Lajme nga bota
Kompania tajvaneze thotë se pejxherët që shpërthyen në Liban dhe Siri u prodhuan në Hungari
Kompania tajvaneze “Gold Apollo” të mërkurën ka deklaruar se ka autorizuar përdorimin e markës së saj në pejxherët që shpërthyen në Liban dhe në Siri, por se ato janë prodhuar nga një kompani tjetër me bazë në Budapest.
Pejxherët – pajisje të telekomunikimit me valë – e përdorur nga grupi militant Hezbollah, i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës [SHBA], shpërthyen pothuajse në të njëjtën kohë gjatë 17 shtatorit në Liban dhe në Siri, duke vrarë të paktën nëntë persona, përfshirë një vajzë 8 vjeçe, dhe duke plagosur rreth 3.000 njerëz.
Pejxherët ishin prodhuar nga BAC Consulting KFT, me bazë në kryeqendrën e Hungarisë, sipas një komunikate të lëshuar më 18 shtator nga Gold Apollo,, raporton Associated Press.
“Sipas marrëveshjes së bashkëpunimit, ne autorizojmë BAC të përdorë markën tonë për shitjet e produkteve në rajone të caktuara, por dizajni dhe prodhimi i produkteve është përgjegjësi e BAC”, thuhet në komunikatë.
Kreu i Gold Apollo, Hsu Ching-kuang, u tha gazetarëve se kompania e tij ka pasur marrëveshje licencimi me BAC për tre vjetët e kaluar, por nuk ka ofruar dëshmi të kontratës.
Rreth orës 3:30 të së martës, sipas kohës lokale, teksa njerëzit po blinin në dyqane, po rrinin në kafene apo po ngisnin automjetet e tyre, pejxherët në duart apo në xhepat e tyre filluan të nxehen dhe pastaj shpërthyen – duke shkaktuar skena të përgjakshme dhe duke nxitur panik mes kalimtarëve.
Shumë prej viktimave u tha se janë pjesëtarë të Hezbollahut, por nuk u bë e qartë nëse pejxherët që shpërthyen ishin edhe në duar të joanëtarëve.
Shpërthimet ndodhën kryesisht në zonat ku grupi ka prani të madhe, veçanërisht në një periferi jugore të Bejrutit dhe në rajonin Beka në lindje të Libanit, si dhe në Damask, sipas zyrtarëve libanezë të sigurisë dhe një zyrtari të Hezbollahut, i cili foli në kushte anonimiteti.

Hezbollahu, i cili akuzon Izraelin si përgjegjës për shpërthimet, ka thënë në mëngjesin e së mërkurës, nëpërmjet një komunikate, se do të vazhdojë kryerjen e sulmeve të zakonshme ndaj Izraelit “sikurse në ditët e fundit”, si pjesë e atij që e ka përshkruar si front mbështetës për aleatin e tij, Hamasin – po ashtu i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe nga Bashkimi Evropian – dhe për palestinezët në Gazë.
Hezbollahu nisi lëshimin e raketave drejt Izraelit më 8 tetor 2023, një ditë pasi një sulm vdekjeprurës i udhëhequr nga Hamasi në Izraelin jugor nxiti një kundërofensivë masive izraelite dhe luftën e vazhdueshme në Gazë.
Që atëherë, Hezbollahu dhe forcat izraelite kanë shkëmbyer sulme pothuajse çdo ditë, të cilat kanë shkaktuar vdekjen e qindra personave në Liban dhe të dhjetëra të tjerëve në Izrael, si dhe kanë çuar në zhvendosjen e dhjetëra mijëra njerëzve në të dyja anët e kufirit.
Lajme nga bota
Nafta mbi 102 dollarë përsëri: Sulme të reja trondisin tregun, frika e ndërprerjes së furnizimit
Çmimet e naftës u rritën përsëri mbi 102 dollarë për fuçi, pasi sulmet e reja ndaj anijeve në rajonin e Gjirit Persik ngritën frikën për ndërprerje të mëtejshme të furnizimit. Kontratat e ardhshme të naftës Brent ishin rreth 101.80 dollarë për fuçi të mërkurën, ndërsa nafta WTI amerikane tregtohej rreth 89.90 dollarë. Tregu mbetet jashtëzakonisht i ndjeshëm ndaj zhvillimeve në Lindjen e Mesme.
