Lajme nga vendi
Nga sot ndalim i plotë i lëvizjes në pyje: Dënime të larta për ata që nuk respektojnë ligjin
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave, me kërkesë të NP “Pyjet Kombëtare”, ka dhënë pëlqimin për vendosjen e ndalimit të plotë të lëvizjes në pyje dhe toka pyjore. Pëlqimi i tillë jepet në përputhje me nenin 57, paragrafi 3 i Ligjit për Pyjet, për shkak të rrezikut të shtuar dhe parandalimit të zjarreve në pyje në hapësirë të hapur.
Ndalimi i plotë i lëvizjes në pyje dhe toka pyjore futet në territorin e administruar nga NP “Pyjet Kombëtare”, dhe fillon nga data 15.07.2024 dhe do të zgjasë deri në ditën e revokimit, në periudhën nga ora 06:00 deri në orën 20: 00 . Ndalimi i plotë i lëvizjes në pyje do të zgjasë deri në vlerësimin se rreziku i zjarreve në pyje është ulur. Lëvizja në pyje do të lejohet vetëm me miratim me shkrim të lëshuar nga filialet e NP “Pyjet Kombëtare”, për sipërfaqen që ata menaxhojnë.
Për mosrespektim të kësaj ndalese të plotë të lëvizjes në pyje dhe tokë pyjore, personat fizikë të cilët do të kapen duke lëvizur në pyje dhe tokë pyjore, në pajtim me nenin 106 të Ligjit për pyje, do të dënohen me gjobë prej 1.500 deri në 2.000 euro në kundërvler me denarë.
Lajme nga vendi
Sistemi i ri elektronik për ndërhyrjet kirurgjike jo urgjente, Aliu: Transparencë në shëndetësi dhe në listat e pritjes së operacioneve
Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, sot në konferencë për shtyp promovoi modulin e ri për evidencë elektronike të ndërhyrjeve kirurgjikale elektive në institucionet publike shëndetësore. Pacientët që kanë caktuar ndërhyrje të tilla përmes portalit do të jenë në gjendje të shohin se kur është caktuar ndërhyrja dhe sa është e gjatë lista e pritjes. Ministri i Shëndetësisë Aliu shpjegoi se në portalin publik i cili ndodhet në faqen e internetit të Ministrisë, do të jetë në dispozicion lista e ndërhyrjeve kirurgjikale elektive, me një kategorizim të qartë të ndërhyrjeve dhe rregulla të standardizuara për futjen dhe përditësimin e të dhënave.
“Për herë të parë vendosim rregull dhe një protokoll të qartë që evidenca elektronike e ndërhyrjeve të caktuara të mbahet në mënyrë transparente. Qëllimi është që çdo pacient ta marrë shërbimin sipas parimit “i pari që vjen, i pari shërbehet”. Portali mundëson kërkim dhe paraqitje të të dhënave përmes disa parametrave të kombinuar, në mënyrë që të jetë i dobishëm si për qytetarët ashtu edhe për krijuesit e politikave. Përdoruesit e portalit publik mund të kërkojnë sipas: specialitetit të mjekut, ndërhyrjes kirurgjikale, institucionit publik shëndetësor, mjekut specialist dhe numrit të pacientëve që presin”, theksoi ministri Aliu.
Ai shtoi se aktualisht evidenca për ndërhyrjet kirurgjikale elektive mbahet në sistemin “Termini im”, përmes lëshimit të një rekomandimi me tip “rekomandim spitalor për operacion”, por janë konstatuar mospërputhje, ndër të cilat: rekomandimet nuk lëshohen menjëherë pas konstatimit të nevojës për operacion, por para vetë ndërhyrjes; disa institucione dhe mjekë përdorin një lloj tjetër rekomandimi (trajtim konservativ) për evidencën e pacientëve në lista; mjekët i mbajnë listat në formë letre, ndërsa listat e pritjes nuk pastrohen rregullisht, gjë që krijon një perceptim jo të saktë për kohën e pritjes dhe nevojat reale.
“Institucioneve publike shëndetësore që kryejnë ndërhyrje kirurgjikale tashmë u janë dërguar njoftime individuale me të dhëna nga analiza e realizuar. Çdo institucioni i është treguar veçmas nëse dhe sa dallon numri i ndërhyrjeve të kryera nga numri i rekomandimeve të realizuara për operacion në sistemin “Termini im”. Me këtë risi po rrisim transparencën, po mundësojmë matje reale të kohës së pritjes dhe, rrjedhimisht, planifikim dhe shpërndarje më të mirë të burimeve, si dhe zbatim të praktikave evropiane në këtë fushë,”– përfundoi ministri.
