Lajme nga rajoni
Skandali me mikrokreditë, Olsi Ibro është hedhur nga pallati duke i dhënë fund jetës
Olsi Ibro, njëri prej të akuzuarve për skandalin me mikrokreditë është hedhur nga pallati duke i dhënë fund jetës.
Kjo ngjarje vjen vetëm një dite pas sekuestrimit të dy shoqërive Micro Credit Albania dhe “Final” nga Prokuroria e Tiranës.
Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur ditën e sotme, 20 Korrik në rrugën “Ramazan Shijaku”, ku dyshohet se 45 vjeçari Ibro është vetëhedhur nga lartësia e një pallati në ndërtim e sipër dhe për pasojë e dëmtimeve të marra ka ndërruar jetë në vendngjarje.
Micro Credit Albania është një institucion financiar jobankë i licencuar në vitin 2016 që drejtohej nga çifti Olsi dhe Elda Ibro, kjo e fundit shërbente edhe si administratore e shoqërisë MCA (Mikro Kredit Albenia).
MCA ka mbi vete vetëm veprën penale të “mashtrimit me pasoja të rënda dhe kryer më shumë se një herë dhe në bashkëpunim”; por “Final” përveç akuzës së përbashkët me MCA, akuzohet edhe për pastrim parash. Por deri më tani, nga Prokuroria e Tiranës nuk jepen sqarime se paratë e kujt janë “pastruar” përmes kësaj kompanie që tashmë është nën sekuestro.
Nga hetimet, del se MCA dhe Final, duke bashkëpunuar me shoqërinë “ADCA” dhe me disa shoqëri të tjera përmbarimore kanë krijuar një skemë mashtruese për të zhvatur qytetarët. Ende nuk është përllogaritur vlera e mashtrimit ndaj qytetarëve, për shkak se është ose në para, ose në prona, ose të dyja bashkë janë të riinvestuara. Ndaj përllogarit një dëm që sipas hetuesëve arrin në 10-tra milion euro. Të gjitha këto prona dhe para që u janë marrë qytetarëve, kompanitë i kanë investuar ose i kanë përdorur për aktivitete të tjera.
Prokuroria ka dalë në përfundimin se punonjës e tyre, në bashkëpunim me përmbaruesit: kanë përdorur të dhënat personale të siguruara në mënyrë të paligjshme të individëve,debitorëve pa asnjë mundësi për përballimin e jetesës së përditshme. Bëhet fjalë për numra e telefonit, të vetat apo të familjarëve dhe të dhëna të gjendjes civile, punësimi etj.
Kanë përdorur presionin psikologjik dhe përndjekjen e debitorëve dhe familjarëve të tyre nëpërmjet telefonatave të vazhdueshme, dhe jo vetëm telefonata, me qëllim nënshkrimin e marrëveshjeve të reja të kredive
Kanë gënjyer në përllogaritjen e një detyrimi të fryrë dhe pa asnjë bazë ligjore. Kanë sekuestruar llogari bankare në kundërshtim me ligjin dhe tej minimumit jetik, madje dhe pa ndonjë afat kohor. Kanë sekuestruar prona të paluajtshme në mënyrë jo proporcionale me detyrimin e mbetur. Kanë shitur apo kanë kaluar në pronësi të MCA, pasuritë e paluajtshme të debitorëve apo personave të tjerë në ankande fiktive me vlera shumëfish më të ulëta se sa vlera reale e këtyre pronave, prona të cilat janë vlerësuar në mënyrë fiktive.
Skandali i mikrokredive në SPAK
Deri tani për mashtrimin me mikrokreditë, gjykata në maj 2024 ka lënë në masën e sigurisë “arrest shtëpie”: Elda Ibro, Jorsida Dervishi, Alketa Tanushi e Kejda Seferi, ndërsa në burg janë: Arben Meskuti, Aldo Daka, Albert Gega dhe Edmond Mato, në kërkim ende Alban Kote.
Në 30 maj 2024 Prokuroria e Tiranës sekuestroi afro 10 milionë euro në llogaritë bankare të dy shoqërive të mikrokreditit dhe të nëntë personave, administratorë dhe përmbaruesë nga institucione të mikrokrediti dhe disa shoqërive të përmbarimit.
