Lajme nga bota
Shtetet e Gjirit Persik paralajmërojnë për përshkallëzim pas sulmeve ndaj Iranit
Arabia Saudite dhe shtetet e tjera të shteteve të Gjirik Persik paralajmëruan për një “përshkallëzim” nga Izraeli, pasi ky shtet sulmoi caqet ushtarake në Iran.
Irani mbështet dy grupe në Lindjen e Mesme që aktualisht po luftojnë kundër Izraelit.
“Mbretëria e Arabisë Saudite shpreh dënon dhe denoncon” sulmet izraelite, dhe thekson “pozicionin e saj të qartë lidhur me kundërshtimin e përshkallëzimit të konfliktit në rajon që kërcënon sigurinë dhe stabilitetin e shteteve dhe njerëzve” në Lindjen e Mesme, shkroi Ministria e Jashtme e Arabisë Saduite në X.
Izraeli tha se kreu sulme “precize” ndaj caqeve ushtarake në Iran, në shenjë hakmarrjeje për një sulm me raketa që Irani kreu ndaj Izraelit në fillim të tetorit.
Irani pranoi se Izraeli sulmoi caqe ushtarake të tij dhe tha se gjatë sulmeve u vranë dy ushtarë.
Izraeli po lufton me Hamasin – grupin palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – në Gazë që nga tetori i vitit të kaluar.
Lufta në Gazë nisi pasi Hamasi sulmoi Izraelin duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë. Nga ofensiva izraelite në Gazë janë vrarë më shumë se 42.000 palestinezë.
Që kur nisi lufta në Gazë më 7 tetor, Izraeli dhe Hezbollahu – grupi militant libanez dhe partia politike që kontrollon shumicën e jugut të Libanit – kanë këmbyer zjarr në kufi.
Ministria e Jashtme saudite i bëri thirrje “komunitetit ndërkombëtar dhe palëve në ndikim që të marrin rolet dhe përgjegjësitë e tyre për të ulur përshkallëzimin dhe për t’i dhënë fund konflikteve në rajon”.
Ministria e Jashtme e Katarit, shtet që po ndërmjetëson përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Gazë, shprehu “shqetësim të thellë lidhur me pasojat serioze që mund të prodhojë ky përshkallëzim” nga Izraeli.
Emiratet e Bashkuara Arabe po ashtu dënuan sulmet izraelite ndaj Iranit dhe shprehën “shqetësim të thellë” lidhur me “pasojat në sigurinë dhe stabilitetin rajonal”.
Ndërkaq, Omani, shtet që për një kohë të gjatë luan rolin e ndërmjetësit mes Iranit dhe shteteve perëndimore tha se sulmet e Izraelit ndaj Iranit “nxisin cilin e dhunës dhe minojnë përpjekjet” për uljen e tensioneve.
Ky shtet tha se komuniteti ndërkombëtar duhet “t’i japë fund këtyre shkeljeve flagrante të territorit të shteteve fqinje”.
Ministria e Jashtme e Kuvajtit po ashtu dënoi sulmin dhe akuzoi Izraelin për “rrezikim të sigurisë në rajon”.
Izraeli tha se gjatë sulmeve në Iran, goditi ndërtesa të prodhimi të raketave, raketa dhe sisteme të tjera në disa rajone, duke paralajmëruar se Teherani “do të paguajë çmim të lartë” nëse kundërpërgjigjet.
Izraeli ishte zotuar se do të hakmerrej ndaj Iranit, pasi Teherani më 1 tetor lëshoi një breshëri prej 200 raketash ndaj Izraelit. Ky ishte sulmi i dytë i drejtpërdrejtë që Irani kreu ndaj armikut të tij të përbetuar, Izraelit. Shumica e raketave u rrëzuan, por u vra një person.
Irani kishte kryer edhe një sulm me raketa ndaj Izraelit në prill, teksa ky shtet mbështet dy grupe në Lindjen e Mesme që aktualisht po luftojnë kundër Izraelit.
