Lajme nga vendi
Rastet “Alfa” dhe “Monstra”, Kasami: Do të ketë rishikim të të gjithë atyre proceseve

I pyetur për rastin “Alfa” dhe rastin “Monstra”, Bilall Kasami nga VLEN në Click Plus në TV21 tha se do të ketë rishikim të rasteve. Kasami tha qeveria nuk mund të përzihet në vendimet e gjyqësorit, por tha se mund të flitet për shans për t’u rishikuar argumentet e gjitha palëve, që të ketë vendim të drejtë.
TV21: U harrua lirimi i të burgosurve për rastin Alfa kryetar, bashkë me të edhe për Monstrën kryetar. S’po folni më, para zgjedhjeve ju kemi dëgjuar duke folur, kërkoj ndjes prej dy palëve, por nuk kam qare pa e përmend, para se me e mbyll. A ka ndonjë risi, që nuk e dimë, apo i keni harruar krejt?
-Fatmir, për shkak se çdo ditë në opinion po hapen tema që i prëmendëm dhe harxhuam edhe në këtë emision, tha Kasami.
TV21: Po, po, ne mund me e kry atë punë, me i liru njerëzit edhe pa folë për ta.
-Do të vijë edhe ai moment, tash nuk flasim për atë…dmth do të ketë rishikim të të gjithë atyre proceseve, dhe konform asaj që do të konstatohet në të gjithë procesin, do të sillet vendim. Ne mund të garantojmë që të ketë qasje fer të kësaj, por ne nuk mund të flasim në këtë rast për vendimet e institucioneve të drejtësisë pra, deklaroi Kasami.
Lajme nga vendi
SHGM: Të sigurohet respektim dhe punë e papenguar e punonjësve mediatikë në vendvotime

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) u bën apel Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), komisioneve komunale zgjedhore dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme që të vazhdojnë të sigurojnë qasje të papenguar dhe kushte pune për gazetarët dhe punonjësit mediatikë në të gjitha vendvotimet. Informimi profesional, i saktë dhe në kohë i publikut për rrjedhën e procesit zgjedhor është thelbësor për besimin në zgjedhje, informon PressOnline.al
Deri te SHGM këtë mëngjes janë raportuar disa raste të pengimit të punës së ekipeve gazetareske:
Shkup: Komuna Karposh, (IM 2626) ndaj gazetares Elida Zulbeari ka pasur përpjekje për t’i marrë telefonin celular dhe sjellje të pahijshme nga zëvendëskryetari i komisionit, pas çka ka pasur ndërhyrje nga MPB, për çka do të kërkojmë nga KSHZ të ndërmarrë sanksione ndaj zyrtarit.
Ohër (IM 1270): Një ekipi nga televizioni publik iu pamundësua hyrja në orët e hershme të mëngjesit me arsyetimin se, përveç legjitimitetit gazetaresk, duhet të posedojë edhe “akreditim nga KSHZ”. Pas reagimit të kolegëve dhe ndërhyrjes në vendngjarje, hyrja u mundësua dhe puna vazhdoi.
Tetovë: Një gazetar u pengua të marrë deklaratë nga anëtarë të këshillit zgjedhor, me arsyetimin për “mungesë të akreditimit”.
SHGM apelon deri te KSHZ dhe MPB që menjëherë t’i njoftojnë të gjitha këshillat zgjedhore dhe personat zyrtarë se për gazetarët nuk kërkohet akreditim nga KSHZ, me qëllim të shmangen keqkuptime të reja gjatë ditës. Do të vazhdojmë t’i ndjekim rastet, të reagojmë institucionalisht dhe të informojmë për rezultatet.
Theksojmë se për gazetarët dhe punonjësit mediatikë në Maqedoni, përveç legjitimitetit gazetaresk nga mediumi për të cilin raportojnë, nuk kërkohet ndonjë akreditim i veçantë nga KSHZ për prani dhe raportim nga vendvotimet. Prandaj, këshillat zgjedhorë, zyrtarët policorë, vëzhguesit dhe/ose faktorë të tjerë nuk kanë bazë ta kushtëzojnë punën e tyre me leje shtesë. Njëkohësisht, SHGM bën thirrje për respektim të rregullave zgjedhore: gazetarët kanë të drejtë të xhirojnë ambientin e përgjithshëm dhe deklaratat, pa cenuar fshehtësinë e votimit dhe pa penguar zhvillimin e procesit.
I bëjmë thirrje këshillave zgjedhorë nga të gjitha vendvotimet:
-
të mundësojnë hyrje të papenguar për ekipet gazetareske me legjitimitet të dukshëm gazetaresk;
-
të lejojnë xhirime dhe deklarata në hapësirat ku kjo nuk rrezikon fshehtësinë e votimit;
-
në rast të keqkuptimeve, së pari të kërkojnë udhëzime nga KZK/KSHZ, në vend që të kufizojnë hyrjen.
I inkurajojmë edhe gazetarët, fotoreporterët dhe kameramanët:
-
gjithmonë të mbajnë legjitimitetin gazetaresk dhe të prezantohen nëse kërkohet;
-
të respektojnë udhëzimet e këshillit, kur ato kanë të bëjnë me fshehtësinë e votimit;
-
në rast të ndonjë pengese, menjëherë ta evidentojnë rastin (kohën, vendin, vendvotimin, personat) dhe të kontaktojnë SHGM-në.
Për ndihmë juridike dhe praktike, gazetarët, kameramanët dhe fotoreporterët mund t’u drejtohen koordinatorëve rajonalë të SHGM-së në Shtip, Strumicë, Bitola, Ohër, Tetovë dhe Kumanovë, si dhe kontakteve të SHGM-së në Shkup.
SHGM mbetet në dispozicion për çdo mbështetje që do të mundësojë raportim profesional, të sigurt dhe të papenguar nga vendvotimet.
Lajme nga vendi
MPB: 2 të arrestuar dhe 5 të thirrur, për blerje votash