Tashmë çështja është në SPAK dhe gjithçka pritet të dalë në shesh.Më 30 maj 2024 Prokuroria e Tiranës ka shpallur moskompetencë dhe dërgoi në SPAK dosjen
Lajme nga rajoni
Krimi i rëndë në Kosovë/ Kjo është 25-vjeçarja që u vra me armë zjarri, dyshohet se u qëllua nga bashkëshorti i saj, ishte në javën e 34 të shtatzënisë
Zbardhen detaje tronditëse nga ngjarja e rëndë që ndodhi në Malishevë të Kosovës, ku një grua, e cila ishte 34 javëshe u vra me armë zjarri. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e djeshme në fshatin Kërvasari.
Për krimin makabër akuzohet bashkëshorti i saj, i cili është gjetur i plagosur në dhomën e tyre të gjumit, ndërsa ndodhet në gjendje të rëndë për jetën në spital.
Sipas informacioneve burri ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij Jetlira Foniqi e moshës 25-vjeçare. Lidhur me rastin janë deklaruar edhe nga Policia e Kosovës.Zëdhënësja e policisë për rajonin e Gjakovës, Vlera Krasniqi, deklaroi se njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku në një dhomë gjumi kanë gjetur dy persona të plagosur, një burrë dhe bashkëshortja e tij.
Gjithashtu, sipas njoftimit të QKUK-së, rreth orës 00:15 të datës 24 gusht 2026, në Qendrën Emergjente janë pranuar dy persona nga rajoni i Malishevës.
“Njëri prej personave të pranuar, femër, 25-vjeçare, ka arritur në Qendrën Emergjente pa shenja jete, me plagë të shkaktuara nga arma e zjarrit. Personi tjetër, mashkull, 26-vjeçar, është pranuar me plagë të shkaktuara nga arma e zjarrit dhe aktualisht është duke marrë trajtim mjekësor në Qendrën Emergjente. Gjendja e tij shëndetësore raportohet të jetë shumë e rëndë”, thuhet në njoftim.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të kësaj ngjarjeje janë duke vazhduar.
Lajme nga rajoni
Vuçiq kërcënon me devijimin e Ibrit: Fuqi apo pafuqishmëri?
Devijimi i lumit Ibër, të cilin e përmendi Aleksandar Vuçiq, ka hapur pyetje për realizueshmërinë, motivet politike dhe pasojat për Kosovën. Presioni ndaj komunitetit serb në Kosovë dhe masat e Prishtinës kanë shkaktuar pakënaqësi në Beograd, ndërsa si një nga përgjigjet e mundshme Aleksandar Vuçiq përmendi mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër. Siç deklaroi ai, në një rast të tillë, “do të shohim se çfarë do të bëjnë shqiptarët dhe si do të sillen”.
Sistemi ujor Ibër-Lepenac ka rëndësi strategjike për furnizimin e Kosovës me ujë të pijshëm dhe për prodhimin e energjisë elektrike. Prandaj është e kuptueshme që kjo deklaratë kërcënuese shkaktoi shqetësim të konsiderueshëm në qarqet kosovare dhe ndërkombëtare.
Prishtina thekson se e drejta ndërkombëtare dhe konventat ndërkombëtare për mbrojtjen e burimeve ujore ndërkufitare ndalojnë shprehimisht përdorimin e ujit si armë ose si mjet për presion politik. Ibri është një rrjedhë ujore ndërkombëtare që buron në Mal të Zi, kalon nëpër Kosovë dhe më pas, përmes Serbisë qendrore, derdhet në Moravën Perëndimore. Në këtë mënyrë, një ndërhyrje e mundshme do të mund të kishte pasoja edhe për shtetet e tjera në pellgun e Danubit.
Ëndrrat epike të Aleksandar Vuçiqit
Ekspertët në Serbi paralajmërojnë se bëhet fjalë për një ndërmarrje epike që mund të zgjasë me dekada. Për realizimin e saj do të nevojiteshin mjete të mëdha financiare, ndërsa devijimi i rrjedhës natyrore të lumit përmes terreneve shkëmbore dhe malore të Maleve Dinarike do të kërkonte punime masive tokësore, ndërtimin e tuneleve dhe digave.
Një ndërhyrje e tillë mund të shkaktonte edhe pasoja serioze ekologjike në të gjithë rajonin e pellgut. Profesori i pensionuar i hidroteknikës dhe hidrologjisë, Jovan Despotoviq, tha për Fonет se deklaratat e presidentit serb për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit janë “si të ecësh në gjumë” dhe se bëhet fjalë për një projekt që është i pamundur të realizohet në një kohë të shkurtër pa shembur kodra dhe male, ndërsa një gjë e tillë nuk do të lejohej as sipas rregullave evropiane.
