Lajme nga vendi
Zendeli: Thaçi do të veprojë si opozitë, do të vazhdojë të konsultohet me Ali Ahmetin
Arta Bilalli Zendeli nga BDI tha se edhe përkundër deklaratave se nuk do të jetë pjesë e Frontit Europian, deputeti Menduh Thaçi do të vazhdojë të veprojë si opozitar dhe do të konsultohet me kreun e BDI-së, Ali Ahmeti.
“Qëndrimet e Menduh Thaçit, ai vet i publikoi dje. Mendoj se ai ishte mjaftueshëm i qartë që të shihet, dhe krijohet përshtypje se ai do të vazhdojë të veprojë si opozitë dhe do të konsultohet, apo do të mbajë konsultime me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti”, tha mes tjerash Bilalli-Zendeli.
Lajme nga vendi
Mickoski: Projekti “Qyteti i Sigurt” ka për qëllim të shpëtojë jetë njerëzish, është gabim që politikanë të caktuar përpiqen ta etnizojnë
Kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve në seancën e sotme, theksoi se kjo Qeveri garanton përfaqësim të drejtë dhe se ligji i ri mori rekomandim pozitiv nga Komisioni i Venecias, i cili është obligues në procesin drejt BE-së, ndërsa projekti “Qyteti i Sigurt” nuk etnizon, por shpëton jetë njerëzish.
– Sa i përket përfaqësimit të drejtë, mund të them se absolutisht po tregohet kujdes për përfaqësimin e drejtë, unë personalisht jam garant dhe këtë e kam thënë edhe në të kaluarën. As si njeri, as si politikan, as si kryetar i Qeverisë, nuk do të lejoj që dikush të majorizojë apo të minimizojë dikë tjetër. Pra, absolutisht mund t’ju siguroj se cilësia e njerëzve, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike, duhet të jetë kyçe dhe prioritet, dhe kjo është një vlerë themelore kushtetuese dhe pjesë e rezolutave dhe konventave ndërkombëtare – theksoi Kryeministri Mickoski duke iu përgjigjur pyetjes të parashtruar nga deputeti Skender Rexhepi.
Kryeministri Mickoski i tha deputetit Rexhepi se çështjet duhet të shihen më gjerë dhe në mënyrë objektive, në vend që të etnizohen, duke menduar se në këtë mënyrë do të fitohen pikë politike.
– Sa i përket Ligjit për përfaqësim të drejtë, ai është i përfunduar dhe ka marrë mendimet e fundit pozitive nga Komisioni i Venecias. Do t’ju rikujtoj se mendimi i Komisionit të Venecias, në përputhje me ndryshimet e fundit në procesin e aderimit në Bashkimin Evropian dhe në përputhje me kërkesat e fundit për ndryshimin e metodologjisë në procesin e aderimit, janë një faktor vendimtar. Veprohet sipas tyre dhe pres që shumë shpejt ky ligj t’ju dorëzohet juve, deputetëve, dhe shpresoj që të miratohet njëzëri, pasi ka rekomandim pozitiv nga Komisioni i Venecias dhe gjithashtu shpresoj që në këtë mënyrë deputetët të mos i rrezikojnë proceset evropiane të shtetit, theksoi Kryeministri Mickoski.
Lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, Kryeministri Mickoski theksoi se nuk do t’i komentojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese, por është fakt se kjo shumicë në Gjykatën Kushtetuese është zgjedhur në kohën e qeverisë së mëparshme, e jo në këtë qeveri.
Sa i përket projektit “Qyteti i Sigurt”, Kryeministri Mickoski theksoi se është gabim që edhe këtë projekt disa politikanë përpiqen ta etnizojnë, sepse ai ka për qëllim të shpëtojë jetë njerëzish.
– Politikanët që janë në një entuziazëm romantik mendojnë se, nëse i etnizojnë edhe të ndjerët që fatkeqësisht kanë humbur jetën si pasojë e aksidenteve të trafikut, duhet të shihen përmes prizmit të përkatësisë etnike.
