Lajme nga vendi
VLEN: Është zbuluar një aferë korrupsioni përmes Lotarisë Shtetërore në vlerë prej tre milionë euro
Koalicioni VLEN sot filloi një seri konferencash për shtyp, ku do t’i prezantojnë opinionit siç shprehen informacione që përbëjnë dyshime të bazuara për korrupsion politik, në regji të figurave të shquara të ashtuquajturit Front Europian.
“Bëhet fjalë për skandale serioze, të cilat ndër të tjera do të zbulojnë metodat me të cilat BDI dhe Artan Grubi kanë vepruar për të siguruar ndikim politik, ku ky i fundit ka qenë zbatuesi direkt i të gjitha skenarëve të korrupsionit politik. Në këtë konferencë për shtyp do të publikojmë informacione për tenderët e fituar nga kompania e lidhur familjarisht me deputetin e Frontit Europian, Elmi Aziri, i cili ka qenë një nga mbështetësit më të zëshëm të koalicionit mes Ziadin Selës dhe Ali Ahmetit. Artan Ajruli paraqitet si pronari i kompanisë RITRON KOPI DOOEL, import-eksport Kumanovë, i cili është nipi i bashkëshortes së Elmi Azirit. Kjo kompani gjatë vitit 2022, për vetëm tre muaj ka fituar dy furnizime publike në Lotarinë Shtetërore ku drejtor ka qenë Përparim Bajrami, dora e djathtë e Artan Grubit. Furnizimet kanë të bëjnë me pajisje kompjuterike, stacione grafike dhe TV për tërheqjen e lotarisë, si dhe televizorë për instalimin e lojërave elektronike. Vlera totale vetëm për këto dy furnizime përmes Lotarisë Shtetërore, së bashku me anekset, arrin rreth 3 milionë denarë”, deklaroi Bujare Abazi, VLEN.
Sipas saj këto janë informacione vetëm nga një institucion.
“Ky informacion skandaloz është konfirmim i drejtpërdrejtë se BDI ka sunduar si organizatë kriminale në rrjetin e së cilës janë kapur ata që politikën e perceptojnë si mundësi për pasurim personal dhe familjar. Të nderuar, shihni pra ironinë! Kuadrot e Ziadin Selës dhe Ali Ahmetit, të cilët gjatë ditës në mënyrë të rreme mbrojnë qytetarët nga lojërat e fatit, kanë përfituar pikërisht nga bizneset me kazinotë. Kryetari i degës në Bogovinë, Safet Miftari, është arrestuar për organizim kriminal të lojërave të fatit në internet, kompania familjare e deputetit Elmi Aziri ka marrë tenderë nga Lotaria Shtetërore. Mezi presim që Fronti Europian të dalë më në fund në mejdan me anëtarësinë e tyre. Na intereson shumë kur do t’u shpjegojnë se mijëra njerëz i lanë pa status profesional të zgjidhur, vetëm për t’i shantazhuar për vota para zgjedhjeve, ndërsa funksionarët e tyre grabisnin çdo gjë që u vinte në dorë. Pason përgjegjësia, drejtësia do të arrijë të gjithë ata që kanë mëkatuar para ligjeve. Do të ketë përgjegjësi; drejtësia do t’i arrijë të gjithë ata që kanë shkelur ligjet”, tha Abazi.
Lajme nga vendi
Kronika e zezë – Tetovë dhe Gostivar, 07 Tetor
Dje në orën 15:40, zyrtarë policorë nga Stacioni Policor Mavrovë kanë privuar nga liria një 45-vjeçar nga fshati Zdunjë, rrethina e Gostivarit. Gjatë një kontrolli në trafik, është konstatuar se ai po drejtonte një automjet udhëtarësh “Opel Vectra” me targa të Gostivarit pa leje drejtimi. Automjeti është sekuestruar dhe pas dokumentimit të rastit ndaj tij do të vijojë parashtresa përkatëse.
…….
Dje në orën 14:00 në SPB Tetovë, një grua 33-vjeçare nga Republika e Malit të Zi ka denoncuar se ish-partneri i saj, një 43-vjeçar, nga fshati Vrapçisht, rrethina e Gostivarit, i cili nga shtatori i vitit 2026 ndodhet në vuajtje të dënimit me burg në Burgun e Tetovës, nga numra të ndryshëm telefoni dhe përmes një aplikacioni celular ka dërguar kërcënime ndaj saj dhe familjes së saj. Po merren masa për zbardhjen dhe dokumentimin e rastit, pas së cilës do të dorëzohet kallëzimi përkatës.
Lajme nga vendi
Policia e trafikut me 33 skuterë të rinj “Piaggio Beverly 310”
Parku i automjeteve të policisë së trafikut në Maqedoninë e Veriut është pasuruar me 33 skuterë të rinj “Piaggio Beverly 310 HPE”, në version të posaçëm policor.
Ministria e Punëve të Brendshme ka pranuar 33 skuterët e rinj policorë, të siguruar nga Këshilli Republikan për Siguri në Trafikun Rrugor (KRSSTR). Dorëzimi zyrtar u bë në prani të ministrit të Punëve të Brendshme, Panço Toshkovski, dhe kryetarit të KRSSTR-së, Goran Angelovski.
Së bashku me skuterët është siguruar edhe pajisje e plotë mbrojtëse për motoçiklistët, përkatësisht për secilin polic:
helmetë mbrojtëse;
xhaketë dhe pantallona motoçiklistike;
çizme motoçiklistike;
doreza për verë dhe dimër.
Vlera totale e furnizimit është 16.845.561 denarë, ose rreth 274 mijë euro. Në këtë shumë përfshihen si skuterët, ashtu edhe pajisjet mbrojtëse.
“Piaggio Beverly 310 HPE” është skuter italian i kategorisë maxi-skuter, me motor 310 kubikë që zhvillon rreth 27,7 kuaj fuqi. Transmisioni automatik CVT, rrotat e mëdha dhe përmasat kompakte e bëjnë atë të përshtatshëm për lëvizje në trafikun urban.
Për policinë e trafikut, skuterët mundësojnë lëvizje më të shpejtë në trafikun e dendur, qasje më të lehtë në vendet e aksidenteve dhe rregullim më efikas të trafikut në rrugët dhe kryqëzimet e frekuentuara.
Nga MPB-ja thonë se blerja e re synon të rrisë mobilitetin e policisë së trafikut, të mundësojë kontroll më efikas të komunikacionit dhe të përmirësojë kushtet e punës së pjesëtarëve të policisë.
Ministri Panço Toshkovski theksoi se furnizimi është pjesë e aktiviteteve më të gjera për modernizimin e policisë dhe rritjen e sigurisë në trafik.
Ndërkaq, nga KRSSTR-ja u bë e ditur se do të vazhdojnë investimet për pajisjen e njësive policore që janë përgjegjëse për kontrollin e trafikut.
Me 33 “Piaggio Beverly 310”, policia e trafikut fiton mjete të reja që pritet të mundësojnë reagim më të shpejtë dhe mobilitet më të madh, veçanërisht në kushtet e trafikut të dendur urban.
Burimi: Ministria e Punëve të Brendshme (MPB)
Lajme nga vendi
Nis shpërndarja e kartelave për “naftën e gjelbër”, mbi 48 mijë fermerë përfitojnë
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave ka nisur shpërndarjen e kartelave për “naftën e gjelbër” për fermerët, në një periudhë kur po përgatiten tokat për përpunimin vjeshtor dhe mbjelljen.
Për këtë masë këtë vit janë siguruar 584 milionë denarë, rreth 9.5 milionë euro, ndërsa janë përgatitur gjithsej 48.037 kartela.
Shpërndarja ka nisur në Sveti Nikollë, ndërsa më pas ka vazhduar në Manastir, bëri të ditur ministri i Bujqësisë, Borçe Serafimovski.
Mbështetja financiare varet nga sipërfaqet dhe kulturat bujqësore të deklaruara në kërkesat për pagesa direkte për vitin 2025 dhe varion nga 3.200 deri në 12.000 denarë për hektar.
Për kulturat drithore, si gruri, elbi, misri dhe orizi, fermerët përfitojnë 3.200 denarë për hektar. Për lulediellin, kolzën, jonxhën dhe disa kultura të tjera mbështetja është 4.800 denarë për hektar.
Për kulturat kopshtare dhe vreshtat janë paraparë 9.600 denarë për hektar, ndërsa mbështetja më e lartë, prej 12.000 denarësh për hektar, është për mollën, dardhën, kumbullën, pjeshkën dhe disa kultura të tjera frutore.
Për ftonjtë, shegët, bajamet, lajthitë dhe kultura të tjera të kësaj kategorie ndahen 8.800 denarë për hektar, për duhanin 11.000 denarë, ndërsa për arrat dhe gështenjat 6.000 denarë për hektar.
Në Sveti Nikollë janë shpërndarë kartelat e para nga gjithsej 1.900, me vlerë mbi 38.2 milionë denarë. Në Manastir janë përgatitur 3.858 kartela, me vlerë të përgjithshme prej rreth 57.5 milionë denarësh.
Sipas Ministrisë, qëllimi është që ndihma financiare të arrijë te fermerët pikërisht në periudhën kur ata kanë shpenzimet më të mëdha për përgatitjen e tokave, blerjen e farërave dhe plehrave, si dhe mirëmbajtjen e mekanizimit bujqësor.
Masa zbatohet përmes Programit për mbështetje financiare në bujqësi për vitin 2026.
Gjatë vizitës në Manastir, ministri Serafimovski është takuar edhe me bletarë nga Pellagonia. Në takim është bërë e ditur se në Ministri janë përgatitur urdhërpagesat për subvencionet e bletarëve dhe se pagesa pritet të realizohet sa më shpejt.
Ndërkohë, është paralajmëruar edhe brendimi i mjaltit maqedonas, përkatësisht atij të Mariovës, me qëllim promovimin e mëtejshëm të origjinës dhe cilësisë së tij.
-
Lajme nga bota2 months agoTRUMP: LARGIMI I INFANTINO-s NGA FIFA DO TË ISHTE NJË GABIM I RËNDË
-
Lajme nga rajoni2 months agoKrimi i rëndë në Kosovë/ Kjo është 25-vjeçarja që u vra me armë zjarri, dyshohet se u qëllua nga bashkëshorti i saj, ishte në javën e 34 të shtatzënisë
-
Lajme nga rajoni2 months agoVuçiq sërish me deklarata lufte, a pritet reagimi ndërkombëtar?

