata Themelore Penale në Shkup ka shqiptuar masa edukative për katër të miturat e përfshira në rastin e dhunës brutale ndaj një vajze 13-vjeçare në komunën e Gjorçe Petrovit.
Sipas vendimit, e mitura e akuzuar e para është dërguar në shtëpi edukative-korrektuese për një vit, ndërsa tri të tjerat për nga tetë muaj.
Rasti kishte tronditur opinionin publik pasi katër vajzat kishin ushtruar dhunë fizike ndaj viktimës në dy raste të ndara. Gjatë sulmit, disa nga të pranishmit e kishin filmuar ngjarjen me telefona mobilë.
Pamjet e publikuara nga mediat tregonin se 13-vjeçarja ishte goditur me shqelma dhe grushte, ishte tërhequr për flokësh dhe kishte përfunduar e gjakosur në fytyrë.
Për këtë rast, Prokuroria kishte nisur procedurë ndaj katër të miturave për veprën penale „dhunë“. Ndërkohë, ishin ngritur edhe gjashtë kallëzime penale ndaj prindërve të tyre, nën dyshimin për neglizhencë dhe keqtrajtim të fëmijëve.
Vendimi gjyqësor ende nuk është i formës së prerë./skopje1.mk
Lajme nga vendi
MICKOSKI PARALAJMËRON PERIUDHË TË VËSHTIRË PËR ENERGJINË ELEKTRIKE
Qeveria planifikon rritjen e prodhimit të energjisë elektrike në Termoelektranat në Manastir dhe Osllomej, përmes sigurimit të qymyrit nga Kosova, si dhe rifillimin e punës së Termoelektarnës në Negotinë, me qëllim sigurimin e furnizimit të qëndrueshëm gjatë dimrit, parandalimin e rritjes më të madhe të çmimit të rrymës dhe mbrojtjen e vendit nga goditja e çmimeve të energjisë në tregun evropian.
Rritja e çmimit të rrymës për amvisëritë mund të arrin deri në 5 për qind, por qeveria po ndërmerr aktivitete që rritja eventuale të mos jetë më e madhe se kaq, paralajmëroi kryeministri Hristijan Mickoski.
Në një brifing me gazetarët, ai shpjegoi se po përgatitet një model për rritjen e prodhimit vendor të energjisë elektrike, i cili parasheh sigurimin e qymyrit nga Kosova për nevojat e Termocentralit në Manastir, kombinimin e tij me sasitë vendore dhe furnizime shtesë nga Greqia. Në plan është edhe aktivizimi i sërishëm i bllokut të tretë në termocentral.
Mickoski paralajmëroi se tregjet energjetike në Evropë po përballen me rritje të ndjeshme të çmimeve, ku energjia elektrike dhe gazi janë shtrenjtuar deri në tri herë. Sipas vlerësimeve të tij, në muajt e ardhshëm çmimi i energjisë elektrike mund të arrijë nga 350 deri në 400 euro për megavat-orë.
Për sigurimin e qymyrit nga Kosova tashmë po përgatitet një model logjistik, përmes të cilit do të mundësohet transporti i më shumë se 6.000 tonëve në ditë. Për realizimin e këtij operacioni parashihet angazhimi i mbi 200 kamionëve.
Procedura e tenderimit për transportin dhe deponimin e qymyrit është në zhvillim e sipër, ndërsa pritjet janë që të përfundojë deri në fund të muajit.
Mickoski vlerësoi se zhvillimet në tregun evropian të energjisë paraqesin rrezik serioz për inflacionin, por theksoi se Qeveria po ndërmerr masa për ruajtjen e stabilitetit ekonomik.
Lajme nga vendi
40 VJET KRIJIMTARI: TETOVA NDERON SADIJE ALITI ME AKTIVITET TË VEÇANTË KULTUROR
Biblioteka Universitare “Koço Racin” në Tetovë ka organizuar sot një aktivitet të veçantë kulturor në Muzeun e Tetovës, duke bashkuar autorë, lexues dhe dashamirës të letërsisë në një takim kushtuar librit dhe krijimtarisë letrare. Në fokus të këtij aktiviteti ishte shënimi i 40-vjetorit të krijimtarisë letrare të autores Sadije Aliti, e cila ishte protagonistja kryesore e këtij organizimi.
Gjatë aktivitetit, drejtori i Bibliotekës Universitare “Koço Racin”, Binaz Pajaziti, foli për rëndësinë e promovimit të vlerave letrare, mbështetjen e autorëve vendas dhe rolin që ka biblioteka në zhvillimin e jetës kulturore.
Ndërkaq, autorja Sadije Aliti u vu në qendër të vëmendjes për rrugëtimin e saj katërdekadësh në letërsi, duke shënuar një përvjetor të rëndësishëm të krijimtarisë së saj.
Aktiviteti përfshiu edhe takimin me autorët vendas, me qëllim të shkëmbimit të përvojave dhe promovimit të krijimtarisë letrare, si dhe aktivitetin e Klubit të Lexuesve të Bibliotekës Universitare “Koço Racin”. Ky organizim përbën një tjetër nismë kulturore të bibliotekës, me synimin për të afruar autorët dhe lexuesit dhe për të nxitur interesimin për librin dhe letërsinë në Tetovë./Tv Koha/
-
Lajme nga rajoni2 months agoKa ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë
-
Lajme nga rajoni2 months agoFilloi në Hagë seanca për deklaratat përfundimtare ndaj Thaçit dhe të tjerëve
-
Lajme nga rajoni2 months agoThaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13

