Lajme nga vendi
Në vendkalimet kufitare nuk ka pritje të gjata për hyrje dhe dalje nga Maqedonia
Komunikacioni në vend po zhvillohet pa pengesa dhe në rrugë të thata, njoftojnë nga LAMM.
Nga atje thonë se komunikacioni jashtë mjediseve urbane po zhvillohet me intensitetit të rritur.
Nga atje u bëjnë thirrje shoferëve që të kenë kujdes me shpejtësinë e automjeteve, veçanërisht nëpër luginat e vendit ku mund të ketë rrëshqitje të dheut.
Lajme nga vendi
QMK: ULET NIVELI I VARDARIT NË POLLOG, ERA SHKAKTON DËME!
Niveli i Vardarit në rajonin e Tetovës, krahasuar me situatën e tre ditëve të mëparshme është zvogëluar dhe për momentin nuk ka rrezik për dalje nga shtrati, kurse drejtimi rrugor Tumçevishtë – Çegran është mbyllur për shkqe sigurie – njofton Qendra për Menaxhim me Kriza në raportin e mëngjesit.
Gjatë ntës, në fshatrat Nerasht dhe Gllogjë të Komunës së Tearcës, era e fuqishme ka rrëzuar dy shtylla të Telekomit. Është njoftuar Telekomi kurse problemi pritet të zgjidhet brenda ditës – njofton QMK.
Në rajonin e Shkupit, era e fuqishme, ka shkaktuar dëme në 6 lokacione. Bëhet fjalë për drunj të rrëzuar dhe kabllo të këputura që kanë shkaktuar dëme në disa automjete.
Në territorin e Kërçovës, sic thonë nga QMK, pritet stabilizimi I mëtejmë I situatës.
Numri I të evakuarve mbetet I pandryshuar – 250 persona apo 63 familje, të cilëve u sigurohen ushqimi, uji dhe mjetet e domosdoshme.
Lajme nga vendi
Në Kodrën e Diellit temperatura -8 gradë, kurse bora arin 97 centimetra
Mëngjesin e sotëm në vendin tonë temperaturat më të ulëta janë regjistruar në Kodrën e Diellit, ku në orën 7:00 janë matur –8 gradë Celsius dhe një shtresë dëbore prej 97 centimetrash. Pasojnë Krusheva dhe Mavrova me –4 gradë, Berova dhe Pretori me –1, ndërsa në Kriva Pallankë, Ohër, Manastir dhe Prilep janë matur 0 gradë. Temperaturat në qytetet e tjera lëvizin nga 2 gradë në Shtip dhe Vinicë, 3 gradë në Tetovë, Kumanovë dhe Strumicë, deri në 4 gradë në Shkup (Zajçev Rid), Kavadar dhe Demir Kapi, ndërsa vlerat më të larta prej 5 dhe 6 gradësh janë shënuar në Shkup, Veles dhe Gjevgjeli.
Sa u përket reshjeve në 24 orët e fundit, sasia më e madhe e shiut prej 13 litrash për metër katror është matur në Strumicë, e ndjekur nga Berova me 11 litra, Pretori dhe Gjevgjelia me 8, si dhe Demir Kapia me 7 litra. Reshje më të pakta janë regjistruar në Manastir, Tetovë, Pozharanë, Krushevë dhe Prilep, ndërsa sasitë minimale prej 1 deri në 3 litra janë matur në Shkup, Kriva Pallankë, Shtip, Vinicë, Gjurishtë, Veles, Ohër, Kavadar dhe Mavrovë. Përveç në Kodrën e Diellit, shtresë e hollë dëbore prej 1 deri në 3 centimetra është regjistruar edhe në Mavrovë, Berovë dhe Gjurishtë.
Lajme nga vendi
“Vërshimet”, Tetova, Gostivari e Zhelina formojnë komisione për vlerësimin e dëmeve
Dhjetëra shtëpi të vërshuara, oborre të kthyera në liqene, por edhe rrugë të bllokuara dhe rrëshqitje dheu në disa vende. Ky është bilanci nga reshjet e dendura të shiut dhe dalja e lumenjve nga shtrati në rajonin e Pollogut. Komunat e Tetovës, Gostivarit dhe Zhelinës kanë filluar me formimin e komisioneve për vlerësim dhe evidentim të dëmeve, e në disa pika, edhe dislokim të banorëve nga objektet e banimit, si pasojë e rrezikut nga përmbytjet.
“Aktualisht po realizohen analiza të detajuara të rrezikshmërisë me qëllim që banorët e zonave ku siguria është cenuar, të zhvendosen në hapësira më të sigurta, dhe paralelisht po bëhet edhe evidentimi i objekteve të rrezikuara për të vërtetuar edhe statusin e tyre juridik. Sa i përket infrastrukturës rrugore, në rrugën e Banjës janë evidentuar rrëshqitje të mëdha të dheut dhe ekipet e komunës kanë ndërhyrë menjëherë për pastrim dhe normalizim të qarkullimit. Ndërhyrje janë realizuar edhe në Gjermë ku situata është më kritike”, tha Besarta Ramdani, zëdhënëse e Komunës së Tetovës.
“Zonat më të prekura në Komunën e Gostivarit kanë qenë, fshati Forinë, fshati Llakavicë, fshati Turçan i Vogël dhe disa lagje të qytetit, por ne si komunë, kemi bashkëpunuar me banorët dhe nga gjitha të dhënat që përmendëm më kritike ka qenë Forina. Për vlerësimin e dëmit, tani do formojmë një komision dhe do dalim në terren për të vlerësuar dëmet në fshatin Forinë dhe banorëve që janë prekur nga vërshimet”, u shpreh Safet Asani, komisioni për mbrojtje dhe shpëtim Komuna e Gostivarit.
Zona e fundit ku pati përmbytje një ditë më parë ishte fshati Strimnicë.
“Në këtë lagje afërsisht 12 shtëpi kanë dëme materiale që iu ka hy uji nëpër bodrume. Ne si ekipe e komunës ishim afër qytetarëve dhe u ndihmuam sa mundëm, andaj shpresoj që Ministria e Ekologjisë dhe institucionet më lartë të marrin masa që ky problem të përfundoj”, deklaroi Suad Alili, Ndërmarrja Publike Komuna e Zhelinës.
Sipas udhëheqësve të komunave dhe Drejtorisë për Mbrojtje dhe shpëtim përmbytjet janë si pasojë e mos pastrimit në kohë të shtretërve të lumenjve, dhe hedhjes së pakontrolluar të mbeturinave nëpër lumenj. /Alsat.mk

