Lajme nga vendi
Prej sot fillon vaksinimi kundër gripit sezonal në RMV

Nga sot, nis vaksinimi kundër gripit sezonal, njoftoi Ministria e Shëndetësisë, nga ku njoftuan se kanë siguruar 70 mijë vaksina falas.
Deri më tani në portalin e internetit vaksinacija.mk për vaksinim kundër gripit sezonal kanë aplikuar rreth 33.000 qytetarë, që sipas autoriteteve shëndetësore tregon rritje të vetëdijes për rëndësinë e vaksinës në mbrojtjen e shëndetit publik.
Vaksinimi do të kryhet në 36 lokacione në të gjithë vendin.
Në Shkup qytetarët e interesuar do të mund të vaksinohen në pesë institucione: Qendra për shëndet publik, poliklinikat e Bukureshtit, Bit Pazarit dhe Idadija, ndërsa punëtorët shëndetësorë do të mund të vaksinohen në Institutin për Shëndet Publik (ISHP).
Vaksinimi falas përfshin grupe të ndryshme të popullsisë: të moshuarit mbi 65 vjeç, persona me sëmundje kronike, punonjëse shëndetësore, gra shtatzëna, fëmijët nga 6 muaj deri në pesë vjeç, si dhe personat e vendosur në institucionet e mbrojtjes sociale të të moshuarve dhe punonjësit në këto ndërmarrjet.
Përveç atyre falas, Qendrat e Shëndetit Publik kanë siguruar këtë vit edhe vaksina komerciale kundër gripit për qytetarët e interesuar që nuk bëjnë pjesë në grupet e rrezikut.
Lajme nga vendi
Komunikacioni në Maqedoni, nuk ka pritje të gjata në pikat kufitare

Në vendkalimet kufitare Tabanoc dhe Bogorodicë sot në mëngjes koha e pritjes është rreth 30 minuta, njoftoi sot Lidhje Auto Moto e Maqedonisë.
Në vendkalimet e tjera kufitare nga ana e Maqedonisë së Veriut nuk ka pritje më të gjata për hyrje dhe dalje nga vendi.
Intensiteti i komunikacionit në rrugët jashtë zonave urbane është rritur. Në rrugët shtetërore komunikacioni zhvillohet pandërprerë, në rrugë të thata.
LAMM informon se nga sot deri më 16 shtator të vitit 2025, në seksionin rrugor Gradsko – Drenovë, e cila është pjesë e rrugës ekspres A1 dhe Korridorit 10d, do të zbatohet regjim i përkohshëm i modifikuar i komunikacionit për shkak të realizimit të projektit “Ndërtimi i seksionit rrugor Gradsko – Drenovë”. Komunikacioni do të ridrejtohet dhe rregullohet me sinjalistikën e duhur për komunikacion.
LAMM rekomandon shpejtësi të adaptuar të lëvizjes, respektimin e sinjaleve të vendosura të komunikacionit e veçanërisht drejtim të kujdesshëm të automjetit, posaçërisht në rrugët nëpër gryka malore dhe lugina të lumenjve ku ekziston mundësia e rrëshqitjes së dheut. Kjo vlen veçanërisht për akset rrugore Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.
Lajme nga vendi
Kasami: Përfundon “Tetova n’festë”, 19 ditë, 32 aktivitete kulturore, sportive, koncerte, netë rinore

Kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami ka njoftuar se më natën finale të Streetballit, ka përfunduar edhe Vera Tetovare “Tetova n’festë”.
“Me natën finale të Streetballit 3×3 përfundoi edhe Vera Tetovare “Tetova n’festë”! 19 ditë, 32 aktivitete kulturore, sportive, koncerte, netë rinore dhe shumëçka tjetër!
Një falënderim i veçantë për qytetarët dhe mërgimtarët për pjesëmarrjen e tyre gjatë aktiviteteve!
Ju faleminderit nga zemra”, ka shkruar kryetari i Besës, Bilall Kasami.
Lajme nga vendi
QMK: Katër zjarre aktive, dy janë nën kontroll

Qendra për Menaxhim me Kriza informoi sot në mëngjes se në territorin e vendit ka katër zjarre aktive, në komunat Çashkë, Likovë, Studeniçan dhe Makedonski Brod.
Në komunën e Çashkës, mbi Bogomillë po digjet një pyll i përzier, në komunën e Likovës midis fshatrave Vaksincë dhe Sllupçan është djegur një pyll i ulët, në komunën e Studeniçanit, më saktësisht pranë fshatit Dreçavicë, ka zjarr pyjor në male, ndërsa në komunën e Makedonski Brod pranë fshatit Greshnicë po digjet një pyll i degraduar me bimësi të ulët.
Nën kontroll janë zjarret në komunën e Dollnenit, pranë fshatit Strovijë, pas vendit të quajtur Gajdarec – Klepalë, ku është djegur një pyll me bimësi të ulët, dhe në komunën e Zhelinës, në afërsi të fshatit Cerovë, ku po digjet një pyll i përzier.
Sipas informacioneve të QMK-së, në 24 orët e fundit kishte gjithsej 23 zjarre nga të cilat 17 janë shuar.
-
Lajme nga vendi3 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi3 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi3 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve