Lajme nga vendi
Shkollat pa salla sporti në Tetovë
Shkollat fillore me numër më të madh të nxënësve në qytetin e Tetovës vazhdojnë të funksionojnë pa sallë sporti. Nxënësit e këtyre shkollave orën e edukatës fizike e zhvillojnë në sallat e vjetra që janë ndërtuar para më shumë se 30 ose 40 vite dhe që aktualisht nuk kanë as kushte elementare për zhvillimin e edukatës fizike. Këto salla sportive nuk kanë pajisje elementare për orën e edukatës fizike, me dysheme të dëmtuar dhe pa rekuizita adekuate. Këtë e konfirmojnë edhe nga Komuna e Tetovës, prej nga presin që shkollat më të mëdha në Tetovë – në katër vitet e ardhshme të kenë salla të reja sporti.
“Është fakt që pikërisht shkollat më të mëdha në qytetin e Tetovës nuk kanë salla sporti siç janë shkolla fillore ‘Naim Frashëri’, ‘Kirili dhe Metodi’, ‘Istikball’, ‘Liria’ dhe shkolla ‘Migjeni’. Në koordinim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, kemi parashtruar kërkesë për ndërtimin e sallave të sportit, pasi sipas Ligjit për arsim fillor, investime kapitale bëhen nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe sipas një projekti që ka kjo ministri me Bankën Botërore, janë paraparë të ndërtohen katër salla sporti në Tetovë. Realisht kërkesën e kemi bërë për 5 salla sporti dhe tani presim proceduat dhe hapat që duhet t’i ndërmerr ministria. Sipas informatave që i kemi, të gjitha sallat sportive nuk do të mund të fillojnë njëherazi, por do të ketë dy faza – në fazën e parë bëhet ndërtimi i dy sallave, kur në fazat tjera vazhdohet me ndërtimin e sallave tjera”, deklaroi Nazmi Dauti nga Sektori për arsim në Komunën e Tetovës.
Kërkuam përgjigje edhe nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Prej atje konfirmojnë se prej vitit të ardhshëm pritet të ndërtohen edhe 28 salla sporti në më shumë komuna të vendit.
“Në lidhje me pyetjen tuaj për ndërtimin e sallave sporti në shkolla, ju njoftojmë se duke filluar nga viti 2025 e deri në tre vitet ardhshme – do të ndërtohen 28 salla shkollore të sportit në më shumë komuna të vendit. Në këtë drejtim janë të përfshirë edhe shkollat e komunës së Tetovës”, thonë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Këto shkolla, edhe pse kanë numër më të madh të nxënësve (mbi një mijë nxënës) dhe janë ndër shkollat më të vjetra në Tetovë, megjithatë orën e edukatës fizike profesorët e zhvillojnë në salla të vjetra dhe pa asnjë kusht elementar. Duke përfshirë edhe vendbanimet rurale, shtatë shkolla fillore në Komunën e Tetovës nga gjithsej 12 sa janë – nuk kanë salla sporti.
Shkolla fillore “Migjeni” që është poashtu një nga shkollat me më shumë nxënës në Tetovës, megjithatë ende nxënësit e kësaj shkolle nuk kanë sallë sportive. Gjithsej mësimin në këtë shkollë e ndjekin 1740 nxënës, por kur bëhet fjalë për orën e dukatës fizike, nxënësit e kësaj shkolle përveç oborrit nuk kanë se ku të zhvillojnë orën e edukatës fizike.Tv Koha
Lajme nga vendi
Nikolloski: Korridori 8 do të ndërtohet deri në Qafë Thanë, po kërkojmë trasenë adekuate
Autostrada e Korridorit 8 do të ndërtohet deri në kufirin Qafë Thanë, këtu nuk ka dilemë vetëm se duhet të gjendet se në cilën rutë. Kështu u shpreh ministri i transportit Aleksandar Nikollovski.