Dy persona janë arrestuar, ndërsa pesë të tjerë janë thirrur në bisedë informative nga policia, në lidhje me veprën penale të blerjes së votave gjatë zgjedhjeve.
“Sot, rreth orës 09:00, në rrugën ‘Dabinqka’ në Prilep, zyrtarë policorë kanë privuar nga liria B.H. (72) dhe D.S. (36), të dy nga Krusheva, për shkak të dyshimit për përfshirje në veprën ‘blerje votash gjatë zgjedhjeve’. Në lidhje me të njëjtën ngjarje, në Stacionin Policor të Prilepit janë ftuar për bisedë informative edhe S.A. (28), M.A. (31), Sh.A. (40), D.A. (22) dhe Xh.A. (36), gjithashtu nga Krusheva me vendbanim në Prilep”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Gjithashtu, janë paraqitur disa denoncime për agjitacion gjatë procesit të votimit në disa vendvotime, por sipas autoriteteve, pas ndërmarrjes së masave të nevojshme, deri më tani nuk janë konfirmuar këto pretendime.
Lajme nga vendi
ODIHR: Vëzhguesit ndërkombëtarë monitorojnë gjithë procesin zgjedhor, jo vetëm ditën e votimit

Shefi i Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të ODIHR-it për zgjedhjet lokale në vend, Mateo Mekaci, deklaroi sot se vëzhguesit po monitorojnë të gjithë aspektet e lidhura me procesin zgjedhor. Ai theksoi se nuk është i rëndësishëm vetëm dita e zgjedhjeve, por edhe proceset parazgjedhore dhe ato që ndodhin pas ditës së votimit.
Gjatë vizitës në vendvotimin e Shkollës Fillore “Liria” në komunën e Çairit, Mekaci theksoi se Misioni përbëhet nga 250 vëzhgues ndërkombëtarë, të cilët mbikëqyrin procesin në të gjithë territorin e vendit.
“Ne jemi këtu si një mision ndërkombëtar vëzhgues për të monitoruar procesin zgjedhor dhe për të vlerësuar nëse gjithçka po zhvillohet sipas standardeve. Ky vendvotim që shihni pas nesh është një nga shumë vendvotime që po monitorojmë. Misioni ynë përbëhet nga rreth 250 vëzhgues ndërkombëtarë, të shpërndarë në të gjithë Republikën e Maqedonisë së Veriut”, tha Mekaci.
Ai shtoi se misioni është vendosur shumë para ditës së zgjedhjeve, me 24 vëzhgues afatgjatë të shpërndarë në gjithë vendin, të cilët monitorojnë të gjithë procesin zgjedhor.
“Siç thamë, nuk është i rëndësishëm vetëm dita e votimit, por edhe proceset parazgjedhore dhe ato që ndodhin pas ditës së zgjedhjeve. Ne monitorojmë të gjithë aspektet që lidhen me zgjedhjet: regjistrimin e votuesve, fushatën zgjedhore, financimin e fushatës, qasjen në media, votimin gjatë ditës së zgjedhjeve, numërimin e votave dhe të tjera”, përfundoi Mekaci.