Lajme nga vendi
Mexhiti në ceremoninë e hapjes së vitit të ri akademik: Qeveria ka siguruar 35 milionë euro për ndërtimin e kampusit të UNT, ky është një investim për gjeneratat e reja
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, mori sot pjesë në ceremoninë e hapjes së vitit të ri akademik në Universitetin Nënë Tereza në Shkup.
Në këtë solemnitet Mexhiti konfirmoi se Qeveria ka siguruar 35 milionë euro për ndërtimin e kampusit universitar ‘Nënë Tereza’. Tha se ky nuk është vetëm një investim për të ndërtuar godina, por është një investim për gjeneratat e reja.
“Në vitin 1996, ish Kryeministri britanez Tony Blair kishte proklamuar tre prioritete kryesore të Qeverisë së tij: I pari- arsimi, i dyti- arsimi, dhe i treti- arsimi! Fuqia e kësaj deklarate që u bë një maksimë politike nuk do koment të veçantë, por meriton çdo respekt nga pikëpamja e vizionit të një burrështetasi për t’ia dhënë arsimit vendin e merituar në shtet dhe shoqëri. Sepse në çdo shtet të zhvilluar, edhe suksesi ekonomik, edhe kohezioni social varen pikërisht nga arsimi. Dhe prandaj, një ndër tri prioritetet themelore edhe të Qeverisë sonë është pikërisht arsimi. Sot, me rastin e fillimit të vitit të ri akademik, kam kënaqësi të veçantë që pikërisht në këtë solemnitet të konfirmoj se Qeveria ka siguruar 35 milionë euro për ndërtimin e kampusit universitar ‘Nënë Tereza’. Ky nuk është vetëm një investim për të ndërtuar godina. Ky është një investim për gjeneratat e reja, për të gjithë ata shqiptarë e shqiptare që do të jenë konkurrues me moshatarët e tyre kudo nëpër Evropë dhe nëpër institucionet e korporatat e mëdha ndërkombëtare, banka, organizata politike, media, shoqata bamirëse”, është shprehur Mexhiti.
Ai më tej ka shtuar: “Por, vetëm infrastruktura nuk mjafton. Vetëm investimi i Qeverisë nuk bën ndryshim. Është detyrë e secilit prej jush që të studioni, të hulumtoni, të thelloni dituritë e të përsosni aftësitë tuaja sa më shumë, që kokëlartë e me dinjitet të përballoni sfidat të cilat ju presin si qytetarë akademikë të këtij vendi”.
Mexhiti porositi të gjithë ata politikanë që po sfidojnë themelet e ndërtimit të shoqërisë tonë se koha e shovinizmit ka kaluar.
“Si një student i viteve kur shqiptari diskriminohej e i privoheshin të drejtat gjuhësore, kulturore e identitare në atdheun e vet, dëshiroj të them se jam krenar që kohërat kanë ndryshuar. Dhe me këtë rast, më lejoni të porosis të gjithë ata politikanë maqedonas që po sfidojnë themelet e ndërtimit të shoqërisë tonë se koha e shovinizmit ka kaluar! Askund në botë nuk ndodh që të abrogohen të drejtat e fituara dhe kjo nuk do të ndodhë as në Maqedoninë e Veriut. E në rast se ndodhë, ne jemi këtu për t’i siguruar të gjithë se do ta marrin përgjigjen e merituar!”, tha Mexhiti.
Zëvendëskryeministri i parë Mexhiti fjalimin e tij e përmbylli me thirrjen latine drejtuar studentëve: ‘SAPERE AUDE!’ – GUXONI TË MENDONI, GUXONI TË REZONONI, GUXONI TË DINI. “Se dija është ilaçi më i mirë dhe përgjigja më e qëlluar ndaj çdo tendence shoviniste e fashiste për ta shtypur një popull”, tha Mexhiti.
Lajme nga vendi
Besnik Xhemaili zgjidhet zëvendëskryetar i Antikorrupsionit
Anëtari i Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK), Besnik Xhemaili, është zgjedhur zëvendëskryetar i KSHPK-së, funksion që do ta kryejë gjashtë muaj.
Zgjedhja e zëvendëskryetarit të KSHPK-së është kryer sipas parimit të rotacionit, dhe renditja u përcaktua sipas rendit alfabetik të mbiemrave të anëtarëve të KSHPK-së, shpjegoi kryetari Adem Çuçuli.
