Lajme nga vendi
VLEN: BDI dëshiron t’i hedh hi syve të opinionit me vetting-un
Koalicioni VLEN i është përgjigjur BDI-së për kërkesën e tyre për veting.
Ja dhe komunikata e plotë:
Duke marrë parasysh se BDI-ja opozitare dëshiron t’i hedh hi syve të opinionit me propozime për veting ndërkombëtar për të gjithë politikanët gjatë 30 viteve të fundit, VLEN riafirmon propozimin e saj për një luftë të vërtetë kundër korrupsionit politik.
Ne jemi një gjeneratë politikanësh që nuk fjalosim kot, por kalojmë në veprime konkrete. Nëse BDI-ja me të vërtetë do të kishte dëshiruar të luftonte korrupsionin politik, ajo ka pasur plot 22 vite pushtet për të ndërmarrë hapa konkretë. Përkundrazi, kjo udhëheqje e inkriminuar e BDI-së inicoi ndryshime të turpshme në Kodin Penal për të amnistuar raste të shumta të korrupsionit politik.
Qëllimi i VLEN-it është të ndërtojmë një mekanizëm kushtetues që do t’i adresojë të gjithë funksionarët e zgjedhur dhe të emëruar në pushtetin legjislativ, ekzekutiv dhe lokal, të cilët kanë përfituar padrejtësisht përmes abuzimeve me detyrën e tyre zyrtare.
Politika nuk duhet të jetë më biznesi më fitimprurës!
Ose do t’u shërbejmë qytetarëve dhe shtetit në kuptimin e vërtetë të fjalës, ose do të bëhemi një vend fantazmë. Të gjithë të rinjtë do të largohen dhe nuk do të mendojnë të kthehen. Prandaj, nëse BDI-ja me të vërtetë dëshiron që të pastrohen të gjitha rastet e korrupsionit politik, me pasoja të vërteta ligjore, e jo vetëm me ndalimin e veprimtarisë politike, atëherë le të deklarojë menjëherë nëse deputetët e saj do të nënshkruajnë iniciativën tonë për ndryshime në Kushtetutë, e cila ne jemi të bindur se duhet t’i bashkojë të gjitha partitë politike në Maqedoninë e Veriut.
Një amendament kushtetues që do ta çojë Maqedoninë e Veriut një hap të madh përpara në integrimin në BE.
Ja propozimi i VLEN-it: Ligjet mund të kenë fuqi retroaktive edhe në rastet që lidhen me vjetërsimin e përgjegjësisë penale për abuzimet e kryera nga funksionarët e zgjedhur dhe të emëruar gjatë ushtrimit të detyrave publike, ku janë shkaktuar dëme në fondet publike dhe mjetet buxhetore në nivel qendror dhe lokal, dhe ku me ato abuzime është përfituar pasuri e paligjshme.
Arsyetimi: Me këtë amendament plotësohet neni 52 i Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë. Ky amendament do të jetë pika 5, dhe do të vijë pas pikës 4 që parashikon se: “Ligjet dhe aktet e tjera nuk mund të kenë fuqi retroaktive, përveç në raste të veçanta kur kjo është më e favorshme për qytetarët”.
Amendamenti i propozuar do të jetë bazë dhe do të hapë mundësinë për ndryshime dhe plotësime me një nen të ri 112-a në Kodin Penal, ku të parashikohet dispozitë me të cilën veprat eventuale penale të kryera nga funksionarët e zgjedhur dhe të emëruar, të cilat janë kategorizuar si vepra penale kundër detyrës zyrtare, të mos vjetërsohen kurrë. Kjo përfshin edhe zgjerimin e konfiskimit të pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme, të regjistruar në emër të personave të tjerë.
Ky amendament do të sigurojë një bazë kushtetuese për rishikimin e të gjitha proceseve gjyqësore për personat e zgjedhur dhe të emëruar ish apo aktual. Me këtë amendament do të krijohet një bazë kushtetuese për rishikimin e të gjitha procedurave gjyqësore ndaj ish ose aktualëve të zgjedhur dhe të emëruar, të cilat janë ndërprerë për shkak të vjetërsisë së përgjegjësisë eventuale penale.
Ky amendament, në fakt, do të përmbushë kërkesat e qytetarëve për sigurimin e sundimit të ligjit, sigurisë juridike dhe barazisë përpara ligjeve dhe procedurave gjyqësore për të gjithë funksionarët e zgjedhur dhe të emëruar, të cilët janë propozuar nga partitë politike dhe që kanë ushtruar ose ushtrojnë funksione në pushtetin legjislativ, ekzekutiv dhe lokal, dhe që kanë abuzuar me ndikimin e tyre dhe kanë ushtruar presion për të shtyrë procedurat kundër tyre deri sa ato të vjetërsohen. Ne besojmë se lufta kundër korrupsionit dhe nevoja për të çrrënjosur zakonet shumë të këqija të korrupsionit politik dhe shmangies së drejtësisë përmes përpjekjeve për të ndikuar në drejtësi, është një plagë e madhe për shoqërinë tonë dhe e bën politikën profesionin më të urryer.
Thuhet mes tjerash në reagimin e Koalicionit VLEN.
Lajme nga vendi
“ARIELI” I FALSIFIKUAR PËR TETOVË – KAPEN EDHE TRE TON!
Policia turke kap edhe 3 ton “Ariel” të falsifikuar të destinuar për në Tetovë!