Lajme nga bota
S’ka paqe për Australinë! Sulm vandal në varrezat myslimane, gjenden koka të prera…
Imazhet e publikuara nga Varrezat Narellan në Camden, pranë Bondi Beach, kanë tronditur opinionin publik, pasi tregojnë një akt vandalesk të rëndë ndaj varreve myslimane, vetëm pak ditë pas sulmit terrorist vdekjeprurës që ndodhi të dielën. Sipas autoriteteve dhe përfaqësuesve të komunitetit, individë të panjohur shpërndanë koka derri mbi varret myslimane, në një akt që besohet të ketë qenë hakmarrës. Në fenë islame, mishi i derrit konsiderohet i ndaluar dhe i papastër, çka e bën veprimin veçanërisht fyes dhe provokues.
Nga sulmi, deri më tani, kanë humbur jetën 16 persona, përfshirë edhe babain 50-vjeçar të armatosur, ndërsa 42 të tjerë janë dërguar në spital. Policia konfirmoi se 14 viktima vdiqën në vendngjarje dhe dy të tjerë ndërruan jetë më vonë në spital. Viktimat ishin të moshave nga 10 deri në 87 vjeç. 24-vjeçari Naveed Akram ndodhet ende në spital nën mbikëqyrjen e policisë, pasi u qëllua nga oficerët gjatë ndërhyrjes. Udhëheqësi i shquar islam i Sidneit, Dr. Jamal Rifi, deklaroi se komuniteti mysliman nuk i konsideron autorët e sulmit si pjesë të Islamit.
“Ajo që bënë ata nuk tolerohet nga asnjëri prej nesh. Vrasja e civilëve të pafajshëm është e barabartë me vrasjen e gjithë njerëzimit,” tha ai, duke cituar parimet fetare.
Lajme nga bota
Sulmuesi nga Sidney është pjesë e klubit serb të gjuetisë “Zastava”
Autoritetet australiane kanë paralajmëruar reformë urgjente të ligjeve për armët pas zbulimit tronditës se Sajid Akram (50), autori i sulmit në plazhin Bondi, ishte pronar i ligjshëm i plot gjashtë armëve të zjarrit. Akram dhe djali i tij Navid (24) akuzohen për sulm terrorist ndaj komunitetit hebre, i cili dje po festonte Hanukën, ku humbën jetën 16 persona dhe dhjetëra të tjerë u plagosën.
Swiss Residence
Sulmuesi ishte anëtar i një klubi gjuetie
Komisioneri i policisë në Uellsin e Ri Jugor, Mal Lejnion, konfirmoi se sulmuesi kishte leje për armë që nga viti 2015. “Babai kishte leje për armë që nga viti 2015”, deklaroi Lejnion, duke shtuar se Akram zotëronte gjashtë armë legale, të cilat tashmë janë konfiskuar.
“Ai ishte anëtar i një klubi gjuetie”, tha Lejnion. Më vonë u konstatua se Akram ishte anëtar i klubit të gjuetisë “Zastava”, me seli në Bonerig, më pak se dy kilometra nga shtëpia e tij. Klubin e gjuetisë “Zastava” në Sidnei e drejtojnë anëtarë të komunitetit serb.
Hetuesit zbuluan se babai dhe djali kishin ushtruar qitje në poligonin e Cecil Park. Hetimet balistike dhe forenzike duhet të përcaktojnë nëse armët e konfiskuara janë të njëjtat për të cilat Akram kishte leje. Në portofolin e djalit 24-vjeçar u gjet një kartë anëtarësimi e klubit, por ende nuk është konfirmuar zyrtarisht nëse edhe ai ishte anëtar.
Më shumë armë se para masakrës në Port Arthur
Në Uellsin e Ri Jugor janë të regjistruara mbi 1.1 milion armë zjarri, nga të cilat një e treta ndodhen në periferi të Sidneit. Shqetësues është fakti se sot në Australi ka më shumë armë sesa para masakrës në Port Arthur në vitin 1996, kur u vranë 35 persona.
Ky ngjarje e nxiti qeverinë e asaj kohe të miratonte Marrëveshjen Kombëtare për Armët e Zjarrit dhe të nisë një program masiv të riblerjes, përmes të cilit u tërhoqën nga përdorimi 650.000 armë. Megjithatë, të dhënat e Australia Institute nga maji i këtij viti tregojnë se sot në Australi ka mbi katër milionë armë private të regjistruara — rreth 800.000 më shumë sesa para programit të riblerjes.
