Aleanca për Shqiptarët shpreh shqetësimin e saj të thellë lidhur me të dhënat e fundit qe vijne nga Ministria e Mbrojtjes, të cilat dëshmojnë për një përjashtim të qartë dhe të pajustifikueshëm të shqiptarëve nga përfaqësimi institucional.
Nga gjithsej 120 vendime për emërime në pozita të nënoficerëve, vetëm 14 janë shqiptarë. Një përfaqësim i tillë jo vetëm që nuk pasqyron realitetin demografik të vendit, por përbën një precedent të rrezikshëm drejt përjashtimit sistematik të shqiptarëve nga institucionet shtetërore, përfshirë edhe ato të sigurisë kombëtare.
Ky zhvillim nuk është rastësi administrative, por vazhdimësi e një politike diskriminuese që, fatkeqësisht, po zbatohet nën petkun e reformave dhe premtimeve për barazi. Ajo që po ndodh është një prirje e rrezikshme drejt margjinalizimit të shqiptarëve nga vendimmarrja dhe strukturat shtetërore.
U bëjmë thirrje përfaqësuesve të koalicionit VLEN dhe drejtuesve institucionalë që të ndalin menjëherë këtë politikë përjashtuese dhe të rikthejnë respektimin e përfaqësimit të drejtë dhe proporcional, ashtu siç e përcakton Kushtetuta dhe siç e imponon realiteti shumëetnik i vendit.
Shqiptarët nuk janë 10% e popullsisë, siç pasqyrohet në këtë rast dhe në shumë raste të tjera të ngjashme. Ata përbëjnë 29.52% të qytetarëve të këtij shteti, sipas të dhënave zyrtare. Çdo përpjekje për të mohuar këtë realitet është e papranueshme dhe cenon rëndë legjitimitetin e përfaqësimit shtetëror.
Aleanca për Shqiptarët do të vazhdojë të ngrejë zërin dhe të veprojë në mbrojtje të barazisë, përfaqësimit të drejtë dhe të dinjitetit të çdo qytetari shqiptar në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Rruga që ndoqi Aleanca për Shqiptarët, duke braktisur një qeveri monoetnike dhe duke refuzuar të qëndron si suvenirë i VMRO-DPMNE-së, është e drejtë. Koha po e dëshmon për çdo ditë se veprimi ynë ishte i duhur, i sinqertë dhe në interes të shqiptarëve.
Aleanca për Shqiptarët – ASH