Lajme nga vendi
Dje në Shkup janë djegur tri bastore
Në Shkup dje u dogjën tre pika bastesh sportive. Dy objektet ndodheshin në territorin e Butelit, ndërsa objekti i tretë në zonën e Gazi Babës.
“Dje në ora 02:24 dhe 03:06 në SPB Shkup është raportuar se në zonën e Butelit janë djegur dy objekte të basteve sportive dhe në një rast nga zjarri është përfshirë edhe objekti fqinj. Zjarri është shuar nga Brigada e Mbrojtjes nga Zjarri ndërkaq nuk është raportuar për persona të lënduar”, thonë nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Në orën 03:40 në SPB Shkup është raportuar se në zonën e Bit Pazarit është djegur dera e jashtme e hyrjes së një objekti të basteve sportive. Zjarri është shuar nga kalimtarët e rastit.
Lajme nga vendi
Gjendje alarmante në Gostivar, Valbon Limani: Lusim çdo qytetarë, të evitojnë daljet nga shtëpia pa nevojë!
Reshjet e dendura kanë shkaktuar vërshime në disa zona të banuara të qytetit, duke rënduar situatën në të gjithë rajonin e Pollogut. Kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me gjendjen e krijuar dhe ka kërkuar reagim urgjent nga institucionet përgjegjëse.
Sipas tij, përkundër përpjekjeve maksimale të Komunës dhe ndërmarrjeve komunale për të menaxhuar situatën në terren, nevojitet ndërhyrje e menjëhershme nga ELEM, si institucion me kompetenca për menaxhimin e ujërave të lumit Vardar, si dhe nga zyrat e Ekonomizimit të Ujërave, përgjegjëse për sistemin e ujitjes.
“Vështirësi të mëdha po hasen në të gjithë rajonin e Pollogut. Ju lutem veproni sa më shpejt”, ka apeluar kryetari Limani.
Autoritetet lokale vijojnë të jenë në terren, ndërsa pritet reagimi i institucioneve kompetente për stabilizimin sa më të shpejtë të situatës.
Lajme nga vendi
Rrezikuan jetën e skijatorëve me motorë: Kodra e Diellit denoncon shkelësit në polici
Qendra e skijimit “Kodra e Diellit” ka reaguar ashpër pas një incidenti të rëndë të ndodhur sot, ku dy persona me mjete motorike të ndaluara kanë hyrë në pistat e skijimit, duke rrezikuar drejtpërdrejt sigurinë e turistëve dhe skijatorëve.
Kodra e Diellit rikujton se siguria në pista është prioritet absolut dhe u bën thirrje të gjithë vizitorëve që të respektojnë rregullat strikte për të shmangur tragjeditë e mundshme. Ky reagim vjen si pjesë e masave të reja për disiplinimin e lëvizjes në resort, duke paralajmëruar sanksione të ashpra për të gjithë ata që thyejnë rregulloren e qendrës.
Lajme nga vendi
Strugë: Kamioni me targa shqiptare përplas për vdekje një 75-vjeçar
Më datë 16.02.2026, në orën 06:30, në Stacionin Policor të Strugës është raportuar një aksident i rëndë trafiku në rrugën magjistrale Podmol – Strugë. Një automjet transportues i llojit „Man”, i drejtuar nga shtetasi i Shqipërisë, A.A. (52 vjeç), ka goditur këmbësorin U.D. (75 vjeç) nga fshati Livadhi i Strugës, i cili si pasojë e lëndimeve të marra ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.
Vdekja është konstatuar nga mjeku i Ndihmës së Shpejtë në Strugë, ndërsa këqyrjen e vendit të ngjarjes e ka kryer ekipi i policisë së Strugës. Sipas informacioneve paraprake, po atë ditë në orën 06:05, ishte denoncuar se i ndjeri U.D. ishte larguar nga shtëpia e një të afërmi të tij në fshatin Misllodezhdë dhe se vuante nga probleme shëndetësore. Po ndërmerren masa të gjithanshme për zbardhjen e plotë të rastit.