Policia turke dje sërish ka zbuluar një kanal kontrabande të detergjentëve të falsifikuar, ndërsa destinacioni përfundimtar duhej të ishte Tetova.
Në një depo të improvizuar në një lagje të Stambollit, policia turke ka kapur rreth 3000 kg detergjent të rremë “Ariel”, të paketuar në 300 thatë me nga 10 kg secili.
Dërgesa ishte e njëjta sikurse në dhjetor, kur Dogana e Maqedonisë kishte kapur detegjentin e rremë, të destinuar për në Tetovë.
Vitin e kaluar duke dashur të futet në Maqedoni, një kamion me detergjentë “Ariel” të falsifikuar u kap nga doganierët ndërsa kompania që bënte transportin kishte deklaruar se është për tregun në Tetovë!
Lajme nga vendi
“SAFE CITY”: KONFISKIMI I VETURAVE – TENSIONE NË DISA QYTETE!
Në disa qytete të vendur dje janë mbajtur protesta për shkak të pakënaqësisë së qytetarëve nga ndryshimet e Ligjit për Trafik respektivisht dispozitat e reja që lidhen me lejet e vozitjes dhe marrjen e automjeteve.
Protesta janë shënuar në lagjen e romëve në Manastir, në Koçanë, Shtip dhe Strumicë. Janë shënuar bllokime të rrugëve, djegie të gjësendeve në rrugë dhe revoltë e qytetarëve.
Banorët e disa lagjeve rome që kishin bllokuar rrugët kanë drejtuar akuza se janë të diskriminuar, duke pohuar se shumica prej tyre nuk kanë kryer shkollimin dhe për këtë shkak nuk kanë kushte për të dhënë provimin për patent shoferi.
Lidhur me incidentet në fjalë është prononcuar edhe Kryeministri Mickoski. Ai ka kërkuar reagim të ashpër të policisë, që, sic tha, të mos përsëriten veprimet e këtilla.
HRISTIJAN MICKOSKI – KRYEMINISTËR
“Bisedova në mëngjes me Ministrin e Brendshëm Toshkovski dhe nga ai kërkova që ndaj secilit që ka shkelur ligjin, është kërcënuar, ka cënuar paqën dhe sigurinë të ketë reagim të ashpër, që të mos përsëriten skenat e mbrëmshme të dhunshme”
Derisa dënimet e “Safe City” nuk ndalen, ku sipas autoriteteve, brenda 24 orëve janë shënuar 650 shkelje ku dominon tejkalimi i shpejtësisë me plot 590 raste, në kuadër të ndryshimeve të reja në Kodin Penal (Neni 297-a dhe 300-b), automjeti tashmë klasifikohet si mjet për kryerjen e veprës penale, duke i dhënë shtetit fuqinë ligjore për ta sekuestruar atë në favor të Agjencisë për Menaxhimin e Pronës së Sekuestruar.
Sipas ligjit në fuqi, në cilat raste merret vetura?
Sipas një postimi në Facebook të avokates Lejla Kadriu, automjeti konfiskohet nëse kryeni këto vepra penale:Drejtimi në gjendje të dehur ose nën drogë,Shpejtësia ekstreme, Në zonë të banuar: Mbi 50 km/h mbi shpejtësinë e lejuar,Jashtë zonës së banuar: Mbi 70 km/h mbi shpejtësinë e lejuar,Drejtimi në drejtim të kundërt: Nëse lëvizni në korsi të kundërt në autostradë ose rrugë me shirita të ndarë fizikë, Tejkalimi i kolonës në vende ku dukshmëria është e kufizuar,Gara të paligjshme: Organizimi ose pjesëmarrja në gara të paautorizuara me mjete motorike, Drejtimi pa patentë shofer.
Lajme nga vendi
Përse Zaevi ishte paraqitur në Doganë dhe ishte interesuar për rastin “Marihuana”?
VMRO-ja e ka ftuar LSDM-në nëse ka dëshmi t’i paraqesë (deponoj) tek Prokuroria Publike.
“A ka bërë kontroll LSDM-ja tek fabrika për marihuanë e Zaevit? Pse në fabrikë kishte një kamionë pa tabela? Përse Zaevi personalisht kishte thirrë me telefon në Drejtorinë e Doganave, me ç’rast ishte interesuar për rastin “Mariuhana”? Cili është roli i Vice Zaevit (vëllait të Zaevit) në këtë rast?”, janë këto pyetje të cilat i parashtron publikisht VMRO-DPMNE-ja.
Nëse LSDM-ja ka dëshmi për përfshirjen e disa individëve nga qeveria, në rastin e 5 tonelatave drogë në Serbi, le t’i deponojë ato tek Prokuroria Publike”, thonë përfaqësuesit e lartë të VMRO-DPMNE-së.
“I ftojmë, nëse kanë dëshmi për përfshirjen e individëve nga pushteti në rastin e skandalit me 5 ton drogë, le t’i dorëzojnë tek Prokuroria Publike, në të kundërtën do të përballen me aktpadi”, thonë nga VMRO-DPMNE-ja.
Paraprakisht, përfaqësuesit e opozitares LSDM, reaguan duke pyetur se pse qeveria tanimë 3 ditë me radhë po heshtë, sic thanë, “lidhur me skandalin 5 tonësh me drogë në Serbi, që ishte me origjinë nga Maqedonia e Veriut”.(plusinfo)

