Lajme nga vendi
Durmishi: Shporta e vjeshtës i dha rezultatet, qytetarët kursyen 1.360 denarë në muaj
Ministri i Ekonomisë dhe Punës Besar Durmishi sot në konferencë për media në
Ministrinë e Ekonomisë dhe Punës prezantoi rezultatet e shportës konsumatore të vjeshtës.
Ju fjalimi i tij:
Shporta e vjeshtës si masë që ne e miratuam në fund të shtatorit tashmë me ditën e
djeshme ka përfunduar. Masa u zbatua me sukses dhe sipas analizave të Ministrisë së Ekonomisë i dha
rezultatet e pritshme. E miratuam këtë masë për të mbrojtur qytetarët në një kohë kur ka rritje të çmimeve të produkteve themelore ushqimore , kryesisht gjatë festave, respektivisht për të
stabilizuar çmimet dhe për të parandaluar rritjen e tyre të menjëhershme. Kështu edhe ndodhi, me masën arritëm të mos lejojmë rritje të menjëhershme të çmimeve të produkteve themelore ushqimore, por stabilizimin dhe uljen e tyre në segmente të caktuara.
Analizat tona që i kemi shpërndarë tregojnë se çmimet e produkteve nga shporta konsumatore e vjeshtës janë ulur mesatarisht nga 5% deri në 10%, me ç’rast te disa produkte ulja e çmimeve është e vogël, ose nuk ka ulje fare (si p.sh. buka, vaji për ushqim dhe qumështi), derisa te produktet tjera e njëjta është dukshëm më e lartë (si p.sh. mishi, perimet dhe produktet e qumështit (djathi dhe kaçkavalli). Sigurisht, siç e dini, kemi pasur vërejtje për këtë masë nga pjesa më e madhe e
tregtarëve dhe disa nga shpërndarësit, por gjithsesi i dha rezultatet që i prisnim, meqë mbrojtja e standardit jetësor është prioriteti ynë. Të dhënat tona tregojnë se të shprehur në aspektin e kursimeve në para për një familje katëranëtarëshe, në nivel mujor kursimet nga marzhet e kufizuara dhe çmimet e ulura të disa prej produkteve është në 1.360 denarë për familje, në varësi të mënyrës së ushqyerit, si dhe zgjedhjes së tregjeve ku blihet ushqimi.
Kjo konfirmohet nga të dhënat e Sindikatave nga shporta e tyre sindikale, ku në tetor në pjesën e ushqimit dhe pijeve është ulur për 935 denarë. Kjo tregon se masat e qeverisë, të cilat janë aktualisht në fuqi, kanë dhënë rezultate dhe çmimi i ushqimeve për një muaj është ulur. Ulja e përgjithshme e shportës sindikale të tetorit është 57 denarë, por këtu e përfshin edhe qiranë. Në periudhën e ardhshme, siç paralajmëruam, do të ketë shportë të Krishtlindjes, të Ramazanit, të Pashkëve. Këto shporta do të kenë përbërje të ndryshme të produkteve, në varësi të asaj se çfarë shpenzohet më shumë gjatë asaj periudhe dhe në dialog me prodhuesit dhe me tregtarët, këtë masë do ta krijojmë në mënyrë që të jetë në interesin e të gjithëve dhe të jetë lehtësisht e zbatueshme.
Se çfarë modeli do të zgjedhim do të varet nga propozimet që do t;i marrim, e sigurisht duhet të merret parasysh se në marketet gjatë festave ka ulje dhe aksione të produkteve të caktuara, kështu që do të shohim se si do të mund të përfshihen në shportat e ardhshme. Ajo që është me rëndësi të them është se kjo masë, respektivisht shporta nuk do të zgjasë më shumë se një muaj. Respektivisht, janë parashikuar me afat më të shkurtër të kohëzgjatjes nga 15 deri në maksimum 30 ditë.
Pres që nga fillimi i muajit të ardhshëm të ketë ulje shtesë të çmimeve sepse, siç e dini,
një muaj më parë filloi zbatimi i Ligjit për praktikat e padrejta tregtare dhe presim që me
rezervat e reja të produkteve në tregje të ketë çmime të reja më të ulëta. Nga sot, masa e marzheve të ngrira nuk është në fuqi, pres që të mos ketë rritje të çmimeve nga tregtarët. Nëse kjo ndodh, respektivisht, nëse vjen deri te rritja e pakontrolluar e çmimeve pa asnjë bazë, atëherë Ministria e Ekonomisë dhe Punës do të ndërmarrë të gjitha masat që i ka në dispozicion dhe do të marrim vendime më rigoroze për të mbrojtur standardin jetësor të qytetarëve.
Lajme nga vendi
Struga nuk heq dorë nga Korridori 8, Qyra: Projekt strategjik për zhvillimin e rajonit
Komuna e Strugës ka rikonfirmuar përkushtimin për realizimin e Korridorit VIII, duke e cilësuar këtë projekt si domosdoshmëri strategjike për zhvillimin ekonomik dhe infrastrukturor të qytetit, vendit dhe rajonit. Në një njoftim zyrtar, Komuna thekson se Korridori VIII nuk është çështje zgjedhjeje, por një projekt me ndikim të drejtpërdrejtë në ndërlidhjen infrastrukturore dhe perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut, raporton gazeta KOHA.
Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, vlerëson se realizimi i segmentit Trebenishtë-Qafë Thanë është i domosdoshëm dhe duhet të vazhdojë pa ndërprerje. Sipas tij, institucionet duhet të veprojnë në mënyrë të koordinuar dhe të përgjegjshme, duke gjetur një zgjidhje që balancon nevojat zhvillimore me rekomandimet e UNESCO.
Në këtë drejtim, nga Komuna rikujtojnë se çështja është trajtuar edhe në një takim të nivelit të lartë të mbajtur në Paris gjatë muajit shkurt, ku janë diskutuar mundësitë për harmonizimin e projektit me standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e trashëgimisë. Komuna e Strugës ka dhënë tashmë një mendim të qartë dhe pozitiv për realizimin e projektit, duke e konsideruar atë thelbësor për të ardhmen e rajonit. Ky qëndrim, sipas njoftimit, i është dorëzuar Ministrisë së Mjedisit Jetësor.
Në funksion të rritjes së transparencës dhe përfshirjes së qytetarëve në proces, Komuna ka mirëpritur iniciativën e kompanisë Bechtel Enka për organizimin e një takimi publik konsultativ. Takimi publik do të mbahet nesër (e martë) në ora 12:00, në sallën e Këshillit të Komunës së Strugës, ku qytetarët dhe palët e interesuara do të kenë mundësi të informohen dhe të japin kontributin e tyre.
Autoritetet lokale theksojnë se mbeten të vendosura që projekti i Korridorit VIII të realizohet, duke e konsideruar atë jo vetëm si investim infrastrukturor, por si drejtim kyç për zhvillimin e ardhshëm të Strugës dhe rajonit përreth. (koha.mk)
Lajme nga vendi
Gjendet pa jetë 38-vjeçari që rezultonte i zhdukur, pranë tij u gjetë një pistoletë
MPB njofton se më datë 29.03.2026, në ora 16:47, në Sektorin për Punë të Brendshme (SPB) Shkup është raportuar se në një objekt të braktisur në zonën e komunës së Aerodromit është gjetur i vdekur personi me iniciale M.K. (38 vjeç) nga Shkupi.
Sipas informacioneve të para nga policia, pranë trupit të pajetë është gjetur edhe një pistoletë. Vdekja është konstatuar në vendngjarje nga mjeku kompetent.
Viktima ishte denoncuar si i zhdukur që nga data 03.03.2026, pasi ishte larguar nga shtëpia e tij dhe nuk ishte kthyer më. Ekipet policore kanë kryer këqyrjen e vendit të ngjarjes, ndërsa me urdhër të Prokurorit Publik, trupi i të ndjerit është dërguar për obduksion (autopsi) për të zbardhur shkaqet e sakta të vdekjes.
Lajme nga vendi
Devijimi i Korridorit 8-të, Nikollovski: S’mund ta rrezikojmë anëtarësinë në UNESCO, po kërkojmë zgjidhje të re
Një rekomandim i UNESCO-s për Maqedoninë e Veriut për segmentin Trebenishtë-Qafë Thanë ka mjaftuar që shteti ta rishikojë këtë projekt.
Ministri i transportit Aleksandar Nikollovski thotë se nuk mund të rrezikohet përjashtimi nga UNESCO për lëshimet që janë bërë nga projektuesit në kohën e pushteti të kaluar.
“Ndërtohet aksi për momentin, kështu që nëse s’do të kishim qëllim për të punuar nuk do të bëhej! Por, gjithashtu ka rekomandim shumë të qartë nga UNESCO për mbrojtje të mjedisit jetësor dhe të trashëgimisë kulturore, duke pasur parasysh se kjo zonë është e mbrojtur nga UNESCO, shkaku i relikteve të shumta arkeologjike që gjenden në këtë trase. Ne e kemi patjetër t’i përmbahemi rekomandimeve të UNESCO-s që për këtë trase nuk mund të merren vendime të pakthyeshme”, tha Aleksandar Nikollovski, Ministër i Transportit.
“Kjo zgjidhje e sjellë nga pushteti i kaluar i LSDM-BDI nuk parasheh lidhje me Komunën e Strugës me këtë autostradë. Dikush mund të thotë se mund të bëhet lidhje e re, por në projektin aktual nuk është, unë e kam këtu. Nuk ka lidhshmëri as me aeroportin sepse kalon mbi vendndodhjen aktuale të aeroportit dhe është e pamundur të lidhet me aeroportin që do të thotë nëse jeni nga Struga ose Ohri e keni patjetër të përshkoni përmes rrugës tjetër Ohër-Kërçovë”, u shpreh Aleksandar Nikollovski, Ministër i Transportit.
Këto rekomandime u diskutuan në një takim të autoriteteve tona me përfaqësuesit e UNESCO-s në Paris për mbrojtjen e statusit të kësaj zone në UNESCO dhe pas kësaj të punohet për një zgjidhje.
Ndryshe nga pjesa e Shqipërisë punimet po vazhdojnë për lidhjen e Korridorit 8 me autostradë drejtë vendkalimit kufitar Qafë Thanë, megjithëse fqinjit tonë UNESCO i ka bërë njësoj rekomandime për punimet në zonën e mbrojtur të Liqenit Ohrit.
-
Lajme nga vendi2 months agoRrjeti i madh i dyqaneve për produkte të shtëpisë Comodita Home po rritet akoma më tepër, tash me dyqanin më të madh në Re Mall, Tetovë
-
Lajme nga rajoni4 days agoZbardhet dëshmia e autorit të vrasjes së Liridonës, Plava: Kisha marrëveshje me Murselin, më tha se Behgjet Pacolli ka qenë në dijeni
-
Lajme nga bota4 days ago“Do jem makthi i Iranit”, Trump ‘kërcënon’ sërish: Nëse nuk ulen në negociata, bombardimet do të shtohen

