Lajme nga vendi
Arrihet marrëveshje për shportën konsumatore të vjeshtës, do të shqyrtohet në mbledhjen e ardhshme qeveritare

Në mbledhjen e ardhshme qeveritare duhet të gjendet propozimi për shportën konsumatorë të vjeshtës, deklaroi sot kryeministri Hristian Mickoski.
Në deklaratën për mediat Mickoski tha se është arritur marrëveshje dhe se propozimi i Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës dje ishte dorëzuar në Qeveri.
“Kishte dje propozim nga ana e ministrit të Ekonomisë, i cili është rezultat i takimit të cilin e kishin kompetentët me prodhuesit dhe me tregtarët. Thamë se punët do t’i zgjidhim përmes dialogut, ishte arritur marrëveshje dhe i njëjti do të jetë tashmë në mbledhjen e ardhshme të qeverisë. Dje nuk ishte për shkaqe të përcaktuara teknike, por duam që t’i kalojë edhe ato filtra siç janë Kolegiumi i përgjithshëm dhe Komisioni për Sistem Ekonomik. Pres që në mbledhjen e ardhshme qeveritare të martën të jetë në rend dite”, tha Mickoski, duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve pas vizitës së sotme në komunën Aerodrom.
Për Ligjin për praktika të padrejta tregtare që duhet të hyjë në fuqi nga data 28 e këtij muaji, tha se nëse nuk marrin qëndrim përfundimtar nga sektori i biznesit, do të shkohet sipas dinamikës së paraparë.
Deri të martën duhet të dihet se cilat produkte ushqimore do të përfshihen me shportën konsumatore të vjeshtës dhe nëse do të shkohet me masën për ngrirjen e çmimeve ose për kufizimin e marzhave. Për këtë gjatë periudhës së kaluar punoi një grup pune me përfaqësues të ministrive të Ekonomisë, Financave dhe Bujqësisë.
Lajme nga vendi
Rreth 30 mijë udhëtarë kanë kaluar në VK “Qafë Thanë” në tre ditët e fundit

Në vendkalimet kufitare në kufirin mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, posaçërisht në vendkalimin “Qafë Thanë” në Strugë, vazhdon frekuenca e madhe e udhëtarëve dhe automjeteve.
“Gjatë tre ditëve të kaluara, rreth 30 mijë udhëtarë dhe mbi 11 mijë automjete kanë hyrë dhe kanë dalë nga ky vendkalim. Pjesa më e madhe e udhëtarëve janë shtetas të huaj, të cilët kanë zgjedhur bregdetin shqiptar për pushimet e tyre verore”, njoftuan mediumet shqiptare.
Për t’u përballuar me këtë fluks, autoritetet kufitare kanë vënë në funksion katër sportele për qytetarët dhe një sportel të dedikuar për automjete transportuese.
Frekuencë e rritur është regjistruar edhe në vendkalimin kufitar “Bllatë” në Dibër, i cili, pas ndërtimit të “Rrugës së Arbrit”, përdoret gjithnjë e më shumë, për shkak të distancës së zvogëluar, vetëm 70 kilometra, nga vendkalimi e deri në Tiranë.
Në këtë vendkalim, sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë, në gjashtë muajt e parë të këtij viti, është regjistruar frekuencë historikisht rekord, respektivisht kanë kaluar 574.737 udhëtarë, që është 55 për qind më shumë se krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur janë regjistruar 370.827 udhëtarë.
Lajme nga vendi
Raporti i revizionit për Fondin Shëndetësor, VLEN: Ky raport është aktakuzë politike për BDI-në