Ngushtica e Hormuzit, nëpër të cilën kalon normalisht një pjesë e konsiderueshme e naftës botërore, po tërheq vëmendje të veçantë. Sulmet në rritje ndaj anijeve cisternë po rrisin gjithashtu kostot e transportit, duke mbështetur më tej rritjen e çmimeve.Megjithatë, ka edhe faktorë në treg që kufizojnë rritjen. Arabia Saudite ka raportuar mundësi në rritje për eksport përmes rrugëve alternative, dhe tubacioni i saj Lindje-Perëndim mund të devijojë deri në 5.8 milionë fuçi në ditë në Detin e Kuq. Presion shtesë në treg krijohet edhe nga rezervat e ulëta globale . Sipas Reuters, inventarët komercialë të naftës janë në nivele kritikisht të ulëta, duke e bërë tregun shumë më të ndjeshëm ndaj çdo ndërprerjeje të re në prodhim ose transport.
Ndërkohë, rezervat e naftës bruto në SHBA ranë me rreth 3.2 milionë fuçi, një faktor tjetër që mbështet çmimet.
Lajme nga bota
Shembet pjesërisht një ndërtesë 7-katëshe në Stamboll, shpëtohen 5 persona
Një ndërtesë shtatëkatëshe u shemb pjesërisht mëngjesin e sotëm në lagjen Maltepe të Stambollit, ndërsa nga rrënojat u shpëtuan pesë persona, mes tyre dy fëmijë.
Ngjarja ndodhi rreth orës 05:40. Tre katet e para të ndërtesës u shembën, ndërsa banorët e kateve të sipërme u evakuuan. Ekipet e AFAD-it, zjarrfikësit, policia dhe ekipet mjekësore nisën menjëherë operacionin e kërkim-shpëtimit.
Pesë personat e nxjerrë nga rrënojat u dërguan në spital. Gjatë ndërhyrjes, një zjarrfikës gjithashtu u transportua në spital pasi iu përkeqësua gjendja.
Shkaku i shembjes ende nuk dihet. Sipas autoriteteve, ndërtesa ishte ndërtuar në vitin 1987 dhe kishte 12 njësi banimi. Hetimet për përcaktimin e shkaqeve kanë nisur.
Lajme nga bota
Rriten tensionet me Iranin, Pentagoni urdhëron ushtrinë amerikane: Përgatituni për sulme të reja
Pentagoni i ka kërkuar Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM) të përfundojë përgatitjet për një rikthim të mundshëm të operacioneve ushtarake në shkallë të gjerë kundër Iranit, sipas raportimeve të Axios.
Urdhri nuk përcakton një datë konkrete për nisjen e sulmeve dhe presidenti Donald Trump ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar. Megjithatë, sipas burimeve amerikane dhe izraelite të cituara në raport, një ofensivë e re mund të nisë para zgjedhjeve afatmesme amerikane të nëntorit, madje potencialisht edhe përpara zgjedhjeve izraelite të 27 tetorit.
Në shënjestër objektivat bërthamore dhe infrastruktura energjetike
Sipas raportimit, në rast të rifillimit të operacioneve, objektivat e mundshëm mund të përfshijnë objekte bërthamore iraniane, infrastrukturën energjetike dhe objektiva të tjera strategjike. Burimet e cituara nga Axios theksojnë se mundësia e sulmeve para zgjedhjeve amerikane nuk konsiderohet e lartë, por as nuk përjashtohet.
Situata vjen pas javësh tensionesh dhe përpjekjesh diplomatike mes Uashingtonit dhe Teheranit. Sipas Axios, negociatat e fundit kanë shënuar pak progres, duke rritur shqetësimet për një rikthim të luftimeve në shkallë të gjerë.
Trump përballet me vendimin për përshkallëzim ose negociata
Presidenti Trump ka diskutuar me këshilltarët e tij të sigurisë kombëtare mundësitë për Iranin, ndërsa një takim i nivelit të lartë u zhvillua së fundmi në Camp David. Sipas raportimeve, administrata amerikane po shqyrton rikthimin në operacione të mëdha ushtarake, ndërsa negociatat me Teheranin mbeten të bllokuara.
Rikthimi i konfliktit para zgjedhjeve afatmesme amerikane mund të ketë edhe pasoja ekonomike, veçanërisht për shkak të ndikimit të mundshëm në çmimet e naftës dhe energjisë. Megjithatë, nuk ka ende një vendim zyrtar se kur ose nëse do të nisin sulmet e reja.
Top Channel
-
Lajme nga bota2 months agoTRUMP: LARGIMI I INFANTINO-s NGA FIFA DO TË ISHTE NJË GABIM I RËNDË
-
Lajme nga rajoni2 months agoKrimi i rëndë në Kosovë/ Kjo është 25-vjeçarja që u vra me armë zjarri, dyshohet se u qëllua nga bashkëshorti i saj, ishte në javën e 34 të shtatzënisë
-
Lajme nga bota2 months agoTrump paralajmëron “luftë ekonomike” ndaj Iranit: Kush e ndihmon, do të përballet me pasoja

