Lajme nga bota
Çfarë dihet deri tani nga atentati i dytë ndaj Trump, si shpëtoi ish-presidenti
FBI tha se Donald Trump “duket se ishte objekt i një përpjekjeje për atentat” në klubin e tij të golfit në West Palm Beach të Floridës të dielën, vetëm nëntë javë pasi kandidati republikan për president i mbijetoi një tjetër atentati ndaj tij. Ish-presidenti tha se është mirë dhe jashtë rrezikut.
Si u vu re i dyshuari?
Incidenti ndodhi në klubin ndërkombëtar të golfit Trump në West Palm Beach, rreth 15 minuta nga rezidenca e Trump në Florida, Mar-a-Lago.
I armatosuri u pa për herë të parë nga agjentët e Shërbimit Sekret, të cilët po mbikqyrnin fushën e golfit teksa ish-presidenti po luante.
Gryka e një pushke – e përshkruar fillimisht si një pushkë e stilit AK-47 nga Sherifi i Qarkut Ric Bradshaë – u dallua përmes shkurreve që rrethojnë fushën e golfit. Në atë kohë Trump ishte rreth 272-557 m larg nga personi i armatosur.
Sherifi i Qarkut Palm Beach, Ric Bradshaë tha se agjentët e Shërbimit Sekret të SHBA-së qëlluan në drejtim të personit që kishte drejtuar armën drejt fushës së golfit, ndërsa Trump ishte duke luajtur golf.
Zoti Bradshaë tha se personi i armatosur kishte gjithashtu dy çanta shpine të varura në një gardh dhe një kamerë GoPro të cilat i la në vendngjarje. Pasi shërbimi sekret hapi zjarr personi hodhi armën dhe iku me një fuoristradë dhe më pas u arrestua në një distrikt aty pranë.
Si u kap i dyshuari?
Agjentët hapën zjarr kur panë personin e armatosur dhe qëlluan katër deri në pesë fishekë.
I dyshuari hodhi pushkën dhe u largua me një automjet, duke e braktisur armën së bashku me dy çantat dhe kamerën që kishte marrë për të filmuar atentatin.
Një dëshmitar e pa burrin duke ikur nga shkurret dhe duke hipur në një foristradë “Nissan” të zi. Dëshmitari kapi një foto të makinës dhe ia ofroi organeve të rendit.
I dyshuari u kap nga policia duke vozitur drejt veriut në autostradën I-95 pasi kaloi në Martin County, afërsisht 61 km nga fusha e golfit të Trump.
Kush është i dyshuari?
Disa media amerikane e identifikuan të dyshuarin si Ryan Wesley Routh, 58 vjeç, nga Havai, duke cituar zyrtarë të paidentifikuar të organeve të zbatimit të ligjit.
BBC Verify ka gjetur profilin në media sociale që përputhet me atë emër. Ata tregojnë se Routh bëri thirrje që luftëtarët e huaj të shkonin në Ukrainë për të luftuar kundër forcave ruse.
Në profilin e tij ka edhe mesazhe pro-palestineze, pro-Tajvanit dhe kundër Kinës, duke përfshirë pretendimet për “luftën biologjike” kineze dhe referenca për virusin Covid-19 si një “sulm të qëllimshëm”.
Routh, i cili nuk kishte përvojë ushtarake, i tha New York Times në vitin 2023 se ai kishte udhëtuar në Ukrainë menjëherë pas pushtimit të Rusisë në vitin 2022 për të gjetur rekrutë ushtarakë mes ushtarëve afganë që kishin ikur nga talebanët.
Ai duket se ka qenë i përfshirë në përpjekjet e rekrutimit që në këtë verë, duke shkruar në Facebook në muajin korrik: “Ushtarë, ju lutem mos më telefononi. Ne jemi ende duke u përpjekur që Ukraina të pranojë ushtarë afganë dhe shpresojmë të kemi disa përgjigje në të ardhmen. Ju lutem kini durim.”
Routh ishte një person me precedent të theksuar kriminal. Sipas burimeve të CBS, Ryan Routh u akuzua dhe u dënua për vepra të shumta penale në Guilford County në Karolinën e Veriut midis viteve 2002 dhe 2010.
Veprat përfshijnë mbajtjen e një arme pa leje, rezistencë ndaj arrestimit nga një oficer policie, drejtimin e mjetit me patentë të hequr, posedimin e pasurisë së vjedhur.
Incidenti është zhvillimi i fundit tronditës në një vit fushate të shoqëruar me ngjarje të pashmebullta dhe ndodh pothuajse dy muaj pasi zoti Trump u qëllua gjatë një atentati në një tubim në Pensilvani dhe një plumb e plagosi në vesh.
Vetëm një javë më pas presidenti Joe Biden u tërhoq nga gara.
Në një email drejtuar mbështetësve të tij, zoti Trump tha: “Pati të shtëna armësh pranë (meje), por përpara se spekulimet ta dalin jashtë kontrollit, doja që të isha i pari që t’ju thoja: JAM I SIGURT DHE NË GJENDJE TË MIRË! Asgjë nuk do të më ngadalësojë. Nuk do të dorëzohem kurrë!” tha ish-presidenti.
Ish-Presidenti Trump ishte kthyer në Florida këtë fundjavë nga një udhëtim fushate në pjesën perëndimore të vendit, përfshirë një tubim të premten mbrëma në Las Vegas dhe një aktivitet për mbledhje fondesh në Utah.
Masat e sigurisë për kandidatin republikan janë shtuar pas atentatit ndaj tij në korrik.
Shtëpia e Bardhë tha se presidenti Joe Biden dhe Nënpresidentja Kamala Harris, kandidatja demokrate për presidente, ishin informuar për ngjarjen dhe do të vazhdojnë të marrin informacion për hetimin.
Shtëpia e Bardhë shtoi se ata ishin “të lehtësuar” që zoti Trump ishte jashtë rrezikut. Kandidatja demokrate për Presidente Harris, në një deklaratë tha se është “e kënaqur” që zoti Trump është mirë, duke shtuar se “dhuna nuk ka vend në Amerikë”.
Në një postim në platformën X, senatori republikan Lindsey Graham, një nga aleatët kryesorë të Kongresit të Trump, tha se kishte folur me ish-Presidentin Trump pas incidentit dhe se ai ishte “në humor të mirë” dhe e karakterizoi si “një nga njerëzit më të fortë që kam njohur ndonjëherë”./euronews/
Lajme nga bota
Përmbytje të mëdha në Stamboll, dy të vdekur dhe qindra banesa nën ujë – pezullohet mësimi
Dy persona kanë humbur jetën si pasojë e përmbytjeve të mëdha që kanë goditur Stambollin, pas reshjeve të dendura të shiut që shkaktuan vërshime në rrugë, banesa dhe biznese, duke paralizuar pjesërisht jetën në qytetin më të madh të Turqisë.
Sipas agjencisë shtetërore turke Anadolu, një grua 34-vjeçare ka humbur jetën në lagjen Sarıyer, pasi është rrëzuar teksa po përpiqej të kalonte një rrugë të përmbytur. Ajo është dërguar në spital, por nuk ka arritur të mbijetojë.
Ndërkohë, një 14-vjeçar ka vdekur si pasojë e goditjes nga rryma elektrike, pasi kishte shkelur në një pellg me ujë në zonën Balat të Stambollit.
Reshjet e dendura, që përfshinë qytetin të mërkurën, më 14 tetor, shkaktuan përmbytje në disa lagje, ndërsa automjete të shumta mbetën të bllokuara në rrugë dhe disa të tjera u morën nga rrjedha e ujit.
Sipas të dhënave të publikuara nga Guvernatori i Stambollit, gjatë periudhës nga ora 06:00 deri në orën 20:00 të së mërkurës, autoritetet kanë pranuar gjithsej 2 mijë e 518 thirrje emergjente.
Në mesin e tyre janë regjistruar 1 mijë e 277 raste përmbytjesh, 15 rrëshqitje dheu dhe 47 raste të personave të bllokuar. Po ashtu, janë evidentuar raportime për përmbytje në 808 banesa dhe 280 biznese.
Për përballimin e situatës emergjente, autoritetet kanë angazhuar rreth 8 mijë punonjës dhe 2 mijë automjete e makineri të rënda.
Situata ka qenë veçanërisht e rëndë në lagjen Ayazağa të Sarıyerit, ku rreth 200 punonjës mbetën të bllokuar në vendet e tyre të punës për shkak të përmbytjeve.
Ekipet e shpëtimit, përfshirë autoritetet e emergjencave AFAD, zjarrfikësit dhe njësitë e kërkim-shpëtimit, ndërhynë gjatë natës, duke evakuuar punonjësit me kamionë dhe minibusë. Në disa raste, makineritë e rënda u përdorën për të shpëtuar qytetarët e bllokuar në automjete.
Përmbytjet kanë prekur edhe objekte historike. Në zonën Kağıthane, lumi doli nga shtrati, duke përmbytur xhaminë historike Sadabad dhe ndërtesat përreth saj. Uji depërtoi edhe në hapësirat e brendshme të xhamisë, ndërsa autoritetet ndaluan hyrjen në objekt për arsye sigurie.
Për shkak të kushteve të rënda atmosferike, Guvernatori i Stambollit ka vendosur pezullimin e mësimit në të gjitha institucionet arsimore publike dhe private për ditën e enjte, 15 tetor.
Autoritetet kanë vendosur gjithashtu masa të tjera parandaluese, përfshirë kufizimin e qarkullimit të motoçikletave dhe lejen administrative për kategori të caktuara të punonjësve publikë.
Qytetarëve u është bërë thirrje të shmangin lëvizjet e panevojshme, ndërsa banorët e kateve nëntokësore janë këshilluar të qëndrojnë përkohësisht në vende më të sigurta.
Shërbimi meteorologjik turk ka paralajmëruar vazhdimin e reshjeve të shiut dhe stuhive gjatë së enjtes, ndërsa ekipet emergjente vijojnë ndërhyrjet në zonat e prekura.
Lajme nga bota
Blerja e raketave nga Serbia alarmon rajonin: Eurodeputeti kroat kërkon reagim urgjent nga Komisioni Europian
Blerja e armatimeve ofensive nga ana e Serbisë, përfshirë raketat balistike të siguruara nga Kina dhe bashkëpunimi i ngushtë ushtarak me Rusinë, përbën një kërcënim real për sigurinë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Në një prononcim publik, eurodeputeti kroat Davor Ivo Stier theksoi se Parlamenti Europian ka qenë kritiku më i ashpër i regjimit të Beogradit, duke i kërkuar zyrtarisht Komisionit Europian ndërprerjen e fondeve dhe ndryshimin e menjëhershëm të qasjes politike.
Deklarata e eurodeputetit Davor Ivo Stier:
“Shqetësimi ynë nuk ka të bëjë vetëm me riarmatimin, por edhe me prokurimin e armëve ofensive, për shembull si raketat balistike që janë blerë nga Kina. Çështja është, përse i duhen këto armatime ofensive? Të cilën ne e kemi vënë në dukje përmes një rezolute të Parlamentit Evropian mbi Serbinë.
Ne kemi konstatuar se regjimi serb nuk po ecën aspak në drejtim të vlerave evropiane dhe, sidomos pas sulmit të Banjskës, Parlamenti Evropian ka qenë shumë kritik edhe sa i takon reagimeve të institucioneve të tjera, përfshirë Komisionin Evropian, të cilit ne i kemi bërë thirrje që të aplikojë politikat e duhura që tregojnë se vendi nuk po implementon reformat dhe nuk meriton më fonde.
Prandaj do të thosha se Parlamenti Evropian ka qenë institucioni më kritik kur bëhet fjalë për politikat kundrejt Serbisë, ndërsa tek Komisioni zbatohen dhe ndiqen ende politika dhe qasje përmes të cilave ata shpresojnë se do të arrijnë rezultate, por këto rezultate deri më sot kanë qenë negative.
Sigurisht që është një deklaratë shqetësuese. Në vend që t’i vinte veshin mesazheve që vijnë nga institucionet evropiane dhe sidomos nga Parlamenti Evropian, ajo që kemi parë deri tani me Beogradin është se vazhdon me politikat e tij. Vetëm ditën e djeshme, për shembull, Ministria e Jashtme e Serbisë shpërndau një notë verbale proteste kundër lirisë së medias në Kroaci.
Kjo është një ndërhyrje e pastër në çështjet e brendshme të një vendi, por vjen në një kohë kur Serbia ndodhet në prag të zgjedhjeve. Kjo nuk është mënyra e duhur për të ecur përpara dhe mendoj se Serbisë i duhet bërë e qartë se me këto politika të brendshme Serbia nuk po ecën drejt Bashkimit Evropian.”
Lajme nga bota
Nafta mbi 102 dollarë përsëri: Sulme të reja trondisin tregun, frika e ndërprerjes së furnizimit
Çmimet e naftës u rritën përsëri mbi 102 dollarë për fuçi, pasi sulmet e reja ndaj anijeve në rajonin e Gjirit Persik ngritën frikën për ndërprerje të mëtejshme të furnizimit. Kontratat e ardhshme të naftës Brent ishin rreth 101.80 dollarë për fuçi të mërkurën, ndërsa nafta WTI amerikane tregtohej rreth 89.90 dollarë. Tregu mbetet jashtëzakonisht i ndjeshëm ndaj zhvillimeve në Lindjen e Mesme.
Ngushtica e Hormuzit, nëpër të cilën kalon normalisht një pjesë e konsiderueshme e naftës botërore, po tërheq vëmendje të veçantë. Sulmet në rritje ndaj anijeve cisternë po rrisin gjithashtu kostot e transportit, duke mbështetur më tej rritjen e çmimeve.Megjithatë, ka edhe faktorë në treg që kufizojnë rritjen. Arabia Saudite ka raportuar mundësi në rritje për eksport përmes rrugëve alternative, dhe tubacioni i saj Lindje-Perëndim mund të devijojë deri në 5.8 milionë fuçi në ditë në Detin e Kuq. Presion shtesë në treg krijohet edhe nga rezervat e ulëta globale . Sipas Reuters, inventarët komercialë të naftës janë në nivele kritikisht të ulëta, duke e bërë tregun shumë më të ndjeshëm ndaj çdo ndërprerjeje të re në prodhim ose transport.
Ndërkohë, rezervat e naftës bruto në SHBA ranë me rreth 3.2 milionë fuçi, një faktor tjetër që mbështet çmimet.