Ajo që mund të them është se pas realizimit të projektit “Qyteti i Sigurt” nuk do të ketë më një numër të madh viktimash nga aksidentet e trafikut. Kjo qeveri vendosi ta vërë projektin në funksion me qëllim që të shpëtojë jetë njerëzish, pa u udhëhequr nga statistika matematikore se kush i përket cilës përkatësi etnike dhe pa e interpretuar metodologjinë me të cilën për të ndjerët përcaktohet përkatësia etnike. Ky projekt ka për detyrë të shpëtojë sa më shumë njerëz, theksoi Kryeministri Mickoski.
Lajme nga vendi
ASh; Aksionet kundër grupeve kriminale dhe trafikantëve të drogës të barabarta për të gjithë, apo të ndikuara nga afërsia politike
Aleanca për Shqiptarët e përshëndet aksionin policor të zhvilluar në Bërvenicë, por ky rast hap një sërë pyetjesh serioze që kërkojnë përgjigje të qarta nga institucionet kompetente
Së pari, cila është afërsia e personit S.Z., tek i cili u gjetën armë dhe lëndë narkotike, meqë sipas materialeve të publikuara ai shfaqet në fotografi me kryeministrin Hristijan Mickoski dhe kryetarin e Komunës së Bërvenicës, Jovica Ilievski?
Pas gati dy vitesh qeverisje të koalicionit VMRO–VLEN, shtrohet pyetja thelbësore:
a ka ndikuar afërsia politike me VMRO-DPMNE-në që ky individ të gëzojë mbrojtje apo favore institucionale?
Po ashtu, pse mungon një deklaratë zyrtare dhe e detajuar nga Ministria e Punëve të Brendshme për këtë aksion policor, ndryshe nga raste të ngjashme të ditëve të fundit, për të cilat kishte njoftime të plota dhe materiale video?
Cili është raporti i këtij personi me udhëheqësinë e MPB-së në Tetovë dhe pse ende nuk ka asnjë reagim nga MPB Tetovë, ministri apo zëvendësministri i Punëve të Brendshme?
Një tjetër dilemë serioze lidhet me kompaninë e sigurimit “Praetorian Security Solution”:
a është kjo kompani në pronësi të tij, siç është raportuar nga disa media?
Në çfarë procedure dhe mbi çfarë kriteresh kjo kompani ka fituar kontratën për sigurimin e Kodrës së Diellit dhe infrastrukturës përreth?
a ka pasur ndikim politik në këtë proces për shkak të afërsisë me VMRO-DPMNE-në?
A duhet që Kodra e Diellit, respektivisht ESM, të vazhdojë kontratën me një kompani sigurimi për pronarin e së cilës pretendohet se është arrestuar për posedim armësh dhe lëndësh narkotike?
A ka një kompani e tillë kredibilitet për të siguruar objekte publike dhe infrastrukturë strategjike?
Në fund, Aleanca për Shqiptarët pyet qartë:
a do të jenë aksionet kundër grupeve kriminale dhe trafikantëve të drogës të barabarta për të gjithë, apo të ndikuara nga afërsia politike?
Sundimi i ligjit duhet të vlejë njësoj për të gjithë.
Aleanca për Shqiptarët
Lajme nga vendi
Kompania amerikane Carlyle arrin marrëveshjet për t’i blerë asetet globale të Lukoilit rus
Firma amerikane e kapitalit privat, Carlyle Group, ka arritur marrëveshje për t’i blerë shumicën e aseteve të huaja të Lukoilit, të vlefshme rreth 22 miliardë dollarë.
Lukoil, kompania e dytë më e madhe e naftës në Rusi, është e detyruar t’i shesë këto asete për shkak të sanksioneve amerikane.
Shitja, për të cilën njoftuan të dyja kompanitë të enjten, vjen në një moment kur negociatorët rusë, ukrainas dhe amerikanë po përpiqen të arrijnë një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Kjo shitje do të shënonte fundin e përpjekjeve të Lukoilit, të paktën tani për tani, për t’u bërë aktor global.
As Lukoil dhe as Carlyle nuk treguan çmimin e shitjes së aseteve.
Shitja duhet të miratohet nga agjencia amerikane që administron sanksionet. Thesari i SHBA-së i kishte dhënë Lukoilit afat deri më 28 shkurt për ta shitur portofolin e tij global.

