Lajme nga vendi
Janevska paralajmëroi zgjidhje sistematike për angazhimin e asistentëve: Nga janari do të jenë prezent edhe në shkollat e mesme
Sot, asistentët arsimorë filluan të nënshkruajnë kontrata pune me shkollat për këtë vit shkollor, ndaj mund të mos fillojnë menjëherë punën të gjithë. Por në ditët në vijim ky proces do të përfundojë. Kështu deklaroi sot ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, gjatë vizitës së saj në shkollën fillore “Gjorgija Pulevski” në Komunën e Aerodromit, nga ku duke folur për mungesën e asistentëve në shkolla, paralajmëroi se problemi do të zgjidhet sistematikisht në të ardhmen, transmeton Portalb.mk.
Zvarritjen e angazhimit të asistentëve në fillim të vitit shkollor Janevska e arsyeton me pritjen e ribalancimit të buxhetit dhe siç tha ajo me funksionimin e shkollave në mënyra të ndryshme.
“Qendra burimore “Zlaten Sremec” që mbulon këtë territor e përfundon me sukses procesin, sot në këtë shkollë, besoj edhe në të tjerat, ka asistentë të arsimuar”, thotë ajo.
Sipas saj, po punohet për një zgjidhje sistematike për angazhimin e asistentëve, gjegjësisht është paralajmëruar se ligjet e reja për arsimin fillor, të mesëm dhe të mesëm profesional do të përcaktojnë një afat në të cilin duhet të përfundojë e gjithë procedura, gjegjësisht në muajin qershor do të dihen asistentët arsimorë për vitin e ardhshëm shkollor.
“Është risi e madhe që ne ofrojmë asistentë arsimorë edhe për shkollat e mesme, gjë që nuk ka qenë më parë. Ajo që mendoj se është e rëndësishme është që asistentët ta ndjekin nxënësin gjatë gjithë procesit të tij arsimor, përveç rasteve kur asistenti vendos të tërhiqet nga ky proces ose me këmbënguljen e prindërve që fëmija i tyre të arrijë sukses më të mirë me një asistent tjetër, sepse ndonjëherë është ndryshimi i nevojshëm i asistentit. Pra do ta zgjidhim të gjithë procesin sistematikisht, që në të ardhmen të mos kemi probleme”, tha ajo.
Ajo pret të ketë asistentë arsimorë në shkollat e mesme sa më parë në janar 2025.
“Ligji do të hidhet në diskutim publik shumë shpejt, do ta shohin të gjithë dhe do të mund të reagojnë nëse kanë kundërshtime për disa pika. Duhet të përfundojë, pastaj të kalojë në Qeveri, për t’u dorëzuar në Kuvend”, thotë Janevska.
Qysh në javën e kaluar ministrja bëri të ditur se nga sot do të zgjidhet problemi me asistentët. Për problemin me mungesën e asistentëve ajo fajësonte vetë shkollat dhe drejtorët e tyre.
Në fillim të vitit shkollor në shkollat e vendit janë punësuar 815 asistentë, ndërsa procedura për punësimin e tyre është në vazhdim për 200 asistentë.
Asistentët edukativë duhet të ndihmojnë nxënësit me nevoja të veçanta të ndjekin më lehtë mësimin dhe të zotërojnë materialin mësimor.
Lajme nga vendi
VLEN: BDI t’i kërkojë SPAK-ut të Shqipërisë ekstradimin e Grubit
Nisma e Degës së Bashkimit Demokratik për Integrim në Çair për krijimin e një “SPAK-u” lokal kundër korrupsionit ka nxitur reagime nga Koalicioni VLEN.
Nga VLEN-i thonë se iniciativa duhet të shoqërohet me veprime konkrete dhe jo të mbetet vetëm deklarative, duke e cilësuar si përpjekje propagandistike.
Sipas tyre, nëse synohet vërtet transparencë dhe përgjegjësi, hetimet duhet të nisin nga vetë drejtuesit e BDI-së, për të dëshmuar se bëhet fjalë për proces serioz dhe të paanshëm ndaj të gjithë zyrtarëve, pa përjashtim.
“BDI në Çair shpall me bujë formimin e një “SPAK-u” lokal, sikur të kishte zbuluar “Amerikën”. Por, pyetja që lind menjëherë është: a do ta kapë ky SPAK edhe kryesinë e vet? Apo është vetëm një teatër i radhës për të mashtruar qytetarët? VLEN-i e përshëndet këtë “SPAK” të BDI-së dhe i sugjeron që, nëse vërtet është për veprim dhe jo për spektakël, të fillojë hetimet pikërisht nga këta emra. Punën e parë që duhet ta bëjë është të vendosë komunikim me SPAK-un e Shqipërisë dhe të kërkojë ekstradimin e Artan Grubit.”, – thanë nga Koalicioni VLEN.
Ditë më parë, Dega e Bashkimit Demokratik për Integrim në Çair themeloi një “SPAK” lokal si mekanizëm kundër korrupsionit. Sipas njoftimit, kjo strukturë do të monitorojë ndërtimet pa leje dhe punën e organeve komunale për shkelje urbanistike.
BDI u bëri thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo keqpërdorim të pushtetit. (Armend Murseli, TVM2)
Lajme nga vendi
Dega e BDI-së në Çair ka themeluar një strukturë kundër korrupsionit me emrin “SPAK”
Duke huazuar emrin e Prokurorisë së Posaçme të Shqipërisë që ndjek krimin dhe korrupsionin e nivelit të lartë, dega e BDI-së në Çair ka themeluar një Sekretariat, akronimi i të cilit është i njëjtë me atë të Prokurorisë – SPAK.
“SPAK do të funksionojë si mekanizëm profesional monitorimi, i përbërë nga ekspertë vullnetarë – juristë, ekonomistë, urbanistë dhe profesionistë të fushave përkatëse – të cilët do të analizojnë çdo indikacion për korrupsion dhe keqpërdorim të fondeve publike”, deklaroi Enard Bakiu, BDI – Çair.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i koalicionit VLEN të cilët kërkojnë që SPAKU i BDI-së të kërkojë nga SPAKU i Shqipërisë ta ekstradojë Artan Grubin, funksionarin e BDI-së i cili pasi u fut në listë të Zezë u arratis nga shteti, ndërsa dyshimet janë se fshihet në Shqipëri. Plotësisht kërkojnë të hetohen dhe figura tjera të BDI-së.
“Korrupsioni nuk është thjesht ndërtim pa leje apo tender komunal. Ai ka fytyra të njohura: Faton Ahmeti, për dyshimet e keqpërdorimit të fondeve në FSSH, Arbër Ademi, si ministër i Arsimit me lëndë të hapura për abuzime, Bujar Osmani, për rastin famëkeq “Pacienti”, dhe shumë të tjerë që sot ulen në kryesinë e BDI-së si të paprekshëm”, thonë nga VLEN.
SPAKU i BDI-së, është ironizuar edhe për faktin që në periudhën e kaluar ishte në shënjestër të kritikave pasi dy funksionarët e saj Artan Grubi dhe Ramiz Merko u futën në Listë të Zezë për korrupsion, ndërsa u dorëzuan padi edhe kundër një sërë funksionarëve, duke përfshirë Blerim Bexhetin, Fatmir Deharin, Ramiz Merkon, Bujar Dardhishtën, Kreshnik Bekteshin, Bekim Maksutin, Ejup Rustemin e të tjerë. Mekanizmi SPAK, mbase duket si ide e huazuar nga LSDM, e cila e promovoi Qendrën Hulumtuese për Korrupsion dhe Krim të Organizuar me akronimin MICKO, një shkurtesë që përdoret në komunikimin jokonvencional dhe ironizues për Mickoskin. /Alsat.mk
Lajme nga vendi
KEMM: 140 ANKESA PËR CEREMONINË MORTORE NË KOÇANË
Këshilli I Etikës në media të Maqedonisë, një ditë pas ceremonisë mortore të viktimave të zjarrit tragjik në diskotekën e Koçanit, ka pranuar 140 ankesa lidhur me mënyrën e raportimit të mediave – ka njoftuar Drejtorja Ekzekutive, Biljana Georgievska.
Ajo ka shtuar se të gjitha vërrejtjet kanë ardhë nga e-maile të hapura për një përdorim nga numra telefonike që nuk ekzistojnë.
“Çdo minutë vinte nga një ankesë që për ne ishte një situatë jo e zakonshme që I gjasonte një sulmi të orkestruar digjital, jo vetëm ndaj KEMM-it, por edhe ndaj mediave, vecanërisht për përmbajtjet dhe mënyrës së raportimit për ceremoninë e varrimit. Ata kryesisht hynë në pakon e ankesave pa bazë, për shkak se kishin të bëjnë me mediat e huaja, nga rajoni, por edhe televizione nga India” – thotë Georgievska.
Në vitin 2025 në KEMM knë mbërritur shumë ankesa që lidhen me tragjedinë në Koçanë. Janë shqyrtuar 96 mha 244 ankesat.
Më së shpeshti është shkelur nëni 1 I Kodit të Gazetarëve – mungesa e burimeve dhe mungesa e palës së dytë të storjes.
Nga KEMM thonë se mediat online paraqiten si shkelësit më të mëdhenj të standardeve për informim etik.