Lajme nga bota
Transmetuesit kombëtarë e shqyrtojnë pjesëmarrjen e Izraelit në Eurovision mes kërcënimeve për bojkot
Organizatorët e garës vjetore të këngës, Eurovision, do të mblidhen sot për të biseduar dhe mbase për të votuar nëse Izraeli mund të marrë pjesë vitin e ardhshëm, pasi disa vende kanë kërcënuar se do të tërhiqen nëse ai nuk përjashtohet për shkak të luftës në Rripin e Gazës.
Në takimin në selinë e Unionit Evropian të Transmetuesve (EBU) në Gjenevë do të shqyrtohen rregulla të reja, synimi i të cila është t’i dekurajojnë qeveritë dhe palët e treta nga promovimi i tepruar i këngëve për të ndikuar te votuesit, pas akuzave se Izraeli e ka fryrë padrejtësisht këngën e tij pjesëmarrëse këtë vit.
Izraeli – i cili doli i dyti në garën e vitit 2025 – nuk u është përgjigjur këtyre akuzave, por shpesh argumenton se është përballur me një fushatë shpifjesh globale.
Festivali po përballet me një “moment vendimtar”, tha eksperti i Eurovisionit, Paul Jordan.
Transmetues kombëtarë nga Sllovenia, Irlanda, Spanja dhe Holanda kanë kërcënuar se do ta bojkotojnë festivalin, i cili mbahet në maj të vitit 2026 në Austri, nëse Izraeli lejohet të marrë pjesë.
Kundërshtarët e pjesëmarrjes së Izraelit përmendin shqetësimet për numrin e palestinezë të vrarëve në Gazë, që ka tejkaluar shifrën prej 70.000, sipas autoriteteve shëndetësore të Gazës.
Lufta në Gazë u shkaktua nga sulmi i 7 tetorit 2023 nga grupi militant palestinez Hamas në Izrael, ku u vranë 1.200 njerëz dhe u rrëmbyen 251 të tjerë. Hamasi është i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe fuqi të tjera.
Nëse anëtarët nuk bindën se rregullat e reja – të cilat synojnë ta mbrojnë neutralitetin dhe paanshmërinë e garës – janë të mjaftueshme, atëherë do të ketë votim për pjesëmarrjen e Izraelit, tha EBU-ja.
Ministri i Shtetit për Kulturën, Wolfram Weimer, i tha Reutersit se Gjermania nuk duhet të marrë pjesë në Eurovision nëse Izraeli përjashtohet.
“Izraeli e ka vendin në Festivalin Evropian të Këngës (ESC)”, tha ai.
“Nuk duhet të ketë ESC pa Izraelin”, shtoi ai.
Transmetuesi gjerman ARD nuk ka komentuar, ndërsa transmetuesi austriak, ORF, dëshiron që Izraeli të marrë pjesë.
Transmetuesi publik izraelit KAN tha se po përgatitet për garën e vitit të ardhshëm dhe se së shpejti do t’i publikojë ndryshimet në procesin e përzgjedhjes së këngës që do ta përfaqësojë Izraelin.
KAN tha se do të paraqesë qëndrimin e tij në rast të përjashtimit të mundshëm në takim.
Eurovision është garë në të cilën këngëtarë nga vende të ndryshme të Evropës, dhe disa përtej saj, garojnë nën flamurin kombëtar me synimin për t’u shpallur kampionë të kontinentit, një lloj Olimpiade e muzikës pop.
Është gjithashtu një arenë ku shpesh pasqyrohen politika dhe rivalitete rajonale. Rusia u përjashtua nga Eurovisioni pasi e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në vitin 2022./evropaelire./
-
Lajme nga vendi2 months agoBilall Kasami : Mega projekti që po bëhet realitet investim prej 70 milionë denarëve Tetova po transformohet
-
Lajme nga vendi2 months agoUniversiteti i Tetovës shpreh ngushëllime për vdekjen e studentes Daorsa Spahija
-
Lajme nga vendi2 months agoDogana konfiskoi 130 kilogramë mariuhanë