“Për korridorin 8 mesazhi është i qartë të gjendet alternativë tjetër ose nëse në bazë të rutës alternative, të gjendet rutë tjerët alternative nga kjo që ka qenë si alternativë në marrëveshje, e njëjta të diskutohet me Shqipërinë që edhe ata të mund të lidhen dhe në atë mënyrë të ndërtohet dhe ne për këtë problem komunikojmë intenzivisht me Shqipërinë dhe kemi shpalosur disa opsione. Kështu që autostrada do të ndërtohet. Nuk është më pyetja a do të ndërtohet por vetëm të gjendet ruta adekuate”, tha Nikolloski.
Ai shtoi se pjesa më e vështirë e autostradës Kërçovë-Ohër thuajse është gati dhe se nga fshati Izvor e deri në Vërbjan pritet të lëshohet në përdorim në muajin tetor. Sipas tij mbetet vetëm pjesa e Botunit për tu zgjidhur dhe pritet që në tremujorin e parë të vitit 2027 kjo autostradë të vihet tërësisht në funksion.
“Dy galeri janë përfunduar tërësisht. E treta është 70% e kryer, e katërta është 50% dinamikë, në Botun po punohen tunelet po vendoset softuer, sinjalizimi, sistemi i ventilimit, sistemi zjarreve dhe qendra moderne për kontroll i cili vendoset për rritjen e sigurisë dhe presim që në fillim te muajit tetor të kjo pjesë më e rëndë nga autostrada Kërçovë-Ohër të jetë e vendosur në funksion”, deklaroi Nikolloski.
Ndërkaq autostrada Tetovë Gostivar kilometrat e para pritet që të jetë gati vitin e ardhshëm, ndërkaq përfundimi në vitin 2029. Pjesa e dytë nga Gostivari në Bukojçan pritet poashtu të përfundojë në vitin 2029, ndërsa sipas ministrit po pritet edhe vendimi për pjesën nga Bukojçani në Kërçovë.
Lajme nga vendi
Nesër ndahen 109 vendime pune në Spitalin Klinik të Tetovës
Nesër, në ora 13:00, në Amfiteatrin e Spitalit Klinik të Tetovës do të organizohet solemniteti me rastin e ndarjes së 109 vendimeve për punësim për të punësuarit e rinj në këtë institucion shëndetësor.
Në ceremoninë solemne pritet të marrin pjesë edhe Izet Mexhiti, Bilall Kasami, si dhe zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali.
Ndarja e vendimeve paraqet një hap të rëndësishëm për forcimin e kapaciteteve njerëzore të Spitalit Klinik të Tetovës dhe për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore për qytetarët e rajonit.
Lajme nga vendi
29 zjarre brenda 24 orëve, tre janë ende aktiv
Gjatë 24 orëve të fundit deri në orën 07:30 në territorin e vendit janë regjistruar gjithsej 29 zjarre në ambiente të hapura, nga të cilat tre janë aktivë, një është nën kontroll dhe 25 janë shuar, njoftoi Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK).
Sipas informacioneve nga QMK, zjarri është aktiv në zonën e komunave Studeniçan dhe Zelenikovë, në shtrirjen nga fshatrat Morane, Vrtekica dhe Ramni Gaber drejt Paligradit, si dhe mbi fshatin Vrazhale, ku është prekur një pyll i përzier. Një zjarr aktiv ka edhe në fshatin Tërnovë në Gostivar, ku po digjet një pyll i përzier, si dhe mbi fshatin Nezhilovë në Komunën Çashkë, ku janë prekur pemë bredhi.
Zjarri pranë fshatit Tajmishte në Kërçovë, në lokalitetin Darda, ku po digjej një pyll ahu me kërcell të lartë, është vënë nën kontroll.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shuar 25 zjarre në vende të ndryshme në të gjithë vendin. Midis tyre janë zjarret në Strumicë, Vasilevë, Delçevë, Kumanovë, Jegunovcë, Gostivar, Vrapçishtë, Demir Hisar, Probishtip, Ilinden, Saraj, Çair, Studeniçan, Haraçinë, Makedonski Brod, Novaci, Petrovec, Berovë, Karbinci dhe Çeshinovë-Obleshevë.
QMK raporton se këto zjarre kanë djegur bimësi të ulët, kashtë, bar të thatë, shkurre, si dhe disa zona pyjore, dhe në disa raste, janë prekur edhe mbeturina, kashtë, ndërtesa dhe një fole lejlekësh.