Ide të reja megalomane dhe fantazi të vjetra nacionaliste
Kur bëhet fjalë për presidentin e Serbisë, është e vështirë të thuhet se i mungojnë idetë megalomane. Prandaj është e vështirë të vlerësohet nëse bëhet fjalë për një paraqitje tipike të destinuar për opinionin e brendshëm, e cila shpejt do të harrohet, apo nëse vërtet po mendon seriozisht për një projekt të tillë.
Në çdo rast, Vuçiq njoftoi se ka iniciuar formimin e një grupi pune të përbërë nga inxhinierë dhe ekspertë të ndërtimit, i cili do të shqyrtonte mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër. Sipas tij, Serbia ka të drejtë sovrane të ndërmarrë aktivitete të tilla në territorin e saj.
Ideja për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit është shfaqur që në vitin 1985. Meqenëse në atë periudhë po punohej edhe në Memorandumin e Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve (SANU), kjo nismë shpesh lidhet me kontekstin politik të asaj kohe, por në fund u braktis.
Kryetari i Bordit Drejtues të Forumit për Marrëdhënie Etnike, Dushan Janiq, tha për DW se “nga Vuçiqi mund të pritet gjithçka, por nuk e prisja që të kthehej në periudhën 1983-1985, kur filluan edhe fantazitë e nacionalistëve serbë. Me ndryshimin e rrjedhës së Ibrit ata donin praktikisht të hiqnin dorë nga Kosova. Kjo tregon se nuk donin të merreshin me Kosovën, përveçse në nivelin e premtimeve dhe parullave se Kosova është zemra e Serbisë”.
Sipas Janiqit, kjo është edhe një përpjekje e Vuçiqit për t’u liruar nga përgjegjësia për politikat që ka ndjekur lidhur me Kosovën dhe, përmes krijimit të zhurmës politike, të sigurojë një alibi se “nuk mund të bëhej asgjë më shumë”.
Veçanërisht shqetësuese është, shton Janiqi, se nuk bëhet fjalë për një projekt racional.
“Ky nuk është një projekt që zgjidh ndonjë problem. Është një projekt i vogël ideologjiko-propagandistik, nëse mund të quhet fare kështu, qëllimi i të cilit është të krijojë edhe më shumë konfuzion dhe zhurmë në rajon, në mënyrë që njerëzit të mendojnë se pa ju nuk ka shpëtim dhe se po vjen katastrofa”, vlerëson Janiqi për DW.
Ndoshta nuk ishte e vështirë të parashikohej se do të pasonin paralajmërime se uji i Kosovës nuk u nevojitet vetëm shqiptarëve, por edhe komunitetit serb që jeton atje.
Janiqi kujton se “kërcënimi se do t’u bëhet dëm shqiptarëve është një histori boshe, sepse kanali Danub-Tisa-Danub u ndërtua për 20 vjet në një shtet shumë më të organizuar dhe më të pasur, ndërsa për Ibrin do të duheshin të paktën 50 vjet. Prandaj Vuçiqi vështirë se do të mund të shohë se si vuajnë shqiptarët, por dëm do të pësonin edhe të gjithë banorët e tjerë të Kosovës”.
Ai paralajmëron se tashmë është dëmtuar edhe imazhi i Serbisë dhe i udhëheqjes së saj.
“Kur dilni në publik me deklarata të tilla, secili do të pyesë veten nëse ky është partner me të cilin duhet bashkëpunuar”, thotë Janiqi.
Moisiu apo Sizifi?
Sa i përket ndikimit në pozitën e serbëve në Kosovë, ai vlerëson se ajo është karakterizuar nga monopoli i Listës Serbe.
“Pozita e komunitetit serb është çimentuar me një lloj korrupsioni social ndërmjet aktorëve politikë aktivë. Në atë komunitet praktikisht nuk ka sistem shumëpartiak, ndërsa për fat të keq edhe Bashkimi Evropian ndihmoi që kjo të mos ndryshojë. Demokracia dhe pluralizmi partiak thjesht nuk ishin temë e procesit të normalizimit”, konsideron Janiqi.
Në planin e brendshëm politik, Vuçiqi është përballur me kritika të shumta. Lideri i partisë Serbia Qendra (SRCE), Zdravko Ponoš, në mënyrë ironike vërejti se “derisa Vuçiqi po ushtron të bëhet Moisi, fillimisht do të duhej të përpiqej ta zgjidhte problemin me kanalizimin në Borça”.