Koalicioni VLEN ka reaguar ndaj raportit të fundit të Entit Shtetëror të Revizionit i cili zbuloi dobësi serioze sistemike në funksionimin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore për vitin 2023, duke treguar mungesën e një sistemi të vetëm të integruar për referime, raporte mjekësore dhe faturim. Nga VLEN tha se ky raport, është një aktakuzë morale dhe politike për mënyrën se si BDI dhe drejtuesit e saj kanë keqmenaxhuar institucionet publike. Ata akuzuan ish drejtorin e Fondit Faton Ahmeti, i cili atë kohë ishte drejtori nga radhët e BDI-së, për keqmenaxhim të pandëshkuar.
Koalicioni VLEN
“Me mbi 5 milionë euro të shpenzuara pa kontroll për trajtime jashtë vendit, me dhjetëra padi gjyqësore brenda dhe jashtë shtetit, me mungesë totale të sistemit të integruar për receta dhe shërbime shëndetësore, dhe me një rrjet të brishtë informatik që dështoi nën sulme kibernetike, Fondi i Shëndetësisë është shembulli më i qartë i shndërrimit të një institucioni vital në një çerdhe kaosi nga qeverisja e BDI-së. Raporti i revizionit konfirmon atë që qytetarët e kanë ndjerë në lëkurën e tyre: paratë publike janë abuzuar, sistemet jetike janë shkatërruar, dhe institucionet janë kthyer në plaçkë për emra të lidhur politikisht. Qytetarët kanë të drejtë të dinë: Kush do të japë llogari për këtë dështim?”
Ndëkraq, Ahmeti i është përgjigjur këtyre akuzave duke thënë se, koalicionit VLEN se po i braktisin interesat shqiptare dhe po shërbejnë vetëm si vegla të pushtetit. Ai thekson se revizioni në Fondin për Sigurim Shëndetësor është pasojë e problemeve të trashëguara ndër vite, por ajo që po ndodh sot, sipas tij, është braktisje e hapur e pacientëve shqiptarë.
Ndryshe, në raportin e revizionit mes tjerash thuhet se, sistemi i recetave elektronike nuk është krijuar ende dhe kontrollet ekzistuese për recetat janë të pamjaftueshme. Revizoni ka vërejtur probleme kritike të IT-së – mungesën e strategjisë së IT-së, mungesat e stafit dhe infrastruktura e vjetërsuar e serverëve, të cilat kontribuuan në një sulm kibernetik në shkurt 2023. Po ashtu, janë identifikuar parregullsi në procesin e udhëzimit për trajtim jashtë vendit, ku nuk ka kontroll dhe monitorim të përshtatshëm të rezultateve të trajtimit për rreth 5 milionë euro.
Teuta Buçi /SHENJA/
Lajme nga vendi
DAP gjeti parregullësi në 34% të objekteve të kontrolluara

Drejtoria e të Ardhurave Publike ka kryer gjithësej 154 kontrolle në terren për fiskalizim gjatë periudhës nga 21 deri më 27 korrik të këtij viti, duke synuar lloje të ndryshme të subjekteve afariste, nga ku dhe perkohësisht kanë mbyllur pesë subjekte në vend si dhe ndalon pesë tatimpagues të tjerë të kryejnë aktivitete. Siç njoftuan ata, kontrollet përfshinë tobake, objekte hotelierike, agjenci udhëtimesh dhe hotele, si dhe objekte të tjera.
DREJTORIA E TË ARDHURAVE PUBLIKE
“Kontrollet u kryen në të gjithë vendin në disa qytete, duke përfshirë destinacione turistike ku ka një frekuencë të shtuar të turistëve gjatë periudhës së verës. Nga 154 subjekte të kontrolluara, në 52 subjekte ose në 34% të kontrolleve u gjetën parregullsi”.
Tutje ata shtuan se pesë tatimpaguesve, iu dha masa e ndalimit të përkohshëm për të kryer aktivitetet e tyre, ndërsa tre subjekte në Ohër, një në Gostivar dhe një në Strugë u mbyllën përkohësisht.
DREJTORIA E TË ARDHURAVE PUBLIKE
“Në Shkup, u kryen 43 kontrolle dhe u përcaktuan 9 parregullsi; Në Strugë, Ohër dhe Resnjë u kryen 64 kontrolle dhe u konstatuan: 10 parregullsi në Strugë, 14 në Ohër, 2 në Resnjë. Në Prilep u kryen 5 kontrolle dhe u konstatuan 3 parregullsi. Në Tetovë, Gostivar dhe Kërçovë, u kryen 15 kontrolle dhe u konstatuan 6 parregullsi, nga të cilat 4 në Tetovë dhe nga një në Gostivar dhe Kërçovë”.
Drejtoria e të Ardhurave Publike u bën thirrje të gjithë tatimpaguesve të veprojnë me ndërgjegje dhe në përputhje me rregulloret ligjore, me qëllim që të kontribuojnë në forcimin e pajtueshmërisë tatimore dhe promovimin e disiplinës tatimore në vend. Bazuar në kontrollet e kryera, ata thonë se do të kryhen verifikime të kryqëzuara me qëllim verifikimin e besueshmërisë së të ardhurave të deklaruara të tatimpaguesve.
Anida Murati /SHENJA/
-
Lajme nga vendi3 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi3 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi3 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve