Lajme nga vendi
Mickoski: Nga muaji i ardhshëm, rritja e parë lineare e pensioneve
Pensionistët do të marrin rritjen e premtuar të pensioneve, tha sot kryeministri Hristijan Mickoski, në përgjigje të pyetjes së gazetarëve. Sipas tij rritja e premtuar lineare prej 5.000 denarë do të realizohet përmes dy rritjeve prej 2.500 denarë, shkruan Alsat.
“Pensionet e tyre do të rriten këtë shtator për 2500 denarë, e më pas edhe në muajin mars. Për nëntë muaj nga formimi i qeverisë së re, ai premtim do të realizohet plotësisht…Pra pensionistët do të marrin rritjen lineare, atë që premtuam do ta realizojmë. Ligjet janë në përgatitje e sipër”, tha Mickoski.
Lajme nga vendi
Policia e Kosovës arreston të dyshuarin për vrasjen në Shkup
Policia e Kosovës ka arrestuar në orët e para të së premtes një shtetas turk që kërkohej nga Maqedonia e Veriut nën dyshimin se ka kryer një vrasje një ditë më parë në Shkup.
Siç ka njoftuar Policia, identifikimi dhe arrestimi i tij u bë nga njësiti për bashkëpunim ndërkombëtar policor.
“Sot me datë 02.01.2026 rreth orës 00:30, zyrtarët policorë nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në bashkëpunim dhe koordinim me njësitet e Policisë Kufitare, kanë bërë identifikimin dhe arrestimin e personit të dyshuar, shtetas turk, i kërkuar nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut për veprën penale ‘Vrasje’ e ndodhur një ditë me herët në qytetin e Shkupit”, thuhet në njoftim.
I dyshuari është ndaluar për 48 orë, para procedurave të tjera ligjore.
Siç kanë raportuar mediat në Maqedoni të Veriut, një person kishte vdekur si pasojë e therjes me thikë në natën e Vitit të Ri në Çarshinë e Vjetër të Shkupit.
Lajme nga vendi
Kërkohet ekstradimi i shtetasit turk që u arrestua në Kosovë, si i dyshuar për vrasjen e Ahmet Mert Dogan në Shkup
Prokuroria Themelore Publike e Shkupit njofton se është kërkuar masa e paraburgimit ndaj shtetasit turk M.T. 25 vjeç, që është arrestuar në Kosovë, si i dyshuar për vrasjen e shtetasit turk, 22-vjeçarit Ahmet Mert Dogan në Çarshinë e Shkupit, në natën e Vitit të Ri, dhe plagosjen e Q.E. 23 vjeç, gjithashtu nga Turqia, përcjell TV21. Nga Prokuroria thonë se me kërkesën për masën e paraburgimit, do të nisë edhe procedura për ekstradimin e të dyshuarit në Maqedoninë e Veriut.
Në lidhje me: Arrestohet në Kosovë i dyshuari për vrasjen e shtetasit turk në Çarshinë e Shkupit
“Në natën e Vitit të Ri, në një kafe-bar në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, i dyshuari 25-vjeçar me banim në Tetovë ka nisur një debat me dy shtetas të tjerë turq, 22 dhe 23 vjeç, prej të cilëve njëri banor në Shkup dhe tjetri në qytetin gjerman Essen. Pas debatit, të dy të dëmtuarit së bashku me persona të tjerë shkuan drejt sheshit, por pasi nuk gjetën taksi, u kthyen përsëri drejt Çarshisë dhe kaluan pranë të njëjtit kafe-bar. Gjatë ritakimit me të dyshuarin, debati vazhdoi, dhe ai nxori thikën me të cilën i shkaktoi katër goditje në kraharor dhe zemër të dëmtuarit Ahmet Mert Dogan, i cili vdiq në vendngjarje. Me një goditje tjetër, i shkaktoi dëmtim trupor – plagë nga thika në shpinë – personit tjetër të dëmtuar, me qëllim që ta privonte edhe atë nga jeta, dhe më pas u largua nga vendi i ngjarjes. Gjatë ditës së djeshme u ndërmorën disa veprime për sigurimin e provave, u urdhërua obduksioni ndaj të ndjerit, u morën gjurmë për ekspertizë, u zhvilluan intervista me disa persona, dhe u siguruan edhe pamje nga kamerat e sigurisë për identifikimin e të dyshuarit”, thuhet mes tjerash në njoftimin e Prokurorisë.
Lajme nga vendi
Ndërroi jetë fëmija 2 vjeç që u godit nga një plumb qorr në natën e Vitit të Ri
Mëngjesin e sotëm në Qendrën Klinike në Shkup ka ndërruar jetë fëmija dyvjeçar i cili u plagos gjatë natës së Vitit të Ri, pasi, sipas informacioneve fillestare, ishte goditur nga një plumb qorr.
“Në lidhje me fëmijën dyvjeçar që ka ndërruar jetë, Prokuroria Themelore Publike Shkup ka lëshuar urdhër për obduksion të trupit”, thonë nga Prokuroria.