“Mandati i zëvendëskryetares aktuale të KSHPK-së, Sofija Spasova Medarska, përfundon më 18 gusht, ndërsa mandati i zëvendëskryetarit të ri, Besnik Xhemaili, do të fillojë më 19 gusht të këtij viti”, theksoi Çuçul, propozimi i të cilit u pranua unanimisht.
Në seancën e sotme të KSHPK-së, kryetari Çuçul informoi se Komisioni ka evidentuar 30 persona të zgjedhur, të emëruar ose mandati i të cilëve ka përfunduar në prill, të cilët nuk e kanë përmbushur detyrimin ligjor për të paraqitur deklaratën e gjendjes pronësore dhe konfliktit të interesit brenda afatit ligjor. Për të gjithë personat, theksoi Çuçul, do të iniciohen procedura kundërvajtëse dhe shqiptohen gjoba.
Anëtarët e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit sot morën 51 vendime për të njëjtin numër rastesh nga ankues të njohur ose të panjohur në KSHPK.
Lajme nga vendi
Uji në Gostivar mbetet vetëm për përdorim teknik, nuk lejohet për pirje
Uji nga ujësjellësi në Gostivar mbetet vetëm për përdorim teknik dhe ende nuk ka rekomandim që të përdoret për pirje ose gatim, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski.
Sipas tij, arsyeja është paraqitja e një bakteri rezidual në instalimet e ujësjellësit, për shkak të të cilit uji vazhdon të jetë i ndaluar për konsum.
Duke komentuar akuzat ndaj Qeverisë se nuk ka ndërmarrë masa për të parandaluar ndotjen e ujit në Gostivar, Mickoski tha se në vitin 2021, kur lideri i SDSM-së, Venko Filipçe, ishte ministër i Shëndetësisë, ishin regjistruar mbi 400 ankesa për cilësinë e ujit në Gostivar.
Kryeministri i bëri thirrje Prokurorisë që t’i verifikojë këto pretendime, të hapë procedurë dhe të kryejë kontrolle në Institutin e Shëndetit Publik dhe Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë.
Sipas Mickoskit, institucionet kompetente duhet të sqarojnë pse, edhe pse kanë pasur mundësi të reagojnë, nuk kanë ndërmarrë masa për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve të Gostivarit.
Lajme nga vendi
Skandal me provimin e Stomatologjisë: Studentja i pagoi ryshfet profesorëve, policia kapi mijëra euro
Njësia për Krim Financiar pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme ka ngritur kallëzim penal ndaj tre personave të dyshuar për përfshirje në një skemë korruptive lidhur me përfitimin e paligjshëm të certifikatës për provimin profesional në stomatologji.
Gjatë kontrolleve te dy prej të dyshuarve, policia ka sekuestruar shuma të konsiderueshme parash në valuta të ndryshme.
Sipas MPB-së, A.T. (27) nga Manastiri, studente e stomatologjisë, gjatë dhjetorit 2025 ka komunikuar disa herë përmes aplikacionit Viber me S.Ç. (56) nga Gostivari, profesor në Fakultetin e Stomatologjisë dhe ish-nënkryetar i Odës së Stomatologëve.
Siç njofton MPB-ja, pasi arritën marrëveshje, studentja i ka transferuar para në llogarinë bankare profesorit, me qëllim që ai të përdorte ndikimin e tij për t’i mundësuar marrjen e certifikatës si punëtore shëndetësore, edhe pse nuk i plotësonte kushtet e nevojshme.
Sipas kallëzimit penal, profesori më pas ka ndërhyrë te S.E. (63) nga Shkupi, i cili në atë periudhë ishte kryetar i Komisionit për Provimin Profesional pranë Ministrisë së Shëndetësisë.
Më 17 dhjetor 2025, studentja është paraqitur para komisionit, ka kaluar provimin dhe më pas ka marrë certifikatën shtetërore.
Gjatë aksionit, zyrtarët policorë nga Departamenti për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe Krimit të Rëndë kanë kryer kontrolle në banesat e të dyshuarve të dytë dhe të tretë, ku janë sekuestruar 65.280 euro, 29.840 franga zvicerane dhe 161.500 denarë.
“Në bazë të provave të siguruara, A.T. dyshohet për veprën penale dhënie shpërblimi për ndikim të kundërligjshëm, S.Ç. për marrje shpërblimi për ndikim të kundërligjshëm, ndërsa S.E. për marrje ryshfeti”, njoftoi MPB.
Hetimet vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rastit dhe përcaktimin e të gjitha rrethanave që lidhen me skemën e dyshuar korruptive.

