I përgëzoj studentët për protestën dinjitoze dhe vetëdijen e lartë qytetare që e dëshmuan sot.
Kërkesa e tyre është e drejtë dhe, siç ju kam premtuar edhe në takimin tonë të parë, këtë çështje do ta zgjidhim. Për herë të parë pas pavarësisë së shtetit Provimi i Jurisprudencës do të mbahet edhe në gjuhën shqipe! – kështu ka shkruar në Facebook, kreu i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, duke pohuar se elita milionere e ish-pushtetit, e cila, sic thotë, tentoi të kontrabandohet në krye të kauzës së pastër studentore, sot dështoi keq. Ky popull i njeh mirë. Tinëzitë e tyre nuk kalojnë.
Por, pas takimit me zyrtaren e Ambasadës Amerikane në Shkup, një nga krerët e koalicionit VLEN u prononcua edhe para gazetarqëve.
Protestën e studentëve e kanë ndjekur edhe deputetë e zyrtarë të Bashkimit Demokratik për Integrim.
Bujar Osmani përmes një postimi në Facebook thotë se në protestën e studentëve ka qenë si ligjerues, si prind po edhe si politikan.
“Ishte një vorbull emocionesh. Nga njëra anë u ndjeva krenar. Krenar për një gjeneratë që nuk bën kompromis për dinjitetin e vet.
Po në të njëjtën kohë u ndjeva edhe keq. Keq për ku e kanë sjellë disa politikanë shqiptarë këtë popull në pak vite” shkruan Osmani duke potencuar, sic thotë, prapa këtij degradimi ka emra dhe mbiemra konkret, të cilët, sipas tij, kanë me mbet në faqet e errëta të historisë.
Ka reaguar edhe Arbër Ademi i BDI-së, pas publikimit të pamjeve nëpër rrjetet sociale ku një qytetarë i kërkon të largohet nga protesta.
Personin në fjalë, Arbër Ademi e ka identifikuar si aktivist të Izet Mexhitit, duke pohuar se ky provokim ishte për kamera duke dashur të kompromitohet një kauzë studentore dhe jopartiake për ta mbrojtur Fillkovin dhe hajnitë e tyre.
“VLEN-i erdhi për ta prishur protestën, por nuk ia doli.
Studentët do t’ia dalin mbanë, deshën apo nuk deshën ata që sot frika u ka hyrë në palcë” – thuhet në postimin e Arbër Ademit.