Lajme nga vendi
RRITJA E PAGAVE: PËRPLASJE LSM – MICKOSKI!
Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë ka dorëzuar nismën ku kërkohet ulja e pagave të funksionarëve për 80%.
LSM-ja propozon që baza e llogaritjes së pagave të deputetëve dhe funksionarëve, në vend të asaj minimale të jetë paga minimale si dhe ulja e koeficientëve për llogaritjen e pagave dhe kompensimeve për 40%.
SLOBODAN TRENDAFILOV – LSM
“120 deputetët menjëherë të votojnë për nismën për shkak se u thonë punëtorëve se mirë jetohet me pagë minimale dhe e ruajnë në sirtar propozimin e LSM-së për rritjen e pagës minimale dhe pagave tjera për së paku 6.000 denarë”
Por, Kryeministri Mickoski thotë se sindikatave u është ofruar formula sipas së cilës do të llogariten të ardhurat personale për të punësuarit në administratën publike, duke shtuar se pjesa më e madhe e sindikatave pajtohen që pagat të llogariten sipas formulës ekzistuese të qeverisë.
HRISTIJAN MICKOSKI – KRYEMINISTËR
“Pres që të dalin nga përqafimi partiak disa nga udhëheqësia e LSM-së dhe të dakordohen me Qeverinë në interes të punëtorëve, për shkak se 7.700 deri 7.800 kolegë tanë nuk kanë marrëveshje kolektive me qeverinë, kurse gjithë të tjerët kanë. Fomula paraseh rritje vjetore prej rreth 8% që deri në vitin 2028 do të kishte rreth 40% paga më të larta”
Derisa kërkohet zgjidhje për paga më të larta, Sindikata e punonjësve të administratës, organeve të jurisprudencës dhe shoqatave të qytetarëve nesër kanë një takim në Qeveri . Nga ana tjetër LSM-ja rikujton se mbeten në qëndrimin që paga minimale të jetë 600 euro dhe plus 100 euro dhe për të martën nisin me protesta dhe bllokime duke mos përjashtuar grevën.
Lajme nga vendi
Rritja e pagës minimale në 600 euro do të jetë një goditje e madhe, do të mbyllë shumë dyqane, reagojnë zejtarët
Mbylljen e një numri të madh të dyqaneve artizanale dhe pushime nga puna e të punësuarve do të shkaktojë rritja e pagës minimale prej 600 euro siç kërkohet, paralajmëroi sot Oda e Zejtarëve – Shkup.
Sipas Odës, paga minimale duhet të llogaritet në përputhje me ligjin. Nëse ajo do të rritej në 600 euro, kjo do të nënkuptonte një goditje të madhe për shkak të rritjes drastike të kostove të kontributeve.
“Ne nuk jemi kundër rritjes së pagës minimale, por ajo duhet të jetë e qëndrueshme, bazuar në një analizë të mirë. Sektori i artizanatit nuk mund ta përballojë këtë ritëm të rritjes së vazhdueshme të shpenzimeve. Duhet të merret në konsideratë situata e artizanëve që punojnë në qytete më të vogla dhe zona rurale ku ka migrim të lartë dhe konsum dukshëm më të ulët të produkteve dhe shërbimeve artizanale. Për të mbijetuar dhe për të ruajtur likuiditetin, artizanët do të detyrohen të rrisin çmimet, gjë që do të ulë më tej kërkesën dhe do të çojë në mbylljen e një numri të madh biznesesh artizanale”, tha kryetari i Odës së Zejtarëve – Shkup, Goran Ristovski, në konferencën e sotme për media.
Siç theksoi Ristovski, rritja e pagës minimale në 600 euro do të ndikojë drejtpërdrejt te zejtarët që paguajnë një taksë të plotë paushale sipas një vendimi nga DAP dhe te zejtarët që paguajnë taksë sipas të ardhurave reale të fituara.
Kryetari i Odës theksoi se në Shkup ka mbi 2.300 zejtarë, ndërsa në nivel të vendit ka rreth 8.000. Ka mungesë të fuqisë punëtore në të gjithë sektorët, por është mirë”, vlerësoi Ristovski.