Megjithatë, Dushan Janiqi mendon se një krahasim tjetër është shumë më i përshtatshëm.
“Mendoj se këto paraqitje vërtet kanë një dimension epik në kuadër të fushatës parazgjedhore, por më duket se këtu më shumë bëhet fjalë për mitin e Sizifit. Prandaj edhe e gjithë politika e jashtme tani është angazhuar për ta amortizuar atë që po ndodh në planin e brendshëm dhe për ta ndihmuar të ruajë pushtetin. Problemi i tij është se i mungon forca që guri të mos e shtypë”, përfundon Janiqi për DW./DW
Lajme nga rajoni
Miniq: Serbia ka rol destabilizues. Ajo harron se i ka nisur luftërat në ish-Jugosllavi
Ish-kryetarja e Lëvizjes Evropiane në Serbi dhe ekspertja për çështjet evropiane dhe marrëdhëniet rajonale, Jelica Miniq, deklaroi për RTK-në se pushteti në Beograd nuk ka ndërtuar marrëdhënie të qëndrueshme me shumicën e vendeve fqinje dhe vazhdon të ndjekë politikën e balancimit.
Ajo paralajmëron se dialogu Kosovë-Serbi është praktikisht i ngrirë, ndërsa pasojat e politikave të Beogradit dhe Prishtinës më së shumti i vuajnë serbët në Kosovë.
Duke folur për kritikat gjithnjë e më të shpeshta se Serbia, përmes veprimeve të saj, po kontribuon në destabilizimin e Ballkanit Perëndimor, Miniq vlerësoi se Beogradi ndikon negativisht në marrëdhëniet me fqinjët dhe ende nuk ka përcaktuar qartë drejtimin e tij të politikës së jashtme.
“Kur bëhet fjalë për Ballkanin Perëndimor, si një rajon i qartë me të cilin veprohet si në Bashkimin Evropian ashtu edhe në NATO, Serbia objektivisht ka një rol destabilizues”, tha Miniq.
Sipas saj, mbështetja te partnerë të largët globalë nuk mund t’i sigurojë një vendi stabilitet të qëndrueshëm, pasi ai ndërtohet para së gjithash përmes marrëdhënieve të mira me fqinjët e drejtpërdrejtë.
“Fakti që një shtet është klient i një partneri të largët, përtej oqeanit, amerikan apo aziatik, nuk i siguron atij stabilitet të qëndrueshëm”.
Se Ballkani Perëndimor ende nuk është stabilizuar në mënyrë të qëndrueshme dhe se politika e pushtetit në Beograd kontribuon në tensionet rajonale, po paralajmërojnë gjithnjë e më shpesh edhe përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar. Së fundmi, raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Tonino Picula, deklaroi se regjimi i presidentit Aleksandar Vuçiq është burimi kryesor i jostabilitetit në Serbi dhe në rajon.
Miniq thotë se politika e Beogradit reflektohet veçanërisht në marrëdhëniet me Bosnjë e Hercegovinën dhe Malin e Zi, por edhe në përkeqësimin e marrëdhënieve me Kroacinë.
Sipas vlerësimit të saj, Serbia dhe Kroacia kontribuojnë në tensionet politike në Bosnjë e Hercegovinë, ndërsa Beogradi në të njëjtën kohë përpiqet të ndikojë në zhvillimet politike në Mal të Zi, i cili po përparon në procesin e integrimit evropian.
Ajo konsideron se marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kroacisë janë më të këqija sesa ishin para dhjetë apo pesëmbëdhjetë vjetësh. Në vend të bashkëpunimit dhe zgjidhjes së çështjeve të hapura, ato janë të ngarkuara me akuza të ndërsjella dhe rikthim të vazhdueshëm te konfliktet e së kaluarës.
Miniq paralajmëron se një politikë e tillë nuk e rrezikon vetëm stabilitetin rajonal, por e vështirëson edhe pozitën e komuniteteve serbe në shtetet fqinje.
-
Lajme nga vendi1 month agoDyvjeçar nga Kumanova helmohet me tretës ngjyre, dërgohet në Klinikën “Nëna Terezë”
-
Lajme nga bota1 month agoFestivali kthehet në tragjedi, dy të vrarë dhe disa të plagosur nga të shtënat në Uashington. Arrestohet autori
-
Lajme nga bota1 month agoFranca në alarm, zjarret i afrohen Bordeaux, Macron mbledh qeverinë në takim krize

