Lajme nga vendi
BDI: Nuk do të lejojmë që Maqedonia e Veriut të mbetet jashtë Evropës për shkak të dështimeve politike të momentit
Bashkim Demokratik për Integrim tha se, Maqedonia e Veriut është përballë një momenti të dhimbshëm, që siç tha për çdo qytetar që ka ëndërruar për të ardhmen evropiane, zgjon ndjenja të thella zhgënjimi dhe hidhërimi. BDI tha se vendimi që Maqedonia nuk do të mund të hapë kapitullin për rrugën drejt BE-së, është një pasojë e drejtpërdrejtë e një dështimi politik, por mbi të gjitha është një padrejtësi e rëndë për çdo qytetar të Maqedonisë së Veriu.
Tutje, thanë se nuk do të lejojnë që Maqedonia e Veriut të mbetet jashtë Evropës për shkak të dështimeve politike të momentit
“Sot, vendi ynë është përballë një momenti të dhimbshëm, që për çdo qytetar që ka ëndërruar për të ardhmen evropiane, zgjon ndjenja të thella zhgënjimi dhe hidhërimi. Për shkak të dështimit të kësaj qeverie për të përmbushur reformat kushtetuese, Maqedonia e Veriut është sot e ndarë nga Shqipëria në udhëtimin e saj drejt Bashkimit Evropian.
Ky vendim është një pasojë e drejtpërdrejtë e një dështimi politik, por mbi të gjitha është një padrejtësi e rëndë për çdo qytetar të Maqedonisë së Veriut që e ka parë Evropën jo vetëm si një qëllim politik, por si një aspiratë e thellë shoqërore dhe kulturore. Nuk jemi më në një rrugëtim të përbashkët me Shqipërinë, dhe kjo është një goditje ndaj unitetit dhe qëndrueshmërisë rajonale për të cilën jemi përpjekur kaq gjatë.
Bashkimi Demokratik për Integrim, në vazhdimësi, ka paralajmëruar se ky dështim do të kishte pasoja të rënda. Çdo ditë që reformat kushtetuese shtyhen është një ditë e humbur për të ardhmen evropiane të fëmijëve tanë. Çdo dështim në miratimin e këtyre reformave është një hap më larg nga familja evropiane dhe një hap më pranë izolimit, ndarjes dhe ngecjes në vend.
Sot, fjalët tona nuk janë thjesht kritikë. Ato janë një apel i hapur për secilin qytetar të këtij vendi që e dashuron Evropën dhe beson në vlerat e saj: ky është momenti që të bashkuar tërgojmë porosi të fuqiahme për veprim pa humbur më kohë. Çdo vonesë, çdo dështim, vetëm sa e thellon hendekun midis nesh dhe Bashkimit Evropian”, thotë BDI.
Maqedonia e Veriut është Evropë, dhe këtë e meritojnë qytetarët e saj. Nuk duhet të lejojmë që politika e ditës të na rrëmbejë të ardhmen. Kjo nuk është çështje partiake, por një çështje kombëtare që prek çdo familje dhe çdo individ që beson në një të ardhme më të mirë, të qëndrueshme dhe evropiane.
Në këtë udhëkryq, ne jemi të vendosur të veprojmë për atë që është e drejtë dhe për të drejtën e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut për t’u bërë pjesë e familjes evropiane. Historia do të na gjykojë për këtë moment, dhe ne nuk do të lejojmë që Maqedonia e Veriut të mbetet jashtë Evropës për shkak të dështimeve politike të momentit.
Lajme nga vendi
Në pranga edhe pronari i “Sante Plus” në Shkup, Bilall Kara si dhe Geriana Arapi, po i kërkonte edhe Shqipëria
Pronari i spitalit privat “Sante Plus”, Bilal Kara, është një prej personave të arrestuar në operacionin e zhvilluar në Maqedonisë së Veriut, në kuadër të një hetimi për abuzime me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.
Ai ishte shpallur në kërkim edhe nga autoritetet shqiptare që prej muajit shtator të vitit të kaluar, me dyshimin se nuk kishte deklaruar të ardhurat e përfituara në vlerën e 1 milion eurove, ndërsa në klinikë u gjetën edhe medikamente, të cilat dyshohet se kishin skaduar, por që përdoreshin nga stafi shëndetësor.
Sipas mediave maqedonase, bashkë me Bilal Kara u arrestuan edhe shtatë persona të tjerë, të cilët dyshohen për përfshirje në abuzime me procedurat e operacioneve në sy. Sipas hetimeve, dyshohet se për këto ndërhyrje kirurgjikale janë kryer pagesa si nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, ashtu edhe nga vetë pacientët. Mes personave të arrestuar, sipas mediave maqedonase është edhe Geriana Arapi, ish-drejtoresha e spitalit “Sante Plus”, e cila po ashtu ishte në kërkim prej më shumë se një viti nga autoritetet shqiptare, që pas bllokimit të klinikës “International Medicare” në Tiranë. Arrestimi i tyre në Maqedoninë e Veriut pritet të pasohet nga zhvillime të tjera lidhur me procedurat ligjore dhe kërkesën e autoriteteve shqiptare për ta.
Lajme nga vendi
Moti sot në Maqedoninë e Veriut
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe reshje lokale të shiut. Në disa lugina do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së mëngjesit. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu.
Temperatura minimale do të jetë në intervalin nga 6 deri në 12 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë nga 12 deri në 19 gradë.
Në Shkup, moti do të jetë kryesisht me vranësira, në orët e mëngjesit do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së lehtë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu. Temperatura minimale do të ulet në 10, ndërsa maksimale do të arrijë në 15 gradë.
Lajme nga vendi
LAMM: Komunikacioni zhvillohet pa pengesa, nuk ka vonesa në pikat kufitare
Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet pa probleme, në rrugë të thata, njofton LAMM. Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar.
Nuk ka vonesa të gjata në pikat kufitare në anën RMV-së për hyrje dhe dalje nga vendi.
LAMM rekomandon përshtatjen e shpejtësisë së lëvizjes, respektimin e sinjalistikës së vendosur të trafikut dhe menaxhimin e kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, lugina lumenjsh dhe gryka, ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut. Kjo vlen veçanërisht për seksionet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.
-
Lajme nga rajoni2 months agoFilloi në Hagë seanca për deklaratat përfundimtare ndaj Thaçit dhe të tjerëve
-
Lajme nga rajoni2 months agoKa ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë
-
Lajme nga rajoni2 months agoThaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13

